4.30.2011

Cikël poetik nga Laureta Mema




Laureta Mema ka lindur më 1979, në Kukës ku ka mbaruar shkollën tetë-vjeçare. Të mesmen dhe të lartën i kreu në Universitetin e Tiranës, për letërsi frënge. Më 2003 filloi studimet pasuniversitare në Amerikë. Në Universitetin e Arizonës ka mbaruar masterat ndërdisiplinarë për “Studime Franceze” dhe “Studime Feministe. Më 2006 ka filluar doktoraturën në Universitetin e Washingtonit për “Kritikë letrare dhe letërsi Frënge”. Ndërkohë që shkruan tezën në vitin 2009 merr diplomën “Estetika dhe Letërsia” në Universitetin e Gjenevës. Në 2010 Laureta mendon të mbarojë tezën për Bodlerin dhe të kthehet në Shqipëri ku ka vendosur të vazhdojë punën e saj si kritike letrare dhe shkrimtare.

Laureta Ka botuar “M’dha Shpirt”, një libër me poezi të cilin Poetja më e njohur moderne Mimoza Ahmeti e ka prezantuar kështu:

“Laureta Mema është një autore e re e cila hyn me guxim në letërsinë shqipe me poezine e saj të freskët moderne. Shquhet për një origjinalitet e sensualitet sa gjuhësor aq edhe feminin. Bukuria e shprehjes me tingujt shpesh krahinorë, përgjatë një shoqërimi idesh në rrokjeje të subjektit, e bën këtë poezi shumë tërheqëse për lexuesin. Është një autore sensibël, dhe për fat të mirë kultura nuk ia ka fashitur cilesinë autentike të krijimit”.

Jam!

Jam rritur mes kacabujsh të prerë

Që rilindin veten,        si krimba toke

Jetoj në thithkën e gjirit të tyre

E kurrë nuk vdes!

Kurrë!


Dashurinë tonë…

Dashurinë tonë, e kafshoi gjarpëri
I harruar kujtimi i tij
Kanë mbetur disa të thëna
Për të lënduar gjithmonë
E ndaluar edhe gremisja…

Shumë keq…

Dashurinë tonë, e pështyu lepuri
I përqeshur kujtimi i tij
Kanë mbetur dëshirat peshë
Për t’u përplasur n’jehonë
Shkurtabiqe edhe mburoja…

Shumë keq…

Dashurinë tonë, e këndoi i çmenduri
I palodhur kujtimi i tij
Janë përhumbur duarpunëtoret
Për të na përkëdhelur me ni-na-na-na-na
E thinjur edhe vegjëlia….

Shumë keq…

Dashurinë tonë, e shkarkoi barrëtari
I prangosur kujtimi i tij
Për të na reklamuar gjoja veten lakuriq
Për të na mëkuar me shitje-blerje
I pabesë edhe zhgënjimi…

Shumë keq…

Dashurinë tonë, e groposi i verbëri
I nderuar kujtimi i tij
Jo, nuk lodhen thesar-kërkuesit
Vetëm kopje shpalosin në muze
As fund i detit nuk e mbajti Fjalën
E padurueshme edhe e drejta…

Shumë keq…

Dashurinë tonë, e nisën me pulla poste
Nuk dimë ku e shpuri teknologjia
Për të na ndjellur diku, matanë
Për të na treguar firmat
E shitur paskësh qenë, që në zanafillë!

Shumë keq…

Por nëse harrojmë të psherëtijmë
Kjo s’do të thotë se jemi hyjnorë
Sa të ngjashëm mbetëm, me hekurin
Ndryshku i tij, porsi krenaria jonë!

Shumë keq…


Dashnore pa emër

Dashnore ma vunë emrin
Kur linda me atë këmishë
Këmishën e dogjën
Tre gra, me bluza të bardha
Nëna ime e donte për hajmali
Me ma var vetë tek qafa
Pasi ta ngjynte, tek pusi i gjakut
Mes këmbëve që s’po mbylleshin
As kur ajo vdiç

Sigurisht  që do të bëhesha
                                 “Haramja e Qytetit”!
Dashnore pa emër…

Kur ribie nata, dyert hapen tinazi
E mbyllen sërish, me virrmë memeceje
M’shtyjnë duart e nxituara mosmirënjohëse
E unë ulem ndonjëherë mu te pragu i Atij edhe qaj
Pastaj eci e eci natën, ndjek kofshët e mia t’vetmuara
Si dy kulla nënujore të Butrintit, të pazbuluara, jo akoma

Sigurisht  që do të bëhesha
                                   “Horrja-lavire e Qytetit”!
Dashnore pa emër…

Shtriga e bardhë ma ka dhënë një ilaç
Thotë e ka përgatitur me hirin e këmishës time
Thotë se hirin e kishte gjetur në një grusht kufome
Të një gruaje me barrë të vona, e një sy t’hap’, laraman
E kjo nuk ishte një shenjë e mirë

Sigurisht që do të mbetesha
                                         E Mallkuara e Qytetit”!
Dashnore pa emër…

Mëngjeseve i mbledh mallkimet e rrugëve
Ato të plakave më rëndojnë si më shumë
Sidomos kur i heqin shamiat e bardha e

I vënë në prehër, sy e duar nga qielli:
“Mos të zënshin këmbët në tokë!
Mos të rëntë shpirti në qiell!”

Sigurisht që do të bëhesha
                                     “Poetja e Qytetit”!
Dashnore pa emër…

Me qymyr shkruaj
Vdekjet që po lindin
Lindjet që po na vdesin
Tek maternitetet ua përgjoj
Do të mbij një bebe porsi unë
Do t’ia presin këmishën me gërshërë
Tre gra me bluza të bardha, do ta djegin
E nana do të vdes mes këmbëve ku s’i shtuposet pusi i gjakut
As kur ajo të vdesë

Sigurisht që do të bëhesha
                  “Shenjtorja e Qytetit”!
Dashnore pa emër…

Unë sybardhoshja
Do ta zgjas grushtin, mespërmes zemrës së trungut degëprerë
Do ta shtrëngoj fort-e-fort hirin e qullosur si dhè bote
Gërvisht prej Kepit t’Prethit, me i mshel vrimat
Kazanit t’rakisë, poshtë flakëve plasaritëse
E shtriga e bardhë do ta ndjejë erën
E gjakut që i përzihet n’stomak
Bashkë me shoqet e veta

Le të vijnë të më marrin!
Të më shpien, majë fshesash
Tek nëna që ofshan mes tokës e qiellit
Për të ma vënë tek qafa Hajmalinë e Dashurisë


Sigurisht që do të bëhesha
                                   “Heroina e Bardhë e  Qytetit”!
Dashnore pa emër…
  

Pa mëngë

Do t’thur një triko t’gjatë
Të ia filloj e të mos ndalem
Me gjitha stër-kastra-gjyshet
Do ta nisim, mu aty, ku të jemi
Pa model, veç mbarë e mbrapsht
Kur të piqemi te qafa, do ta prishim
Lëmshat do t’i zhdredhim, me gishta
Perin do ta shngjyrosim e ta hekurosim
Shtizat t’i sosim por jo përrallat e kaluara
Të na mbajnë ngrohtë!
Si lumi Drin kur del nga shtrati e vonohet
Atje tek gryka, me tallaze përronjsh takohet
Shtohet, por asnje pikë nuk i rrjedh, mendohet
Kur lëshohet, gjer këtu, krisma dëgjohet, atëherë
Riprishet e Rifillohet!
  
Dëgjo këtu! 

Shtratin tënd mos e lër kurrë vetë të shtruar!
Në ta kanë rregulluar, ti ta prishësh tre herë!
Jastëkët, ktheji përmbys, shtatë herë, në derë,
Perdet t’i kesh gërshetuar nëntë pranga për frerë! 

Natën, në bark, sigurisht shtriqu me gishtërinjtë e kundërt
Me orë hidhja sytë asaj gropës së zezë,  ku ngjizet Toka e Re
Mos ki hiç gajle! Llava s’të vret, ajo veç th’rret e th’rret e th’rret
Ti bëj sikur s’dëgjon, mbulohu n’dhe, me rrasë t’nxehtë ngjeshja ballit
  
Nëse kriset nga e majta, hap syrin e djathtë!
Nëse kriset nga e djathta, hap syrin e majtë!
  
Kur t’zgjohesh mos harro: ne as s’jemi parë, as s’jemi dëgjuar kurrë!


 Trungjet Shabllonë

Edhe sot munda ta shtyj si gjithmonë
Po me shije, pse jo, si një puthje të parë
Edhe sot nuk kisha asnjë nostalgji të shkuar
Asnjë syth trashëguar, asnjë pickim në damarë

Nostalgji t’shkuar s’kam se dysheku është paralizuar
Më pëlqen të jem vetëm më mirë, t’përgjoj në hije
Këtu ku ka veç djaj të majmur e të mbipunësuar
Figura shekujsh përzier, llangarosur pa shije

Këta lëvizin e unë s’dua të flas
Por mund t’zgërdhihem, t' bërtas
Brenda në shpirt kur më uf-ufe s’ka
Në paqe dhe harmoni kudo shkapërda’

Kur gjumi s’më zë e s’ka as edhe një pikëz qetësi
Nga vorbullat e gërrhimave, ndërkohë që ju flini

Do të preferoja, edhe trungjet prej meshini
Se do të kishin rrathët mavi të syve mi korbzi.

Ndonëse magji s’do të kishte në këtë copë toke
Trungjet e rrënjët prapë do të llullosnin të qeta

E mbase do t’vëzhgoheshin me kërshëri rrobote
Se gjethe nuk do t’kishte për t’u mbajtur stafeta

Nga lart çfarë do t’shihnin përtej lëvizjes, nuk e di
Veçse me sy, unë prapë do të pikturoja, si bleta

Atë copë jete, pa emër e të lakuar sa herë kushedi
Harruar në brengat e trungjeve ku vjell e vërteta

Edhe sot unë munda ta shtyja prapë, si gjithmonë
Edhe sot u harrova n’brengat e trungjeve shabllonë




Oh!
Një perde ra dhunshëm mbi ëndrrat e mia
Oh!
S’kish’ dritë fare, as dashuri për mua s’kish’
Oh!
Në shtratin bosh, veç lakuriqësi t’ndezur pija
Oh!
Në çarçafë të kuq po më priste vampiri, sërish
Oh!
Jashtë ulëriste, çirrej koha, kapsëlliste sytë
Oh!
                          Në mohimin e kotë kërkova helm të dytë
Oh!
      Nuk kisha dëshira dhe mall për askënd
Oh!
                                U përlesha  me veten e heshta rëndë
                                                         Oh!
 
Sy!

Sy! a ka atje matanë rrugës?
Sy! të më shohin prapë se s’u ngopa
Sy! të më ndjekin nga pas se s’u ngopën
Sy!
Sy!
Sy!

Sy! a thua po më mbetej fryma?
Sy! nëpër ajër, nëpër tinguj, se pashë një risi
Sy! më pillni pra, se po ngatërrohem me rrymat
Sy!
Sy!
Sy!
  

A! BRE!


Po i pi gjithë netët cigare
Po i thith e po i fik në shpirt
Me shtëllunga tymi tjerr dhimbje
Kur plagë une s’kam, as gjak të tharë
  
    Ah! Sikur t’kisha shenja plagësh!
                                           Po dyshoj akoma në jam unë
                               Aty e varur kokë-poshtë
             

Në rrotullamën e verdhë, shoh atë çfarë s’jam
Edhe burra lakuriq, që shtrijnë duart e dylbitë
Po shoh çfarë mund të isha në sytë e t’gjithëve
Po më neveritet prapë, ajo diçkaja që  s’e kam
Kur mëkatojmë, vetëm për gjithçka zh-bëjmë
Pse më rishkel zhurmshëm thundra e asgjësë
Po dëgjoj veç lutje, përplasen fort asgjësohen
Tek qepallat e qullta po tingëllojnë me vu’jtje

Po nuhas origjinën që më ndjek nga pas
................Se puplat po më bien një nga një
................................M’i vodhën zogjtë për pjellën
..................................A s’e sheh që plagë prapë s’kam?
.........................................As gjak të tharë, as tru të mpiksur
.................................................Po rrokullisem një livadhi me bar
...............................................................Çudi! se litari fare s’u këput
...............................................................................Po i vjell gjithë ditët
......................................................................................Te kjo copë letër
.........................................................................Po e shtyj a po më shtyn
.........................................................................Karrocë e ndryshkur
....................................................................E mekanizmit tënd
............................................................ Që më çmend!
aaaaaaaa                                                         aaaaaaaa
aaaaaaaaaaa                               aaaaaaaaaaa
aaaaaaaaaaaaa                                            aaaaaaaaaaaaa
aaaaaaaaaaaaa                                            aaaaaaaaaaaaa
aaaaaaaaaaaa                             aaaaaaaaaaa
aaaaaaaaa                                    aaaaaaaaa
AaaahaaaaaaaaaaaaaA                           AaaahaaaaaaaaaaaaaA
AaaaaAaaaaaaaaaaaaaA                        AaaaaAaaaaaaaaaaaaaA
AaaaA      AaaaaaaaA                                AaaaA      AaaaaaaaA

  
    Një -Dhomë - e - Kuzhinë

E shpartalluar ishte shkalla
I kafshuar ishte pallati
E praruar e gjitha
Në një dhomë e kuzhinë
Riluheshin TragjeditëQytetare

Gjyshja gërrhiste mbi divan
Prindërit ndukeshin mbi krevat
Ne mbroheshim në ofshamat pa dritare
Por rruga mëngjesore nuk ishte kurrë e lodhur
E ndanim mes nesh, si një fetë buke të sheqerosur
“Më jep një kafshatë dhe mua! A s’ta kam dhënë dje!”
Ma ke dhënë, ta kam dhënë..., e kështu ne jemi rritur
Nuk mundem si t’kaluar ta kujtoj, se aty rritem akoma
Gjyshja gërrhet tek dheu, prindërit nduken në divan
Unë shkundem në krevat, ku do t’mbijnë fëmijë
ATA
Të fshehur, ridalin, nga dollapet e krimbura
Me varëse rrobash, nën këmisha netësh
Tërheqin drejt ofshamave pa dritare
Ankthin e brezit tim... të thinjur
Që ripjell e ripjell e ripjell
Tragjeditë Qytetare

  
Dyshimi

Pa masë, pa formë, pa frymë, pa letër
Më mbyll në një kafaz, ku të harbohem
Pa fjalë, pa kryq, pa trup, pa lutje e vetëm
Më zhyt në moçale, me bretkoca t’pallohem

Pa tinguj me shtrëngo me aromë dëshirash pezull
Pa dhimbje më bëj të ndiej, në një kohë pa net e ditë
As sa hije lopësh peshë të mos kenë. Pa sy e kërrndezur
Atje ku nyjet lidhen. Pa krenari të jap atë që s’kam me shit’

Më lër të t’them se dëshiroj, pa lodhje të fshij të njëjtën gjurmë
Pa frikë pohoj s’ka dashuri, pa turp atë kërkoj në flokë që thinjen
Pa mëshirë po thyej një nga një Orët që s‘u varën asnjëherë në mur
  
Pa rrënjë, pa shkumë, një shkëmb lahet, i paturpshëm akoma në det
Mendon në ishte më mirë atje në fund se pasqyruar në sy njerëzish
Më duket vetja fare pa peshë, ngatërruar me t’internuar parazitë
Njeri thashë a mos jam, të shoh a mundem me njerëz të vdes

Pa ty, pa ata, of-of ofshaj, i nuhas nga pas, zagar që s’leh
Pa zot, pa mëkate, në një ferr që zgjodha mbase vetë
Po të marr, po më merr, s’pamë një kandil të fiket
Pa tym të shihnim një flakë, në dritë ta preknim

Veç një herë ta thernim si kafshë, me sëpatë
Veten lakuriq. Pa gjymtyrë të kem forcë
Për t’ju thënë barbarisht, o të ngratë
Kurrë s’ishim! Jo! Kurrë s’ishim!


                        Çezmet

“Po si s’po pikon çezma! As pikë-pikë!
Eshtë ndryshkur tashmë nga brenda!”

Me orë të tëra e thithim, gojëpërvëluarit…

“Ikni prej andej! Ju shpërlaftë mortja!
Ka për t’ju zënë sëmundja! Tartakuti!
Pu! Çfarë rrace e keqe! U zhbiftë!
Ikni teveqela! Po shkelni mbi xhama!”

E ulurimat, janë pashallarë të majmë, për ne!
Ndaj s’e kanosin shijen e re të rradhës
Ikën nënokja e vjen një tjetër
Më e egër se e para
Na kanë zili. Do ta thithim !
Derisa qafëmali ta lëshojë ujin që mban peng!

“Eshtë plasarit depoja! A s’merrni vesh!
S’e kanë fajin tubat, as ujësjellsat!
Atje lart është gabimi! S’ka specialist!
Gjynaf po m’vjen kur ju shof! Po m’habisni!
Po shkoni e  lozni, a jeni fëmijë?
U kanë hy dreqnit n’bark! Pu rracë e keqe!
U zhbiftë! U zhbiftë!”
E thithim ma fort!
Ia marrim frymën tubit, nji nga nji!
Ia fusim gjuhën thellë, e ia lëvrijmë gjatë
I hapim krah e këmbë, për të duruar dhe pak
Nofullat i shqyejmë e bëjmë sikur e kapërdimë
“Oh! Oh!”. Shkrryhemi përdhe, si kalorës biem
E s’e njohim kurrë lodhjen e humbjes

Ne s’po kërkojmë ujë? Diçka të errët ndjellim
As vetë s’e dimë se çfarë, ndonëse është sekreti ynë
Ekstazë… Vijmë aty, i jepemi… 

Me brohoritje, e shajmë! Se ne e dimë:
Natën çezmet na ikin, drejt shpellave t’zymta
Ku fshihen gjarpërinj
I shkarkojnë në zorrët e tyre
E verdhacuken si të pafajshme ditën, si të sëmura
Dergjen brenda nesh
Se natën,
Çezmet jepen
Për inatin tonë
Ne e dimë, i përgjojmë e plasim nga zilia
Flemë vetëm me njërin sy, me tjetrin rrimë roje
I mbledhim shkulmat me gjuhë kuqedrash e rritemi
…e rritemi… e rritemi…
                                       Por ditën,
Përsëritet në kor: “Kanë plasë ujrat e depove!”
E ne përsërisim ritualin, me shpresën se një ditë
Tubi i nëndheshëm, do ta shpërthejë edhe depon e shpirtit tonë!
  
 Maskat

Do t’marr një maskë, për sonte!
Një maskë të vërtetë
Me flokë të zinj

Do t’vishem si burrë, për sonte!
Do t’sillem si burrë
Me seksin tim

Do të bredh natën bareve
Të pi por mos të mbidehem
Të kap meshkujt për beli

Me dhunë!

Të rrëmbej psherëtimat
Që t’i përthith, me shkumë
Deri në pikën e fundit

Në banjot e Bllokut
Ku kundërmon veç erë
Dhe ka radhë duke u shtyrë

Radhë për t’u parë në pasqyrë
Ndërsa unë me zor shurroj
Ata qeshin, të ndyrë

Edhe ato qeshin nën pudër
Se kanë maska
Të vërteta
 Kocka
 mishi

Të të gjitha racave
Të të gjitha kombësive

Që u bien fyejve të syve

  
U lodha!

U lodha! Po ju a u lodhët?
Se unë po jetoj pa e ditur
Po ju si po jetoni?

Ju shoh tek kaloni
            Vetëm kaq, asgjë me tëpër
Ju përshëndes e hesht, shkretshëm

Po më anashkalon jeta në sa hije?
Legjendë me hile, pa shije
Ky trishtimi me zile

Lëmoshë dua, në ballin e bebes
Hej, lëmoshë se jam jetime
Në rrugën e pështyme!

                                                                                     

U këput!
  
Duhej të këputej edhe teli më i fundit
       nga shtyllat e korentit
Plagosur në palcë me gozhda të ndryshkura
Të përthyera, në të qarat e myshkura të drurit

Zogjtë nuk po guxojnë më me m’i prekur telat
Se kanë mbetur varë-varë
                                                              Vorbullosen si pula pa kokë
Se nga qafa e prerë pikon akoma energjia n’damarë

Por teli i fundit ma dha fort një drithërimë në zemër
Sa gozhdët u shkulën e m’i lanë vrimat e boshtit bosh
Mu aty po kalon ajri i ftohtë, i nxehtë, i lëngësht, i thatë

Më gudulis si mynxyrë kjo vajtje-dalje, mysafirë të pafytyrë
Me të zezën formulë që më më shakullis si të ngratë

Por teli i fundit, ma qetësoi pak shtirjen e stërgjatur
I mori me vete do vezë pikaloshe, morrat e mi n’qafë

Do fëmijë, pa u matur, i vranë me gozhdat e saposhkulura
Nëpër faqe u kërcyen stërpikat, e nëpër sy, deri në ushkura

Ndihem i lehtësuar tani... Oh, sa fort i lehtësuar... si ato fëmijë...
Që vazhdojnë të shtypin me gaz n’llomështi, morrat e mi, kuqezi...


Në Kosovë po britet me britma-britma

 Telat janë për gardhiqe tokash
Mbi to, varur, këmisha murimi
Vulat t’vulosura, me lapa, mollash

Kërmijtë janë për zhgarravitje
Mbi trupat e tyre
                               Shush!           Zhapinj!

Fryn murlani
Krahët ngulin gjembat
Ngrejnë gjymtyrët e tjera n’ajni
Poshtë tyre kumbullat vazhdojnë
Të bien n’shesh, nga rëndesa
                                                         Lluce-lluce

Hem ngjyrë e verdhë
Hem ngjyrë e kuqe
Hem kocka binjake, trinjake, x-njake

Gishta të prerë përqullin aty
                                              Vocërrakët

Me një këmbë anojnë nga shikimi
Me një këmbë anojnë nga dëgjimi

Si përfundim mbeten n’vend
N’vendin e kujt?
                            t’Asaj e t’Atij
                                        e t’Asaj-t’Atij

Që briti, në KupëQiellë, me sa fulqi
Pati: Sëmundjen Ngjitëse të Tërbimit


Në spitalin psikiatrik të Elbasanit

S’jam veçse një shpirt djegur përgjysmë!
Dhe hi nuk mbetet! Dhe hi nuk mbetet jo!

Një shpirt jo në vendin e tij, jo në themel
Në heshtje ndriçuar, me aq shume mishra
Por jetë s’mund t’i japin, aspak kthjelltësi!
Ajër të ftohtë dhuroi toka, për këta njërëz
Me klithma të gjalla, me histori t’vdekura

Është qesharake shumë tek i sheh gjunjazi
Si rrobotë të dhjamosur e të shtyrë nga era
Më verbon bardhësia, kur veçse ngjyra ka
Jam shumë e uritur e kam ftohtë pa ia nda’

Ndonëse s’mundem akoma t’ha, t’ngrohem
Kam frikë, se kur të nginjem e të  shkrihem
S’do t’kem më për çfarë t’lutem e t’ankohem
Se në këto horizonte s’ka më zhurmë e zëra
Asgjë s’ka.Veç buzë që lëvizin, të shpërbëra

Më mungon, një krismë shurdhuese pushke
Për një gërvishtje,  pas një piskame mushke
Për t’currilur gjakun, në një burim t’harruar
Kur Ata janë zgjuar...  Kur Ata janë  rizgjuar!

S’jam veçse një shpirt... i djegur përgjysmë...
Dhe hi, nuk mbetet... dhe hi nuk mbetet, jo!


                                                                               Ndoshta

Ndoshta pasqyra do ma thotë
Sekretin që akoma po kërkoj
Po në s’ma tha, s’ia marr dot
Edhe pse shpirtin stërmundoj

Ndoshta edhe më kap paniku
Kur sytë me grushta, i fërkoj
Kur terri përpak imazhin fiku
E shikimi shterp, më tmerroi!

Ndoshta edhe jam si e lodhur
Nga kjo shakaja jonë, bisha-lojë
E mbase kurrë s’ka për të ndodhur
Ky takimi ynë që kaq shumë vonoi

Ndoshta mbytem me shkulma natën
Nëpër ankthe duke u ngashëruar
Edhe mëngjesi më kall datën
Ndaj të kërkoj me-pa-duar

Ndoshta kështu ishte thënë
Të më vrasësh me sytë e mi
E të më ngjallësh ti duke shtënë
Atë llavë, ndez’ diku thellë, kushedi...
  

Masazhi sekret

Ranë pëlhurat e bardha
                       Mbi të kuqet
Po tejshkunden që nga pullazet
                                    Pa kanate dritaresh
Fshehur, në pjergulla rrushi, tallazet
Poshtë lëndinës, në pikën e parafundit
Do kulla përthyhen, porsi vezë pikaloshe
E verdha dylberin e majës me gjuhë përzhit
                                 Blunë kaliqafë, po ia shëtit


***
Mbi trupin e vajisur po masin
Rrëshirë, gishtërinjtë u rrëshkasin
Japin me mollëza energji fatale, flasin
Frymëmarrjet lakohen, imazhet përplasin
Qerpikët, dremisin përbri lëkurës zeshkane
Tingujt përreth, zhapinj qejflinj, n’mejhane
Kërcejnë vallen e burrënesha t’reja azgane
Një vogëlush u bie dajreve, midis ojnash
Lodrat përndizen me sqepa shqiponjash
E vullkani shpërthen asisoj bojnash
Tymin nxë në t’qara përrojnash

***

Ajo i mbuloi sytë
Me rrotulla kastraveci
Shpirti i ngeci, përdridhej
Dora kurrnace, po i kridhej

Mes kofshëve, mes buzëve i përvidhej

Iu rikthye masazhit sekret
Pozimit, para fisit të vet
Mbase do t’vdiste apet
Për t’u ngjallë mbret 


Stacioni ‘i gabuar’

U nisën autobusët
Nga stacionet e reja
T’hekurishtave
Kombinati xhamathyer
 Barkshpërthyer
Pluhurin e vet e hodhi pelerinë
Ndezi llullat e dikurshme
Pa bishta
Nga vrimat e veta
Po bënte me paqejf sehir

Do qafëleshë e përshëndetën me dorë
Nga sediljet e shurruara, pa ju ardh’ zor
Me ofshama të rënda e cingërima zagarësh
I shkulën krejt stafetat e kuqe, i lidhën lisharës
Shoferët skeletet e veta i bënin kala mbi timon
Kaq vonë, mbanin iso këngët e partizanëve
Rruga e kishte lëne tokën e leckamanëve
Majat e pemëve e rrjetat e karvanëve

Po iknin autobusët me njerëzit qafëleshë
Një zot e dinte ku do të mbërrinin peshqesh
Ata flisnin me vete, tregonin të Vjetrat Histori
Por s’guxonin kurrë ta shihnin njëri-tjetrin në sy
N’sediljen e fundit, kokulur psherëtinte Bukuroshja
Ishte një gabim, kishte vajtur në stacionin pa kthim
Ishte strukur tek qoshja, e ishte lutur që shoferi
Të ndalonte diku. Ai kishte radhitur dhëmbët
Kuturu, e ishte gajasur pa gjuhë. “E dashur
Nuk kthehesh më dot mbrapsht, pa mu’!”

Mbërritën autobusët
Në stacionin e fundit
Ajo akoma po besonte
Se ish’ thjesht një gabim
Ajo akoma... po shpresonte
Se do të kishte një stacion për kthim



                 Shpatulla e mishit

Mbi një kërcu lisi
Shpatulla e mishit përgjon
Kërcet sëpata, sa t’i hajë dora
Ciflat fluturojnë e kockat thyhen...

Tehu i sëpatës hahet
Mespërmes gjakut lahet
Bashkë me damarët e drurit
                                                Çahet...

Me sa fuqi, sëpata godet
                                          Mbi shpirtin e vet...


Tersi

Tersi u bë vrasës sonte
                                     E dija poet...

Me sytë e maces së zezë
U pamë gjatë e gjatë nëpër terr
S’ia lëshova rrugën, i thashë: më merr!

E dija poet, ndaj s’e lashë të qetë
                                    Në rrugën e vet

Me sytë e maces së zezë
E matëm gjatë njëri-tjetrin në terr
S’ia lëshova rrugën, i thashë: më merr!
                                   
                     E dija poet, por vrasës ishte krejt...


Shëndet!

Këtë gotë, dua ta pi

Veç për shpirtin tim
Se veç ai aq mirë i di
Vorbullat e mia të zeza
Të zezat vorbulla
Që lëpijnë gjuhët e gjata
Si lopët laramane
N’bjeshkët e Cakës...

Këtë gotë, dua ta derdh

Veç  për shpirtin tënd
Pulldisur pas shpirtit tim
Na ribashkoi gjaku
Për të na e lehtësuar
Dhimbjen që na ngjizi
Mu në pikë të diellit...

Këtë gotë, dua ta thyej

Veç për shpresën e fundit
Harrimin që na mban gjallë
Pa na fshirë më kujtesën
Pa na vjedhur mendimet
Lotët e rindryrë te pusi
Pusi që kurrë s’u shterr
Se spermë po bie akoma...

Këto qelqe, dua t’i bluaj

T’i gatuaj në magje
T’i sit si miell druri
T’i brumos me duar
Me gjak të qullosen
                                E t’ua servir
Në tabaka të shp’lame
                                Ju mos i pini!
Hapni sytë e shihni!

Ç’fat ju pret atje poshtë...
Ç’fat po ju pret atje lart...


E lumturuar

Gjethe me syçka... Hapa mbi gjethe... Cicërima nga lart...

Përqafuar në ajër...

Pelerinë e kuqe ... Degëza dhe yje... Balluke nën shi...

Vulosur me hapat...

Hije me çanta... Hapa me çizme... Pelerinë e kuqe...

Me ajrin përqafuar...

Flokë bjond në erë... Frymëmarrje në shi... Gishta të dashuruar...

Harrohen me hapat...
Mali i boshatisur

Në gropën e gëlqeres
         Ranë gurët e bardhë, plluq-plluq
         Shkriheshin gurët, digjeshin drurët
         Avulli pikonte nëpër gusht, thuthuq

Në gropën e gëlqeres
         Ranë zhgënjimet e mia si dush
         Nuk ngelej as hi i bardhë, as prush
         Mendimet s’po m’i ngurtësonte askush!

Në gropën e gëlqeres
         Mbijnë bishtalecat e erës
         Si Liza në Botën e Çudirave
         Në sandalet e grisura prej kauçuku
         Zmadhohen gishtat e hollë, të strukur
         Si pleshtat poshtë çarçafëve të fakirave...

Në gropën e gëlqeres
         Ranë plisat e kuq në bardhësi
         Shkrihej bora, po digjeshin letrat
         E bari dilte përsëri, i lëpirë e fodullxhi

                        Në gropën e gëlqeres
                                 Kërkoj gurët e tretur pafundësisht
                                 Lëmuar mbi faqet e suvave padrejtësisht
                                 Afër oxhaqeve te errëta ku tufani marrëzisht
                                 Shtyn tymin thellësisht duke na ngjethur mishtë
                       
                        Në gropën e gëlqeres
                                 Të rraskapitur, gurët e bardhë
                                 Të shkrirë në gëlqeren e përtharë
                                 Më folën me mall për malin e vrarë
                                 Shpirtrat e ndarë, barbarisht... barbarisht...


Një fjalë

Se vjen ajo,
Pa trokitur,
Pa lënë asnjë buzëqeshje,

Një sofër druri mbart mburojë,
Na ndjell.
Do t’ulemi diku,
Në një livadh, mbase,
Tek Liqenet e Lurës,
E nga brezi do ta nxjerrim të gjithë një lugë,
Do t’i biem sofrës me melodinë e erës,
Do t’kërcejmë me ritmin e zemrës së arbreshave të mbytura,
Do t’fluturojmë, me brirët e bishave t’egra.

Se vjen ajo,
Pa trokitur,
Pa lënë asnjë buzëqeshje.

T’inatosur e presim,
Bëjmë sikur e urrejmë,
I kthejmë mbrapsht hapat,
Se aq ëmbël na shijon,
Dora e saj, kur zgjatet.
E ne pastaj asgjë nuk themi,
Në heshtje e pranojmë,
Sundimin e saj.

Se vjen ajo,
Pa trokitur,
Pa lënë asnjë buzëqeshje,

Asnjë dëshirë për mall,
Dhe ne e dimë,
Një ditë do t’ia japim Besën,
Rreth sofrës prej druri,
E ajo më s’do të vijë,
Do të zhytet aty ku ka dalë,

Do të shuhet, siç shuhet me aq hijeshi, një fjalë.

 
M’dha shpirt

Në një fushë të madhe
Nën një pemë, të vogël
Shtaza e murrme po han
Zorrët e nuses,  së shtrirë
Ia lëviz turirin aty brenda
Në formë rrethore e pastaj
Me dhëmbë seç përtyp diçka
…………………fort të shijshme
Shpesh e ngre kokën me krenari
Dhe hedh një shikim rreth e rrotull
Andej nga bari që po dridhet i anojnë
……………………………….....të dy veshët
Pastaj merr turr e i rihidhet nuses përsipër
Me këmbët e mbrapme ia shkul zorrët e fundit
Prej cepash t’buzëve i kullon gjak edhe pështymë
…………….. Lehtazi ia prek me putra nuses gjoksin
………………..A thua se ka frikë mos i prish formën
………………….Pastaj ia kafshon, me rrënjë ia shkul
………………………………………….edhe ia kapërdin
………………….. Ashtu bën edhe me gjoksin tjetër
………………...…..Teksa i qesh gjaku, i sojit të vet
E kthen kokën drejt një piskame dhe mendohet:
“Se mos po vjen dikush a- ? Askush s’po vjen!”
U afrohet tash buzëve, shikon me adhurim
U merr erë, por seç po ndjell rrezikun
“Pse po dridhen gjunjët?
A po e ul Ai kokën e vet?
A po e ngre Ajo, të sajën?
A po kafshon kaq fort, Ai?
A po kafshon kaq fort, Ajo?”
…………………..Ej!………………….
………………….More!…………………
………………………Ej!………………………
Po vrapon tash nusja, me zorrët varur mbrapa
Me dy vrima në gjoks e me dy grushta n’ajni
Fustanella po i ngjante… atij filmit horror
Zë jehon me sa shkulmash drejt qiellit
Një pikë ujë kërkon e ujë s’po kish’
As mbi mustaqet e kallinjve
Iu hakërrua diellit
Iu hakërrua pemës
Iu hakërrua gjakut të vet
Pastaj ra mu aty ku ishte e shkruar të binte, bri më bri me shtazën
E puthi me sa fuqi kishte tek kafshimi i vet e me ofsha i ofshani
“Pse s’po qesh edhe ti me mu? Pse s’po qesh askush? Asgjë?”
U qesh e u qesh, derisa m’dha shpirt

  
Dua!

Dua të puth!
Aty ku ra agimi
Gogol i plagosur
Në pragun e erës
Të lajthitem!
A e di se unë i  hedh hapat
ndryshe?
Për çdo frymëmarrjen timen
Ngjalle n mizat
nga toka
E nusja e veshur në të bardha
Zhvesh nusen e veshur në të zeza

  
E përfolura

Korale mbinë, mes këmbëve të tua
Këmbët pse s’i hap?

Të rriten më shumë, si kallama thepash
Të pikojnë me naze
Si lotët e dashit
                           Kryedasmori,
                                                    Stolisur për thertore
Tufa-tufa, leshrat, ia marrin
                  
                           E përfolura, t’i ruajë, për çorape me rena të gjatë...

Korale mbinë, mes këmbëve të tua
Këmbët pse s’i hap?

Të thyhen trupa-trupa
Nga vargmali në vargmal
Të shqyhen mu te gojërrëza
Rrethoret, n’palcë t’u puthiten
                                      Për të fshehur vitet
Myshku të derdhet gjithandej, nga e njoma në të thatë
                                
                       E përfolura, ta ruajë për litarë barrash pa shtrat...

Korale mbinë, mes këmbëve të tua
Këmbët pse s’i hap?

T’i shkul me gjithë rrënjë
T’i mbjell n’arat e mia
Rrënuar tejepërtej
Kam varur penj të bardhë, për të prishur syrin
Gjithë tallazet që kalojnë, sydalë qëllojnë

                           E përfolura, t’i ruajë për plugime azmash, natë për natë...

Korale mbinë mes këmbëve të tua
Këmbët pse s’i hap?
  
T’i ngul të gjithë shqisat

Le t’më pikojnë gjak
I kam ndjell’ me përpëlitje, dermët i kam hak
Të më ngrenë hi vorresh
Të më zbresin lugat

                  E përfolura, gjithë drynat le t’i shkul nën rrënojë
                                                
 Ti këmbët pse s’i hap!


                               Sot,
         në do ta dish
                                 E vrava
Shtizat i ngula mbi të
                                      Larg,
                                                me vrasësen u takova
“Nuk kishte vdekur!”

Ekranet po shpjegojnë tani: “Është mrekulli! Nga koma është zgjuar!”
Doktorrët e pohojnë: “Tre plumbat në zemër i kanë gjet’ rehati!”
Besimtarët ofshajnë: “Ka një lajm, me siguri, nga matanë!”
Bota lutet: “S’do pushojë së qari! Është për ne kurban!”

E unë e vrava!
                        Jam e sigurtë!

Me rrëshkasin dhe mua pa bindje lotët
                              Po shpresoja t’i rikthehej komas...
Kurse ajo është përtej çmendurisë
U deklaron mikrofonave: “Zoti më ka mësuar gjuhën e humorit...”
                                        E kjo s’është shaka! Kjo është përtej hiles!

Shkova ta shikoj vetë
Mbi shtratin e boshatisur kërcenin bluzat e bardha...
“Ka vajtur tek të varfërit... U tregon barcaleta të vdekurish...
                                                                       Vetë Zoti ia ka mësuar!

Ata qeshin e qajnë!
                                      Ajo qesh e tështin!
                                                                                   Unë i rizgjas shaminë!

Më ka përzgjedhur
Në çdo teshtimë, mbi shami më dhuron tre të shtënat
M’i fal me dashuri

Ata qeshin e qajnë!

                                                                                          Ajo qan edhe  flet!
                                                     
                                                                                          Unë as qesh as qaj!

                                                                                          Mbi tështimën që vret!


Gremina e sipërme

Tek barkushi yt, sa herë unë jam qetësuar
Mbështetur shpesh pas arrës njomëzake
Me kakërukë të verdhë, të paqëruar
Bari del nga kastërdhëmbët e tu
Prandaj lopët krejt e rrufisin
Me jargët gjer në gju


E unë vështroj gjithmonë nga atje sipër
Atë hapje të kuqërremtë nga shembja
Do dalë diçka, e di, krejt papritur
Sa do t’mjaullijë frashëri i ri
E unë krejt e pangishme
Do t’pi tek cicat e tij
  

Zhvishu!

Edhe sytë?
Edhe duart?
Edhe kockat?

Zhvishu!

Sa shtresa?
Sa shpalosje?
Sa tru-all-osje?

Zhvishu!

Derisa Unin ta zhgunësh!
Do të jem aty për të të parë
Edhe pse koha s’më mjafton
Kurrë, për Urdhëroren

 
Peizazh shkel-e-shko

Në çdo dritare
Doli nëna, theu xhamat e pangrëna
E përzunë me të shtëna

Pas çdo lisi
Foli hija, nxori kapelen vija-vija
Ia rimbushën me kakërdhia

Mbi kalldrëm ngeci taka
I kishte të rënda fjalët e paka
E strehuan porsi flaka nën baraka

Nëpër ajër duar-shtrënguarat
Matufepsën të shëmtuarat
I qëlluan me të harruarat

Tek stolat u mbështet dora
Se ç’kërkonte nga Ajo e gjora
E më pas e perqeshte: “A ta mora! A ta mora!”

Sipër krevatit flinte Bota
I kishte të vona vuajtjet e kota
U gjëmonte, u gëzonte e mbi kullota pillte Zota

Nëpër mensa kusia pjata
I joshnin luga-pirunjtë e sata
I përpinin, i pështynin, gjuhëgjata në shamata

E kudo rilindte jeta
Ishte e qëndisur me rrena t’vërteta
Po pëlhura te kuleta më shumë krimbej feta-feta

  
Trëndafili i zi

Trëndafil t’bardhë Dora mbolli
Trëndafil korb t’zi Toka polli
Farën e hodha horizontalisht
Aty mbase filloi gabimi
Ishte i Tokës a ishte i imi?

Zezona u rishtua në sythe të palodhur
I këpusja-e-i-këpusja-e-i-këpusja-oi!-oi!
E plagët mbylleshin
Inatçore
Sfiduese
Të syrit

Një ditë trëndafili m’bërtiti
Kur s’e prisja më priti:
- Shejtankë! Mos m’ua ha kokat fëmijëve, ani-ani!
Rrënjet më shtohen, ta dish, thonjtë gërryejnë më shumë
Drejt errësirave anohen
Do m’i lësh rehat
Kufijtë e erës
Mbidehjen
Time
- Më ke hypur sipër, edhe veshët m’kruhen nga aroma jote
Gjembat t’i ndjej mbi çati e avllinë u lodha duke e lartësuar
Ata një ditë do t’i shohin.
Ti je tinëzar, mbi mua do të hakmerren

- Pse shtiresh? Natën në vaska petalesh të mia a s’zhytesh?
Orgazmat kush t’i ngjizi? Pa mua, as kujtesa s’do të të vinte
Mëngjeset gjetheve m’u avitesh për shijen e re e kur përzhitesh
Me diellin, tek hijet e mia si mackë zvarritesh. Ata do të të kishin ZILI!

Trëndafil t’bardhë Dora mbolli
Trëndafil korb t’zi Toka polli
Farën a e hodha horizontalisht?

Aty mbase filloi gabimi
Ishte i tokës a ishte i imi?
                                                 Kushedi?
Dy gjemba më janë ngulur, nga një në sejcilin sy
Për ta tejshkundur mirë pa to përditë pjellën time:
                                                                               Trëndafilin Tim të Zi
  
Bardhoshi kalë

U turr shtriga miza-miza mbi kalin e bardhë…
Ai e shkuli shpejt bishtin, me dorashkën ndër dhëmbë...

                                                                              Kalëronte…
Si i çakerdisur shkelmonte, mbi motorrin e kraharorit, t’vet…

Ikte kali, trokëllinte, pas tij i ngjeshej tymi...
E sh’llunga e mizave, fshesës shtrigamadhe…


Ndaloi kali tek një lumë, hingëlliu shpresën…

U zhyt thellë-e-më-thellë, i frenoi thumbat e helmit të djallit…
Tek turiri i tejzgjatur, si bleta e trembur, mbi të moçmin lis…

Tek sytë iu pasqyrua kalit… ylberi i padurueshëm… i jetës…
“Do ta fus edhe hundën!”, tha kali, “edhe sytë, do t’i zhys!”…


Fshesa e mizave ia veshi pelerinën shtrigës…
Ikte me të katra shtrigamanja…
Mbi ujë parmenda e të qeshures së saj...

Plugonte zinë e vdekjes..
Nën ujin kristal, kali i ngordhur, vriste, me bukurinë e bardhë!
                    7-pashë-i-shtrirë-7-pashë-i-heshtur-7- pashë-i-vrarë!

Ofshamën e fundit si amanet ia dëgjova:
                                           “Nuk kam dashur kurrë ta vras veten!
Të lutem, lajmëroi, me gazeta të ma mbushin cep më cep varrin !

Nën ujin kristal… kali i bardhë… vriste… me bukurinë e bardhë…
Nga thundrat e tërhiqja zvarrë – zvarrë...
                                           Ameneti i tij po kërkonte të satin varr?


  
Hojet e fajit

Ajo i kishte sytë   pllaka-pllaka
Mbi to patinazhin e dërrmonte
Rrëshkiste,  bashkë me flluskat
Ngrihej peshë për rrotullamën
Ajo, kur unë mbetesha pezull
Pllakat i ngrinte pirgje supesh
Për të më mbështetur në altar
Veç sa për ta  rimarrë,  frymën
Pastaj prapë bijae  ringrihesha
Ajo m’dhuronte Tinguj Nënash
I shkundte rrugicat me openga
E i zvarriste mitrat e egërsuara
Kur qeshte, pllakat e humbnin
Drejtpeshën e botës që fshihte
Nxitoja t’i ngjisja copëzatpa u
Ngatërruar me sherr gjithçkaja
Ajo përthyhej n’çastin e fundit
Tekat e saj mezi prisja e duruar
Pa iu bindur kurrë deri n’gjunjë
Kubeve t’asfaltit qëlloja n’grurë
Ajo m’kthente shpinën e  shuhej
Atëherë merrja kot e s’bindesha
E kisha hak gjuhën që m’lakonte
E m’gëlltiste drejt hojeve të fajit


                       Dëgjoje!

Po pres të më neveritet,
Brutalisht,
Zhgënjimi.
Në ajër e ujdisa,
Në ajër e braktisa.
Unë Zot i kohës, kohë-zhdukur,
Ti Zot i kohës, kohë-përjetshëm,
Dëgjoje!
Një zemër do ta rrëmbej, more hej!
Nuk e kam në ëndërr! E kam në gjak!
S’e sheh si po më lëvrin syri i shenjestrës?
Sa për të gjitha votrat e kam.
Për të gjitha foletë ku ngjizet jeta mbi shkam’.
Nuk i zihet besë qetësisë,
Zhdukem pa e lënë një nishan.
Shpirti i keq,
Mu në gjoks rizë e m’i mbërthen hallkat,
Durimi s’ka si t’i bëjë më derman.
Po një zemër në e rrëmbefsha,
Ia kam tregu qorrin e qorrit,
Para gjunjve do t’ia pres kryet,
Një nga një,
T’i vërvis me konop,
Mbi duart e atyre që bien e ngrihen,
Do shkunden vithet, do shkunden,
Këmishat do t’shqyhen,
Për një pikë gjak.
Nuk do të bie.
Jo s’do të bie!
Le të bjerë kush të dojë!
Gurin e gurit, iu bëfsha në gabzerr!
Nuk bie, askush mos të ia përtojë!
Se më dashurohet mua sonte, more hej!

  
Ajo

Ajo u lëshua gabimisht
Kur ra, u harrua
Fërkonte sytë e kokërdhokët ndukte
Nuk shihte
Fantazmat i kalonin rreth e përreth
Ndalonte Ajo përpara bukurisë së tejshkurtër
I thanë se ishte prona e vet


Një hije i shpëtoi
Ajo e tejlartësoi, e fantazmoi
Iu dha siç i jepet natën, shpirti ëndrrave
Qau, pa lot! Arësyeja e përqeshte gjithmonë
Ajo e përqafonte pastaj e anullonte me ulurima
Ndihej e braktisur


Kërcente
Qante gjithmonë kur kërcente, pa lot
I kujtohej vragulltazi
Ai imazh valltareje që tërbonte universet
Prekej, mu në origjinë
Kuptonte
Hija që i shpëtoi
Ishte bash


Ajo


  

Me një dorë të sëmurë, udhëtoj vend më vend
E zgjas për ta shëruar nën hijet e shenjta
E kthej, e përmbys, e tërheq, e zgjas…

Në shkrepjet e mallkuara sytë kanë kohë që s’kërkojnë më të shohin
Ata vjedhin, kryehajdutë, besnikë të shpirtit
Pretendojnë se sundojnë botën, rrenacakë pa frerë, ajo e di
Mos më këshillo! E urrej, pa fund e mëshiroj
Por sa shpejt e harroj, tek vërsulem e etur drejt qënies epshore që më jepet
Bën sikur më jepet, por s’më jepet! Bëj sikur s’e dua, por e dua!

Oh, lumi le t’i marrë! Deti! Shkuma!
Siç mori pajën e Lulies, Drini i Zi. Ajo pati qëndisur gjithë vitin
Poshtë qershiave të përmbysura ia mblidhja lotët, ia vadisja vajet
Për penjt e shkuar, pëlhurat e zbukurimit, këpucët e nusërisë, ujdisjet e miqve…

Por mushka e ngordhur doli në breg me këmbët e thyeme
Qëndroi aty vetëm një orë, sa për të mbushur katundin me aromë kalbësire
Shkoi edhe ajo në punën e vet…

E dora e sëmurë atëherë tërbohet, më zvarr drejt vendesh të tjera
Me të njëjtën uri si më parë, më lajkaton me trille artisteje
Edhe mushka e ngordhur në mua, fillon e pisket si një mbret
Zgjon mushkat e tjera, m’përqeshin që të gjitha me nofullat e jeshilta
Shkundin dajhire me zilka…

Oh, le të jetë ç’te jetë, kjo dashuri ajrore!
Që më mpin me shijen e kajsiave të papjekura
Që me tundon me kranet e thata gati për t’u ndezur për gostinë e radhës
Sa do të doja t’i mblidhja që të gjitha, t’i erëzoja nëpër tymnaja…

Ja, e besoj! E beson! Jemi shëruar!
I them dores së sëmurë, të kam sunduar, moj, me këngët e dasmave
A s’e sheh? Ky tingull lëkurash është më i fortë se rënkimet e tua, më largpamës
A s’po rreh ti në mua, ashtu siç i turrem në kraharor, ashtu siç i bie ndër krahë?
Ani, më ndjek nga pas, inatçare, xheloze, por je marrosur fare!
Se dorë të shëruar s’kam, është cunge moj të them! Cunge! Cunge! Cunge!

Ti krenohesh se po lufton? Vazhdo kur nuk ia përton!
Se Lulia e vendosi, nuk do të martohet këtë vit

  

 Kacavjerrë jam tek mulliri i fshatit
Gumëzhin uji me gjuhë të bardha
Kam frikë se do ta përpijë  dheun
Do t’u vërsulet hambareve n’baçe

Ndaj një krah e kam zhytur tek oxhaku
Thellë në drithin që bluhet
Petriti i zbraz sërish thasët
E djersët e lëkurës shpinës
I shtohen aromës së bukës

Oh, sa më paska marrë malli për sytë!
S’di ç’bëri vaki
Nëpër vakëfe po i kërkoj përsëri
Ndjell të plotfuqishmit, me mish e raki
Se më mori malli! Të më fryjnë një herë te balli
Se më dogji Lindje-Perëndimi mësysh

Ia kërcet papushim fyelli
Në kanë lajthitur, mos ua thoni!
Se ranë tri pendët e zeza nga degët
Por trungjet shkunden akoma nga ikja
E atë fërfëllimën e tyre e kanë shumë qejf
I gudulis tek barku, ho-ho-ho, i gudulis tek shpina

Lërmëni t’ua dhuroj me dashuri këtë marrëzi të re
T’ua besoj siç ua besojnë lodrat jehonën maleve
T’ua zbukuroj me kurorat e bririt, ditës verës
Lërmëni pra të bie në gjunj e të këndoj
Mrekullitë që pashë në shpirtin tuaj

E pastaj, tek të harruarit përjetësisht le të shkoj!


 

Të kam shkruar një letër,
E di që s’ka postë, as atje tek ti, as këtu tek unë.
Por unë e kam shkruar. Është e para dhe e fundit.
E di që s’mundesh ta lexosh, as ti, as unë.

Por unë e kam shkruar. E kam këtu përballë.
I bëjnë hije veshat e rrushit, korb i zi.

Është e shëmtuar kjo letër,
Fund e krye e mallkuar, si të gjitha letrat.

Me shekuj ruajnë sekretin, e kalojnë duar më duar,
Shkronjë më shkronjë, heshtje më heshtje,
Ndërsa me thelbij hudhrash mbrojnë shenjat.

Është i përbindshëm interneti, të kall datën postieri,
Korrespondenca vazhdon botohet,
Njëqind volume kishte njëri, dhjetëfish kishte tjetri,
Kujt po i lexohet? Kur, në bibloteka biblotekohet,
E vjetra edhe më vjetrohet, karta me kartë arrnohet,
Gërma me gërmë pllenohet. Asgjë s’harrohet!

E unë të kam shkruar një letër. Kur do të vish ta marrësh?
Të kam shpjeguar shumë gjëra,
Se si përpunohet historia, se si lërohet politika,
Se si thuret-shthuret e gjitha,

Dhe gomarin s’e kam harruar,
Akoma e ngatërrojnë me mushkën dhe kalin
Se qimja e ka fajin, edhe krenaria, e postës së zhdukur,
Ku brumoset karta nga mbeturinat e ricikluara.


Të kam shkruar një letër … E di, s’do ta postoj kurrë…
Por unë e kam shkruar…


Ditë e turbulluar

Dikush tha: “nuk mund të vriten fëmijët!”. Turma u përgjigj: “E përse jo?”
Dikushi e mbylli gojën. Interesante m’u duk!
Pa shih! Ekrani i paska vënë syzet e plazhit. Raporton: “Kanalet me ujra të zeza
U ngjajnë zorrëve me malarie. Nënë Tereza nuk ka si të ngrihet nga varri...”
E përse Zoti nuk dërgon dikë tjetër të merret me to?

Tani, operacionet plastike, pas vizatimit me laps të zi, shihen nëpër palestra
Aty djersitet, por dhjami është tejet i rëndë, tamam si fashat e përgjakura.
Fundi i fundit, estetika gjithmonë njerëzit i ka stërmunduar,
Ata nuk munden ta asgjësojnë shikimin… kjo s’do të shpjeguar!

A nuk fluturoi? Ai avioni i teknologjisë së fundit, ushtarakisht,
Mbi kokat e një fisi të vjetër indigjenësh brazilian, bota tha: “Ja origjina!”
Bota harroi se origjina u përpoq me përbindëshin fluturues,
Gjumi përfundimisht iu tjetërsua!

Kurse, poetët e rinj, të plakur kaq shpejt, gjithmonë anojnë nga qytetërimi,
E përqafojnë, e mallkojnë, kurrë nuk i thonë lamtumirë, as ata që vetvriten.
Unë, prapë s’e kuptova kush quhet i qytetruar e kush i paqytetruar.

Thonë, një vajzë e vogël, ka kohë tashmë, i shfaqet çdo të gjalli në trotuar,
Me një rryp të verdhë në dorë, u bie disa deleve që s’lëvizin,
Ajo, nuk po e kupton se janë statuja, ajo nuk po e mbaron kurrë refrenin e saj,
Kjo po që është e bezdisshme, ndonëse s’ka lidhje me pikëpyetjen time.

Po, më e bezdisshme se plakat trenjake, të ngjitura në një trup, me flokë të kuqe,
Të lëshuara gjer në tokë, se kështu iu pëlqen më shumë turistëve.
Edhe fshatari i trashë nga Elbasani, u bë i famshëm se dhjetë kosheret e bletëve,
U zhvendosën mbi surratin e tij, pa e pickuar, as edhe një herë të vetme!


E habitshme, por jo dhe aq e habitshme…
Se tek ishujt e budistëve shkoi edhe Madona, doli shumë origjinale kënga e saj.
Unë kujtoja se kishte vajtur për të dëfryer, krejt gabim e kisha.
Gabim edhe kur u thashë studentëve Amerikanë: “Në djall vaftë Parisi i adhuruar!
Në djall kruasantet, Eifeli, moda e homo-trans-seksualëve, edhe bonzhur-bonsuar!”
Ata kujtuan se ishte humor Ballkanik, ndaj qeshën, pa u stërmunduar.

Si s’po kalon ora! Nga banja vjen gjithmonë era mut i thartuar,
Pse, vetëm nga banja? Por tashmë jemi mësuar.
Ja! Mbi bar, kanë ngulur nga një flamur të zi, për çdo ushtarak të vdekur në Irak,
Sa bukur që duket, të gjithë i nxorën aparatet, të gjithë fotografuan.
Por Iraku është kaq larg, kaq i pafat, si dikur të tjerë, ndaj le të jetë i duruar!

Edhe unë jam e duruar.
Nën derën e marrë me qera, një pusullë tjetër e shkalluar: “Lidhi moj macet!
Janë tërbuar!”. S’kam mace, kjo është komshija e vetmuar, do të zihet, por jam sërish kaq e dërrmuar!

Sa kohë duhet për të kuptuar? E gjitha ishte drexë e shëruar,
Por e kruajtura s’paska të mbaruar, me kapakë breshkash është forcuar,
Më mirë edhe sot të kisha munguar!



                                                                                                                                                  Jo!

Ky blerim
Nuk është i sotshmi
As i djeshmi, as i motshmi

Është i shumëhershmi
Është i shumëvonshmi

Jo, s’është i sotshmi!
Freskon freskia, simfonon simfonia
Asgjë s’dëgjohet, as rinohet as vjetrohet

Veç trishtimi trishtohet, kur mendimi zë afrohet
Edhe qyteti nis e largohet, as s’i flihet as s’i zgjohet

Rruga, me kollë të thatë përfundohet

  
- Aj Ylli! - Aj Yllo!

Sonte kjo anijeështë e mbuluar e gjitha me dritë
Nata më sillet rrotull për të më kujtuar të gjithë dashnorët e dikurshëm
I dashur, po thoje...
Të mos isha kaq femër e bukur nuk do të më kishe ftuar sonte
I dashur, po thoja..
Të mos ishe kaq mashkull i bukur nuk do të t’kisha ftuar sonte

Ajo, simotra arsye e dytë që duhet shtuar mbetet pezull, s’ka nevojë...
Se dashuria për bukurinë... na paska lidhur
Nën dritën e hënës, mbuluar me nektar gjithë anijen
Aty ta kërkojme më thellë tek njeri tjetri, ta depërtojmë...

Ngjan shpesëdhënëse
S’do t’i shkulim dot të gjitha imazhet, do të ruajmë gënjeshtrën e ëmbël
Në cilin kafshim do të ngjallet? Në cilën prekje do të ngjethet?
Unë e ndjejTi e ndjenMes kofshëve tona, vjen e rivjen
Ku djallin fshihet? Tek veshi, tek gjuha, tek buza, tek syri, dora, floku...
                                                                                     ikje-pritmat...
Kot t’i marr me radhë. Diku është, fshihet dhe është
Mbase s’do të na shijonte kaq shumë kjo përleshje e lajthitur bukurie
Simotra e saj, dashuria, i bën fresk me dorashkën e tejdukshme antike
Na freskon shpirtin tej e përtej,  e pastaj na e rishpërthen mu në fund!
Duke i shumëzuar njëherësh dëshirat e fshehura që e fundosin anijen
          E si fishekzjarret, ndizen-fiken pa lënë as edhe një dritëgjurmë
Dhe yjet më s’janë, as dashnorët e mi të dikurshëm,
                                as dashnoret e tua të dikurshme,
Zhgenjimet fshihen, çdo gjë do rinis vallë nga e para?
E para, e fundit... Mos do të arratisemi sonte i dashur?

Për të fundit herë, të digjemi, mos të dalim më në sipërfaqe, mos të rishihemi më
                                                                  kurrë!

A i dëgjon, i dashur?
Të gjitha këngët po përplasen me jehonë:


                                    - Kur të pashë moj thëllëzë, kur të pashë...
                                    - A s’të thashë o bylbyl, -o!, a s’të thashë...
                                    - Kur të preka moj Bukureshë, Bukurinë...
                                    - A s’të shtiva o Dashuri, Dashurinë...

Dhe ja ku...

Kjo aromë e mallkuar, lajmëtare e djallëzuar
Po na shkund nga brakstija, shtegtare e rizgjuar


- Aj Ylli! - Aj Yllo!
                                                              Bukuri-Dashuria, i dashur


Obobo! Obobo! Nuk ndodhet më këtu!

***
Në një rrjetë merimange kishin rënë vetvetiu, nga kushedi se ku,
Një numër i caktuar bulëzash uji,
Mëngjesore.
Mbi barin rozë,
Qëndronin të heshtura,
E prisnin diellin me mospërfillje,
Ndonëse…  ishte dielli i vdekjes anonime!
Ai do t’i nuhaste me shumë habi këto bulëza kaq të vogla,
Spera të pasqyrueshme uji, ku mund të shihte edhe krijuesin e vet,
Do t’i prekte me duar e ato do të dridheshin jo nga frika, nga ngrohtësia,
Që depërtonte brenda sejcilës dashurinë... “Çfarë bukurie!” do të thoshte Dielli,
“Çfare delikatese! Ç’krijesa kaq të ëmbla!” e do të ndjente pastaj deshirën           
E parefuzueshme, për t’i puthur, për t’i përqafuar, për t’i depërtuar,
E ndërsa puthja do të zgjaste, ai do t’arrinte të kuptonte shpejt:
Rrjeta e merimangës ishte nje shtrat kaq i domosdoshëm,
E krijuesi mirë e kishte menduar, se përndryshe,
Ku do të peshonte Dielli ndërsa hynte në to?
....friksueshëm....

 
Kështu!

Një djalosh i ri, i gjunjëzuar mbi pirgun e gjetheve të vjeshtës
Nën degët e ndërthurura me kalimtarët, jo rastësisht të rastit
Shtëngonte duart, duke dëshiruar pa artikuluar lutjen e madhe
E cila shkundej e shkelte syrin në çdo hap të vajzës që largohej
Pa e kapërcyer dot udhëkryqin se shembej në shatërvanë dritash
E makinat turreshin, bashkë me të çmendurit e dalë nga Pesa
Me të verdhën, me të kuqen, simtoma të sëmurish harruar medashje
Fshehur në regjistrat e doktoreshave të shëmtuara poshtë bluzave
Mbase ngaqë në vend të seksit kishin nje shiringë të stërmadhe
Të mbushur mirë me lëng të bardhë e në vend të cicave rrumbullake
Dy qeska të kuqe me gjak, nga ku ata vazhdonin akoma të merrnin frymë
Ndaj po shikonin, sigurisht ky ishte motivi, se luteshin bashkë me të
Dhe dëshira i mori me vete të gjitha gjethet e pirgut të vjeshtës
Për t’i ngritur me bishtat e tyre të hollë, që po jepnin jetë
Për t’i ngritur pra fundin vajzës se mu aty, djaloshi dhe të lartpërmendurit
Do t’i mbushnin mendjen asaj, t’i hapte këmbët më shumë
Që t’i nxinte të gjithë, pa pritur lejen e radhës:
Të lutem, më lër të futem thellë në ëndrrën tënde, natën kur fle
Në mëngjes, fërkoi mirë sytë e zezë, pastaj na fshi siç bën zysha e letërsisë
Me shallin e saj prej leshi të gjatë, shenjat e shkumsit mbi dru,
Fjalët dhe e zeza nuk duken dhe pse shtiren, dhe pse zysha i tund vithet
Me një stërmundim të dhimbshëm a thua se po ngul penisa të shtrembër
Në vaginë, me shumë grremça duhet të jenë… Ashtu! Më fshi ti mua...
  
Djaloshi psherëtiu kur ikja mbeti e ve edhe u ngrit në këmbë
U mat me hijen e statujës përballë, ndonëse ishte gjysëmbust
E s’e arrinte, kruajti hundën me gishtin e mesit, futi dorën në xhep
Për t’u siguruar se nuk i kishte humbur kuleta me identitetin e ri
Dhe u drejtua duke psonisur , tamam si dje, një pajme të nguturi
Drejt Biblotekës Kombëtare dhe bëri sikur nuk e vuri re aspak
Se ë-së i kishin rënë të dy pikat... mbase i kishte vjetruar koha mendoi
Edhe retë mund t’i kenë përpirë, nëse s’është prapë një krim imigrantësh
Se të gjithë po duan të vijnë të jetojnë në Shqipëri, dreqi ta marrë!
Natyralisht! Na-ty-ra-lisht... se ata e dinin ... por ai nuk do ta lejonte
Pritjen e pikave... t’i  imponohej kështu duke i përdhunuar kështu…
Zonjushën e Bukur dhe Librin e Fiskulturës së S-së... para hundës së tij
Dhe të lartpërmendurve... Kështu! Po tamam kështu!

  
Mak-Mak

Ia kam falur sytë ekranit,  Mak – Mak!
Me dy gishtat e mesit,
I shaj shkronjat numrat, simbolet.
              I shaj e më shajnë, pambarimisht!
...

Syzeza i këndon trimit një serenatë Korçare.
Dikushi anonim, me nofkën ‘Perfeksionist’,
I ka bashkangjitur borën e Kukësit.
                               Gardhet vazhdojnë të zhgardhohen në Malësi!
...

Kafen po e pi me ekspreso italiane,
Nuk kam aq para sa të blej një të ‘florinjtë’, si ajo e dashnorit tim.

...
  
Nga dritarja e dhomës së gjumit,
Forma aritmetike qiellore më fton dinakërisht, të ribëjmë dashuri.
Sa dritë!
Bën mjegull në këtë qytet, mblidhen retë me ultimatum.
Për t’i shpërndarë, Dervishët gërrhasin edhe më shumë.

....

Nga dysheku, kam alergji ndaj sustave,
Qatitë e vjetra, vizitojnë fshatin tim të Lindjes,
Ndizet një zjarr pranvere... por... s’ka kohë...
Edhe une kam punë!

...

Nuk dilet lakuriq në rrugë!

...

Autobuzët vijnë më të shpeshtë këtu,
Më të mbajtur se Amerikanët,
(qentë shurrojnë kudo njësoj, pa leje, pa vizë, pa pasaportë)
Ata nuk e presin biletën, e përse duhet ta pres unë!

...

Më kanë dërguar këtu, me një mision të shumëfishtë,
Por shpirti ma ka me të futur,
Si elefantit dhëmbët e fildishtë.

...

Djemtë e Detit sërish po këndojnë Baladen e Ferrit.
Nga maja e një mali të ngrirë rrëshqasin arinjtë polarë,
Ndërsa Vajzat e Qiellit po thurin një Baladë të sojit tjetër,
Do ta mbarojnë kur të vdesim të gjithë përnjëherësh nga
                                                                      “Virusi Leopard”.
...

Bie dera,
                  Dikush kontrollon bravat ,
Harron dëshirën e çmendur për t’u qenë baba.
Dy bebet ia mori shteti. Gruaja, dhjetë vjet martesë,
I tha : “Hiç! Asnjë orgazmë përbe!”
Vajti ta vriste por ndërroi rrugë se na kryqëzoi ne.

...

Ndizet ekrani, Mak-Mak, Mak- Mak!
Një patok bishtshkurtër rrjeshton dhjetë për çdo sekond,
Imazhe të përpunuara n’fotoshop,
Nga popullsia e botës A-r-t-i-s-t-e .    

                                                          Zoti përzgjedh kryeveprat.
I fotokopjon të gjitha dhe i fsheh në gji.
Gjyshja e tij e nuhat me pabesi,
I shkul veshin dhe e kërcënon për të fundit herë:
“Të mos shkelësh kurrë në rrugicat e vajisura!
Plakat gjirokastrite, mund të të bëjnë magji!”

...

Nata u bë ditë, dita u bë natë.
Flini gjumë fëmijë! Një ëngjëll i vonuar,
Kërkon qumësht blete të pijë.
Flini gjumë fëmijë! Flini gjumë fëmijë!
Pema e Vitit të Ri, të tregojë Përralla s’di!


Fugonat e S-së

Fugonat e S-së
Presin nën shelgjishtet e shqyera
Në sheshin e baltosur
Pasagjerët.

Aty, përballë, nga dritaret e sanatoriumit
Të sëmurët dalin përnjëherësh në ballkon
Përnjëherësh ikin
Fshihen poshtë krevateve

Kush vdiq sot?
Kush vdiq dje?
Kush do të vdes nesër?

Familjarët blejnë edhe më shumë ushqime
                                    Të sheqerosura
                                    Të kriposura
Për vdekjen e pashqiptuar
As përpara syve të të vuajturit
Nuk bien rrufetë, nuk gjëmojnë vetëtimat
Se kolla e thatë, se kolla e njomë, se kolla e lulëzuar
Mbizotëron
Edhe mbi çatitë e shtëpiave të reja që ndërtohen rretherrotull
Njëkat, dykat, trekat...
Ballkone
Suva
E pambaruar
Hekura që mbajnë punëtorët me paterica

Kush vdiq sot?

Doktori me bluzë të bardhë fluturon nga dhoma më dhomë
Me gëzimin rinor
I kujtohet sërish nëna me këmbët e hapura
Tek përpiqej të shtynte sa më fort e bebja s’dilte
Ai, ishte fëmijë
Por duart i futi thellë në vaginën e nënës
Për t’i shpëtuar jetën
Ajo akoma s’ka vdekur
Por shumë të tjerë kanë vdekur
Shumë vagina janë qepur, janë prerë me gërshërë
Janë mbyllur përjetë...
Doktorri me bluzë të bardhë fluturon nga dhoma më dhomë
Me gëzimin rinor

Fugonat e S-së
I ngjeshin shpirtrat e nisen të menduar
Të ngadaltë
Tek hoven mes gropash
Në xhamat e fundit
Fytyrat ngjeshen
Shikojnë me habi kaq të llahtarshme
Ato që vijnë pas
Asfalti tregohet më i ëmbël
Shtyjnë shpirtrat me bërryla
Frymëmarrjet përqafohen në tavan
Dikush vodhi kuletën e dikujt tjetër
Djersët kullojnë benzinë!
Stacionet e afërta largohen
“Kush do të zbresë?”
Bileta! Bileta!
“Kalo ti më parë, se je e bukur!”

Dikujt i shqyen veshët
Se kishte vëth të florinjtë
Kushedi sa do t’i shesë hajduti!
Kushedi sa do t’i rrjedh gjaku viktimës!

Ndërsa, sytë e dashuruar
I tërbuan zemrat e uritshme
                        Për zjarr

Fugonat e S-së
Ikin plot
Kthehen plot
Përballë Sanatorioumit
Në lulishte
Një fantazmë e një plake të stërmoshuar
Që s’deshi që s’deshi të vdiste
  
Kërkon të bëj muhabet me mua
Se ti ke vonuar

Por një dhëmb i nxirë

Rritet në gojën e shformuar
Me leshrat e saj të bardha
E mbështjell
Dhe ma jep ta përkund në krahë
Si një foshnjë
Që sapo ka lindur

Para kohe

 
Si ka mundësi?

Në një gotë të  bombarduar
Gishtat e dashuruar
Hedhin bishtat e cigareve
Ato rrinë
Si në një varr të përbashkët
Qajnë identitetin e humbur

Teksa parakalon një ushtri llampash elektrike
E stivosen bukur, si drutë e prera për zjarr dimri
Por, një traktor kaq i madh, u hyp sipër
Pa i thyer e pa i cifluar

Si ka mundësi?

Plasmasë të bardhë
Mbështjellin piramida çimentoje
I mbyllin me zigzag
Filispangot
Për t’u shpërthyer fund e krye nga lejlekë rrobotë

Si ka mundësi?

Të shitet kaq lirë një thes sheqer
Një thes kripë
Një thes miell
Të shitet kaq shtrenjt një unazë në prikë

Si ka mundësi?

Një vajzë minorene ushqehet me spermë
Ndërsa lugët e pirunjta i thikosen mbi kërthizë

Si ka mundësi?

Që thua se dashuron e dashuron një jetë
E vetëm pjell e pjell një mi

Si ka mundësi?

Poezia të jetë Mbretëresha Mat në çmenduri


Jam!

Jam rritur mes kacabujsh të prerë

Që rilindin veten,        si krimba toke

Jetoj në thithkën e gjirit të tyre

E kurrë nuk vdes!

Kurrë!