12.31.2015

Në vend të përkujtimit:Zejnullah Halili (1945-2004)

Zejnullah Halili.jpg


Zejnullah Halili u lind në Kokaj më 5 nëntor 1945, në vitet e golgotës, te Karadaket. Shkollimi fillor dhe të mesmen e kreu në vendlindjen e tij, të mesmen në Gjilan dhe të lartën Gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë.

Me krijimtari letrare nisi herët të bëjë emër, duke filluar që në bankat e shkollës fillore, për të përvijuar edhe gjatë kohës sa punoi si mësues në fshat dhe qytetin e Gjilanit.

 Zejnullah Halilin e tërhiqte elita krijuese dhe i dha lamtumirën vendlindjes në kohën, kur gati e gjithë Kosova ishte e tillë. Fillimisht për disa vjet punoi si gazetar, redaktor, udhëheq emisionet për fëmijë të RTV Prishtinës, sikur edhe në redaksinë e botimeve të revistave të "Rilindjes", kryeredaktor i GEP-it, Pionierit, etj.

Miqtë dhe të afërmit e shkrimtarit, Zejnullah Halilit, e kanë shumë më të vështirë ta mbajnë një takim letrar apo të pinë një kafe, pa e përmendur buzëqeshjen, alegorinë, fisnikërinë, çiltërsinë, dëlirësin që nxirrte dritë nga uni i tij kreativ.

Zejna, siç e quanin të gjithë më shkurtë e më ngrohtë, vetëm ndërroi dhomën në moshën 59 vjeçare, më 26 shkurt 2004, deri sa po e ndezte makinën për të shkuar në punë.

Çast që e ndau edhe nga misioni i tij, që ti kthehet vendlindjes përgjithmonë, duke këputur vrullin e punës edhe nga "Libri i hapur" në RTK, që kishte rifilluar ti kthehet programit arsimor. Megjithëse, ai për artistët e fjalës dhe skenës, posaçërisht fëmijët dhe dashamirët e arteve, fjalës së shkruar artistike do të mbetët përgjithmonë, ashtu siç ishte edhe vetë shpirti i tij prej artisti.

Frymën liridashëse e përhapi edhe gjatë veprimtarisë së tij në redaksinë për fëmijë të Radio Prishtinës pas luftës në Radio Kosova e Lirë, në redaksinë e revistave të ndërmarrjes së dikurshme "Rilindja", dhe kudo tjetër që ishte i gjallë. Vdekja vetëm sa është koritur, me Halilin, duke e ndarë në mes, pati thënë, Rifat Kukaj.

Zejnullah Halili ka lënë pas vetit një opus letrar të pasuruar prej 26 veprave të ndryshme letrare për fëmijë dhe të rritur.

Vepra e parë "Ylberi", vjersha 1969, 

"Shitësja flokartë", vjersha e tregime 1971, 

Ç’ thonë pulëbardhat, tregime,1973, 

"Eshkë e drit" tregime, 1977, 

"Lamtumirë shkurtabiq", vjersha, 1983,

 "Vendlindja shihet në zemër", tregime, 1984,

 "Përralla lozonjare", vjersha 1987,

 "Pikaloshja" tregime 1988,

 "Qirinj të ndezur", tregime për të rritur 1988,

 "Mollëkuqja", 1989, 

"Ylli le të na hyjë në mes", vjersha, 1990, 

"Ëndërr e këputur", 

 "Udha kah agu", janë romanët më të realizuara, si edhe veprat:

 "Si u bë pikalorja bletë", 

"Djaloshi brenda mollës",

 "Pres orën tënde",,

 "Ditë e hatashme", për ta përmbyllur me librin "Unazë".



UNAZË


Bota është unazë
unaza është e rrumbullakët
nënkupton tërësinë e saj

Bota është e pafund
as unazës s'i gjendet një i tillë
që të dyja
pasqyrojnë përjetësinë

Në botë qëndron shpresa
një e tillë shpresë 
gjendet edhe në unazë

Bota bekohet pareshtur
miliona herë 
merr bekime unaza

Bota e unaza
I përkasin njëra-tjetrës




VETË I SHOH

Po vajzuka si na erdhi?

Paj me shporta e ngarkuar,
Paj me krifa e flakëruar,
Vetë e shoh me sytë e mi
Madje i thanë: lum si ti!

Po kojrilat në sytë e saj?

Paj ata janë tinguj të parë,
Paj në yje kanë të ngjarë.
Vetë i shoh me sytë e mi
Ҫ’udhë marrin a e di?

Po pse duart zgjat nga dielli?

Paj i sillen retë vërdallë,
Paj nuk do t’i ketë mbi ballë.
Vetë i shoh me sytë e mi
A nuk janë retë krejt mavi?

Po trimoshave vallë ҫ’u bëri?

Paj i ҫoi lart tek manat,
Paj i zbritoi nga tëbanat.
Vetë i shoh me sytë e mi
Derisa bie një vesë-shi.

Po pastaj, pastaj ku vete?

Përmbi pjergull të Naimit
E n’Gështenjë të Petro Ninit.
Vetë i shoh me sytë e mi
Tek ai Diell që atje rri.


RREZJA E KUJTIMIT

Rrezja e kujtimit
nuk më është zbehur
për ty – Nënë.

T’i shoh
duart e lehta
si flladi,

t’i prek
flokët e bardha
si rrezet e hënës,

t’i ndjej
shikimet
valëvitëse si lumi,

t’i shikoj
gishtërinjtë
që bëjnë ҫudira,

t’i dëgjoj
përrallat
për t’Bukurën e Dheut.

Nënë
sërish t’i shoh
sytë shkreptimtarë









Atje n’ mal të Kokës, N’ sabah këndoi bilbili: I ka lindë djalë lokes – Zejnullah Halili !



Atje n’ fshatin Kokaj ,
N’ familje t’ oxhakut ;
U lind djalë nga lokja –
Pena e Karadakut !

Zejnullah Halili
Ishte nxënës i mirë ,
Por ky zog bilbili –
Kish fëmijëri t’ vështirë !

Kreu shkollën fillore
N’ Llovcë e në Pogragjë ;
Nën kushte mizore –
S’ mundej me u kënaqë !

Me Zejnën , që kur leu –
Mburreshin këto male !
Në Gjilan e kreu
Atë Shkollën Normale !

Për t’ vazhduar studimet ,
Vazhdoi në Prishtinë –
T’ përsoste krijimet
Edhe letërsinë !...

Që në shkollë të mesme ,
N’ moshën djaloshare –
U dallua ndër mese
Me krijimet letrare !...

Për mësimdhënësit ishte
Shumë i respektueshëm ,
I urtë e i dashur
Dhe shumë i dëgjueshëm !...

Pasi e kreu Normalen –
Puna i shkoi për dore ;
Për mësues e ndalen
N’ ca shkolla fillore !...

Jetën e kalonte
N ’ Radio Prishtinë –
Emisione drejtonte
Për fëmijët dhe rininë !...

Punën shumë e donte
Dhe nuk lodhej fare .
Për fëmijë redaktonte
Revista letrare ...

Mjeshtër pene n’ letra –
Për fëmijë e të mitur ...
Ai ka shkruar vepra
Edhe për të rritur ...

Jo vetëm si mësues –
N’ rrugë përparimtare !
Zejna qe fitues –
Në shumë orë letrare !...

Ishte ndër shkrimtarët –
Ndër ma produktiv !
Dhe ndër arsimtarët –
Ishte shumë aktiv !

Zejnullah Halili ,
Në krijimtari –
Ishte dritë kandili ,
Shpirt i dëlirë për fëmijë !...

Krijimtaria letrare ,
Mirë i shkoi për dore –
Që nga ditët e para ,
Në bankat shkollore !

Ai punoi si mësues
Dhe si gazetar .
Punoi si krijues ,
Redaktor, shkrimtar !...

Zejnullah mësuesi –
Krijues përparimtar ;
Pas na e la opusin
Mjaft t’ pasur letrar !

Krijimet e tij ,
Në libra e n’ letra ;
Për t’ rritur e fëmijë –
26 vepra !

Shumë peripeci
Dhe vuajtje të shkreta –
Relativisht i ri ,
Ai u nda nga jeta !...
Zejnullah Halili ,

Enciklopedi e gjallë –
Jeton n’ antologji
T’ shkrimtarëve shqiptarë !

Gjilan, më 12.03.2015. Demir Krasniqi

Kur kujtojmë Atë Gjergj Fishtën




Nga Prof.dr. Eshref Ymeri


Dje, më 30 dhjetor, u  mbushen 75 vjet që kur u ndanga jeta Atë Gjergj Fishta, njëra ndër figurat mëemblematike të nacionalizmit shqiptar. Si një intelektual ishquar, i cili studimet e larta i kishte përfunduarshkëlqyeshëm në Kroaci për filozofi dhe për teologji, tërëjetën e vet ia kushtoi njohjes nga afër të jetës dhe të1
formimit psikologjik të banorëve ku punoi dhe meshoi përvite me radhë.Në mesin e banorëve të viseve veriore të vendit tonë,ai njohu nga afër gjendjen tyre të rëndë ekonomike, e cilanuk i pengonte që ata të shpërfaqnin forcën e karakterit tëtyre, bujarinë karakteristike, mikritjen tradicionale,fisnikërinë e shpirtit, besnikërinë ndaj normave të koditzakonor, trimërinë dhe qëndresën burrërore para çdopadrejtësie në jetën e përditshme. Aty ai u njoh methesaret e gjuhës shqipe, me pasurinë e saj të pamatëleksikore, e cila do të gatuhej aq mjeshtërisht në “magjen”e krijimtarisë së tij artistikeSi njohës i pesë gjuhëve të huaja, ai erdhi e u kalit menjë kulturë të gjërë në disa fusha të dijes, duke dhënë njëkontribut të shquar në lëmin e letërsisë artistike, nëpublicistikë, në arsim, në estetikë, madje edhe në pikturë.Në të njëjtën kohë, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm sipolitikan, duke ngritur zërin e tij të fuqishëm në mbrojtjetë interesave kombëtare, përballë krimit të rëndë që kreushovinizmi evropian me copëtimin e trojëve tona etnikepër interesat e grekosllavizmit. Prandaj është emblematik fjalimi i tij në Konferencëne Paqes në Paris në vitin 1919, ku ai deklaroi burrërisht:“Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionitasht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelorpër trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve tëtyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vetepërmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë”. 2
Kur lexojmë këtë deklaratë të Atë Gjergj Fishtës nënjë forum të lartë ndërkombëtar, siç ishte konferenca nëfjalë, bindemi plotësisht se ai është burrëria dhe lavdia ekombit shqiptar, ai është dinjiteti, nderi dhe krenaria enacionalizmit shqiptar. Ai është burim i pashtershëmfrymëzimi për të gjithë shqiptarët me vetëdije të lartëkombëtare. Vite më vonë, në veprën e tij të shquar “Lahuta eMalcisë”, Atë Gjergj Fishta do ta demaskonte rëndëEvropën për krimin e rëndë që kreu me copëtimin etrojeve tona etnike:Uh! Evropë, ti kurva e motit!Që i re mohit, besës së Zotit!Po, á ky asht sheji i qytetnisë?Me da token e Shqypnisë,Për me mbajt klyshtë e Rusisë? Por, në të njëjtën kohë, Atë Gjergj Fishta është edheshuplaka më e rëndë për të gjithë besëprerët, dallkaukët,hajdutët, mercenarët dhe tradhtarët e kombit shqiptar, tëcilët, në krye të politikës shqiptare, shenjtërinë e të qenitshqiptar, nacionalizmin shqiptar, e kanë nxjerrë në breg tëpazareve grekosllave dhe të pabesisë evropiane. Prandajai u drejtohet atyre me vargjet gjëmimtare:Ju rrugaça sallahana,vagabonda shakllabana, rricna t'ndyet, mikrobe të kqijqi të mjerës moj Shqipnikthelltë hi i keni në mushkni3
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,por der kur, bre batakçi!Bre coftina, kalbe mbi dhèder kur ju, tu tallë me ne,do t’na qelbi fis e atdhè?Çdo bashkëkombas që i thotë vetes shqiptar, kurkujton Fishtën e Madh, për forcë të ligjit të antitezës, sjellndërmend menjëherë figurën më të urryer të kombitshqiptar, kriminelin Enver Hoxha, i cili qe vënë kokë ekëmbë në shërbim të shovinizmit jugosllav. Në dallim ngaFishta, i cili shovinizmin jugosllav e kishte vënë në tehune “bajonetës” së vet letrare dhe publicistike, Enver Hoxhakishte rënë në gjunjë para serboshovinizmit jugosllav dheishte gati që Shqipërinë ta kthente në një republikë tështatë të Jugosllavisë.Për të nxjerrë në spikamë figurën e neveritshme tëEnver Hoxhës, si një servil i pështirë i sllavizmit, paramadhështisë së nacionalizmit të Gjergj Fishtës, lexuesvetë nderuar po ju përcjell fragmentin e mëposhtëm, tëshkëputur nga një fjalim i Enver Hoxhës: “… Dashuria e popujve të Jugosllavisë emareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve tëJugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe.Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirintonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq tësinqertë siç është Jugosllavia.....Po të studjojmëhistorinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë tëshkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim4
se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur njëlidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë…Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori iimperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti AtGjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga njëvepër kusare të thjeshtë, kërkon t'i bëjë apologjinëshovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë qënuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malittë Zi, në një teori të çmendur.....Fishta dhe VlladanGjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorëtë një ideje skllavëruese. (Citohet sipas: “Pse umasakrua Gjergj Fishta”. Pjesë të fjalës së EnverHoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë nëPleniumin e IV të rinisë popullore. Marrë nga faqja einternetit “Peshku pa ujë”. 06 dhjetor 2012).Nuk e kam informacionin e saktë se kur ështëzhvilluar ky Plenumi IV i rinisë punëtore Por gjasat janëse duhet të ketë qenë periudha mes viteve 1945-1948,në kohën e dashurisë përvëlimtare të komunistëveenverhoxhistë për Titon dhe për shovinizmin jugosllav.E ka fajin Nexhmije Hoxha që këtë fjalim të turpshëm,me përmbajtje kriminale të Enver Hoxhës, nuk e kapërfshirë në serinë e veprave të tij, në mënyrë që tëkishim mundësi ta citonim me faqe, me vëllim dhe medatë konkrete. Pikërisht në këtë fjalim, Enver Hoxharadhitet në krah të sllavizmit, armikut të tërbuar tëkombit shqiptar. Enver Hoxha ka paturpësinë tëdeklarojë se “populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka5
pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujtsllavë”, duke harruar qëllimisht masakrat e shovinizmitserbë kundër popullit shqiptar në krahinën e Nishit pasvendimeve të Kongresit famëkeq të Berlinit, pasKonferencës edhe më famëkeqe të Londrës të vitit 1913në mbarë Kosovën dhe sidomos krimet e tij kundërpopullit shqiptar të Kosovës mes dy luftërave botëroredhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me urrejtjen e tij egërane dhe me shpifjet e tij tëulëta kundër Gjergj Fishtës, për demaskimin që ky i kabërë serbosllavizmit në veçanti dhe sllavizmit në tërësi,Enver Hoxha radhitet pranë Titos dhe shovinizmitjugosllav, si një vegël e verbër e tyre. Se sa “mike” kaqenë për popullin shqiptar Jugosllavia titiste, e vërtetoiperiudha mbigjysmëshekullore në qëndrimin kriminalqë ajo mbajti ndaj popullit shqiptar të Kosovës.Për qëndrimin e tij të vendosur më mbrojtje të kombitshqiptar dhe për demaskimin që i ka bërë shovinizmitevropian dhe sidomos shovinizmit serbomadh, GjergjFishta duhet nderuar me shtatore gjigante jo vetëm nëTiranë, por edhe në Prishtinë dhe në Shkup.Santa Barbara, Kaliforni 30 dhjetor 2015

KUSH ESHTE SHKRIMTARI SHQIPTAR?


Letrat shqipe hynë në erën moderne duke trashëguar atë mendësi që shoqëria europiane e kishte tejkaluar: të vështruarit të shkrimtarit, sidomos poetit, si një profet. Kjo sjellje e ka bazën e vet të mbështetjes logjike në faktin se shqiptarët kanë në themel të formimit të tyre shpirtëror dhe kulturor librin dhe jo edhe muzikën apo pikturën, siç e kanë disa popuj e kultura të tjera europiane. Formimi shpirtëror i shqiptarëve ka qenë formim letrar. Sa herë që i është kërkuar, shkrimtari shqiptar është shfaqur pro çështjeve me dobi publike, që nga një “tribun liberator” e deri te krijues abetaresh, hartues tekstesh mësimore, shpikës alfabetesh, nënshkrues kërkesash e peticionesh me natyrë politike, nënshkrues aktesh shtetformuese, pjesë e institucioneve me natyrë politike apo publike, shprehës sinoptikash socio-politike etj.

Kjo gjendje u përforcua sidomos gjatë periudhës së romantizmit letrar, gjatë Rilindjes shpirtërore dhe politike, por që vazhdoi edhe gjatë komunizmit. Shfaqje të tilla ndikuan në krijimin e mitit të shkrimtarit si një deux të cilit i adresohemi sa herë që interesat tona kërcënohen apo vihen në rrezik, sindromë të cilën e ndeshim të pashëruar, madje dendur edhe sot. Pikërisht kjo trashëgimi romantiko-totalitare ndikon edhe sot që shkrimtarët të mos krijojnë marrëdhënie të vërtetë me veten, me shoqërinë e tyre, me vendin e tyre në shoqëri (si bashkësi) dhe me bashkësinë letrare, por të jenë sërish të censuruar, të ricensurohen, duke shkruar shpesh atë që duhet dhe jo atë që duan.

Nuk mund të thuhet se në Shqipëri nuk ka shkrimtarë të talentuar. Mund të themi se ka shkrimtarë të pasinqertë, shkrimtarë “angelofonë”, zëëmbël, që vetëcensurohen, por dhe që provojnë shpërfilljen e lexuesit. Nga ana tjetër, edhe shoqëria nuk është ende e gatshme, e përgatitur për t’i merituar shkrimtarët e vet të mirë.

Profili social i shkrimtarit shqiptar është i lidhur ngushtë jo me dëshirën, por me nevojën, jo me estetikën si kërkesë e brendshme, por me etikën si detyrim dhe kontribut publik. Paradoksalisht dëmin më të madh në këtë profilizim e ka pasur vetë shkrimtari, i cili ka mbetur një krijesë kushtore, që shfaqet kur duhet, që flet kur e thërrasin dhe që më shumë sesa talentin ka zhvilluar prirjen e të qenit inteligjent, dhe jo intelektual e ca më pak, thjesht shkrimtar në zeje a në mjeshtëri të tij. Kjo pritshmëri e shoqërisë ndaj shkrimtarëve u ka dhënë vërtet atyre një status publik, një dukje prej Atlasi që mban botën mbi shpatulla, por nga ana tjetër ka cenuar gjendjen e tij natyrale.

Shkrimtarët shqiptarë sot janë të shikuar, por jo edhe të lexuar. Pesha reale që ata kanë në publik është imagjinare, e hamendësuar, e krijuar me ndihmën e jashtëletrares politike apo mediatike. Nganjëherë më duket se shkrimtarët tanë jetojnë jo në gjendje historike, por brenda së njëjtës mitologji me prejardhje romantiko-totalitare, pas së cilës mbahen me thonj. Disa madje as që e kuptojnë se ka ndryshuar sistemi dhe pandehin se shoqëria dhe shteti u ka ndonjë borxh. Pa dashur të jem mohues dhe as tejet i ashpër, mendoj se shkrimtari shqiptar e ka humbur rëndësinë përballë shoqërisë së vet. Prej këtu ka filluar ndoshta forma më e rëndë e censurës ndaj tij – mospërfillja, mosleximi. Flas për rregullin, jo për disa përjashtime të rralla. Veç prirjes globale, mendoj se kjo humbje rëndësie lidhet me konsumimin letrar, estetik, por sidomos me shpërdorimin etik, që shkrimtarët shqiptarë i kanë bërë vetes në këto 25 vjet. Nëse mes palëve, lexuesit dhe shkrimtarëve, nuk ka më pëlqim, moslexim, censurë, pafajësia nuk është me të parët.

Jeta letrare në Shqipëri, për fat të keq është krijuar dhe po mbahet falë pushteteve anësore, jo falë shenjës dhe referencës letrare. Teksa i sheh se si jepen me zell pas jetës së re virtuale, kupton se shkrimtarët e sotëm shqiptarë jetojnë në zemrat e mediave, jo të publikut që lexon. Disa prej tyre madje kanë shkuar aq larg, sa prej kohësh banojnë në ca akuariume, që ne i quajmë ekrane, ndërkohë që ata vetë i përfytyrojnë si tribuna apo si bunkerë të sigurt ndaj harrimit.

Pse dhe kur ndodhi kjo? Të shtënë, siç jemi, pas heroizmit të gjithçkaje, nuk kemi filluar të shkruajmë ende historinë paralele – historinë e konformizmit. Duke u marrë gjatë me stilistikën, me mënyrat e thënies dhe jo me thelbin e asaj që themi (një herë për të qenë të kuptueshëm nga publiku brohoritës, ndonjëherë për të qenë të pëlqyer nga regjimi, dikur për t’u shpëtuar kthetrave të tij dhe sot të ndjellë nga komercializmi) shkrimtarët shqiptarë, në pjesën sunduese, i thanë dhe i thonë po konformizmit. Këtu kemi një nga rastet se përse publiku lexues vendos ndaj tyre censurën e mosleximit, gjë që pasqyrohet edhe në tirazhet tejet të ulëta të botimit.

Shpesh pranojmë se jemi një shoqëri e vonuar. Por kjo vonesë nuk erdhi ngaqë nuk përdorëm teknologji, teknika dhe mjete bashkëkohore. Në kohën e pyetjeve na mungoi përgjigja e duhur. Shkruam, heshtëm dhe u bindëm. Në të njëjtën kohë lexuesit europianë morën këshillë nga shkrimtarët e vet më të mirë, mbi të vërtetën e komunizmit në Lindje apo në Perëndim dhe artin të tij-realizmit socialist (Mendja e robëruar, C. Miłos, 1953; Blloku i Artë, D. Lessing, 1962), mbi shndërrimin e individit në një mjet teknologjik, mbi humbjen e identitetit në saje të zhvillimeve teknologjike (Më e mira e Botëve, A. Huxley, 1932), mbi diskriminimin dhe vështirësitë e të qenit grua në shoqëri, (Një dhomë më vete, V. Woolf, 1929; Seksi i dytë, S. de Beavouair, 1949), mbi humbjen e domethënieve, përjetimit dhe kuptimeve të jetës (Princi i vogël, Exupéry, 1943), mbi racizmin dhe lehtësinë e degradimit të njeriu si qenie humane (Nëse ky është njeriu, P. Levi, 1947), mbi vendosjen dhe të ardhmen e regjimeve totalitare (1984, G. Orwell, 1949), mbi marrëzinë dhe cinizmin e luftës (Lamtumirë armë, E. Hemingway, 1929).

Tek ne nuk ndodhën këto. E kemi shfajësimin .Diktatura. Totalitarizmi. Ndaj edhe medaljet e nderimet që kërkohen sot janë zhvleftësuar, po aq sa monedhat e gjumashëve të Efesit, që ndenjën të mbyllur në shpellën e tyre dhe u zgjuan pas 309 vjetësh. Edhe pse nuk është më një prirje europiane, shkrimtarët shqiptarë, sidomos ata të mes dy kohërave dhe dy krijimtarive, të metodës së realizmit socialist dhe të postdiktaturës, shpesh të thirrur, por më shumë të vetëofruar, që i japin vetes të drejtën të qortojnë gjithçka, përfshi këtu edhe pushtetin, duke qenë ndërkaq ata vetë pjesë e njërit nga pushteteve, politik apo mediatik.

Kjo formë konformizmi, kjo mospërgjigje dhe moskëshillim le ta quajmë, ndikon sot që ndaj letërsisë shqiptare të mos ketë besim e për këtë të ketë atë lloj të fshehtë censure shfaqur si mosrespekt e moslexim. Kam një pyetje: Mos vallë u zbut apo mos u bë më e arsyeshme diktatura? Mos u trondit dhe u rrëzua më shpejt regjimi? Falë romaneve, tregimeve, novelave, vjershave, poemave dhe poezive apo teksteve të këngëve mos u bë më e durueshme vetmia dhe mos u thye izolimi? Autorët shqiptarë, përveçse e përshkruam bukur, i vunë edhe një diçiturë optimiste, kuptimplotë, parajsës socialiste. E kuptoj. Mund të vetëshfajësohen duke thënë se e bënë për ta bërë sa më karnavaleske, se nuk ka të vdekur pa kostum dhe pak pudër në fytyrë. Askush nuk kërkoi ndjesë për helmimin në masë me ideologji dhe prishjen e shijes. Publiku ka prirjen të mirëkuptojë deri diku heshtjen, pëshpëritjen nën zë, por jo bashkëpunimin. Me sa duket shkrimtarët shqiptarë presin që të zbresin nga skena me duartrokitje, gjë që, falë konformizmit dhe humbjes së lirisë së mendjes dhe të shpirtit, nuk është ndonjë çudi të ngjasë. Të gjitha këto kanë ndikuar që besueshmëria e lexuesit të jetë në nivele të ulëta dhe roli ndikues i shkrimtarit në shoqërinë tonë të jetë siç është: i zbehtë.

Profili i sotëm i shkrimtarit shqiptar nuk është shumë larg shkrimtarit të angazhuar. Sjellja e tyre, sidomos prirja e të qenit publik, është një formë naive e ngushëllimit për cenimin e në mos edhe humbjen e statusit të dikurshëm. Nga ana tjetër, shumëfishimi mediatik ka bërë që këta shkrimtarë të njohin një nga format më të çuditshme të censurave, atë formë që nuk është si censura e vendosur nga shteti totalitar, që nuk ngjan as me autocensurën si mungesë e guximit për t’u shprehur dhe përballur, por me censurën e lexuesit, që duke e parë shkrimtarin jashtë formatit letrar, ngurron ta lexojë, nga droja se edhe në letra do të gjejë po atë diletantin që e sheh duke u shprehur në ekrane mbi gjithçka.

Marrëdhënia e këtyre shkrimtarëve me lexuesin ka kohë që nuk është e drejtpërdrejtë. Shkrimtarët janë shndërruar në qenie më shumë vizive dhe auditive sesa shkruese. Gjithmonë e më shumë ata shfaqin nevojën për një “medium” midis, që t’i ndërmjetësojë, t’i ndihmojë, t’i katapultojë, t’i kuotojë në bursën e lartimit të emrit që sjell famë, por jo vepra.

Ky medium ndërmjetës, ky ashensor emrash është herë mediatik, herë politik, herë etnik dhe herë religjioz. Dhe si kompensim për humbjen e statusit letrar krijohet mistika e profesionit të shenjtë të shkrimtarit, mistifikimi i “njerëzve-ndërgjegje” dhe feja e re televizive, ritualet e së cilës, me dalje të përnatshme, shkrimtarët shqiptarë po i respektojnë më së miri, pa kuptuar se me këtë i shërbejnë më shumë zgjatjes së agonisë dhe krizës mes tij dhe lexuesit.

Është për t’u vërejtur me këtë rast edhe një dukuri, që nuk ka të bëjë me varfërinë ekonomike, por me varfërimin mendor dhe zvetënimin kulturor. Gjendja e shkrimtarit të shfaqur shqiptar është ajo e bashkëjetesës me pushtetet apo pranë pushteteve. Statusi i shkrimtarit “freelancer” edhe për shkrimtarët shqiptarë do të vazhdojë të mbetet një pamundësi, ndërkohë që gjendja shkrimtar “në bukë shteti” është ende shumë lart e për pasojë po shumë e lartë mbetet edhe shkalla e vetëcensurimit tek ata.

A është kjo një dëshmi e konfliktit moral të vetë shkrimtarëve, që kanë zgjedhur të bëjnë rolin, por vetëm rolin e qortuesit të pakënaqur me realitetin që, me gjithë vokacionin e tyre thirror, nuk ndryshon, apo pasojë e nostalgjisë për “ditët e mira” kur shteti i mbante nën sqetull, u shërbente, u ofronte lejë krijimtarie, botime e shitje të garantuara, të gjitha këto në këmbim të heshtjes dhe kompromisit?

A dëshmon kjo gjendje nivelin e ulët të pavarësimit, jo vetëm të shkrimtarëve, por të një qerthulli më të gjerë social? A është gjithashtu pazotësi e shoqërisë që nuk arrin të krijojë hapësira për shkrimtarët, prej të cilëve pret shërbime, por jo kryevepra letrare, por që ndërkaq nuk u krijon mundësi që ata të jetojnë jashtë vartësisë së shtetit, të censurës së vetes, të censurës së tregut, të letërsisë me porosi?

MAFIA E KULTURES DHE LETERSISE

Çfarë po ndodh me letërsinë shqipe? Cila është gjendja e poezisë, çfarë shkruhet dhe çfarë botohet? Si po funksionojnë klanet dhe ndikimi i tyre në vlerat e letërsisë, çmimet e kontestuara dhe gjendja e kritikës… Ky rrëfim i studiuesit të letërsisë, dr. Gazmend Krasniqi, i paraprin një vepre të re studimore që zbërthen pak a shumë origjinën e përgjigjeve për të gjithë pyetjet e mësipërme. Shkëputur prej kësaj vepre, ende në proces, dr.Krasniqi ka përgatitur një seri shkrimesh studimore për poezinë shqipe, të cilat do ti botojmë në suplementin tonë javë pas jave, dhe do ti prijmë sot, jo pa qëllim me këtë intervistë grishëse.

Dr.Krasniqi, dy-tri vitet e fundit ju keni botuar romanet “Shitësit e Apokalipsit” (Saras), “Fytyra e Simurgut” (Saras), librin me proza të shkurtra “Nëse një ditë një prelud” (Onufri), si dhe vëlimin poetik “Fletorja e poemave” (Saras), por këtë herë duam të flasim me ju si studiues dhe, konkretisht, për një studim të gjatë për poezinë shqipe. A mund të na thoni diçka për të?
Gjithmonë jam ndier i mahnitur nga ajo çfarë ka ndodhur me poezinë në Shqipëri gjatë dekadave të fundit. Kam përfytyruar dhe vazhdoj të përfytyroj një vorbull që merr me vete gjithçka që quhet poezi, ku zvogëlohet gjithnjë mundësia për të shpëtuar atë që duhet shpëtuar, sepse larg mendsh që ta besojmë se nuk ekzistuaka më ndër shqiptarë një gjë me këtë emër, ose çdo gjë që shkruhet meriton të quhet ashtu.

Meqë fenomeni lidhet me një epokë të caktuar, me shndërrime të mëdha, shumëkush do të përpiqet të gjejë përgjigje ndër to, por padyshim para se të jetë politik, ideologjik a social, problemi është letrar, sepse bën pjesë në një sistem me këtë emër. Biem dakord menjëherë se ardhjet e reja nuk janë studiuar dhe sistemuar – po në raport me çfarë?

Çmimet letrare apo mekanizma të tjerë të këtij lloji, që mund të na bënin ndonjë shërbim, janë zhvlerësuar të gjitha. Mbetet t’i drejtohemi traditës në përgjithësi dhe konceptit për poezinë në veçanti. Pas disa përpjekjeve praktike për të shpëtuar diçka prej poezisë, jam përndjekur prej idesë së përpjekjeve teorike, të cilat kanë njohur fillesa të ndryshme por edhe progresionin në këtë punim më të gjatë. Para çdo shkrimi për letërsinë, shtrohet çështja: “Çfarë është letërsia?”; ndërsa para shkrimit letrar historik shtrohet çështja: “Cila është vlera e kësaj letërsie”? Mbeten pyetjet çelës.

Çfarë po ndodh realisht me letërsinë shqipe?
Pyetja se çfarë ndodh me letërsinë shqipe, meriton të bëhet në çdo kohë, por sot që janë tronditur thellësisht sistemet tradicionale të vlerësimit, kur mendimi i pa specializuar i bën jehonë një prodhimi mesatar dhe nënmesatar, diçkaje që është artikuluar për arsye të ndryshme dhe diçkaje të pranuar përgjithësisht në mënyrë konvencionale, ajo meriton të theksohet në mënyrë të veçantë.

Që është gjykimi thembra e Akilit, na e kujton edhe rasti i socrealizmit: manipulimet me emra të traditës ofrohen si shembujt më të kapshëm, pasi sot, me mjetet që ofrojnë interpretimet e reja letrare, i shohim ndryshe nga ç’janë fabrikuar për disa dekada. Interpretimi i njohur tradicional i letërsisë na çon te pyetja tjetër: nëse paaftësia për të folur për letërsinë si letërsi, paaftësia për të zotëruar kodet elementare, ka pjellë lista emrash, shpesh pa vepra, cilët janë shkrimtarët shqiptarë? Me hyrjen e veprave të reja në sistemin dinamik të traditës dhe me vlerën e (ri)leximeve nga brezat e fundit historia e letërsisë dhe letërsia vetë nuk janë një e dhënë e pandryshueshme.

Sot nuk mund të jetë më një sistem referimi botimi i fundit i historisë së letërsisë, që konkretisht është Historia e letërsisë shqiptare, botim i Akademisë së Shkencave e RPSH, Instituti Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1983. Natyrisht, as tekste të tjera para tij.

Përvoja e studimeve letrare në botë dhe në vend përbëjnë një pikënisje të re, pasi të kemi rënë dakord për këto çështje: është krijuar një traditë tjetër, në liri të plotë dhe bashkëkohore, e studimit teorik; është arritur një rezultat tjetër për vepra të veçanta që, për arsye jashtëletrare, mund të ishin përjashtuar si pika referuese, megjithëse mund të tërheqin pas gjithë mendimin për letërsinë dhe poetikën e saj; nuk funksionon më kriteri përjashtues ideologjik; nuk funksionon më përpjekja për të kërkuar shpjegimin e historisë së letërsisë me historinë sociale, e anasjelltas.

Sipas jush, nga duhet nisur?
Më duket pak e vështirë që edhe këtë punë të bëjnë analistët e politikës, siç edhe po përpiqen ta bëjnë. Fillimisht, duhet të ndodhë dallimi mes kritikës së ditës dhe studimeve akademike. Ja si e shpjegon Umberto Eco: “Ka vepra të Pavezes dhe të Kalvinos që të kanë ngazëllyer një herë e një kohë, por kur i lexon dhjetë vjet më vonë, mendon: eh, kaq qenka e gjitha… Pastaj kalojnë dhjetë vjet të tjera, i shfleton përsëri dhe thua: jo, jo, vërtet ia vlejnë.

Varet nga humori, nga moti, ka apo jo lagështi në ajër, të dhemb apo jo kurrizi. Pra, lexon një faqe dhe mërmërit, pah, çfarë dreq gjëje paskam sajuar, pastaj e lexon sërish pas një viti dhe rreh barkun: jo keq, thua. Rilexova pak muaj më parë “Na ishte njëherë Mattia Pascal” dhe mendova: epo, jo kushedi çfarë. Prandaj duhet ndaluar kritika militante… Sepse është shumë koniunkturale. Kritika akademike del mbi komentet e rastit: një libër e lexon edhe pas shumë vitesh, punon mbi të, i kthehesh prapë, e shqyrton…

Kurse kritika militante varet nga moti dhe nga lagështia në ajër… Dikur, kur dilte një libër i Moravias, drejtori i Corriere-s ia jepte Emilio Çekit për ta recensionuar, por jo që ta bënte menjëherë: kështu Çeki mund të shkonte edhe dy ose tre muaj me një libër, kishte kohë ta “përtypte”. Kurse sot, recensionin e duan për nesër, madje për dje, mundësisht.” Edhe kur kemi gabuar, duke e quajtur letërsinë me plot emra pa lidhje me të, në Perëndim e kemi marrë modelin. Mirëpo, tashti që na vihen edhe një herë në provë intelekti dhe energjia, e kemi marrë me hezitim.

Çfarë shihni më thelbësore?
Ne që kemi dalë nga periudha totalitare, e kemi të vështirë ta përtypim këtë realitet të ri e të pakthyeshëm, derisa ta marrim vesh se cilën prej mendësive të së shkuarës nuk duhet ta marrim zvarrë pa nevojë pas vetes. Letërsia është një sistem që funksionon vetvetiu. Nëse nuk do të rregullojmë “zemberekun” e këtij sistemi në përgjithësi, asnjëherë nuk do ta marrim vesh si duhet se çfarë ndodh në veçanti. Për letërsinë, ligjësitë janë vetëm letrare. Kjo formë e pastër e shikimit të letërsisë nuk është e lehtë të realizohet, sepse do kohën e vet.

Të ngushëllon fakti se gjithmonë ka një kohë që kërkon vlerat. Ata shkrimtarë e poetë që zgjidhin problemet e ekzistencës, të rrinë e të presin. Ata që mendojnë se nuk i zgjidhin, le të ikin të qetë nga kjo botë. Kohët e fundit po lexoja një intervistë të sekretarit të akademisë suedeze, i cili kur pyetet nëse ka pasur kontestime për çmimin, përmend rastin e Sollzhenicinit. Pra, çmimi i Sollzhenicinit qe pjellë e një aksioni politik si Lufta e Ftohtë.

Dua të them se aksionet politike bien dhe e lënë letërsinë të zbuluar. Mbetet letërsia që shpëton nga këto gracka. E çuditshme është se në Shqipëri edhe sot ka letërsi të aksionit politik, e cila zë shumë vend në ballkonin mediatik, por pa dyshim që nuk e ka jetën e gjatë. Mendësia dhe mekanizmat e socrealizmit vazhdojnë të mbeten të forta dhe aktive, por gjithsesi ato nuk do të jenë të imunizuara nga dinamika e brendshme e letërsisë së vërtetë. Pra, vlera duhet kërkuar te ajo që është letërsi dhe jo te efektet e jashtme e kalimtare. Për mua, qasje të tilla nuk i mungojnë letërsisë së këtyre viteve. Është e vërtetë që jemi dëshmitarë se çmimet në Shqipëri nuk kanë arritur të bëhen të rëndësishme.

Mbase ka ardhur kohë që t’u ndërrohet natyra: të mos shoqërohen me vlerë monetare, por me aftësi ndikuese. Ka modele, por kërkohen vizione dhe vullnete të mira. Kërkohen krahasime me kultura të mëdha. Nëse shikoni listën e poetëve që kanë fituar çmimet kombëtare në Itali, do të shikoni se aty nuk ka firo: aty gjenden ata që i kanë qëndruar kohës. Bëjeni provë të shikoni listën e poetëve që kanë fituar çmimet kombëtare të Shqipërisë dhe ejani të flasim për masën e firos. Mendoj se ka ardhur koha për të folur për mafien e kulturës dhe të letërsisë, sepse ka efekte financiare që nuk bien në sy të publikut të gjerë. Në këtë kaos, disa prej veprave arrijnë të hyjnë në sistemin shkollor, ku dëmi bëhet e pa korrigjueshëm për disa dhjetëvjeçarë.

Është edhe ekonomia e tregut: ajo vendos për shumë gjëra.
Lënia e letërsisë në dorë të tregut, ka si përfundim konsumizmin, atë vendas dhe atë që na shkarkohet nga bota, por e dimë se sa zgjat një realitet si ky. Kemi një panair kombëtar të librit, iniciativë e botuesve shqiptarë, ku gabimisht ka përpjekje të njësohet libri me letërsinë si e tillë.

Grandomania e tij para letërsisë si e tillë kthehet në një tollumbace, prandaj gjejnë terren ngjarje pak e aspak kulturore, të cilat shfrytëzojnë hapësirat mediatike, të prira nga thjeshtimi i gjërave, për t’u imponuar. Sidoqoftë, letërsisë nuk ia kanë fajin botuesit, të cilët, në një ekonomi tregu, kanë arsye të tërheqin nga vetja, por politikat kulturore. Këtij panairi i duhet bërë “emri”. Edhe çmimi britanik Booker Prize, u përket botuesve, të cilët kërkojnë mënyra se si ta promovojnë “mallin” e tyre, gjë që është e ditur, por ai është shembulli se si një politikë botuese mund të bëhet efikase për letërsinë.

Çfarë i mbetet të bëjë letërsisë vetë?
Për sa kohë do të drejtohet nga vetvetja, letërsia shqipe do ta ketë punën në rregull. Nuk jemi pa traditë, por duhet të mësojmë ta lexojmë atë. Fakti që ka hapësira të mëdha për vepra të përkthyera nga letërsia universale, tregon se sistemi ynë letrar vazhdon procesin e formësimit, duke u bërë mbështetje sa më dinjitoze për atë që do të jetë e ardhmja e afërt e letërsisë shqipe. Orientimi i drejtë bëhet garanci për vlerën. Madhështia e artit nuk qëndron te gjinitë e mëdha të makrotregut, por edhe te diçka e nënvlerësuar te ne, si tregimi a poezia.

Doktoraturat “për romanin kushtuar Luftës Antifashiste”, “për temën e fshatit socialist” apo “për veprat e pesëvjeçarit”, si dhe për poemat kushtuar këtyre epokave, “të brohoritura” në kohën e tyre, në thelb, vështirë se mund të paraqesin ndonjë vlerë për sot. Kodet e përdorura atëherë (politike apo ideologjike), nuk bëjnë për sot. Por duhet një punë e madhe për ta çrrënjosur gjithë këtë.

Metoda të gabuara pjellin vetëm metoda të gabuara dhe kjo shpjegon dështimin e vazhdueshëm të kritikës dhe studimeve tona. Në një intervistë, pyetjes naive se pse nuk ka sot poetë të mëdhenj në botë (si dikur), Kadareja i përgjigjet shumë qartë: “Ka poetë të mëdhenj. Por sot shkruhet ndryshe”. Do të duhet ca kohë për të marrë vesh se edhe në Shqipëri shkruhet ndryshe. S’është aspak e lehtë, sepse veprojnë shumë arsye që duan mund dhe mendje të hapur: së pari, për t’u evidentuar dhe, së dyti, për ta bërë kauzë e për të luftuar për të. Vazhdojmë të mos e kemi këtë privilegj.

Çfarë mendoni për antologjitë?
Përgatitja e antologjive cilësore, mbi platforma të qarta estetike dhe nga pikëpamja e poetikës, do të ishte një rrugë e drejtë komunikimi. Del problemi se si mund të hartohen antologji për kohë të ndryshme letrare, kur nuk kemi antologji integrale të poezisë shqipe. Kam pasur rastin të shikoj se edhe një vend si Armenia, me shumë probleme si tonat, kishte në qarkullim në anglisht edhe antologjinë e poezisë bashkëkohore, edhe antologjinë e prozës bashkëkohore.

Ne s’i bëjmë dot. Një nga arsyet është ajo që përmenda: mungesa e pikave referenciale, të cilat do të maksimizonin apo minimizonin abuzimin e hartuesve. Me sa duket, s’e bëjmë dot, sepse nuk e kemi arritur vetëdijen se ajo duhet bërë.

Që të kesh tekste shkollore të besueshme, duhet të kesh së pari një antologji që mëton se vendos rregull në hierarkinë e fjalës artistike shqipe, për shembull. Padyshim. Poezia shqipe meriton disa antologji: e kam fjalën për disa versione, për disa pikëshikime. Sidomos kur bie fjala për edukimin shkollor, unë jam për një antologji që e shpëton poezinë shqipe nga spekulimet e mbrapshta të sociologjisë, sepse, përndryshe, kurrë nuk do të merret vesh kush është poet, e kush… nuk e di se çfarë. Ndjenjat e fuqishme dhe dokumentet shpirtërore (gjithkush ka nga ato) nuk janë medoemos poezi.

Intervistoi: Admirina Peçi

KA RENE LEXUESI I POEZISE

Romeo-Collaku


Me Romeo Çollakun për poezinë dhe përkthimin


Tradita gjuhësore luan një rol vendimtar në letërsi. Romeo Çollaku, shkrimtar dhe përkthyes i jep këtë shpjegim faktit që greqishtja një gjuhë që flitet nga një numër i kufizuar njerëzish vazhdon të befasojë për sa i përket poezisë. Ka vetëm pak kohë nga dalja në librari e përmbledhjes poetike të fituesit të çmimit “Nobel” në letërsi më 1979-n Odiseas Elitis, një poet thellësisht lirik, nën përkthimin e Çollakut. Një tjetër përmbledhje poetike e një poeti të rëndësishëm francez, Paul Claudel, nën përkthimin e tij ka dalë këto ditë nga shtypi. Përkthyesit dinë të futen nën lëkurën e poetëve apo shkrimtarëve që sjellin në gjuhën e tyre për të zbuluar të fshehtat që ata dinë t’i ruajnë me kujdes përmes vargjeve. Është Franca ajo që i bën bashkë këta dy poetë, të cilën Elitis edhe pse ka kaluar kohë në të, e ka shmangur nga vargjet që ka shkruar. Por Çollaku e ndien ndikimin e vendit të lirikës dhe lirisë në vargjet që Elitis ka shkruar. Fitues i disa çmimeve kombëtare si ai “Fan Noli”, “Mitrush Kuteli”, “Aleph”, Çollaku është autor i disa librave si “Për shtegtarët e pak metrave katrorë”, “Zemër virgjine”, “Ar e bosfor”, “Kumbarja e kohës”. Përkthimi dhe shkrimi i poezisë është një tjetër hapësirë ku ai ndalet gjatë, për të cilat vjen më poshtë në një rrëfim nisur nga botimet e dy përmbledhjet poetike të Elitis dhe Claudel.

“Kur përkthejmë, duhet të kemi mbi tavolinë letër, kafe, cigare, stilolaps dhe ndonjë gotë – por jo origjinalin ama; origjinali përbën pengesë gjatë përkthimit…” Kjo është një thënie e juaja, e keni vënë në jetë gjatë përkthimit të Elitis dhe Claudel?

I kam thënë, natyrisht, me një dozë humori këto fjalë. Pasi ta kemi mësuar mirë përmendsh, nuk jam kundër, është e tepërt ta kemi origjinalin mbi tavolinë. Por vetëm nëse e kemi mësuar përmendsh; përndryshe, duhet ta mbajmë sa më pranë vetes. Kur përkthyesi fiton njëfarë përvoje, bëhet i ndërgjegjshëm për caqet e lirisë së tij. Patjetër, janë disa autorë që të dhurojnë njëfarë lirie. I tillë më është dukur, fjala vjen, ndonjë poet romantik, parnasist apo edhe simbolist, pika e fortë e të cilëve është muzikaliteti. Në kësi rastesh, ia vlen të luash, të bëhesh, deri diku, bashkautor. Por kemi edhe disa të tjerë, shkërbenj të saktësisë, të cilët nuk të falin asnjë shmangie. Të tillë janë Elitisi dhe Claudel-i. M’u desh shumë mund t’i sillja në shqip. Në radhë të parë, sepse të dy janë stilistë jashtëzakonisht të ndërlikuar. Me Elitisin fillova të merrem në vitin 1996, kurse me Claudel-in në vitin 1999. Dhe të dy i botova vjet.

Çfarë i bashkon këta poetë të njohur, çfarë ke gjetur në vargjet e tyre?

Elitisi e kishte Francën, le të themi, atdhe të dytë. Por, edhe pse u ushqye mjaft prej poezisë franceze, edhe pse jetoi mes shoqërive letrare të Parisit pikërisht në vitet kur Claudel-i gëzonte gjithandej një famë të padiskutueshme, Elitisi, dyzet e ca vjet më i ri në moshë, nuk ka për ta përmendur asnjëherë në esetë dhe intervistat e tij. Kjo më ka bërë përshtypje, sepse, si zëra, nuk ndihen edhe aq larg njëri-tjetrit. Të dy kanë nota të theksuara lirike, tone aspak të ulët; të dy kanë lëvruar forma të mëdha, si poemat e odetë, dhe i kanë dhënë vargut frymëmarrje të gjerë; të dy janë pinjollë dhe ithtarë të betuar të Rimbaud-së. Për më tepër, Elitisi i ka çmuar, i ka mbajtur si udhërrëfyes përfaqësuesit e modernizmit themelor, ndër të cilët bën pjesë, doemos, edhe Claudel-i. Dihet që vepra e këtij të fundit ka miq dhe armiq të shumtë, por, duke i besuar arsyetimit, Elitisin do ta radhitnim te miqtë. Atëherë – kam pyetur veten – ç’është kjo shpërfillje ndaj një personaliteti kaq të lartë? Ka gjasa që grekun ta ketë bezdisur vula fetare e veprës së frëngut. Thjesht, hamendësojmë.

Poezia është gjuhë? Si mund ta interpretosh ndryshe poezinë?

Po, them se poezia është, më së shumti, gjuhë. Të paktën, ana e dukshme e saj, ana e prekshme, ajo që stampohet në letër dhe lexohet, është vetëm gjuhë. Nëse, siç e ka përkufizuar Frosti, poezia është ajo që humbet gjatë përkthimit, atëherë është gjuhë; madje, vetëm një pjesë e gjuhës: është tingull. Është, sikundër drejt e kanë thënë, vendosje e fjalëve në një rend sa më harmonik. Më tutje, besoj se procesi i krijimit është tejet i koklavitur, i pazhbirueshëm. Ku fillon dhe ku mbaron poezia? Para se të fillojë shkrimi i poezisë, pra gjatë ngjizjes së saj, mund të marrin pjesë edhe shqisat: lëkura, syri, veshi. Para, por edhe gjatë shkrimit, mund të marrin pjesë kujtesa, përfytyrimi, ëndrra. Të gjitha këto – ndonëse nuk janë krejt pa lidhje me gjuhën, përderisa gjuha lidhet ngushtë me të menduarit – nuk përbëjnë troje gjuhësorë. Ndoshta, fakti që poezia vazhdon të krijohet prej mijëra vjetësh i detyrohet, përveçse gjuhës, edhe kësaj mistike.

Të përkthesh poezinë, apo ta shkruash atë, si je mes këtyre dy gjendjeve?

Unë jam shkrimtar; për të mos thënë se jam poet, pasi kjo është një fjalë e madhe. Përkthimin e shikoj si pjesë të zejes së shkrimit. Po të mos shkruaja vetë, nuk ma ha mendja se do të merresha me përkthime. E di që tradita jonë e përkthimit ka nxjerrë disa mjeshtër, të cilët nuk ishin shkrimtarë. Unë nuk do ta bëja. Do të doja të isha një lexues i zakonshëm i letërsisë, po të mos isha shkrimtar. Por jam shkrimtar që shkruaj pak dhe pjesën tjetër të kohës e mbush duke përkthyer. Tekefundit, edhe jetoj falë përkthimit. Por, në qoftë se, në fund fare, krijimtaria ime origjinale do të jetë, ta zëmë, disa qindra faqe, kurse përkthimet do t’i kem me mijëra faqe, prapëseprapë kjo nuk do të thotë se jam më së pari përkthyes. Shpresoj të mbetem si shkrimtar.

Ju jeni marrë me poezinë greke, po poezia e re bashkëkohore greke drejt çfarë rryme po ecën?

Me poezinë greke, më tepër me poezinë, por edhe me letërsinë greke në tërësi, mund të them pa ngurrim se ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë një dukuri e rrallë (isha gati ta quaja mrekulli, por e ka një shpjegim bindës), të cilën e pohojnë edhe gjithë dashamirësit shqiptarë të kësaj poezie. Ndërsa greqishtja flitet nga një numër, krahasimisht, i kufizuar njerëzish, kjo gjuhë ka dhënë dhe jep jo pak poetë të kalibrit botëror. Shpjegimi është i thjeshtë: tradita gjuhësore luan një rol vendimtar në letërsi. Për sa i përket të sotmes, nuk bëj dot fjalë për rryma, por për një larmi zërash mjaft të spikatur.

Pse shkruhet më pak poezi sot?

Nuk besoj se shkruhet më pak poezi, nuk e kam vënë re një gjë të tillë. Poezitë, të cilat gjuha – apo muza, siç i thoshin dikur – i ka taksur të shkruhen, do të shkruhen. Nuk kanë nga të venë. Mua më shqetëson rënia marramendëse e numrit të lexuesve të poezisë, këtu, në vendin tonë. Është për të ardhur keq. Patjetër që nuk mund të lexohet poezia aq sa romani, por kjo që po ndodh tani, jam i sigurt, nuk ka ndodhur kurrë, qysh nga koha kur është hapur libraria e parë në Shqipëri.

Më thoni një poezi që do doje ta kishe shkruar ti?

Secili nga ne është, në njëfarë mënyre, autor i poezive që i pëlqejnë më shumë. Kur lexoj një poezi të mirë dhe arrij ta perceptoj në tërësinë e saj, ndihem pothuajse njëlloj sikur e shkruaj vetë. Dhe, nga ana tjetër, në poezinë time brendapërfshihen gjithë poezitë e traditës, asaj shqiptare dhe të huaj, që i kam lexuar dhe kanë lënë gjurmë tek unë. Madje edhe ato që nuk i kam lexuar.

NGA HISTORIA E LETERSISE TE HISTORIA LETRARE

Shumë studiues në Europë dhe në SHBA e kanë ngritur diskutimin mbi paradigmat Historia e Letërsisë dhe Historia Letrare jo vetëm si shqetësim të çastit për disiplinën e tyre, por edhe për të ardhmen e letërsisë.

Megjithëse shqetësimi për të si disiplinë i takon kohëve të reja, koncepte dhe shembuj të Historisë Letrare mund të gjenden që te Aristoteli, kur thotë se, pasi shkon nëpër shumë ndryshime, tragjedia ndalon kur arrin natyrën e vet të qenësishme: fillon nga më e ulëta, derisa bëhet një formë fisnike arti (pra, asaj i duhen Eskili dhe Sofokliu për të gjetur dinjitetin e vet). Historia moderne e romanit dhe e filmit mund të ndihmojnë të kuptohet më mirë ky proces.

Argument i ekzistencës së Historisë Letrare merren edhe fjalët e Dantes (De Vulgari Eloquentia, VI) që thotë se te grupi i poetëve të së shkuarës ne thërrasim përjashtimet më të mëdha të llojit, ku ai veçon Virgjilin, Ovidin me Metamorfozat, Statiusin dhe Lucanin. Dihet se te Komedia Hyjnore ai zgjodhi si udhëheqës Virgjilin.

Shembujt e mësipërm u morën nga libri Çështje teorike të historisë letrare, ndërsa pyetja A është e mundshme një Histori Letrare? është huazuar nga libri po me këtë titull (Is it Literary History Possible? – The Johns Hopkins University Press, 1993) i autorit David Perkins, profesor i universitetit të Harvardit. Pyetja ngrihet për të theksuar rëndësinë themelore që ka pranimi apo mospranimi i një paradigme ndaj një tjetre, sepse, siç mund të kuptohet lehtë, nëse për një paradigmë flasim me ligjësitë e një tjetre, do të ngecnim në një pikë pa rrugëdalje.

Natyrisht, për të përparuar si duhet me këtë ide, me shumë rëndësi është edhe njohja e nënparadigmave që rrjedhin prej tyre, si:
a. autori,
b. letërsia,
c. tradita
Kjo do të na ndihmonte për të thyer tabutë me të cilat ato vlerësohen në paradigmën tjetër. Dyshimet mbi paradigmën Historia e Letërsisë i gjejmë që në librin “Teoria e letërsisë” të autorëve Rene Wellek dhe Austin Worren, ku pyesin: A është e mundur të shkruhet një histori letërsie, pra – të shkruhet diçka që do të jetë edhe letërsi, edhe histori? (Vlen të përmendet se vetë Wellek-ut i njihet një punim i mëvonshëm i titulluar “Historia letrare”).

Sot e dimë se sfidat që ngrenë paradigmat e reja metodologjike, por edhe mundësitë konkrete që hapin ato, i kanë tronditur konvencionet e njohura për trajtimin e historisë së letërsisë, edhe kur kemi të bëjmë me rastin më të mirë të saj – trajtimin e lëvizjeve artistike (romantizmit, simbolizmit, ekspresionizmit, avangardës, postmodernizmit) dhe të lëvizjeve kulturore historike (Rilindjes, Barokut) – apo edhe në rastin më të dyshimtë të saj – trajtimit të letërsisë brenda periudhave të caktuara historike (për shembull, viktorianët në Angli, Rilindja Kombëtare apo Pavarësia në Shqipëri).

Megjithatë, me gjithë familjarizimin, sipas studiuesve, koncepti i Historisë Letrare vazhdon të kërkojë ndriçimin e disa prej veçorive të tij themelore, si:
– Qëllimi i qasjes së brendshme është përcaktimi i forcave që veprojnë, udhëheqin, vënë detyra apo shprehen prej teksteve letrare – ajo që i bën çfarë ato janë – si dhe i rrugëve me të cilat këto forca ndikojnë te letërsia;

– Në ndryshim me historinë tradicionale të letërsisë, historia letrare u pa jo thjesht si një koleksion i rrëmujshëm i teksteve në marrëdhënie arbitrare me njëra-tjetrën, por si një renditje e momenteve apo sekuencave që së bashku formojnë një narrativë koherente dhe bindëse;

– Në sensin e ngjarjeve të jashtme, duke kërkuar formulën e një pamjeje të letërsisë në rrjedhën e kohës, historia letrare ia nënshtron historinë letërsisë;
– Pa një zhvillim të teorisë letrare, nuk ka një histori letrare.

Janë vitet ’60 të shekullit XX ato që institucionalizuan nocionet e reja mbi fenomenet që po shqyrtojmë, duke arritur pikën e vlimit, sepse u përfshinë në diskutim personalitetet më të njohura ndërkombëtare të fushës, personazhe që ndikojnë sot e kësaj dite në studimet letrare.

Në volumin II të revistës jetëgjatë amerikane Historia e Re Letrare (New Literary History) përfshihet edhe diskutimi Qasje stilistike te Historia Letrare i Michael Riffaterre, që shkruan: Historia Letrare interesohet për gjenezën e letërsisë, marrëdhëniet e saj me realitetin e brendshëm dhe ndryshimet nëpër vite në kuptimin e saj.
Analiza e stilit merret me tekstin, i cili është më i qëndrueshëm; me marrëdhëniet e brendshme midis fjalëve; me format më fort sesa me përmbajtjet, me veprën letrare si nisje e vargut të ngjarjeve më fort sesa si një produkt përfundimtar.

Si rrjedhim, të dyja qasjet janë plotësuese.

Është shumë e dukshme – thekson Riffaterre – që historia letrare, edhe në zgrip të kthimit në historinë e ideve, sociologjisë, estetikës apo studimeve historike të çështjeve letrare, duhet të gjejë mbrojtjen e këtyre elementeve bazë të analizave të tekstit:

– letërsia është e bërë prej tekstesh, jo qëllimesh;
– fenomeni letrar mund të përcaktohet si marrëdhënie ndërmjet tekstit dhe lexuesit, jo i marrëdhënieve ndërmjet autorit dhe tekstit.
Duke lexuar këtë konkluzion, nuk mund të mos kujtojmë se gjithçka kishte nisur më herët. Nëse duam të përcaktojmë pikënisjen e atyre ndryshimeve që ka pësuar teoria e letërsisë në shekullin e kaluar, thotë teoricieni anglez Terry Eagleton në librin me përdorim të gjerë ndërkombëtar Teoria e Letërsisë, nuk do të ishte aspak e gabuar sikur të merrnim në konsideratë vitin 1917, vit në të cilin formalisti i ri rus Viktor Shkllovskij botoi esenë “Krijimi, si procedurë”.

Te tekste të tjera pohohet më në gjerësi: Pikëpamja më e përpunuar dhe fleksibël për letërsinë ka rrjedhur nga parimet themelore të formalizmit. Studimet letrare mbeten një shkencë specifike dhe koherente.
Formalistët kujtohen se kishin marrë përsipër përcaktimin e objektit të studimit letrar, ndërsa me përcaktimin e këtij objekti shkenca do të synonte studimin e atyre specifikave, të cilat e dallojnë, apo e veçojnë letërsinë nga ndonjë material tjetër”.

Termat “formë” dhe “përmbajtje”, që morën formë gjatë pozitivizmit, pushuan së qeni vepruese dhe u zëvendësuan me dallimin midis “materialit” dhe “mjetit”. Aplikimi i këtyre qëndrimeve tregonte se, kur ballafaqohesh intensivisht me gjuhën, në mënyrë më të ndërgjegjshme se zakonisht, realiteti që përmban kjo gjuhë do të ripërtërihet dhe gjallërohet (shih tekste të Ndre Mjedës, Poradecit, Fan Nolit etj.).

Ndryshe nga drejtimi pozitivist, që e përjashtonte dukshëm rëndësinë e letërsisë në vetvete, ai formalist veçoi letraren dhe u karakterizua nga përpjekja për të krijuar një shkencë të pavarur të letërsisë.
Sigurisht, në këtë pikëpamje, arti poetik nuk ndryshon nga e folura e përditshme jo vetëm për faktin se mund të përfshijë konstrukte ose fjalë që nuk gjenden në të, por sepse mjetet e tij formale (si rima dhe metri) veprojnë mbi fjalët e jetës së përditshme, duke ripërtërirë konceptin tonë mbi to dhe, në veçanti, mbi konstruktin e tyre. Është e njohur se Jakobsoni e përcakton themeloren e formalizmit:
Objekti i shkencës së letërsisë nuk është letërsia, por letrarësia, e cila bën që një vepër të konsiderohet letrare .

Dhe shton: Në qoftë se shkenca e letërsisë synon të bëhet shkencë e vërtetë, duhet të njohë “mjetin” si heroin e saj, sepse, siç kishte theksuar Shkllovski, forma dhe rregulli mund të veprojnë si faktorë të fuqishëm.

Tradicionalisht, forma qe konsideruar si një enë ku derdhej përmbajtja. Nëse ndonjëherë forma ndryshonte, kjo vinte si pasojë e përmbajtjes. Megjithëse qe shprehur si koncept që në antikitetin grek (nuk ka rëndësi se çfarë thuhet por se si thuhet) vetëm formalistët e panë përmbajtjen të varur nga forma, duke thënë se nuk ka rëndësi ndarja mes tyre. Jakobsoni e shpjegonte raportin formë-përmbajtje ashtu si në krahasimin enë-lëng: Poetikja është si vaji në gatim, i cili nuk mund të shijohet vetë, pa u shoqëruar me ndonjë ushqim tjetër, por, kur ai shoqërohet me diçka tjetër, atëherë e ndryshon shijen e ushqimit; një sardele e freskët është ndryshe nga ajo e konservuar në vaj. Principi i tjetërsimit në art, ka ekzaktësisht të njëjtin efekt në “përbërësit” materialë të tij. Ai vë në vartësi dhe transformon mënyrën se si ato ndodhen në rrethana jo-letrare.

Ashtu siç veprojnë këmbët e kërkuara metrike, asonancat, aliteracionet, leksiku i zgjedhur qëllimshëm për muzikalitet dhe përsëritjet e shumta, në fjalinë eliptike, ndarë në konsonanca të brendshme, te këto vargje të Fahredin Gungës:

E, tani, shkëmbët, po shkel nëpër hijen
e bjeshkës së nëmave, pranë reve të etura,
nën mjegullën e nëmët, nga kohë e ime e thinjur
nga brymat e mërive të gëlltitura, nga etjet…

Ai përdor një leksik adekuat me situatën e menduar e të destinuar… në thënien poetike, të përfaqësuar nga një leksik i reduktuar me qëllim konotimin sa më të mundshëm.
Përcaktimi se një vepër ndërtohet me qëllimin që të shfaqë gjithë mjetet e saj, forma, në vetvete, bëhet përmbajtje, këtu arrihet nga shumë shmangie konvencionesh letrare tradicionale.
Edhe në vargjet e mëposhtme të Lasgushit është muzika ajo që na rrëmben dhe na bën për vete, përpara se të priremi drejt kuptimit të asaj që thuhet aty, përpara se të gjejmë rolin që luajnë tetërrokëshat e saktë dhe alternimi po i tillë i tyre, përpara se të gjejmë me radhë asonancat dhe aliteracionet.

Këto kopshte ku fryn era
Muar ngjyrën e floririt…
Se ç’m’i shkel baluke – prera
Këto kopshte ku fryn era

Parëvera! parëvera!
Po më çel në mes të gjirit –
Këto kopshte ku fryn era
Muar ngjyrën e floririt.

Në të dyja rastet, një analizë e veçorive stilistike do të na tregonte se si është realizuar secili prej efekteve, pasi për formalistët rusë dhe Kritikët e Rinj (amerikanë) objektivat ishin të njëjtë: të përcaktonin letërsinë si diskurs dhe formë arti, si dhe të tregonin funksionet e saj që vërtet mund të studioheshin.

Dy grupet e lartpërmendura – që gjatë viteve ’60 filluan të njohin ngjashmëritë dhe përkimet në qëllimet dhe metodat e tyre, duke mbrojtur idenë e dallimit midis letërsisë dhe tipave të tjerë të gjuhës dhe duke u përpjekur që ta përcaktojnë këtë dallim me terma të stilit dhe efekteve – nuk e shihnin stilin letrar si ekskluzivitet të plotë të letërsisë – ritmi është element i gjithë gjuhës së folur – por kur këto veçori stilistike kombinohen për të mbizotëruar ndërtimin e një teksti, ky tekst shihet si letërsi, pasi në një vepër arti çdo gjë është sistem (asgjë nuk është aksidentale, e rastësishme) dhe çdo gjë në një vepër arti është thyerje sistemi .

Për ta kuptuar më mirë këtë, le të bëjmë provë t’i vendosim në kohë, në stadin e poezisë së atëhershme shqipe, kur vargut të lirë që kishte dhënë shenja me Asdrenin dhe Migjenin, do t’i duheshin vite të tëra të pranohej të qytetarizohej, këto vargje të Gaspër Palit:

Mbi syt t’lodhun, dalngadalë,
nji tymtajë ndehet.
Në dhomë nga çdo anë,
hije burojnë e qasen me hap t’ploshtë.
Dielli ka mshehë ballin e gjanë.
E poshtë
i njellë, zogu zogut, gjumë…

Me këto vargje, nëse kemi kuptuar “sistemin” që mbizotëronte deri në atë kohë, i cili ishte rreptësisht strofik apo me vargje të matura monokolonë, mund të kuptojmë edhe “thyerjen” e tij. Analiza e studiuesit Gjergj Zheji për këto vargje tregon rastin tipik kur shmanget qasja e jashtme, duke u bërë një syth për diskutime më të gjata. Ai thotë: në mënyrë të veçantë prania e a-së dhe o-së kalon si një fill i kuq melodioz e lidh gjymtyrët, pa zënë në gojë këtu rimat (në fund të vargjeve apo të brendshme), vendosur me kujdes, si piketa paralajmëruese në momente kyçe, në fjalë që tërheqin vëmendjen (dalëngadalë-tymtajë-çdo anë-e gjanë etj) .

Pra, në kalimin nga Historia e Letërisë te Historia Letrare, metoda letrare bëhet gjithnjë e më e dallueshme.
Nga pikëpamja ku vështrimi e përfshin letërsinë si një tërësi, jo – historike, shohim se përpjekjet e strukturalizmit bëjnë edhe më përpara. Sipas Genette-it, kjo metodë ndërtohet si e tillë pikërisht në momentin kur gjendet mesazhi në kod, i nxjerrë nga një analizë e strukturave të brendshme, pa u imponuar nga jashtë me anë paragjykimesh ideologjike.

Sipas tij, me kalimin nga formalizmi në strukturalizëm kemi kalimin nga fonetika në fonematikë, domethënë, nga pastërtia e substancës tingullore, e çmueshme tek frymëzimet e para të formalistëve, në organizimin e kësaj substance në sistemin shenjëzues, ose së paku të aftë për shenjëzim, sepse atje figuron mjaft qartë se ç’mund të jetë kontribut i strukturalizmit në tërësinë e studimeve të morfologjisë letrare: poetika, stilistika dhe kompozimi.

Nga kjo pikëpamje, tri ilustrimet e mësipërme, që në shikimin e parë, flasin shumë me strukturën, por Genette-i na shtyn të bëjmë përpara, sepse: Ambicia e strukturalizmit nuk kufizohet në llogaritjen e këmbëve ose në zbulimin e fonemave: ajo duhet të merret edhe me fenomenet semantike, të cilat, siç e dimë nga Malarme, përbëjnë esencialen e gjuhës poetike, dhe, më përgjithësisht, me problemet e semiologjisë letrare”.

Ai e ndjen të nevojshme të sqarojë: më duket që në letërsi objekti historik, do të thotë njëherësh i qëndrueshëm e i ndryshueshëm, nuk është vepra: janë elementet konstitutive të veprave dhe konstitutive të lojës letrare, të cilat do të quhen, për të ecur më shpejt, forma: për shembull, kodet retorike, teknikat narrative, strukturat poetike etj. Ekziston një teori e formave letrare, si e të gjithë formave estetike dhe teknikave, pra e vetmja e dhënë që, duke kaluar koha, këto forma qëndrojnë dhe modifikohen. E keqja këtu, ende, është se kjo histori, në esencë, mbetet të shkruhet, dhe më duket që themelimi i saj do të jetë një nga përpjekjet më urgjente të sotme.

Dhe shton: Është e habitshme që ende nuk ekziston, së paku në domenin francez, diçka si histori e rimës, e metaforës apo e përshkrimit…
Mbi ç’skemë mund të ngrihej historia e rimës në prodhimin letrar të shqipes? Punimi Rimari i Mjedës, i autorit Kolë Ashta, nxjerrë nga një studim më i gjatë, i titulluar: “Fjalori i plotë i nxjerrun nga vepra e Mjedës dhe Rimari”, një punë pioniere, nga pikëpamja e llojit, për studimet shqiptare, edhe në dritën e teorive moderne letrare, nxit një plan krahasimi midis Rimarit të Mjedës dhe të Varibobës, bejtexhinjve, Zarishit, Naimit, Çajupit, Fishtës, Poradecit, Nolit apo Migjenit, çka mund t’i shërbente evolucionit letrar, ku një element mund të qëndrojë, duke e ndërruar funksionin, dhe, përkundrazi, të zhduket duke ia lënë funksionin një tjetri .

Historiku i rimës nga fillimet e saj e deri kur u përdor vargu i lirë nga Asdreni (1934) na tregon se koha kur rima nuk ekzistonte, kur ajo tregonte pasuri si dhe provoi përsëri humbjen duhet të kenë justifikimin e vet. Arsyeja e këtyre justifikimeve mund të bëhet objekt i poetikës që merret me analizën e raporteve të brendshme. Edhe në kohën e Poradecit, rima vazhdonte të shihej si mbret, ndërsa konsonanca si mbret pa kurorë. Gjithsesi shohim se ajo ka sunduar shumë gjatë, edhe pse populli e merrte në konsideratë konsonancën.

Mungesa e rimës nuk përjashton rimat e brendshme, e cila mund të fuqizohet tepër me këtë rast – siç kemi parë shembullin e mësipërm te Gaspër Pali – apo mund të njohë edhe shpërndarje të brendshme më të shumta – siç kemi parë te shembulli i mësipërm te Fahredin Gunga.

Krahasimi me citimin nga Poradeci do t’i nxirrte më në pah dallimet për të cilat po flasim. Por para se të kapeshim pas elementeve të veçanta, do të kishte vlerë zgjedhja e një kodi që jep mundësinë të shihet letërsia në tërësi, pa harruar që ajo bëhet e plotë pikërisht kur nuk pranon funksione jashtë vetes, por mbahet me raportet e veta të brendshme.

Pra, supozohet se historia letrare zë fill kur ka para vetes një interpretim, atëherë kur letrat nuk merren si Objekt apo Dokument sa si Ngjarje dhe Aksion dhe konsolidohet me aranzhimin në një sistem tipologjizimi, interpretimi e receptivi të kurorëzuar si histori letrare.

Meqë qasja formaliste ishte në thelb qasje ndaj një teksti letrar që shihej i shkëputur nga konteksti i vet, si histori letrare në një traditë lineare, si entitet në vetvete, jo si një produkt i kohës dhe i vendit nga vinte, Tynjanov-i argumentoi se kjo qasje nuk është e mundur ose e këshillueshme dhe se veprat do të duhet të studiohen si pjesë e kontekstit në të cilin ato janë prodhuar: formalistët besonin në “letrarësinë” e një vepre, apo cilësitë novatore që e bëjnë atë unike, por pyetja e Tynjanov-it ishte nëse dikush mund të kuptojë risitë e një vepre në qoftë se ai nuk e njeh traditën. Për të shpjeguar këtë marrëdhënie, ai solli konceptin e “sistemit”, sipas të cilit, traditat letrare, zhanret, apo edhe një vepër letrare e vetme formojnë sisteme të ndryshme në raport dialektik me njëri-tjetrin.

Një studiues i mëvonshëm, Itamar Even-Zohar, rrjetin e ndërlidhur të sistemeve e quajti polysistem. Ky koncept, që përfshinte sistemet letrare dhe jo-letrare dhe është përdorur për të shpjeguar vepra letrare kanonike dhe jo-kanonike, mbetet një nga çelësat e diskutimit për historinë letrare. Për teorinë e polisistemit, sistemi letrar mund të formulohet si: Rrjeti i marrëdhënieve që supozohet se mbahet ndërmjet një numri aktivitetesh të quajtura “letrare” dhe si pasojë vetë këto aktivitete studiohen në saje të këtij rrjeti.

Ose: Tërësia e aktiviteteve, apo e ndonjë sektori të tyre, marrëdhëniet sistemike të të cilave supozohet se mbështesin opsionin e konsiderimit të tyre si “letrare”.
Shohim se në bazë të konceptit të Historisë Letrare, një tekst i caktuar në çaste të caktuara mund të matet me instrumente të ndryshme nga pikëpamja e vlerës në sistemin letrar. Marrim si shembull tekstin e hershëm të Ndre Mjedës “Me buit te zoja”.

Poezia haset së pari me datë hartimi në vitin 1890 . Ajo bartet në fletoren e viteve 1902-1903. Në vitin 1904 poezia paraqitet në variant tjetër, ku është ndërruar emri i personazhit nga Zef në Trinka, e cila do të jetë personazh kryesor te poema “Andrra e jetës”. Ky variant është pjesë integrale e poemës në fjalë (në vend të vargut të parë të strofës së parë: Nané shka paska Trinka, është vargu: Cicé, shka ká sot Trinka).

Varianti i viteve 1902-1903: Varianti i përpunuar (1904)

Po shkon me bûit te Zoja Po shkon me bûit te Zoja

Nané a spo shef se Zefi Nané shka paska Trinka
Priton alâ me u çue! Qi po prîton m’u çue!
Thirre qi t’vîn me mue, Zgjoje me dalë me mue,
M’u lut si kena adet. Me (ruejt) lëshue baktin e vet.

Bîi, mos e prek se i lumi Bîj’, mos e prek se njomja
Tesh â tui fol me Zojen; Tesh â tui fol me Zojen;
Ruju se çil ktu gojen, Len zân e mos çil gojen,
Se e lumia Zoj t’bertet. Se e lumia Zoj t’bertet.

Na, pse po vien xhakoni Qe prifti, nan’, qe dajat
Me qîri n’dorë tui kndue Me qîri n’dorë mbas tij
E kû po don me e prûe Katundsa me malsorë
Zefin m’at ark me mndash? Që shpia nuk i nxê.

Sé, bîi, se sonte Zefi Rri, bîj’, se sonte Trinka
Po shkon me bûit te Zoja: Po shkon me bûit te Zoja
Merr kto lule e çoja Merri kto lule e çoja
Zojs per dhunti kiosh. S’lumes dhunti per tê.

(1890)

Duke vëzhguar raportin midis tri varianteve të tekstit, arrijmë në përfundimin se:
a) Në dy rastet e para ato kanë rëndësi për vetë poetin. Kujtojmë se poeti nuk i ka përfshirë ato në vëllimin e përgatitur prej tij, “Juvenilja”, qoftë në botimin e parë, qoftë në botimin e dytë. Nga kjo pikëpamje, ato nuk arritën të bëhen pjesë e letërsisë shqipe dhe, më e pakta, mund të kishin humbur dhe të mos njiheshin nga brezat pasardhës.

b) Në rastin e tretë, pra me ndërfutjen në tekstin”Andrra e jetës”, teksti në fjalë ka rëndësi për letërsinë shqipe. Ky tekst, jo vetëm që nuk ka humbur, por, nga ana tjetër, është bërë pjesë e një krijimi të vlerësuar si poemth i kulluet, ma i bukuri që lulzoi në kopshtijet e letrësis s’onë…

Realisht, kjo poemë që nuk largohet më nga qendra e sistemit letrar shqiptar.
Nisur nga artikulimi i Jakobsonit se poetika ka pozitën drejtuese në studimet letrare, do të shpreheshim me shqetësimin e Koliqit se: Jo vetëm qi s’janë kalue nëpër shoshë të drejtë të kritikës auktorë e prodhime, në mënyrë qi me pa lidhjet e njanit me tjetrin, vlerën e veçantë të secilit, por nuk njohim ende nji përpjekje përfunduese për të caktue veçorit e çdo auktori ase të çdo grupi auktorësh, në mënyrë qi me kuptue si erdh tue u pasunue letërsia jonë…

Citimi i Koliqit shërben për të kuptuar se sa probleme dalin para studimeve shqiptare. Pra, qasja e brendshme ndaj poezisë, në kuadër të të ashtuquajturës histori letrare, duhet të marrë përgjegjësitë e veta përballë problemeve që shqetësojnë letërsinë shqipe në këtë pikëpamje, së pari, duke bërë dallimin midis konceptit tradicional të Historisë së Letërsisë me konceptin me të ri, atë të Historisë Letrare.

Gazmend Krasniqi

Home Letërsia ballkanike, të shembësh muret që na ndajnë


Ka diçka, përveç euros, që vendet e Ballkanit mund ta përdorin si një monedhë të përbashkët, qarkulluese. Kjo mund të ishte letërsia ballkanike. Duket sikur rasti i artë është shfaqur, pasi tanimë bëhet fjalë për një letërsi të tërë dhe jo për disa emra të veçantë, të cilët kanë ekzistuar gjithmonë.

Letërsia ballkanike (cilësimin e përdorimin jo për ta shkëputur atë prej vlerave të letërsisë europiane, pasi letërsia funksionon si tërësi, në rrjedha universale, kur është fjala për vlerë), falë edhe një programi përkthimesh e shkëmbimesh mbështetur nga TRADUKI, është tanimë një prani domethënëse. Kjo letërsi vlerësohet, është konfirmuar në vendet e origjinës dhe po afirmohet edhe në vendet e tjera të rajonit dhe të Europës, ku kjo letërsi po përkthehet dhe promovohet gjithmonë e më shumë. Në këtë tekst, ngulmimi për hapje dhe njohje të letërsisë ballkanike dhe drejt letërsisë ballkanike vështrohet si një shortcut për të marrë pjesë dhe për të qenë pjesë e së njëjtës vëmendje dhe të të njëjtëve kalendarë. Ndërkaq, na bëhet me dije gjithashtu se nga brenda letërsia ballkanike paraqet probleme në njohje dhe në qarkullim. Vendet e Ballkanit nuk e njohin sa ç’mendohet, letërsinë e “tjetrit”-fqinjë. Brenda saj, si një përjashtim, rri letërsia ballkanike, ajo vjen prej vendeve që dikur ishin pjesë e ish-Jugosllavisë, e cila me gjithë ndarjen politiko-etnike dhe dallimet kulturore, e ka ruajtur marrëdhënien prej një të ashtuquajturi “fat” historik. Thënë ndryshe, ka ende shumë punë si për programet shtetërore ashtu edhe për projektet alternative.

Më kujtohet, me këtë rast, një takim në Tiranë kur, duke biseduar me poetin slloven Aleš Debeljak, e pyeta nëse mund t’i lexonte tekstet e mia të përkthyera në kroatisht. “U prish Jugosllavia politike, tha, muret ranë, por ajo atë që mund të komunikonte vazhdon të komunikojë. “YU” kulturore funksionon. Falë afrisë gjuhësore, librat përkthehen më shpejt, shtëpitë botuese i dërgojnë librat e tyre nga njëri shtet në tjetrin dhe një rrjet promovues ekziston përmes festivaleve, revistave letrare, panaireve. Nga ky “fat” u përjashtuan, fatmirësisht, shqiptarët e Kosovës, ne sllovenët, ndoshta dhe Maqedonia”, përfundoi ai, me një gjest dashamirës, por dhe pak sarkastik.

A thua se diçka e ngjashme po ndodh edhe me librin shqip, me autorët shqiptarë që shkruajnë dhe botojnë në Kosovë dhe në Shqipëri? Kemi dy shtete, dy ministri për kulturën me prirje bashkëpunuese, kemi më shumë lehtësi në qarkullim, po a ka rënë muri ndarës mes nesh, apo ai thjesht është shndërruar nga mur guri në mur prej xhami, përmes të cilit shihemi, por japim e marrim? A janë zgjeruar, qoftë edhe me një raft libraritë në Tiranë apo në Prishtinë, prej “fatit historik”, prej bashkimit të pretenduar shpirtëror dhe thyerjes së murit ndarës? A kemi më shumë festivale? A kemi më shumë revista letrare? A janë shtuar suplemente dhe faqet kushtuar letërsisë? A gjejnë vend autorët e Shqipërisë në revistat kulturore të Kosovës? Po autorët kosovarë a botohen në shtëpitë botuese dhe në shtypin e Shqipërisë? A kemi më shumë emisione në radio dhe televizione mbi letërsinë dhe a marrim pjesë më dendur në ngjarjet letrare këtej dhe andej kufirit? A funksionojmë si dy gjysma të pavarura edhe në kulturë? Si përfundim, nëse do të ishte real dhe i vërtetë zgjerimi i kufijve shpirtërorë mes shqiptarëve të ndarë me kufi, a nuk do të ndihej ky zgjerim sadopak edhe te libri, te leximi dhe te përhapja e tij?

Përmes kësaj logjike duket sikur u prek spektri që ka marrë dhe luan një rol publik në këtë marrëdhënie. Por do të ketë përherë më shumë pyetje sesa përgjigje sa herë që shohim se libri shqip, kaq vjet pas ribashkimit shpirtëror, ka mbetur i izoluar dhe lëviz vetëm brenda kufijve të mëparshëm. Ai qarkullon më shumë, sigurisht, sidomos gjatë panaireve, por ai lëviz mjaft ngadalë gjatë ditëve të tjera të vitit. Tirazhet janë po ato të kohës së ndarjes. Pothuajse asnjë prej botuesve nuk i ka dyfishuar tirazhet, meqenëse tani kemi të bëjmë me shtim në masën 100% të lexuesit (hipotetik) shqiptar. Faktet dëshmojnë se në të gjithë skajet ku shkruhet e flitet shqip lexohet pak dhe jo letërsi e mirë. Shumë pyetje pa përgjigje, kur vërejmë se përballë letërsisë së “tjetrit” fqinj letërsia shqipe ndihet pak e përfaqësuar. Ajo mungon apo shfaqet zbehtë në festat e librit në rajon. Nuk dëshirojnë të marrin pjesë? U shmangen apo përjashtohen shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë nga panairet ndërkombëtarë të librit? Përfaqësohen ata nga shtëpitë e tyre botuese? A shoqërohet prania e tyre me tekste dhe materiale promovuese për secilin shkrimtar? A përkthehet (sa dhe si) në gjuhë të huaja autori shqiptar? Kjo letërsi, edhe kur librat kanë kaluar në heshtje në vendet respektive edhe kur disa libra janë vlerësuar me çmime letrare edhe kur disa syresh kanë gëzuar njëfarë mirëpritje më të madhe se zakonisht (nuk e kam fjalën për mediatizmin), nuk iu propozohet botuesve dhe lexuesit ndërkombëtar. Në panairet, sallonet dhe në festivalet e librit, libri shqip nuk shfaqet as si krijimtari vetjake, as si produkt kulturor kombëtar. Përgjigjet, duke mos qenë fort optimiste, qoftë përsa u përket shtëpive botuese, si oferta private, qoftë përsa u përket institucioneve që e kanë pasur dhe e kanë detyrim promovimin e librit dhe kulturës së shkruar, të bëjnë aq realist sa pranon se deri më sot (dhe po të lësh mënjanë ato pak iniciativa vetjakë dhe përpjekjet më të fundit për përfaqësim) autorët shqiptarë kanë përjetuar postizolimin. Shkrimtarët shqiptarë dhe bashkë me ta edhe letërsia e shkruar në gjuhën shqipe janë ende jashtë komunikimit. Rastet e pakta kur ata marrin pjesë janë ende në kufijtë e përfaqësimit formal. Nuk ka jehone, pakogjë përkthehet e botohet, fare pak dëshmohet se kjo letërsi është konkurruese. A nuk është një rast ky për vëmendje nga institucionet ku hartohen politika dhe për ata me të cilët këto institucione bashkëpunojnë? ‘Mëkati fillestar’ lëshohet mbi gjuhën, mungesës së përkthyesve që, nga shqipja drejt gjuhëve të huaja, jetojnë jashtë vendit dhe jashtë marrëdhënies së gjallë me letërsinë. Po ç’vlerë ka realizmi konstatues, kur përkthimi në gjuhët europiane, njëlloj si vetë Europa mbeten larg, ndërkohë që Ballkani dhe gjuhët ballkanike me fare pak shpresë?

…Praktikat e mira në nxitjen e përthimeve dhe të përkthyesve që do të përkthenin nga shqipja drejt gjuhëve të huaja ekzistojnë, ndaj nuk kemi pse shpikim, thjesht bashkëpunojmë. Jo larg prej nesh, në Slloveni, në Serbi dhe në Kroaci ka projekte, programe dhe mbështetje me grante për përkthyes dhe shtëpi botuese që bëjnë të njohur letërsinë sllovene, serbe dhe kroate nëpër botë. Për këto shtete, dy prej të cilave tanimë pjesë e BE, fakti se libri përkthehet në “gjuhë të madhe” apo në një “gjuhë të vogël”, siç është edhe shqipja, nuk përbën ndryshim. Fondi ekziston edhe për iniciativa nxitëse, që vetëm sa e mbjellin emrin e autorit në kujtesën e publikut. Projektet e tilla nuk bëjnë dallim dhe as nuk shpërfillin nëse krijimtaria e autorëve të tyre përkthehet a botohet në një libër i plotë apo prej tij përkthehet veç një tregim apo disa poezi. Mjafton që autori i vendit të tyre të përkthehet. Bashkë me autorin, pengesën e mosnjohjes e të izolimit e kapërcen edhe kultura e tyre, si pjesë e një produkti kombëtar me vlerë dhe vlerësim të njëllojtë, në vend dhe jashtë tij.

Kultura, në formën e eksportit kulturor, është më shumë sesa imazh. Ajo shfaqet si pjesë e pasurisë që një komb vendos pranë pasurisë së kombeve të tjerë. Produkti kulturor kombëtar merr vlerën e një pasurie dhe zë të shfaqë ndikimin e vet, njëlloj si produkti material, jo vetëm në zhvillimin kulturor, si vlerë përfaqësimi, por edhe në zhvillimin social. Produkti kulturor kombëtar që vjen prej letërsisë mund të ndikojë gjithashtu në begatinë ekonomike të krijuesve të këtij produkti dhe të shoqërisë vetë, si një alternativë përtej kuptimit simbolik.

HEREZITE E SURROIT

Home
Duke lexuar të krijohet ndjesia se ai i njeh vetes rolin e një kronikani të ngjarjeve të përditshme, asish që shpesh mund t’i pikasësh në kronikën e zezë të mediave; por e gjithë kjo ndodh thjesht e vetëm në dukje ngase pas emrave të përveçëm, si Dragoslav Bashiqi, Minirja, Lavdrim Muhaxhiri etj., shpalosen dukuri therëse të gjithë një shoqërie.

Pa kaluar as edhe një vit, Veton Surroi vjen e na ofron një tjetër libër, i cili mbart një titull grotesk e kërshërues “Ambasadori i Melkizedekut”, si dhe një nëntitull mëse kuptimplotë “… dhe shënime të tjera heretike”. Ashtu si edhe paraardhësi më i afërt i tij, “Këmbët e gjarprit”, ky libër është një viviseksion i shoqërisë kosovare; ndonëse autorit të këtyre radhëve do t’ia kishte ënda t’i bënte një lexim paralel dhe të qëmtonte e pahtësonte dukuri e problematika të krejt shqiptarëve, këndej ose përandej kufirit. Për rrjedhojë, prej kësaj prerjeje dhe vështrimit përimtues që autori i bën ADN-së së shqiptarit, ne arrijmë të përftojmë profilin e mendësisë dhe psikës së të ashtuquajturit homo albanicus. Duke qenë se në një pjesë të madhe të herëve mitet e Kosovës janë edhe mitet tona, siç edhe jam shprehur në ndonjë shkrim të mëparshëm, shënimet heretike të Surroit mund e duhet të lexohen duke hequr një paralele edhe me shoqërinë tonë. Ndonëse autori merr e shtjellon ndodhi të politikës aktuale në Kosovë, duke ndërtuar njëkohësisht portrete reale të disa prej figurave të dorës së parë të politikanëve kosovarë, lypset thënë përtej ikonografisë zyrtare dhe buzëqeshjeve mediatike, leximi ynë kishte për të qenë i mangët pa metodën krahasuese me atë pjesë të Shqipërisë tjetër, të ashtuquajtur amë prej bardëve, e cila, edhe tash pas njëqind e ca vjetësh, mëshiron drama, defekte e vese të ngjashme.

Teksa zhvendoset në kohë e hapësirë i prirë prej autorit përmes botës së koklavitur, ngatërrestare e grindavece të politikës, lexuesi nuk e ka të vështirë të kuptojë se Veton Surroi është një vëzhgues i mprehtë e i paanshëm, një mendje e kthjellët dhe një penë e pakorruptueshme, çka bën që në peshoren e tij morale – dhe këtu s’ka sesi të mos më ndërmendet metafora e mrekullueshme e xhamave të thyer të moralit tonë – të ketë një dhe vetëm një masë, si për personazhet vendas, ashtu edhe për ata të huaj, pavarësisht nëse janë të veshur me pushtet, siç ngjet me të parët, ose përfaqësojnë organizma të fuqishëm ndërkombëtarë dhe shtete me emra të bujshëm, siç ndodh me të dytët. Siç e kemi vërejtur edhe në ndonjë rast tjetër, kjo e bën atë detraktor të palodhur dhe ekzorcist të së keqes; detraktor i pasugjestionueshëm prej titujve, ofiqeve dhe medaljeve, ai nuk ngurron të zbresë nga panteoni i lavdisë njerëz që jetojnë si heronj folklorikë baladash, por edhe ekzorcist që s’ka frikë ta anatemojë e çrrënjosë të ligën, madje edhe atëherë kur njerëzit të topitur e të shastisur shohin vetëm engjëj e martirë të shqiptarizmës qark vetes.

Siç shprehet e thotë edhe vetë Surroi diku në hyrje, ky libër më fort sesa përgjigje ngre pyetje, të cilat në thelb shërbejnë për të kuptuar dramën komplekse të një vendi si Kosova dhe të banorëve të saj. Tekefundit, ky rend gjërash është dialektik, domethënë nuk mund të kesh përgjigje për brengat e tua pa shtruar më parë një sërë pyetjesh. Pra, në njëfarë mase dhe mënyre, ngjan më e vështirë dhe kërkon më shumë kurajë të shtrosh pyetjet e duhura, pra, të vësh gishtin në plagë sesa t’u përgjigjesh atyre; me fjalë të tjera është më e rëndësishme të diagnostikosh sesa të ofrosh receta për shkoklitjen e lëmshit politik, social, etnik, ekonomik e kulturor në një vend me probleme të trashëguara prej shekujsh. Në anamnezën që i bën shoqërisë shqiptare, asaj kosovare kryesisht, autori dikton dy defekte të rënda: ato që ai i quan disonancë kognitive dhe amnezi sociale. Teksa tek e para shqiptarët vuajnë nga sindroma e besimit mesianik, domethënë te ndërhyrja nga jashtë e lart për të zgjidhur problemet e tyre, siç ngjau më ’99 me sulmet ajrore të NATO-s, tek e dyta, kujtesa e tyre është dritëshkurtër, çka jo rrallë bën që ta hanë sapunin për djathë ose, për një arsye ose një tjetër, t’i thonë derrit dajë. Të dyja këto janë tipare të një shoqërie të varfër e të shtypur, nga pushtues të huaj ose satrapë vendas, shoqëri e prirur të harrojë e të hedhë pas krahëve gjithçka, madje edhe të keqen, paçka se kësodore rrezikon ta përjetojë rishtazi atë.

Teknika narrative e Surroit është një zhvendosje e vazhdueshme, pa kërcitur, nga një regjistër ligjërimor në një tjetër; autori me zhdërvjelltësi kalon prej publicistikës në politologji, histori e kështu me radhë. Madje tek kjo e fundit shfaqen elementë të një minimalizmi historik, një metodë kjo ku autori niset nga një ngjarje konkrete dhe një personazh konkret dhe, kësisoj, merr e shtjellon dukuri të caktuara historike, sociale etj. Duke lexuar të krijohet ndjesia se ai i njeh vetes rolin e një kronikani të ngjarjeve të përditshme, asish që shpesh mund t’i pikasësh në kronikën e zezë të mediave; por e gjithë kjo ndodh thjesht e vetëm në dukje ngase pas emrave të përveçëm, si Dragoslav Bashiqi, Minirja, Lavdrim Muhaxhiri etj., shpalosen dukuri therëse të gjithë një shoqërie.

Me një stil tërheqës, hera-herës të hidhur, ku ironia dhe grotesku luajnë ping-pong me njëri-tjetrin e shpotisin njerëz e vese, Surroi di të ngacmojë në ato pika ku të tjerët druhen, kanë frikë dhe shpesh pajtohen me atë ndjesi atavike se teshat e pista të shtëpisë nuk duhen larë faqe botës.

Virgjil Muçi

STATUSI I SHKRIMTARIT SOT

Gjithësecili prej nesh është mëse i ndërgjegjshëm se ndonëse ne kemi një angazhim të përbashkët në besimin ndaj Letërsisë, përsëri gjenden dallime të konsiderueshme në mënyrën se si vetë ne përballemi, si me veten tonë, ashtu edhe me të tjerët (që nënkupton nga ana e saj, së pari, lexuesin, dhe së dyti, shtetin).
Letërsia dhe Arti në përgjithësi e njeh atë që mund ta quajmë një besëlidhje mes shkrimtarit, krijuesit, dhe lexuesit. Operatorët e komunikimit në këtë rast janë të drejtpërdrejtë dhe filtrohen vetëm prej shpirtit (e thënë kjo në kontekstin etik dhe artistik).Intensiteti me të cilën kjo besëlidhje godet pikërisht në shpirtin e lexuesit, e bën këtë të fundit aktiv, pra të interesuar. Ky është edhe momenti magjik kur një lexues pasi ka përjetuar pikërisht këtë goditje intensive etike e artistike, sjell në ndihmë edhe mekanizma të tjerë vetjakë, ku padyshim, arsyeja zë kreun e rradhës. Lexuesit besojnë se arti është magji, se fjala është magji, sugjestionohen prej saj, dhe po prej saj, kërkojnë misterin, të pamundurën, irealen. Sidoqoftë të gjitha këto e marrin një veshje. Dhe veshja në këtë rast është thjesht përgjigjja e pyetjeve të tyre, sa individuale, po aq edhe universale, por që tek e fundit përmblidhen në një fjali: Kush jam unë? Pyetja që na i zmadhon mendimet tona përtej hapësirave të imagjinueshme (Paskal,- Mendimet, Tiranë, 2005), qëndron aty sovrane, ndjellëse. Dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të përballemi me vetveten.
Një përballje e kushtueshme. Ku vihen në lojë shtyllat e Besimit tonë vetjak, Kornizat e Moralit, Etikës, Besimit. Ku vihet në peshojë Dija dhe Mosdija. Ku qëllimet tona relevante janë gjithnjë në konflikt me Kohën, por ne gjithnjë e anashkalojmë këtë fakt jetësor, duke pretenduar dhe duke i atribuar vetes vlera, që mendojmë se vijnë nga Dialogu që ne krijojmë me Universin. Kjo na krijon ne një STATUS. Ky Status në të njëjtën kohë është Ekzistenca jonë (e shkrimtarëve), po në të njëjtën kohë është edhe Mburoja jonë, ku ne strukemi jo rrallëherë. Në çastin që ne bëhemi të vetëdijshëm për ekzistencën e këtij statusi brenda nesh, ne nuk ndalemi më. Jemi gjithnjë në kërkim gjithëpërfshirës, pa harruar për asnjë çast qëllimin final- lexuesin. Mësohemi të respektojmë të drejtat tona që vetë Statusi ynë na i ofron, e në të njëjtën kohë, mësohemi të respektojmë gjithnjë, edhe të drejtat e tjetrit, që po ashtu, po vetë statusi ynë i ofron. Brenda vetes sonë marrim përsipër të zbulojmë Statusin tonë, ta zbërthejmë atë në të gjitha komponentët e tij, sikur marrim përsipër ta edukojmë atë, e nëpërmjet atij, edhe veten tonë. Është sikur të kesh një vetvete gjithnjë përballë vetes. Ku sigurisht roli ynë është tejet kompleks, për vetë faktin e dualitetit të përmbajtjes: në të njëjtën kohë ne jemi krijuesit e këtij statusi dhe në të njëjtën kohë, po ashtu, jemi zbatuesit. Përpiqemi, meqë jemi brenda një besëlidhjeje, të betohemi e përbetohemi ndaj besnikërisë me veten tonë, duke harruar kësisoj faktin e thjeshtë që ne nuk mund të betohemi! Ne thjesht mund të themi një fjalë, shumë fjalë…por jo betime. Dhe nga ana tjetër po ne, nxitojmë t’i bëjmë këto betime duke vulosur kësisoj, mungesën e vizioneve të qarta. Për sa kohë ne bëjmë betime vetëm me veten tonë dhe për vete, ne e kemi mundësinë për të ruajtur status quo-në e statusit tonë. Por në momentin që këtë betim e adresojmë jashtë nesh, pra tek të tjerët -lexuesi, në këtë rast ne e kemi prishur ekuilibrin e Statusit tonë. Që ne të jemi në gjendje gjithmonë të vrojtojmë madhështinë e ekzistencës sonë është e domosdoshme që të ruajmë Statusin, i cili për të gjithë ne, është qendra e besimit tonë artistik. E dimë që në botën shpirtërore gjithnjë kontakti ndodh në qendër, ndryshe nga bota fizike, e cila kontaktet e saj i realizon përmes kufijve mes objekteve.(C.S.Lewis). Për këtë arsye mund të pohojmë se bota e artistëve e shkrimtarëve, lidhet e takohet në zemër të këtij besimi (besimi tek fuqia e artit dhe tek magjia e tij), të përbashkët. Kjo është përballuar me vështirësi dhe do të ishte e pandershme nëse nuk do ta pranonim këtë fakt, por megjithatë historia e letërsisë së përbotshme na tregon gjithnjë shembuj të mirëkuptimit të ndërsjelltë, po edhe të bashkëpunimit.
Le të mendojmë për shembull, për rrugën që kemi përshkruar deri më sot dhe le të argumentojmë pak vetëm çka lidhet me mendimin tonë, pa harruar se kjo në vetvete është një objekt studimi tejet i gjerë e i specializuar, por që nuk është synim i këtyre rradhëve. Ajo çka na bie në sy është Statusi i Shkrimtarit si i veçantë. Në secilën Epokë Historike që të ndalemi, shkrimtarët gjithnjë evidentohen si të tillë, të veçantë, me një Status të mirëpërcaktuar. Aq sa të gjithë e dimë që Epoka të caktuara historike, evidentohen bukur shumë me emra të veçantë shkrimtarësh. Sigurisht që ky është një argument, por do të thosha i jashtëm, sepse ne nuk e dimë me siguri sa evidentohen këta shkrimtarë të epokave të ndryshme, në kohë të ndryshme, me Vetstatusin e tyre? Cilat kanë qenë në të vërtetë dilemat, keqkuptimet, keqinterpretimet, mosmarrëveshjet me veten? Përmes veprës së tyre ne vetëm mund të skicojmë shtylla të së vërtetës, por në asnjë rast nuk do të mund të pretendonim se i dimë të gjithë të vërtetat e besëlidhjes së tyre.Ne mund të ngazëllehemi kur fillojmë të zbulojmë disa nga këto të vërteta, vetëm në çastin kur para nesh ndriçon qëllimi ynë, i cili padyshim, është i nxitur për të përmbushur misionin tonë artistik. Për sa kohë Vetstatuset e këtyre shkrimtarëve na shërbejnë ne sot, si një mjet, për të kuptuar më mirë vetpërmbushjen e profecisë vetjake, (duke e vendosur veten jo rrallë, në kushtet e një diskutimi imagjinar, me qëllim që po ne vetë, të arrijmë të luftojmë, ndoshta me të njëjtat mjete e instrumente,- tundimet e vetes për superlavdi,) ne i mirëpresim ata. Në këto kushte, rruga më e mirë është zgjedhja në mënyrë të vendosur, për hapjen tonë mentore e shpirtërore me veten përmes dialogimit, po me veten, pa autocensurë, por përmes dashurisë së ndërsjelltë. Kjo besoj që është e vetmja rrugë përmes të cilës ne kemi mundësi të vështrojmë përpara, dhe më pas të shohim pikënisjen më të mirë për të filluar, duke pohur besëlidhjen tonë. Po nëse vështrimi ynë ndalet aty dhe imagjinata shkon përtej, do të jetë ajo që do të pushojë së menduari, para se natyra të rreshtë të furnizojë me lëndë. (Paskal, po aty,)
Kjo vetpërcaktueshmëri e Statusit tonë, me të gjitha dilemat dhe ngazëllimet e pritshme, në të vërtetë na përcakton ne në Statusin tonë. Duke e realizuar një gjë të tillë ne jemi të gatshëm të krijojmë marrëdhëniet me të tjerët, pra me lexuesin dhe administratën shtetërore.
Le të ndalemi shkurt në të dy aspektet:
Statusi ynë në asnjë rast nuk e përjashton lexuesin, sepse tek e fundit ai është edhe një nga qëllimet finale. Po lexuesi, le të themi, është kapriçoz. Nuk kënaqet lehtë. Mund të shkrish gjithë jetën tënde, dhe prapë të mbetesh në periferi të vëzhgimit të tij. Mund të shkruash mijëra faqe, e mund të botosh dhjetra vëllime, e përsëri të mbetesh jashtë tij. Por mund të shkruash vetëm një varg, apo vetëm një tregim apo roman, a dramë, e të mbetesh i ngulitur tek ai. Dhe kësisoj ai të referohet, e para, duke të të kujtuar me perifrazime nga teksti yt, në jetën e përditshme, dhe e dyta duke krijuar në këtë mënyrë bazamentin e trashëgimisë së veprës. Është thënë e pranuar nga studiuesit e letërsisë që lexuesi i ka disa kërkesa rigoroze prej të cilave përmend sinqeritetin e shkrimit, sinqeritetin e ndjenjës, qëndrimin vizionar, dashurinë që ti ushqen për të, dashurinë në përmasa edhe më të mëdha, ato që zakonisht ne i emërtojmë primordiale, pra toka, vendlindja, atdhedashuria, humanizmi. Nëse ai e ndjen se vepra i zotëron këto cilësi, të pranon. Ai në të tilla raste pranon edhe shkrimtarë që në jetën e tyre private apo politike kanë treguar qëndrime kundër qëndrimeve të lexuesit. E kundërta ndodh kur ai e ndjen që teksti shkrimor është i ftohtë, cinik, pa dashuri, jo i sinqertë, shërbyes i doktrinave politike diktatoriale, kur autori kërkon pompozitet përmes asaj që lexuesi e urren më së shumti- hipokrizisë. Në të tilla raste ai mund të marrë dy rrugë: ose të tregohet indiferent dhe të të shpërfillë megjithë statusin tënd (që për hir të së vërtetës, në një rast të tillë më shumë është një status i imponuar mediatik), ose të zemërohet keqas me ty dhe të të sulmojë, pa të kursyer dhe pa i zgjedhur mjetet. Po përgjithësisht, përvoja ka treguar që lexuesi ka zgjedhur rrugën e parë, indiferentizmin. Heshtjen. Mospranimin. Sigurisht që një qëndrim i tillë i tij prish ekuilibret e Statusit, sepse e bën lexuesin dyshues, mosparanues dhe paragjykues. Ai ngre pikëpyetje për vërtetësinë e Statusit të shkrimtarit, sepse atij i lëkunden shtyllat e Besimit, Moralit, Etikës. Kjo nga ana tjetër, është e kuptueshme që e largon lexuesin. Dhe ky nuk është misioni i shkrimtarit. Secili prej nesh ndien përgjegjësinë tmerruese, por njëkohësisht mahnitëse të të qenit shkrimtar në besëlidhje, duke qenë të bindur se duke qenë të tillë, do jemi në këtë mënyrë, edhe miq të vërtetë të të tjerëve, pra lexuesit. Në këtë mënyrë, gjithashtu do të kemi mundësinë të bëhemi njësh me të tjerët përmes shpirtit të vetë atyre. Dhe lexues të tillë bota ka me miliona. Ata zotërojnë një thellësi të tillë shpirtërore sa janë në gjendje në mënyrë mistike të të drejtojnë edhe ty në kërkimet e tua për qartësimin e Vetstatusit.
Mendoj se ka edhe një aspekt që nuk duhet lënë pa përmendur në favor të trajtesës sonë. Bën pjesë në një nga pikat themelore të misionit të shkrimtarit: të bëjë sa më shumë lexues! Sipas qëndrimit tim, dy janë mënyrat përmes të cilave ne e vëmë Statusin tonë në shërbim të këtij qëllimi sublim e human:
Hapja e rrugës drejt veprave artistike përmes një mirëkuptimi të parëlindur mes lexuesit dhe shkrimtarit. Por kjo nuk do të thotë që ta imponosh atë. Ajo duhet ë vijë natyrshëm, sipas atyre mekanizmave që i cekëm më lart në punim. Kjo besoj është rruga drejt qartësimit të ideve e qëndrimeve drejt arritjes e promovimit të paqes së vërtetë. A s’kërkojnë shpirtrat njerëzorë pikërisht paqe? Dhe as e kemi ne për detyrë t’i afrojmë drejt saj?
Dhe a nuk iu duket e drejtë që bashkëveprimi konstruktiv mes shkrimtarit dhe lexuesit, jashtë hallkave shtetërore, është ai që arrihet duke bashkuar së pari zemrat e pastaj mendjet?
Nuk do të thotë që lexuesin ne duhet ta trajtojmë si të huaj dhe ta largojmë shpirtërisht e fizikisht nga ne dhe nga vepra jonë artistike. Sepse kështu do bënim një ndarje mekanike duke e kategorizuar lexuesin si jodashamirës e jopasues të Statusit tonë artistik. Nuk është kjo mënyra, sepse kështu shkatërrojmë pa kthim, shpirtin artistik si të tij, edhe tonin. Dashuria për të, lexuesin, mendoj se është çelësi i bashkëveprimit, dialogut dhe reciprocitetit, edhe intelektual, edhe shpirtëror.
Kështu mbijeton Statusi edhe përkundër pengesave të hallkave të ndryshme shtetërore. Në Shqipëri problemi qëndron në mungesën e njohjes së Statusit të shkrimtarit nga instancat kulturore. Në kushtet e mosnjohjes, indiferencës, injorimit nuk mund të flasim për kurrfarë strategjie shtetërore në lidhje me ardhmërinë e shkrimtarëve dhe lexuesve. Dhe hallkat pasojnë njëra-tjetrën. Kjo mungesë sjell në në një çoroditje të dyanshme: nga njëra anë vetë shkrimtarët të cilët nuk e kanë të qartë pozicionin e tyre, por edhe kur e kanë, nuk iu shërben, nga ana tjetër, lexuesi që edhe ai nuk e ka të qartë Statusin e shkrimtarit. Mendjemadhësia hierarkike shtetare është dëmi më i madh që i kanoset Statusit të shkrimtarit.
Kushdo mund të bëhet shkrimtar. Po, e vërtetë, potencialisht, po. Po në kushtet e sotme thuhet që kushdo që paguan bëhet shkrimtar, duke bërë në këtë mënyrë shërbimin më të dëmshëm në kulturë. Deformimi i Statusit në këtë mënyrë nxit padyshim keqinformim, keqinterpretim, armiqësi.
Një shtet social dhe largpamës, me vizione të qarta edhe në këtë drejtim, plason platforma strategjike, afatgjata dhe afatshkurtëra, duke vlerësuar, pikërisht Statusin e shkrimtarit si të tillë, në gjithë madhështinë e humanitetin e tij. Në të njëjtën kohë ai e ka mundësinë të zhvillojë talentet, përmes koordinimit dhe menaxhimit të vlerave të vërteta artistike.
Si përfundim, gjykimi i thelluar rreth Statusit mund të hapë rrugë të reja për të gjithë ne. Hulumtimet serioze na çojnë padyshim në përfundime po aq serioze, në dobi ruajtjes dhe zhvillimit të artit dhe letërsisë.
Unë jam e ndërgjegjshme deri në dhimbje për gjendjen aktuale të shkrimtarit të sotëm në trojet shqiptare dhe e ndjej nevojën e hapjes së një diskursi shkencor dhe mediatik në dobi të promovimit të artit dhe letërsisë.

Mimoza Erebara