4.28.2016

…12 vjet nga procesi dioqezian i lumturimit të 40 martirëve!

TË GJITHË  PARA PLUMBIT E LITARIT THANË:
RROFTË KRISHTI MBRET…!”
12 vjet nga procesi dioqezian i lumturimit të 40 martirëve!
                                                                                           
“…sipas parimit komunist, sy që kanë pa duhen verbuar, veshë që kanë dëgjuar duhen shurdhuar, gjuhët që flasin ndryshe duhen prerë, kokat që mendojnë të kundërtën, duhen shkurtuar!”
ZEF PERGEGA, Detroit   libri57@hotmailcom

    Mirela Kumbaro, ministre e kulturës deklaroi në media se fotografitë e 40 martirёve të vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sipas idesë se kryeministrit Edi Rama, përfshirë edhe dekorin, janë në përputhje me protokollin e Vatikanit. Selia e Shenjtë i ka përfshirë, edhe sipas kërkesës tonë në procesin e kanunizimit, disa nga emrat e martirëve të fesë, për t’i kaluar më pas në lumturim, ashtu siç është vepruar me Nana Terezën.
Kqyr, o njeri, e mos harro se... përsëritet!..

Lufta e pamëshirshme kundra klerit katolik nuk mori parasysh as titujt e dekoratat e lartazyrtare që kishim marrë ata nga Selia e Shenjë dhe nga drejtues potencialë të shteteve perëndimore, as të shkuarën e tyre patriotike, atdhetare, letrare, shkencore dhe as popullaritetin e padiskutueshëm që ata gëzonin, as vlerat e larta civilizuese e elitare që manifestonin, jo vetëm ku ata shërbenin, por edhe në raporte të tjera të prezantimit dhe ballafaqimit me problemet dhe sfidat që duhej të përballonte Shqipëria, sidomos në kontributin e tyre në luftë kundra okupatorit pushtues. Përkundrazi, ata u shpallen tradhtarë, spiunë të Vatikanit, sepse e donin dheun ku u kishte rënë koka, më shumë se klika sllave e pushtetit të ri komunist.
…Ishte kohë korbash. Diellin e lirisë e kishin pushtuar me krahët e  korbave të hapur e të zi, që s’kanë lindur për fluturim. Pranga, qeli prej plumbi, pak bukë gruni e mbi shpinë ujë druni. Me e thirr vdekjen me këngë si çlirim dhe shpëtim prej botës së hekurave të ferrit…
         Kuvendi i françeskaneve të Gjuhadolit u shndërrua në një hetuesi të përgjakshme, ku për brinjësh merrnin frymë 700 të burgosur. Pallati i Arqipeshkvisë u kthye në shtëpi banimi për oficerët e ushtrisë. Misioni Françeskan në Shqipëri lëvroi me përkushtim gjuhën shqipe. Një shkollë e çelën në Kurbin me 1635, në Pllanë në vitin 1638 e në Blinisht të Lezhës më 1639, e cila përgatiste meshtarë. Në qytetin e Shkodrës fretërit këmbëzbathur hapën shkollën shqipe në vitet 1698 dhe 1861. Më vonë edhe liceun “Illiricum” i një niveli shumë të lartë, me nxënës nga e gjithë Shqipëria, për të krishterёt dhe për myslimanёt. Shoqëria “Jezus”, themeluar në vitin 1841 në Shkodër, përpos misionit të saj fetar, pajtoi 4 mijë gjaqe. Biblioteka e tyre e pasur kishte rreth 40 mijë vëllime. Në këtë kohe qyteti i Shkodrës kishte 50 meshtarë, një luks i madh, për kohën dhe kulturën e këtij qyteti.
     Veli Haklaj: “Raporti që ndërtoi pushteti komunist në Shqipëri me besimin në tërësi solli si pasojë një valë represioni të paparë ndaj klerikëve të të gjitha besimeve në vendin tonë, veçanërisht ndaj udhëheqësve shpirtërorë të besimtarëve katolikë.
        Që në gusht të vitit 1945, Partia Komuniste ndërmori një numër masash për të kufizuar veprimtarinë e fesë dhe ndikimin e saj në popull. Kjo i acaroi marrëdhëniet midis qeverisë dhe institucioneve fetare, veçanërisht me ato katolike. Në këto kushte, me angazhimin e priftërinjve Giovanni Fausti, Padër Daniel Dajani, Padër Gjon Shllaku etj, në Gjimnazin Jezuit dhe në Seminarin Françeskan në Shkodër, u krijuan respektivisht grupi “Bashkimi Shqiptar” e ai “Demokristian”.
Në nëntor të vitit 1945, ato u bashkuan në një organizatë të vetme “Bashkimin Shqiptar”, duke synuar që të çlironin Shqipërinë nga diktatura komuniste. Në janar 1946, organizata u zbulua nga strukturat e Sigurimit të Shtetit. Pasi u arrestuan, anëtarët e saj dolën para gjyqit në shkurt 1946. Tetë veta prej tyre u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan më 4 mars 1946. Disa muaj më pas do të fillonte vala e dytë e goditjeve ndaj përfaqësuesve të klerit katolik në Shkodër, me gjykimin dhe dënimin e gjashtë klerikëve të tjerë.
           Valë të tjera persekutimi ranë mbi përfaqësuesit e fesë në Shqipëri, por goditja përfundimtare u dha në maj të vitit 1967, kur mbi dy mijë institucione fetare që kishin mbetur u bënë pre e vandalizmave, shkatërrimeve apo transferimeve në objekte të tjera. Ndër ato ishin 740 xhami, rreth 600 kisha e manastire ortodokse, 530 objekte fetare bektashiane dhe 327 objekte fetare katolike. Gjatë gjithë vitit u organizuan mbledhje masive për të demaskuar fenë dhe klerin. Njerëzit u detyruan të dorëzonin kryqet, ikonat, Biblat, Kuranet dhe objektet e tjera fetar!”
        Dom Ndre Zadeja është i pari meshtar i pushkatuar me datën 25 mars 1945, ditë e diel, ngjarje kjo që tronditi Shkodrën, rrethet e veriut, Malësinë dhe të gjithë Shqipërinë.
         Në atë vit, më 1945, qyteti i Shkodrës me 40 mijë banorë, në atë shekull loti e gjaku, kishte një gjimnaz shteti, disa shkolla fillore, një spital, disa celula informatorësh sekretë dhe 26 burgje! Në Shkodër kishte selinë e vet edhe Kapidani i Mirditës Gjonmarku. Dy bijtë e tij Dr. Marku dhe Aleksadri, u vranë nga komunizmi. Nga kjo familje u burgosen dhe u vranë nga sistemi komunist 170 burra e gra. Familjet e internuara nga kjo derë princore kryen mbi 1200 vjet burg.
            “…Një natë në qeli të sigurimit të Shkodrës një oficer i hetuesisë barbare e pyeti Mons. Ernest Çobën: “Jam kurioz me ditë, se tani që je këtu në këtë të ftohtë, i paveshur, pa shtroje e pa mbuloje, i pangopur me bukë e ujë e në këto kushte, a të është dobёsuar besimi tek Perendia?!” Imzot Çoba iu pёrgjigj: “Pёrkundrazi këtu më është pёrforcue, mbasi përditë shikoj se po i afrohem Atij. E shoh se shpejt e kam ditën që do ta shoh edhe në sy të Madhin Zot!
       Në parullën më të madhe para kinema “Rozafes” në Shkodër shkruhej:“Kur guri i fundit i kishës se fundit të bjerë në krye të priftit të fundit, vetëm atehere njerёzimi do të jetë i lirë!”
Më 10 nëntor të vitit 2002, gjatë kremtimit të Meshës në Katedralen e Shkodrës, Prefekti i asaj kohe i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, Kardinali Sepe shpalli fillimin e procesit të kanonizimit, për lumturimin e 40 martirëve të Kishës shqiptare, shumica e të cilëve, 38-të, u martirizuan gjatë kohës së diktaturës komuniste, në nivelin e Kishës katolike në Shqipëri. Kanë kaluar vite që atëherë, e gjatë këtyre vjetëve ka ecur përpara procesi i lumturimit të 40 martirëve, çështja e të cilëve, pasi ka përfunduar fazën e parë, në nivelin e Kishës së vendit, tashmë gjendet në Kongregatën e Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve.
       Figurat e françeskaneve, Dom Mark Dushit dhe Dom Zef Bicit, fytyrat e tyre, së bashku me 55 martirë të tjerë, ishin stampuar në kryqin e Vatikanit, të cilin e sollën, më pas në Shqipëri.
       Dr. Pjetër Pepa ka shkruar në librin e tij: “…Papa ka përkujtuar martirët e rinj të krishterë të viteve 1900. Prej tyre njihen tashmë 12.692 emra e biografi… ndërsa shenjtër janë 1317!”
     Frano Illia:“Mosndarja e Kishës tonë nga Roma, ky është motivi  i vërtetë i pushkatimit. In odium fidei! Besnikëria ndaj Kishës Universale të Romës!”
      At Zef Pllumi: “Komunistat, mbasi u ngopën me ne, filluan të hanë njeri-tjetrin!”
      Dhe vjen një varg i mençur i At Pjeter Meshkallës:
“…Ne nën Dhé e ju mbi Dhé
                të fituar përsëri jemi ne!”
      Shqipërinë e dikurshme, ku kryqëzoheshin kulturat e lashta greko-romake, e mbuloi rrufeja e zjarrit të tiranisë. Era e fortë dhe ciklone e saj i kishte dhënë kahjen e Lindjes, e kleri katolik me krahët engjëllor dhe përkushtimin kombëtar në gjurmë të të parёve kërkonte ta mbante këtë vend me peshë të madhe në historinë e krishterimit me çdo kusht në familjen evropiane.
              “Njeri prej Vegliardëve sillet drejt meje e më thotë: “Po ata të veshur me të bardha, kush janë e prej nga vijnë?! Ai u përgjigj: “Zoti im, ti e di!” E ai: “Janë ata që kanë kaluar për mes torturave të mëdha e i kanë larë rrobat e tyre, duke i bërë ashtu të bardha, me gjakun e Qengjit!”. Ky gjak i derdhur nuk e ndot trupin, përkundrazi e bën atë më të pastër e më të qartë për pagëzimin përfundimtar të kungimit me ringjalljen…Ai që me fjalën e tij bën dëshmi konkrete, për jetën e tij, ai është i zgjedhur për t’u bërë martir. Këtyre personave ua kanë frikën, sepse jeta e tyre bëhet dritë e nxjerr zbuluar, qoftë inkoshiencën e veprimeve, qoftë edhe boshllëkun e fjalëve tona. Martiri thotë se çfarë është dashuria për Krishtin. Për ne mbetet e qartë se nuk ka dashuri me të madhe se ajo, kur jep jetën për miqtë e vet!” (Gv. 15, 13-1)
           Por…por, mos harro kurrë  shkrepjen e automatikut, pas murit të varrezave të Shkodrës, herët pa aguar dita, kur plumbi e veshi në të zezë dritën e diellit perëndimor e vullkani i gjakut të martirëve vlon nën dhé, e pret e pret që të çelë nder ne lulja e re e jetës, lulja e lirisë, për t’u ngjallur mbi vdekjen!
          Por …por, mos harro kurrë  zërat e çjerrë që dilnin nga gojë të liga, si plumbi i nxehtë nga qyta pushkësh:“Shkoni e blini mish kleriku në Zall të Kirit me 3 lek kilogrami se po qelbet dhe po e hanë zagarët e barakave!”
               Fal, o njeri, e mos harro se... përsëritet!
         “Njoftojmë popullin katolik shqiptar dhe rininë e këtij besimi, kudo që gjendet, brenda dhe jashtë atdheut se më 29 shtator 2002, në Selinë e Arqipeshkvisë    Metropolitane të Shkodrës, në prani të meshtarëve dioqezanë, franceskanë, jezuitë e salezianë, Mons. Angelo Massafra, Arqipeshkev Metropolit dhe President i Konferencës Ipeshkevnore Shqiptare, shpalli se në Romë, Vatikan, ishte hapur procesi i kanonizimit të martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri!”
Pas tetë vitesh Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës ka përfunduar procesin e përgatitjes se dosjes së 40 klerikëve, për t’u shpallur martirë nga Vatikani. Zyrtarisht është mbyllur procesi diocezian, për lumnimin e 40 martirëve të Kishës ndërshqiptare prej Vatikanit.Ceremonia është kryer në fillim të dhjetorit në kishën Katedrale të Shkodrës, ku kanë marrë pjesë besimtarë dhe familjarë të martirëve. Saktësisht më 8 dhjetor kisha katolike nga mbarë trojet shqiptare janë mbledhur në Shkodër në shenjë të përfundimit të këtij procesi në nderim të 40 meshtarëve e besimtarëve viktima të komunizmit dhe viktima të përndjekjeve të tjera.
Ndërsa një ditë më parë është nisur drejt Vatikanit dosja e 40 martirëve të kishës, dëshmi të vulosura, të cilët u ekzekutuan që prej vitit 1944 nga diktatura komuniste në Shqipëri. Saktësisht sot, më 15 janar, kjo dosje do t’i dorëzohet Gjykatës se Prefekturës se Çështjeve të të Shenjtëve në Vatikan për hetim të ri. Këtë lajm ekskluzivisht për “Standard “  na e bën të ditur Dom Gjovalin Sukaj, i cili e quan një nga ngjarjet historike më të rëndësishme, jo vetëm për kishën, por edhe Shqipërinë e, sidomos, ceremonia e shpalljes martirë të 40 klerikëve shqiptare do të jetë po aq e madhe sa e Nenë Terezës në sy të te gjithë botës. Vetëm se kjo nuk ka afat kohe, sipas klerikut shkodran, se sa mund të shkojë ky hetim nga shqyrtimi dhe verifikimi i dosjeve. Mund të kalojnë muaj por edhe vite. Por praktikisht mund të na sjellin ndonjë përgjigje në një kohë të shpejtë - shpreson Dom Gjovalinaj.
Mësohet se në ceremoninë e kryer në Shkodër, Kardinali Klaudio Humnes ndër të tjera është shprehur: “Këta martirë treguan rezistencën heroike të popullit shqiptar kundër regjimit të dhunshëm komunist dhe regjimeve të tjera!”
40 martirët e Kishës shqiptare janë 38 viktima të diktaturës komuniste në Shqipëri  një tjetër prej kohës se Zogut dhe një tjetër prej dhunës malazeze në Kosovë, si dhe dy laikë, njeri i besimit mysliman. Në sitin zyrtar të Kishës Katolike, në të cilën është pasqyruar kjo ceremoni në Shkodër, është shënuar se gjatë fjalës se tij kardinal Klaudio Humnes ka thënë: “Kujtimi i martirëve vë në dukje fenë e gjallë të shqiptarëve tek Zoti, dëshminë guximtare madje heroike që dhanë për Krishtin si dhe traditën e bashkëpunimit vëllazëror e të harmonisë fetare ndër shqiptarët, shembull për të gjithë Ballkanin e botën. Dhe sot shembulli i këtyre 40 martirëve është porosi për të gjithë, për të vijuar ecjen në rrugën e respektit e të harmonisë ndërfetare!”
Pas përfundimit të meshës gjyqi kishtar i përbërë nga Mons. Angelo Massafra, Mons. Damian Kurti, Dr.Dom Gjon Kokona e të tjerë, i vulosën dëshmitë dhe i nisën për në Romë, ku Kongregata për shpalljen e shenjtërve do të thotë fjalë   n e fundit. Dom Gjovalini tregon se për këtë hetim është dashur një punë voluminoze në përgatitjen e dosjes dhe një kohë relativisht e gjatë prej gati tetë    vjetësh. Mund të thuhet pa frikë    se është kleri më i masakruar në tërë historinë botërore.
      Për përgatitjen e dosjeve të 40 martirëve mësojmë se janë shfrytëzuar të gjitha arkivat qoftë    ato të Shtetit e të Sigurimit në diktaturë   . Dom Gjovalini tregon se gjithashtu janë shfrytëzuar edhe dëshmitaret okularë, që i kanë njohur personalisht klerikët dhe këta quhen dëshmitarë të shkallës së parë si dhe kanë dëshmuar dëshmitarë të shkallës së dytë në një kohë të shpejtë, siç quhen, të cilët nuk kanë  pasur njohje personale, por përmes atyre që i kanë njohur personalisht.
        Duke e pyetur Dom Gjovalinin nëse ka pasur pengesa në dokumentacionin e kërkuar nga arkivat për mosvënien në dispozicion apo rezistencë për të mos njohur të vërtetën, kleriku thotë se problemi më i madh ka qenë mungesa e të dhënave e dokumentacionit, për shumë pёrsona, të cilët janë ekzekutuar pa gjyq. Janë gjendur çertifikatat, por në amzë nuk është shënuar data e vdekjes në ditën kur janë ekzekutuar. Se kur shpallet një klerik martir, Dom Gjovalini e përkufizon:“Kur vritet in odium fidei ose për urrejtje ndaj fesë. Kjo do të thotë praktikisht, kur një pёrson vritet prej klanit të një grupimi, një shteti a një sistemi vetëm se nuk heq dorё nga besimi në Krisht!”. Duhet kujtuar se ky është vetëm një hap i parë, vetëm një stad, sepse në diktaturë  janë vrarë  edhe shumё murgesha e priftërinj të tjerë që i kanë shërbyer kishës e Krishtit.
Vetëm kjo është e vetmja dëshmi për shpalljen e 40 klerikëve martirë. Edhe ky është një proces i gjatë, që nuk parashikohet deri në verifikimin e saktë nga Gjykata e të Shenjtëve në Vatikan, një dosje që ka nisur përgatitjet nga nëntori i vitit 2002 e mbyllur në dhjetor të 2010-s nga Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës.

 Fq  e re teke ose cifte- si te bjeri- Keshtu ne 40 titujt e 40 portreteve qe vijojne-secili nis ne faqe te re...

IDEOLOGJIA E KUQE KISHTE FRIKË NGA PRIFTI
Dom Anton Zogaj

     Ai u lind në Kthellë të Mirditës. Mbaroi seminarin Papnor në Shkodër (1920). U diplomua për filozofi në Trauning (Austri). U shugurua meshtar më 26.4.1932. Për meritat e tij, e emëruan Sekretar pranë Ipeshkvisë së Durrësit, ku shërbente At Vincenc Prenushi. Shërbeu me një devocion dhe besnikëri të veçantë. Në vitin 1945, komunistët e arrestuan dhe e torturuan mizorisht.
     “ Akuza…Në lidhje e në bashkëpunim me njeri- tjetrin e Dom Pal Gjinin, kanë bërë pjesë në një organizatë tradhtare tekniko-intelektuale për qarkun e Durrësit, e udhëhequr prej tradhtarit Gjovalin Vlashi, kanë propaganduar në elementin katolik zgjerimin e kësaj organizate, e cila kishte si qellim të rrëzonte me forcë pushtetin popullor. Të pandehurit kanë patur lidhje me të pandehurit e arratisur Prengë Pervizi, Alfons Tracki (meshtar gjerman) e Gjergj Vata. Lidhje kanë patur me partinë Demokristiane të Italisë, të cilën e kane realizuar me anë të UNRRA-s dhe misionit amerikan në Shqipëri, nëpërmjet agjentes Perington. Mbi bazën e e këtyre të dhënave dënohet me vdekje!”
         “Ditën e shtatë të Kreshmëve, ecim përkrah Dom Anton Zogajt. E takojmë në çastet e fundit para pushkatimit! Dom Anton Zogaj (Kthellë, Mirditë, 26. 07. 1908- Porti Romak i Durrësit, 09. 03. 1948-), famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prenushit, meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit. Para plotonit të pushkatimit, njeriu më i lirë, 9 mars 1948. Porto Romano. Bregdet. Në muzgun e ditës së pranverës, një figurë e zezë rri pa lëvizur. Ka përballë njerëz të armatosur deri në dhëmbë. Është Dom Anton Zogaj. Mezi qëndron në këmbë. Era ia merr palët e veladonit, pa pulla, e ai duket sikur përgatitet për të fluturuar, diku…(Rrezore)!”
           Një dëshmi: “Është fillimi i pranverës së vitit 1948. Ditët e para të stinës së bukur, e fundmja në jetën e tij mbi tokë, i kishte kaluar në banjot e sigurimit, kthyer në qeli, thjesht për t’i poshtëruar klerikët, duke i flakur në vendet e fundërrinave më të neveritshme. Aty e kishin dërmuar për vdekje. Dy hapa larg tij, dёrgjej Imzot Prenushi, të cilit i shërbente si sekretar, kur e arrestuan. S’dihet se pse, deshi t’ia linte pikërisht Imzotit kujtim pullat e veladonit. Ia doli t’i këpuste e edhe t’i nxirrte nga qelia. Prandaj i fluturonin palët e petkut meshtarak të shkopsitur, në mes të natës, në terrin e praruar, buzë deti. E ai dukej si alfa shqip, që rrihte krahët kah horizontet pa kufi…”
         I mbrujtur deri në thellësi të shpirtit në Kryq e me uratë, ishte radhitur me ushtritë e së mirës. Ishte, pra, në krye të detyrës së tij historike. Aty para plotonit të ekzekutimit, i larë në gjak, duke pasur mirë parasysh se historia e njerëzimit nuk është tjetër, veçse një betejë e vazhdueshme ndërmjet mbretërisë të së mirës e mbretërisë të së keqes, mbretërisë së Zotit, themeluar nga Jezu Krishti që prej amshimit, e mbretërisë së djallit. E kështu, deri në ditën e gjyqit të mbramë. Ishte ndeshur me një ideologji, që kishte pushtuar gjysmën e botës, armatosur me armët më moderne. E megjithatë, ideologjia e kuqe kishte frikë nga Prifti i thjeshtë, dridhej nga uji i bekuar, nga Kryqi e Bibla, që ai mbante ndër duar, kur i vunë prangat. Kujtonin se duke ia hequr duarsh Librin e Shenjtё, mund t’i hiqnin edhe fenë. Jo, fenë nuk mund t’ia prekte askush. Ajo ishte atje thellë, thellë, ku nuk mund të hynte asnjë dorë, asnjë plumb. Në atë vend mund të prekte vetëm dora e Zotit. Prandaj mund të thoshte me plot gojë se ishte njeriu më i lirë, derisa ikte nga kjo botë me shpirtin krejtësisht të lirë. Pas një shtegtimi 40 vjeçar, nga Kthella e Mirditës, ku kishte lindur, në Gjakovë, në Seminarin Papnuer të Shkodrës, në Trening të Austrisë, në Durrës, sekretari i ipeshkvit të qytetit bregdetar, dishepulli i Krishtit, shtegtonte kah një pranverë tjetër…Dom Antonin e pushkatuan  në Porto Romano. Para pushkatimit ai tha: “…lutemi trupin tim çojeni në kishë!  Mbeti pa epitaf e pa varr. Njё vale deti e mori nё prehër kujtimin e tij!                                                                                                                                              
Arshi Pipa: “…Njëzet vjet burg në ato rrethana, dhe për një pёrsonalitet si Vincens Prenushi, nuk është fort keq, kur mendohet se fill mbrapa prokurori kërkon dënimin me vdekje për famullitarin e tij, Don Anton Zogaj…Kujdesi i tij kryesor ishte për Dom Anton Zogaj. Dom Antoni, i dënuar me vdekje, ndodhej i mbyllur në një nga qelitë që përdorej si banjë. Kishte qenë famullitar i Durrësit, pra nën vartësinë e Imzot Prenushit. Ishte e rrezikshme mё marrë e mё dhanë me të dënuarit me vdekje, por me anë të shokëve, At Vicensi desh me i marr vesh dëshirat e fundit të famullitarit të tij. Njëra prej tyre ishte me nxjerr jashtë burgut pullat e petkut fetar që ai gjithnjë i mbante. Këtë gjë ai mundi ta bënte dhe famullitari Zogaj nuk dinte si ta falënderonte!”

NUK I LE MIRDITORËT NË DORË TË KOMUNIZMIT...
Mons. Frano  Gjini

           Ipeshkëv, Abat i Mirditës në Orosh, u lind në Shkodër, më 20 Shkurt 1886. Studimet filozofike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse studimet teologjike në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua meshtar në Durrës më 28 qershor 1908, ku zhvilloi edhe shërbimin e tij meshtarak. Në vitin 1930 u shugurua Ipeshkëv i Durrësit, seli që e ndryshoi, sepse u emërua titullar i Abacisë Nullius të Oroshit. U arrestua më 15 nëntor 1946 me akuzat “Spiun i Vatikanit” dhe “Bashkëpunëtor i anglezëve e organizator i kryengritjes së Postribës”. Pësoi keqtrajtime dhe tortura të ndryshme. Pas shumë vuajtjesh, u dënua me pushkatim. Fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti Mbret! Shqipëria do të jetojë edhe nëse ne vdesim!”. U pushkatua më 11 mars 1948.
        Imzot Frano Gjini, pas kryerjes me devocion të misionit fetar e kombëtar, në vitin 1922 emërohet kamarier sekret i Papa Piut XI. Ndërkohe që një vit me pare kishte marrë detyrën e Abatit të Mirditës, katër vjet pas vdekjes se Abatit Prend Doçi. Regjent i Delegacionit  në shkurtin e vitit 1945. I pari shqiptar që emërohet zv/Delegat Apostolik i Selisë se Shenjtё në Shqipëri, duke zëvendësuar Imzot Leoni Nigris, i cili largohet nga vendi ynë si “person non grada”. Gjatё periudhës 1945-1946, pas vdekjes sё Imzot Luigj Bumçit, është administrator i Dioqezës së Lezhës.
        Nuk pranoi ndarjen e kishës katolike nga Selia e Shenjtë, duke iu përgjigjur kërkesës së diktatorit me letër: “Grigjën time nuk mund ta ndaje kurrë nga Selia e Shenjtë!” E lidhën pas një ullini ku e lanë disa ditë e net pa ujë e pa bukë!
             Nëprocesverbalin e aktit të pushkatimit shënohen edhe këto fjalë të fundit: “…kam thënë më 6 prill në kishë se kush tradhton atdheun, tradhton vendin. Marksizmi nuk njeh Zot e nuk njeh fe. Ne e luftojmë ateizmin…Rroftë feja katolike dhe katolikët në botë. Gjaku dhe trupi im mbetën këtu, por shpirti e zemra është tek Papa. Rroftë Papa. Rroftë Shqipëria!”
       Mons. Zef Simoni: “Mons. Frano Gjini provoi torturën e urisë e të ftohtit të madh, i varur jashtë nëpër pemët e oborrit të sigurimit, veç goditjeve të rënda të panumëruara, e lëshonin në ujërat e zeza në WC-sё!”
At Konrad Gjolaj: “…nё vitin 1930 Mons. Gjini shkoi në Abacinë e Mirditës me seli në Orosh. Njeri i heshtur dhe modest. Nuk rrinte në krye të vendit edhe kur i takonte. Ishte natyrë e qetë dhe për këtë e pëlqenin mirditorët. I prerë në fjalë dhe i ngadaltë, cilësi e domosdoshme për kuvendet e krahinës. Kishte dhënë prova si antikomunist. Duke e ditur këtë, kapidani i Mirditës i kishte propozuar që ta ndihmonte për të lënë atdheun, për mos me ra në dorë të komunistëve. Imzot Gjini ishte përgjigjur:  “Jo, se nuk kam si ta lë popullin e Shën Llezhdrit në dorë të komunistave!”. Ai qëndroi këtu dhe kreu detyrën e ngarkuar deri në ditën e fundit, ashtu siç punoi me korrektësi gjithë jetën. Mё vonё u provue edhe në trimëri!”
Motra Gjyzepina: “…Edhe pse ishte i lodhur nga temperatura nuk me lejuen me e mjekue, madje kur ngula këmbë, Dulaçi më tha: “Lene, lene se e shëndoshim ne…! Mbas pak ditësh, fytyra e tij ishte si një letër cigareje. Ishte dobësuar sa nuk ta merrte mendja me qëndrue kaq shumë në tortura. Ishte aq i ftohur nga qëndrimi i gjatë në bodrumet me ujë, sa ishte bllokuar dhe kur kollitej nxirrte gjak. Ngjyra e verdhë e fytyrës dhe e mundimeve i jepnin pamjen e një shejti të vërtetë. Trupin e kishte të nxirë dhe me plagë. Kёmisha nuk i shkapej prej trupit e ai nuk nxirrte zë nga goja!”
Prof. Adem Bazhdari ka treguar: “…Nuk e harroj kurrë Mons. Frano Gjinin të varur në një pemë, po e torturonin Zoji e Pjerini. Monsinjori u lypi pak ujë e ata i mbushën një safe me urinë dhe ia dhanë. Ai kishte tri ditё i varur pa pi ujë. Kështu që piu çka i dhanë ata. E zgjidhën, por ai nuk ecte dot. E sollën në dhomë, por mbas pak erdhën e na morën të dyve. Sa mbërritëm në krye të shkalles, oficeri i policisë, Pjerini, e hodhi nga shkallët poshtë At Matinë. Menduam se vdiq, por jo, ishte i gjakosur në fytyrë. “E shkoni?-na pyeti Zoji. - Kështu do t’ua bëjmë edhe juve!” Kur hymë në dhomë Monsinjor Gjini tha: “Për hatër të Zotit!”. Krahët, këmbët dhe shpinën e kishte me plagë qelbësuese. Ia mjekonim vetëm me krypë dhe ia lyenim me leckë të nxehtë, sqetullat i kishte të hapura!”
       Mons Gjini qëndroi 16 muaj në tortura , për të provuar torturën e fundit, plumbin e togës së ekzekutimit!
    Emri Shën Pali nuk u shua as në komunizëm. Vendi ku bëheshin kuvendet e Mirditës, ka një histori kanunore dhe vetëqeverisëse nën drejtimin e kullës princore të Gjonmarkut, Dinastia e të cilëve njihet edhe në botёn perëndimore prej 600 vitesh. Në Shën Pal ka dritë gjaku, meshtari e atdhetari.
Ndue Dedaj: “… Kisha e Shën Palit duhej të ndërtohej e re. Ajo përmendet në histori në vitin 1637, nën juridiksionin e Ipeshkvisё së Lezhës. Gurthemeline kishës së re e bekoi Abat Frano Gjini, në prezencë të popullit të zonës dhe autoriteteve të ushtrisë italiane, të cilët kishin marrë përsipër realizimin e projektit, sipas stilit romak, bazilikas. Vështruar nga kontributi i vazhdueshëm i Italisë për kishat shqiptare, kisha e Shën Palit është i vetmi objekt që nuk arriti të realizohej. Kjo ëndërr e Frano Gjinit u realizue me 1996, me ndërtimin e kishës se re në vendin e abacisë së dikurshme beneditine, njërit prej monumenteve më të shquar të lashtësisë së Mirditës!”

PO, UNË FALENDEROJ ZOTIN...
Marie  TUCI

            Ajo u lind në Ndërfushaz - Rrëshen, Mirditë, më 12 Mars 1928. Ishte bijë Oroshi nga familja e kapidanit Gjonmarkaj. Shkollën e mesme e kreu në Institutin e Motrave Stigmatine në Shkodër. Në Mirditё, saktësisht në fshatin Fan, me porosi të Abatit Frano Gjini, filloi punë si mësuese për t’u dhënë fëmijëve analfabete dritën  e shkronjave shqipe. Veprimtaria antikomuniste e bijës oroshiane u bë objekt ndjekje e survejimi në mënyrat më të poshtra.
   Imzot Zef Simoni:Marie Tuçi ishte një heroinë që iu kushtue Zotit. Provoi në trupin e saj tortura çnjerëzore, por qëndroi si burrneshë e Mirditës për të ruajtur fenë e nderin e femrës shqiptare. Vdiq në spitalin e Shkodrës e rraskapitur nga tmerri i torturave!”
       U arrestua në Ndërfushaz më 10 gusht 1949. Kriminelët, hetuesit komunistë, për një vit, për të kënaqur instinktet e veta kafshërore, u munduan me të gjitha mënyrat, nën një izolim të plotë dhe nën tortura që asnjë fantazi, përveç asaj të kuqe nuk mund t’i shpikte në trupin e saj, por vajza fisnike me karakter të lartë, rezistoi heroikisht. Pastaj e përdhunuan në mënyrë barbare, sipas deklaratave të shoqeve të saj të burgosura me të.
       Në të njëjtën ditë u arrestua dhe vëllai i saj, Mark Gjonmarkaj, i cili nuk e pa më as të gjallë, as të vdekur Marien. Në qelinë e burgut nuk hynte drita e diellit, ishte ftohtë dhe me shumë lagështirë. 
          “Të gjitha torturat e mundura i ushtruan mbi trupin tim. Falënderoj Hyun se po vdes e lirë”
Sipas një letre që nuk arritën ta nxirrte jashtë nga burgu, ndër të tjera e futën në një thes, lakuriq, bashkë me një mace!
Vita Maltia: “…E vetmja mënyrë për t’u ngrohur në qeli ishte përqafimi me njëra-tjetrën…Qelia ishte e mbushur me ujë, nga shiu që pikonte deri në dyshekë. U shtrua në spital në gjendje shumë të rëndë. Nga spitali i të burgosurve e dërguan në spitalin civil. E vizituan Motrat Stigmatine. Maria nuk i njohu dhe i tha Davides, shoqes sё vet se u vërtetua fjala e kryetarit të degës se nuk do të të njohë as familja e saj. Vdiq në spitalin e Shkodrës me 24 shtator 1950 dhe u varros në varrezat katolike, se bashku me të atin!”
         Ajo sfidoi çdo lloj dhune dukё mbetur përjetësisht idealiste demokrate e Shqipërisë      Etnike.
   Motra Maria Kaleta: “Sot ndihem e lumtur kur shof se në rreshtin e katërdhjetë martirëve që janë në procesin e kanunizimit ndodhet dhe ajo grua e vetme, Marie Tuci, me të cilën ishim shoqe, edhe ajo Stigmatine.”
       Një e burgosur, Olimbi Baruti, e cila ndau qelinë me Marijen, dëshmon se nuk kishin ndërresa dhe vetëm një herë të afërmit e Maries u lejuan të sjellin rroba për të, dhe këto ajo i ndau me shoqen e saj. “Maria ishte inteligjente, guximtare, me besim në fe, lutej vazhdimisht në burg dhe antikomuniste e vendosur. Maria i ndante rrobat e veta me shoqet, sidomos me ato myslimane!                                                                    
,Nga deponimet në hetuesi:
Marie Tuçi - 12.X.1949.
...Po, kangën e kam dijtë, por nuk e di se kush e ka qitë...Mue ma ka thanë Gjon Mark Ndou... kënga kishte këtë përmbajtje:

“Mbi bishat e kuqe, përmbi komunizëm
do të triumfojë nacionalizmi.
Me armët kreshnike, ecni, moj rini,
Për të çliruar nanën Shqipëri!
Neve  Shqipërinë do ta çlirojmë
Dhe para flamurit do t’parakalojmë
Llogari do të japin para atdheut
Enveri, Tuku e Mehmet Shehu….

Kjo këngë këndohej me melodinë e këngës së hekurudhës “Se ç’po çel agimi…”
Hetimet vazhdojnë …

Drejt shenjtërimit motër Marie Tuçi... 
Angelo Montonati,
                                  botuar në revistën italiane “Familja Kristiane”-

         “Martirja Marie Tuçi vdiq në vitin 1950 në moshën 22 vjeçe prej vuajtjeve që i kanë ndodhur në burg gjatë regjimit komunist. Ajo është e para martire shqiptare e kohërave moderne, e vetmja vajzë në listën e atyre, që patën dhënë jetën për besimin nën diktaturën e egër komuniste. Ajo vajzë e re 22 vjeçare, që përgatitej të vishte rrobën e motrave stigmatine të kongregacionit françeskan, themeluar nga e veja Fiorentina Anna Lapin, së shpejti pret të shenjtërohet. Historia e saj është rrënqethëse. Lindur më 12 mars 1928 në fshatin Ndërfushas të Mirditës, ishte bijë e familjes fisnike të Gjomarkajve, të njohur për mbështetjen e kishës katolike.
           Në vitin 1946 regjimi komunist ashpërsoi persekutimin ndaj çdo lloj besimi, dhe me egërsi të pashoqe ndaj besimit të krishterë. U shpërnda Kuvendi Stigmatin, që ndodhej në vend që nga viti 1879, duke shpërndarë dhe motrat që ishin aty. Maria jepte mësim në një shkollë dhe për këtë reagoi me kurajo për shpifjet ndaj kishës, që kishin nisur me histeri. Më 10 gusht1949 arrestohet nga Sigurimi i Shtetit pas vrasjes së Bardhok Bibës. Për këtë vrasje qenë akuzuar shumë familje, në mes të cilëve dhe Gjomarkajt. Dhe përveç Maries, në burg përfundoi edhe i vëllai, Marku. Bujtina e saj do të ishte tashmë një qeli burgu pa dritë e ajër, me lagështi e të ftohtë. Olimbi
Baruti, një myslimane që kishte ndenjur me të 1 muaj në burg, ka thënë se në këto kushte mizerje nuk mundeshim as me u la. Një tjetër bashkëvuajtëse, Vita Matlia, ka rrëfyer se kur bënte shumë të ftohtë, qëndronim të përqafuara që të merrnim e jepnim sadopak nxehtësi njëra-tjetrës.

            “Po unë falënderoj Zotin…ka qenё zëri i saj” 

         Vuajtja më e madhe për Marien pati qenë ajo e provokuar nga torturat në burg nga kryetari i degës së brendshme H. Seiti, i cili, i mahnitur nga bukuria e vajzës, mundohej të abuzonte duke e torturuar, por hasi në një rezistenca heroike. Maria në qeli lutej vazhdimisht e fliste për Krishtin. Mbahet mend si një nga torturat kafshërore, kur Seiti e pati mbyllur në një thes duke i futur brenda një mace të egër e duke i rënë me shkop përsipër. Kur e nxorën nga thesi ishte bërë copë-copë. Një motër stigmatine, që punonte në këtë repart si infermiere nuk e njohu. Maria e thirri me emër t'uej tregue se kush ishte dhe tha: “Falënderoj Zotin që më bani të jem e lirë në ditët e fundit të jetës…”. Vdiq më 24 shtator 1950. Eshtrat e saj gjenden në varrezat katolike të Shkodrës, afër me ato të babës së saj. Tashmë është duke përfunduar mbledhja e dëshmive me fillimin e procesit të shenjtërimit. Me Marien kanë qenë dhe 6 motra të tjera, që përgatiteshin me hy në kuvend.
       Në vitin 1991, kur motrat stigmatine kthehen në Shqipëri, patën kënaqësinë me gjet 5 nga 7 motrat e grupit të fillimit, (Marie Tuçi e Margarita Cepi kishin vdekur). Me shpresën se do të realizohen idealet, 5 motrat e tjera u veshën suora e morën votat kishtare. Ato janë motra Giorgina Bulgareci, motra Maria Koleta, Adelajda Pashku, motra Giusepina Shestani e motra Roza Kraja. I kemi takuar kohë më pas në Shkodër nën shoqërimin e motër Chiara Pieri, përgjegjëse e delegacionit shqiptar të Kongregacionit!”

NUK KA SHQIPËRI ETNIKE PA KOSOVË
At Giovanni  Fausti  s.j
U lind në Brozzo të Breshës (Itali), më 19 Tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkvënor. U shugurua meshtar në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri. Person me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri kishte detyrën e zëvendësprovincialit. U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin dhe pastaj u pushkatua më 4 mars 1946.
         Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit, forconte vetveten dhe të tjerët me fjalët e psalmit: “Tëshkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit”.
          E vetmja fjalë politike që ka thënë P. Fausti ka qenë: “Nuk ka Shqipëri etnike pa Kosovë!”
           Dr. Pjetёr Pepa: “Atë Gjon Fausti, 47 vjeç, ndonëse i huaj, jeta, vepra dhe vdekja e bashkoi kaq shumë me martirët shqiptarë, aq sa sot, pas më se një gjysmë shekulli, të duket se është bir i këtij vendi, madje i krahinës se Zadrimës. Atë Fausti e Atë Dajani jetuan e punuan bashkë, u martirizuan bashkë dhe po bashkë, të pranguar dorë më dorë, kaluan cakun e amshimit. Atë Gjoni, ishte italian, bir i asaj toke të bekuar që bëri shumë për Shqipërinë. Erdhi këtu në vazhdën e atyre jezuitëve të ndritur që punuan në vendin tonë për të sjellë dritën e bekuar të Romës katolike, ashtu si dhjetëra kolegë të tjerë, si: Atë Jak Jungu, Atë Françesk Rosi, Atë Luigji Mazza, Atë Fulvio Kordiniano” 
Nga një dëshmi mbi Atë Giovanni Faustin, jezuit. Në vitin 1929 u dërgua në Shkodër si profesor në Seminar. U detyrua të kthehej në atdhe në vitin 1932 për arsye shëndetësore. Dhjetë vjet më vonë u rikthye në Shqipëri si rektor i Seminarit Papnor të Shkodrës. U arrestua së bashku me Atë Daniel Dajanin s.j... Të dy u akuzuan se kishin ndihmuar për formimin e një grupi rezistence kundër komunizmit, brenda në Seminar.
Një hollësi mjaft mallëngjyese na sjell në kujtesë diçka prej mundimeve të Krishtit.
       “Duke kaluar nga burgu për në gjykatë, Atë Faustin e shanin, e poshtëronin dhe e pështynin. Një gjë e tillë u përsërit për shumë ditë radhazi, aq ditë sa zgjati edhe procesi. Një ditë ndërsa po bënin këtë rrugë, një grua u shkëput nga turma: sytë i kishte të skuqur nga gjaku dhe flokët e pakrehura. Papritmas ajo u doli përpara atyre dhe me një zë të çjerrur prej zemërimit klithi: “Plumb ballit! -. Dhe me gojën e saj të pistë pështyu mbi fytyrën e Atë Faustit. Por Atë Fausti ishte shpirtmadh. Iu përgjigj duke e përshëndetur me kokë dhe, duke ndjekur shembullin e mësuesit hyjnor, tha:  “Fale, o Atë, se nuk e di se çfarë po bën!”.
        Mons. Zef Simoni: “Mbas pushkatimit të At Giovani Faustit dhe At Daniel Dajanit, u mbyll shtëpia e Jezuiteve dhe misionarët e huaj italianë, gjithsej 200 vetë, prej të cilëve 25 meshtarë, u nisën për në Itali. Para nisjes u bë një kontroll në shtëpinë e Jezuitёve, duke qenë prezent një ushtri prej 800 vetash të armatosur. Një grumbull i madh shkodranësh kishin dalë të kundërshtonin largimin e tyre. Me lot ndër sy Fr. Bertoloti do t’u drejtohej qytetarëve shkodranë: “Nuk është populli shqiptar që po na nxjerr jashtë, këtë e tregon prezenca e juaj në rrugë!”
          At Giacomo Gardin: “... në burg ishim në padijeni të plotë se çfarë po ndodhte me bashkëvëllezërit e mi jezuite. Kah gjysma e dhjetorit të 1945 e kuptova nga buzët e njërit që erdhi të më vizitonte: “Xhakonj të arrestuar”. Mbeta sikur të më kishte renë rrufeja prej pikëllimit. Duke e venë veten në rrezik, nenprovinciali At Fausti erdhi të më vizitonte për Krishtlindje. Në atë rast ai vërtetoi lajmin, duke dhënë një shenjë në fytyrë: “Në duar të Zotit” Ajo qe hera e fundit që e pashë dhe i fola. Në mbrëmjen e ditës tjetër, mbas ceremonisë së tёDeum-it, At Fausti e At Danieli qenë arrestue!”
Paolo Dezza: “At Fausti ishte eprori i krejt jezuiteve në Shqipëri. Në Itali ai njihej më shumë si breshian e shok studimesh me Dom Montinin ( më vonë u bë Papa Pali VI) në Seminarin Lombard të Romёs, ku u doktorue në teologji në universitetin Gregorian e u bë jezuit. Më vonë u dërgue misionar në Shqipëri, në një komb të vogël, për sa i përket tokës, por i pasur në tradita të lumturuara qytetare dhe fetare.!”
         Dr. Giogio Silvester: “...Ishte një mbasdite e mërzitshme e vjeshtës së vitit 1943. Për herë të parё takova fizikisht ballë për ballë Fr. Faustin. Në atë kohë isha në kontakt me spitalin e përgjithshëm të Tiranës. Disa motra më pyeten nëse mund të gjeja ndonjë prift jezuit për t’i  bërë sakramentet e fundit, një njeriu që kishte kaluar në jetën tjetër në këtë spital. Me njëherë shkova me të shpejtё tek shtëpia e jezuiteve dhe kërkova At Faustin. Njeri nga vëllezërit e tij jezuit më tha se At Fausti ishte larguar me nxitim me biçikletë drejt spitalit. Kur mbërrita në spital motrat me pyetën se cili ishte emri i priftit, për të cilin kishin krijuar një respekt të veçantë. U tregova se ai ishte pontifikal i Seminarit në Shkodër, por kishte pak ditë që kishte ardhur në Tiranë. Këto ishin fillimet e kontakteve me Giovani Faustin, për të vazhduar në ngjarje të vështira e tragjike si për italianët dhe për shqiptarët. At Fausti ishte shpirtërisht një prift i vërtetë, shok dhe konsulent, avokat dhe prokuror, për secilin që kishte nevojë, duke iu shërbyer shqiptarëve në dëshminë e fesë. Ai ishte italian, por i barazdjeshëm me iu përgjigj shqiptarёve si prift dhe si burrë. Mësëmiri e tregon fakti se kur At Faustin e dërguen me kamion tek muri i vdekjes, tha: “Rroftë Krishti mbret! Rroftë Shqipëria!”
Gjovalin Zezaj, i denuar me vdekje, por që shpëtoi: “Nuk e di sa kohë kaluam ashtu, të tulatur pranë e pranë, kur erdhi “miku i të burgosurve”, Fadil Rakiqi, i cili na lajmëroi se kishin arrestuar një prift italian. Të nesërmen, kur Fadili po më shoqëronte në nevojtore, iu luta të më linte një çast vetëm me klerikun. E ai më çoi nën shkallë, ku pashë një burrë të mbledhur gërmuq. Në fillim nuk e njoha. Thashë emrin tim, e dëgjova një zë, që më gjegji: “Jam atë Giovanni Fausti”. Po e takoja për herë të parë, sepse unë ndiqja gjimnazin e shtetit. E kishin rrasur aty, për ta çpёrsonalizuar, njeriun me pёrsonalitet të pathyeshëm! Po ata nuk e njihnin ende. I putha dorën. Ai më bekoi e më përcolli me fjalët: “Fali, o Zot, se nuk dijnë çka bajnë”, thënë butë-butë, me një shqipe të kulluar. Pas disa ditësh, po aty, nën shkallë, do të takoja atë Daniel Dajanin, 42 vjeç, nga Blinishti i Zadrimës...Kur e mori vesh arrestimin e dy eprorëve, Mark Çuni i harroi dhimbjet e trupit dhe krahun e thyer nga torturat. E brente ndërgjegjja. I dukej se kishte një farë përgjegjësie për këtë katastrofë, pa menduar fare se edhe ai vetë do të zhdukej fizikisht. E kishte parashikuar se kleri do të shkatërrohej, e me të, edhe seminari papnor, Kolegja Saveriane e të gjitha vlerat, që qenë krijuar në atë oazë feje e kulture!”
            Në vitin 1995 Dom Antonio Sharra, Italian, famullitar i Blinishtit të Lezhës në kodrën e ulet të këtij fshati, ku është kisha katolike, ngriti një monument me bustet e dredhura në bronx, kushtuar At Faustit e At Dajanit. Disa ditë më vonë bëri një vizitë edhe Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, i shoqëruar nga shkrimtari lezhjan Preç Zogaj. Në të majtë, diku më poshtë monumentit, meshtari kishte improvizuar një varrezë me 9-të vorre të vegjël, kushtuar vajzave zadrimore të humbura rrugëve të botës. E dëgjova kur Dom Antoni i tha Presidentit: “Dua që së shpejti të ndërtoj në Zadrimë një institut rehabilitimi për të gjitha femrat shqiptare që janë detyruar me dhunë dhe kërcënim për jetën, të ushtrojnë prostitucion, për ata që kanë kaluar trauma dhe jo vetëm kaq, por instituti të jetë edhe një shkollë profesionale me diplomë të vlefshme në çdo vend evropian!”
     Dom Antoni kërkoi vetëm miratimin nga shteti të territorit, ndërsa anën financiare do ta përballonin donacionet italiane, që në këtë zonë kishin bërë disa mrekullira në investime.

PARA LITARIT ZOGIST U RRËFYE VETËM SHQIP
Dom Gjon  Gazulli

       U lind në Dajç të Zadrimës (Lezhë), më 26 Mars 1893. Pas shkollës fillore në vendin e tij,filloi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, e pastaj edhe në Austri, por jo gjithmonë vetëm për arsye studimi, por edhe për arsye shëndeti. U shugurua meshtar më 4 gusht 1919. Ishte një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht katolike. Insistimi i tij për të dënuar një regjim të tillë pati pasoja: më 26 dhjetor 1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 5 mars 1927, u dënua me vdekje dhe u var.
    “Po vdes i pafajshëm, Rroftë Krishti, mbreti jonë! Rroftë Kisha Katolike, nëna jonë! Rroftë Papa, ati ynë! Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët e vërtetë!”.
Bernard Fischer: “Me ambasadorin anglez Ahmet Zogu në 1927 u ankue për klerikët katolikë: “Ah sa shumë do të dëshiroja t’i varja ashtu siç e meritojnë”…E që të kënaqte kërkesën e brendshme për t’i varë, ai çoi në trekëmbësh një klerik…Dom Gjon Gàzullin.”
         Ai u shugurue meshtar më 4 Gusht 1919 në vendlindje, në Dajç. Mbas një shërbimi të shkurtë në Gjadër të Lezhës, e çuen në Qelëz të Pukës.
      Duke pa trazimet e atdheut, ai u angazhue përkrah Luigj Gurakuqit, Avni Rustemit, Fan Nolit, Bajram Currit, At Gjergj Fishtës, At Anton Harapit, Hasan Prishtinës, në atë krah që është quajtur në histori “opozita”, pse i ishte kundërvu “popullores” së Ahmet Zogut, dhe në zgjedhjet politike të vitit 1923, Dom Gjoni u zgjodh deputet.
Jo rastësisht një ndër votuesit e tij kryesorë, se zgjedhjet në atë kohë bëheshin me përfaqësim, ka qenë Myftiu i Hasit. Kur Musa Juka iu drejtue Myftiut: “Po ti, si nuk pate turp e votove për priftin?!”, Myftiu, pa prishë terezinë, iu gjegj i qetë: “Nuk votova për priftin, po për atë që po na mëson përditë çka do me thanë Shqipni, çka do me thanë Atdhé”.
Daniel Gazulli: “Ndërkohë, tue qenë meshtar në Qelëz, meshtari-deputet Dom Gjon Gazulli kreu atë akt që për kohën ishte një veprim revolucionar i pashembullt: Hapi në qelë (shtëpinë ku banonte vetë, ashtu si banë edhe shumë klerikë të tjerë) shkollën e parë mikse në botë. Po po, në botë. Asht diçka e vështirë për brezin e ri me kuptue disa gjana, por edhe në Europën e përparueme shkollat mikse (djelm e vajza bashkë) janë çelë për herë të parë mbas Luftës së Dytë Botnore, në Francë më 1948, kurse në Itali katër vjet ma vonë, më 1952. Kurse ai, prift, hapi në qelë  shkollë mikse me djelm e vajza bashkë, të krishtenë e myslimanë bashkë!”
        Ja një fragmente nga intervista dhanë revistës gjermane “Korrespondez des Priestergebetsve” nga oficeri i ngarkuem me varjen e Dom Gjonit, Xhemal Dibra:
       “Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin ende të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash urdhën të thirrej famullitari Gazulli n’oborr, pse donte me folë me të Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të  ndodhte. Një françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka). Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gazulli nuk i ndrroi aspak ngjyra e fytyrës… Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, rrëfeju, pra, latinisht a italisht”. – “Jo, Pater, i përgjigjet Gazulli, të mbramin rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu ai u rrëfye në sytё tanë. Na, muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtni të madhe. Ai u dukte se po shndriste krejt fytyret. Tash u çil dera e burgut, e u nisëm. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mes ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u lutën të dy me za të naltë, por unë muejta me vu re se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time.
      Kishim arrijtë të vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes. Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndriste thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë të ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij Prifti. Ai ishte i pafaj. Këtë e dijshim të gjithë. Por, urdhri! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt:
“Zotni, s’duem me ndje pretkun! Foli fjalët e mbrame. Mjaft”
Atëherë Ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po vdes i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.
        Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I që veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ai ishte i vdekun! Kështu foli kapiteni. Ishte dita e 5 marsit 1927

PRIFTI SI PËLLUMBAT PËRHAPI LAJMIN E MIRË
imzot Vincenc  Prenushi o.f.m.

Arqipeshkëv i Durrësit, u lind në Shkodër më 4 Shtator 1885. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në kolegjin e françeskanëve në Troshan, kurse teologjinë në Tirol (Austri). Meshën e Parë e kremtoi më 19 mars 1908. Qe drejtor i shtypshkronjës françeskane, i kolegjit françeskan, Guardian i Kuvendit të Shkodrës. Dy herë qe provincial. Më 19 mars 1936 u shugurua Ipeshkëv i Sapës e pastaj u emërua Arqipeshkëv i Durrësit. Njeri i përvujtë, i zellshëm, i butë, organizues i Ipeshkvisë, njeri shumë i mençur dhe shkrimtar i mirë. U arrestua më 19 maj 1947 dhe u dënua me 20 vjet burg. Vdiq në burgun e Durrësit, më 19 mars 1949.
Arshi Pipa: “Përpara meje asht një burrë me flokë të bardhë, i mbledhun kruspull, i veshun me nji mantel të zi të dalun boje. Nuk ka lëvizë gjithë kohën. Lëviz tash në thirrje të një emri: Vinçens Prenushi!
Ngrihet ngadalë, mundimshëm dhe ulet mandej pa thanë një falë. Prokurori lexon pretencën e të pandehunit. Akuzat janë krejt gjenerike, pa asnji fakt konkret, ato tashma: "anmik i popullit", "bashkëpunëtor i okupatorit", "fashist". Theksohet fakte se ka qenë peshkop i Kishës Katolike dhe me këtë rasë shtohen frazat: "Klerik reaksionar", "Agjent i Vatikanit". Në fund kërkimi i dënimit: njëzet vjet!
         Në fjalën e fundit Imzot Prenushi thotë me za të ramë:
            "Nuk i kam dashtë kujt të keqen. Jam mundue mё ba mirë!”
Vendimi i gjyqit asht: njëzet vjet privim lirije me punë të detyrueshme!.
Me Imzot Prenushin u njofta fill mbas gjykimit. Na qëlloi me ndenjë së bashku, në nji dhomë të vogël të burgut, ku vunë edhe Myftiun e Durrësit, Mustafa Varoshin, Prof. Prenk Kaçinarin dhe një profesor tjetër. Disa ditë mbrapa Myftiu, i cili nga torturat e tmerrshme gjatë hetuesisë ishte ba një kufomë e gjallë, vdiq në spital të Durrësit. Prof. Prenk Kaçinari, që vuante nga tuberkulozi, u lirue nga burgu më 1949. I mërzitun nga persekutimi i vazhdueshëm ai vrau vedin më 1956.
              Pak ditë ma vonë na kaluan në një dhomë tjetër. Më kujtohet mirë kjo dhomë, e veçueme prej të tjerave, me nji skaj të oborrit, kishte qenë motit xhebehane (depo armësh) dhe kishte mure të trasha, me tavanin në trajtë kubeje, me vetëm një dritare të vogël. Te kjo dhomë, e njoftun me emnin "Dhoma nr. 8", vendoseshin zakonisht "ma të rrezikshmit". Ishim ngushtë, rreth tridhjetë vetë në nji hapsinë ma pak se tridhjetë metra katrore. Megjithëkëtë të burgosurit u ngushtuen edhe ma për me i ba Imzotit, një vend ma të gjanë, tue e vu në krye të dhomës. Mue më qëlloi me qenë pranë tij. Nuk vonoi shumë dhe u miqësuem. Kuvendojshim mbi gjana politike, tue komentue gjendjen me za të ulët, qё fjalët mos të ndigjoheshin prej të tjerëve. Torturat komuniste na kishin ba me qenë të matun. Por politika Imzotit nuk i pëlqente dhe ma shpesh kuvendojshim mbi gjana të tjera, mbi letërsi, mbi gjana të së kaluemes, mbi përvoja vetiake të ndryshme. Me të tjerët Imzoti ishte shumë i ndalun dhe çelte gojën për me dhanë ndonji këshillë, edhe atëherë kur ishte i pyetun, ose për me ngushëllue me fjalë të buta zemrat e vuejtuna të njerëzve. Fort rrallë tregonte ndonji ndodhi të jetës së vet, ndonji anekdotë ose nji fakt historik, dhe gadi gjithmonë me qëllim edukativ.                        
Atëherë gjithë dhoma e vështronte në një heshtje njëmend fetare. Fliste thjeshtë, në mënyrë që me e kuptue edhe fshatarët. Ndante me ma të vorfënit atë pak gjellë që një plakë e përshpirtshme i binte kur kishte. Rrinte, ndonjiherë me orë, në vendin e vet pa folë, me kqyrjen e tretun përtej dritares. Mbas gjasë atëherë lutej. Ishte i butë me shpirt të paqëm, thellë i devotshëm, i kushtuem kryekput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue, me një urtësi të bindshme, dashurinë e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë. Buzëqeshun në të folun, zemërgjanë ndër gjykime, i qetë e i sigurt në besimin e vet të patrandshëm, por jo i mbyllur ndaj shekullit, madje fort i kuptueshëm për nevojat dhe të metat e njerëzve. Imzot Prennushi të bante shpejt për vete.
              Mbasi qemë afrue mjaft, un i lypa leje ta thirrsha Pater Vinçenc: titulli i françeskanit të dikurshëm më tingëllonte ma për zemër në ato kushte të trishtueshme, ku dallimet mes njerëzve nuk mund të ishin veçse të rendit moral. Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e atdhetarizmit shqiptar, i jep fytyrës së tij një randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit!” 
Thuhej prej të gjithëve se Imzot Prenushi nuk kishte asnjë armik. Të gjithë veprimtarinë fetare, shoqërore  e artistike e zhvilloi në qytetin e Shkodrës, deri në dhjetё vjetët e fundit, kur ai ishte emëruar Ipeshkëv i Zadrimës e mandej Arqipeshkëv i Durrësit, ku jeta e tij u flijue në altarin e fesë të atdheut dhe njerëzimit. Veprimtaria fetare qe fusha kryesore e gjithë jetës së tij, por edhe talentin e tij letrar e vuri në shërbim të udhës së Jezu Krishtit dhe dashurisë për të. Revista “Zani i Shna Ndout” u themelue prej tij. Për një kohe mjaft të gjatë mbajti edhe të përjavshmen “Fletorja e së Dielës” në të cilën gjendet i përkthyer prej tij “Testamenti i Ri”. Gjithashtu, Prenushi përktheu “Jetën e Shën Franceskut” dhe “Jetën e Shna Ndout”
Veprimtarinë edukative, arsimore e kulturore Prenushi e zhvilloi me një intuitë të paparë në shkollën e mesme Stigmatine, e vetmja shkollë femërore në qytetin e Shkodrës, duke dhënë lëndën e letërsisë dhe duke organizuar aktivitete kulturore e kombëtare. Për këtë qellim ai përktheu romanin “Fabiola” me një përhapje të madhe në qarqet shkodrane, sa mund të thuhet se ky botim nuk mungonte në asnjë familje të qytetit. Me vonë nga dora e tij doli i përkthyer romani “Quo-Vadis”
 Një dite P. Gjergj Fishta ngriti flamurin kombëtar mbi kompanjelin e kishës Franceskane në mes të qytetit të Shkodrës, kur qyteti mbikqyrej nga Fuqitë e Mëdha. Një vit më vonë Mons. Vinçenc Prenushi e ngriti flamurin e Kastriotit në kalanë “Rozafa” duke mbajtur një fjalë të zjarrtë për bekimin dhe dashurinë e të gjithë shqiptarëve që e duan tokën e vet, për tokën tonë arbërore. Mbas Kongresit të Lushnjës Pater Prenushi është anëtar i senatit.
Ne ipeshkvinë e Nenshatit Zadrimë At Prenushi mbante një tufë të madhe pëllumbash 400- 500 çifte. I ushqente bash si fëmija dhe ata e rrethonin me një bujari mikluese, sikur një fëmijë me dritën e syve rrethon portretin e prindit. Kështu bënte ky pëllumb i katolicizmit dhe i kombit tonë.
At Zef Pllumi: “…Mbasi kishte punuar në lulishten dhe kopshtin e e selisë atje nga mbas drekja me pyeti: “Ç’ka të pëlqen me shume këtu  tek unë?”. Iu përgjigja se mbi të gjitha me pëlqejnë pëllumbat. Sikur të mos ishte turp me lyp unë  do t’i dëshiroja një çift prej tyre. Ai qeshi duke e venë buzën në gaz, se kurrë  nuk qeshte me të madhe, mandej më tha: “Ti me të vërtetë ke mbiemrin pllum, po pamjen e ke me tepër si skifteri”. Mbas tri ditësh erdhi në Troshan shërbëtori i tij dhe me solli katër çifte pëllumbash dhe një letër përcjellëse, në të cilën me porosiste mos me i lëshue me fluturue për dy javë, sa të binin të ngrohnin vezët, se përndryshe do të ktheheshin përsëri në folenë e tyre!”
 Tirani ynë veproi si tё gjithë tiranët e shekujve, ma egërsisht me pëllumbat e bardhë të fesë së Krishtit. E thirri personalisht, i kërkoi çka ky nuk mund ta jepte. Përfundimi qe tragjedia e njohur për jetën e tij!”
Një citim i Arshi Pipës: “…Dhe kur fikeshin gacat e fundit dhe errësira pushtonte në dhomë, ngriheshim prej shtratit, herë njeri e herë tjetri dhe i rrinin të sëmurit tek koka, duke i folur e duke i dhënë zemër, duke e gënjyer se do të binin dru zjarri, ose se nata ishte në të sosun…Një natё të këtillë At Prenushi më tha copa-copa: “Tash po i kuptoj fjalët e Goethe-s: “Mehr Licht” (Dua dritё!”)…Përfytyrimi i dritës, ndriçoi konceptin e filozofisë, duke e ndërmjtesuar përmes poezisë dhe mistikës!”
          Mikel Prendushi, nipi i Mons. Vincensit: “…më 18 mars 1949 në shtëpinë tonë ka mbërritur një telegram, të cilin e dërgonte një bamirës. Unë atëherë isha mësues në Malësinë e Veriut, po baba kujtonte: “U nisa menjëherë, por rrugët atëherë nuk kishin siguri. Sa mbërrita në Tiranë mora trenin për në Durrës. Po të kishte ecur treni me shpejt unë do ta kisha gjetur gjallë. E gjeta trupin e tij pa jetë (Mons. Vincensit) në një barakë në burgun e spitalit të Durrësit. Ishte 19 marsi i vitit 1949. Trupi i tij ishte ende i nxehtë. Duke i përmbajtur lotët u përshëndeta me tim vëlla. U solla derisa u err nata. Iu luta rojeve ta merrja, por ata vetëm atje vonё mё dhanë këtë leje. Në një batanie, në një natë gjithë shi e stuhi, vete i katërti e çuam në kishë. Më ndihmoi mё e mbartur edhe doktori i burgut Z. Propopullis, grek shpirtmirë sa nuk bëhet. Atë natë tre apo katër punëtorë punuan, për të çelur varrin ngjitas me atë të Mons. Pjetër Gjurës. Të nesërmen u tha mesha e përshpirtshme dhe, me gjithë frikën e madhe, erdhën shumë durrsakë me shpreh ngushëllimet. Ndër ta unë pashë edhe muratorët, të cilët çelën varrin. I ndala t’i shpërbleja , por ata nuk pranuan. “Ia kemi patur borxh njëqindfish”- më thanë. Miqtë që kisha afër më thanë se janë të besimit mysliman. Unë as emrat nuk munda t’ua marr në shënim. Të gjithë durrsakët, por edhe e gjithë Shqipëria, e ka dashur Mos. Vincens Prendushin!”
VLORA E KA DETIN QË LAG BREGUN E UNË  KAM KRISHTIN SI MBRETIN
Mons. Jul  Bonati

U lind në Shkodër më 24 Maj 1874. Studioi në Firence. Njihte disa gjuhë të huaja. U shugurua meshtar në Goricia (Itali), më 8 prill 1906. Ka përkthyer në gjuhën italiane librin e famshëm të Atë Gjergj Fishtës: “Lahuta e Malcisë”. I ka dhënë një ndihmë të madhe Kishës sonë në Shqipëri, si në Durrës dhe në Vlorë. Ishte një meshtar i përvuajtur dhe i mençur, plot me zell e devocion. U arrestua në Durrës më 25 mars 1946 dhe u torturua çnjerëzisht. Vdiq më 5 nëntor 1951.
      Lindi në një familje të shquar katolike në Shkodër, nga martesa e Aleksandër Bonatit dhe Roza Melgushit. Me origjinë, ndoshta shqiptaro-venedikase nga
Korfuzi, ajo pati krushqi me shtëpi të tjera  katolike shkodrane. Bashkëshortja e Vaso Pashës ishte e dalë po nga kjo derë. Gjyshi i Patër Julit, Nikollë Bonati, ishte një nga bashkëthemeluesit, me Ferit Pashë Vlorën, Mehmet Ali bej Vrionin, Frashëllinjtë dhe Vaso Pashën, të Shoqërisë së shkronjave të Stambollit, më 12 tetor 1879. Lidhjet e vjetra stambolliote të Bonatëve do të shënonin të gjithë jetën e Julit si bari shpirtrash dhe patriot.
     U pagëzua dhe krezmua në Shkodër nga ImzotKarl Pooten, Arqipeshkëv metropolitan i Shkodrës dhe Primat i Shqipërisë, respektivisht më 31 maj 1874 dhe 5 qershor 1881. Pasi studioi në kolegjin e Jezuitëve të Shkodrës, hyri si novic në Kompaninë e Jezusitnë provincën e Portoresë, në rajonin e Fiumes, më 1891. Mori urdhrat e vegjël dhe të mëdhenj, përfshirë meshtarinë, në gjirin e Jezuitëve, në Portore dhe Gorizia.
      Pas shugurimit meshtarak ushtroi funksionet e prefektit të studentëve në Gorizia, Kremona dhe Breshia. Qe profesor në Komo, Soresina, Milano, Shkodër dhe Stamboll. Doli nga Kompania e Jezusit për t'u bërë prift dioqezan, më 14 gusht 1912. Në atë kohë u vendos në Stamboll, i inkardinuar pranë vikariatit apostolik të latinëve të kryeqytetit perandorak, për të ushtruar detyrën e famullitarit të katolikëve shqiptarë, që ndodheshin në brigjet e Bosforit. Këtë detyrë e ushtroi pranë kishës së Sh. Ospit. Mori pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen kombëtare, të cilën e ndihmoi sa mundi. Mori pjesë në Konferencën e Paqes më 1919 bashkë me Halil Pashë Alizotin dhe Fuad bej Dibrën, duke mbështetur dërgatën e Shtetit Shqiptar me në krye Imzot Luigj Bumçin. Nga 1920 deri më 1924 që anëtar i Klubit «Pragu shqiptar», që kryesohej nga Jonuz Bej Kolonja dhe Anastas Frashëri dhe që ishte një nga shprehitë e fundit institucionale të Shoqërisë së Stambollit, të formuar më 1879 pjesërisht nga paraardhësit e të tre këtyre personaliteteve.
          Nga 1927 deri më 1937 qe famulltar dhe vikar i përgjithshëm i Arqidioqezës së Durrësit, kur arqipeshkëv ishin, njëri pas tjetrit, Imz. Françesko Melkiori Ofm dhe Pjetër Gjura dhe përpara se administrimin e saj ta merrte në dorë Imz. Vinçenc Prenushi Ofm. Nga 1937 e deri kur u arrestua, më 1946, ishte famulltar në Vlorë. U arrestua nga policia komuniste më 25 mars 1946 dhe u burgos në Vlorë. Gjyqi politik iu bë në Elbasan ku, më 31 tetor 1947, u dënua me 7 vjet burg. I keqtrajtuar fizikisht dhe moralisht, u shua me dinjitet dhe pa mohuar besimin e tij, me 5 nëntor 1951, në Durrës.
        Arshi Pipa: “…Me kujtohet një skenë e mallëngjyeshme. Dom Jul Bonatin, famullitarin e Vlorës, e binin për ta strehuar nga burgu i qytetit bregdetar në azilin e të çmendurve të Durrësit. Dom Jul Bonatin e kisha njohur që kur kisha qenë student në Firence. Ai përpiqej aso kohe të shtypte përkthimin e vet të “Lahutës se Malësisë”. Nisëm të kuvendonim. I kallzova se njeriu që po gulshonte në shtrat ishte Imzot Prenushi. Atëherë Dom Bonati, i cili mezi mbahej në këmbë nga sëmundja dhe pleqëria e shtyrë, u ngrit dhe gati duke u zvarritur iu qas Imzot Prenushit. Bani me i puth dorën, por Prenushi sado në ankthin e gulshimit, nuk e la dhe e tërhoqi dorën. Atëherë Dom Bonati i kërkoi bekim me një përpjekje të fundit, i vuri dorën mbi krye…!”
          Fritz Radovani: “…Pak kohë mbasi u dënue, Imzot Bonati dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i tij me të. Një ditë qi i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra, me kënaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye...”.
       Vazhdoi për disa muaj ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë... Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohun i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej.
      Imzot Prof. Jul Bonati, një ditë thanë se ndërroi jetë!
     “Ndërroi jetë...”, një fjalë goje!
      U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!!
         Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë, mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqeheshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat.
A thue pasojë e sllavokomunizmit ishte kjo, apo diçka ma shumë..?!
Imz. Jul Bonati deklaron:“Qëllimi i jonë si fetarё asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës!” 
        Prof. Jul Bonati ishte klerik katolik shkodran, teolog, filozof, studiues dhe përkthyes i njohun i letërsisë dhe gjuhës shqipe, një humanist i përsosun, poliglot dhe mbi të gjitha, një klerik me pikpamje europjane, në vizionin e të cilit qëndronte një nga përpjekjet e vazhdueshme të atdhetarëve tanë: Bashkimi  i kishave ortodokse me ato katolike në Shqipëri!
        Përgatitja e Tij n’ Austri, Itali, dhe shërbimi në Stamboll mbi 16 vjet, në Durrës, Vlonë, Siçili, dhe njohja atje e Kishave Unite Shqiptare prej Tij, duhet të bahet pikënisje për një studim të plotë të përpjekjeve të dy palëve: katolikë dhe ortodoksë për unifikim!”

JAM GJERMAN, PO ATDHE KAM SHQIPËRINË
Dom Alfons  Tracki

              U lind më 2 Dhjetor 1896 në një familje, që ishte shumë e ndikuar nga një traditë luftarake në Bleslaur (Wroclaw) me prejardhje gjermane. Pasi mbaroi studimet teologjike në Bosnjë në vitin 1920, u transferua në Shkodër si misionar. Luftoi me ngulm traditat e këqija, siç është prirja për t’u hakmarrë dhe marrja e gjakut. Gjatë Luftës së Dytë Botërore disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunistë. Kontribuoi shumë edhe në krijimin e një ekuilibri më të mirë të bashkëjetesës dhe të dashurisë reciproke ndër bashkësitë fetare të pranishme në vend. U pushkatua më 18 korrik 1946.
      “… nuk më vjen keq aspak se po vdes bashkë me vëllezërit e mi, sepse, për sa kam mundur, kam kontribuuar edhe unë me ju, për të mirën tuaj dhe të fesë së Krishtit
“…unë edhe pse jam gjerman, atdhe të dytё kam Shqipërinë. Po qe nevoja jap edhe jetën për popullin shqiptar, mbasi e kam patur rastin të largohem me ushtrinë gjermane, por kam vendosur të vdes në Shqipëri, mbasi këtu kam meshuar e kam jetuar. Kam ëndërruar për një Shqipëri të përparuar. Jam munduar të edukoj një rini ashtu siç i përket këtij trualli dhe nuk më vjen aspak keq me vdek me vëllezërit e mi, mbasi për ta kam kontribuar edhe unë me ta për të mirën e tyre dhe të fesë së Krishtit, detyrë që ia kam venё vetit qysh se shkela në tokën shqiptare!”
      Kujtimet për mësuesin janë si brazdat e plugut, i cili i palos faqe për faqe, për të mbuluar farën deri në thellësi të afshit të dheut, për të çelur ripërtëritja e ritit të bukës sё fëmijëve. Jeta njerëzore është si tymi që, pasi shkëputet nga zjarri, nëpërmjet oxhakut del i bashkuar. Më pas, duke synuar qiellin shkon i bardhë lart fjollë, e kur kalon një kohë e gjatë mes korentesh të dukshme e të padukshme të natyrës, tymi fillon e përdridhet si bollë!
      Tri gjera të çmueshme të kësaj bote nga arka e shenjtë e dashurisë nuk shuhen kurrë: Ajo për nënën, atdheun dhe mësuesin!
 Sa herë binte fjala për jetën shkollore në Shqipëri, Dom Prek Ndrevashaj, themelues i kishës “Zonja Pajtore” në Detroit më 1977, nuk i ndalte kujtimet për mësuesin e tij me origjinë gjermane, Trackin. Madje ai ka çuar meshë për shpirtin e tij.
      Qyteti gjerman Breslaur kishte lindur bij gjermanë dhe polakë, por asnjërit nuk i kishte vajtur ndërmend se ai kishte lindur edhe “një shqiptar të spikatur!”
       Rreth vitit 1920 Don Alfons Tracki, pasi kishte mbaruar studimet e larta teologjike në Bosnjë, vjen si misionar në Shqipëri. Miqësohet me Imzot Lazër Mjedën dhe ai e ndihmon meshtarin e ri gjerman të fillonte punën  për edukimin e rinisë shkodrane. Ai ishte njeri energjik, i shëndetshëm, me një pamje prej sportisti dhe fort i disiplinuar, duke demonstruar tiparet e një gjermani të vërtetë. Brёnda një kohe të shkurtër mëson shumë mirë shqip dhe rrethohet nga rinia e qytetit verior, sa themelojnë shoqërinë “Antoniane”. Me këtë shoqëri Tracki realizoi programe duke i dhënë rinisë fluturimin e gjallëruar të ëndёrrave të tyre. Në shallin e këtyre ëndёrrave dhe shpresave të reja si jeta e tyre, u ngjit si një fije ylberi ëndёrra e vocërrakut dukagjinas Prek Ndrevashaj. Duke parë hovin tërheqës të meshtarit gjerman, që e mrekulloi rininë e pjacës sё Shkodrës, ngritur nën kalanë e murimit, ministria e arsimit dha urdhër që Tracki të largohej nga Shqipëria. Bajraktari i Shalës, Vat Marashi, i cili kishte një miqësi të ngushtё me Trackin, i dha garanci qeverisë së Zogut dhe kështu meshtarin gjerman e transferojnë në Velipojë. Atje merr me vete edhe seminaristin Prek Ndrevashaj.  
      Tracki vinte nga një familje ushtarakësh të lartë dhe të pasur të Gjermanisë. Babai i tij kishte mbajtur grada të larta në pallatin e mbretit Vilhelm. Dy vëllezërit e tij kishin dhënë jetën në luftë, ndërsa motrën e kishte konteshe. Ajo shpesh dërgonte dhurata e veshje sportive  në raste festash fetare e për krishtlindje dhe meshtari i Velipojës ua ndante fëmijëve të varfër, ndërsa sendet e shtrenjta i ruante për çiftet që martoheshin në fshatin bregdetar shqiptar, ku ai kishte ngritur grigjën e tij.
    Në një fotografi të botuar nga nxënësi i tij Gjolaj, duket prifti gjerman Alfons Tracki dhe katër fëmijë të veshur me kostume sportive me pantallona të shkurtra, me bluza të bukura, në mes tyre edhe Konrad Gjolaj dhe Prek Ndrevashaj. Qelën e ktheu në klasa mësimi, duke iu drejtuar banorëve të Velipojës në një meshë:
“Ju malësorët keni fëmijë të bukur e të mençur. Këto mendje kanë nevojë për daltë, e kjo daltë është dija dhe kultura. Këtë e bën vetëm dora e mjeshtrit, vetëm dora e mësuesit, pra këtë punë të bukur e bën vetëm shkolla. Mbasi të bëhet kjo punë, Shqipëria ka për të ecur përpara përkrah vendeve të zhvilluara të Evropës. Kjo arrihet vetëm kur të formoni kuadrat tuaja e ata jeni vetëm ju. Ju jeni brezi që keni në dorё ta bëni Shqipërinë, për të cilët të parët tuaj kanë flijuar jetën.”
    Meshtari katolik nga Gjermania ishte model i Shën Jozefit në familjen shqiptare.
     “Ai ishte studiues serioz, sidomos për zonën veriore, të cilën për pak kohe kishte arritur ta njihte rrënjësisht. Ndjesitë kombëtare na i zgjoi me tregime ngjarjesh dhe ndodhish të vërteta, të cilat i njihte mirë prej historisë tonë!”- ka shkruar At Gjolaj.
Tani po me kujtohet fjala e Dom Prekës për meshtarin gjerman:
       “…Ishim duke luajtur top në fushë. Kur mbaroi ndeshja më kapi për dore dhe më tha: “Prekë, nesër nisem për Velipojё, pyete nanën a të len me ardhë me mua se atje ke me mësue shkollë dhe ndoshta edhe ti ke me u ba mësues!”
Dom Preka shton: “Ai i recitonte shumë bukur vjershat e Fishtës, Shirokës e Mjedës dhe ne mbetnim pa mend e çelnim sytë prej dritës  tyre të fortë. Vjershën e parë që kam mësuar prej mësuesit tim Tracki ka qenë Himni Kombëtar i Shqipërisë, të cilin e këndonim bashkë në klasë dhe ne përplasnim këmbët në atë Dhe të qelës, sa çonim pluhur…!”
    Tracki i porosiste nxënësit e tij të mos e harronin Gjergj Kastriotin Skënderbeun se ai kish ardhur nga pallatet madhështore të Stambollit, për me luftue ndër male e shpella me jetu i lirë,  e me ruajt si të shenjtë fenë e Krishtit dhe se heroi ynë kombëtar ishte model për çdo atdhetar e për çdo meshtar. Nga dora e shenjtë e Dom Alfonsit morën në zëmër Shpirtin e Shenjtë 14 nxënës, të cilët u bënë meshtarët më të devotshëm të kombit tonë.
        Më 18 korrik 1946 regjimi komunist e ngarkoi me akuza të rënda, si tradhtar i kombit shqiptar, se kish predikuar pushtimin fashist të Shqipërisë nga gjermanet…Ky njeri që vinte në skenë drama shqiptare me patos të fortë lirie e dashurie për kombin tonë, në “emër të popullit” dënohet me vdekje!
       …Shpellën e kanë rrethuar. Ndoc Jakova ka ra në përpjekje. I pari çohet Dom Alfons Tracki me “armët” e tij të përhershme: Kungimin e Bagmin për shorte të fundit të jetës…Nuk ka heroizëm që krahasohet me veprën e Trackit, kur me bagmin e shenjtë në dorë niset me vdekë për me rilindë një shpirt që është drejtuar nga qielli. Nuk ka kurorë lavdie më të madhe për një ushtar të Krishtit se me sakrifikue jetën, duke kryer detyrën në ndihmë të një djaloshi antikomunist 26 vjeçar, që me bekimin e meshtarit në momentin e fundit, shpirti i pastër i tij me dalë para gjykimit të Zotit. Ky ishte ai shqiptari që i mësoi shqiptarët se si vdes meshtari.
       Tracki i pati mësuar nxënësit e tij dhe heronjtë e rezistencës antikomuniste: “Është gjë e mrekullueshme me qenë dhe me jetue i krishterë, por është shume më e vështirë, madje shumë me e vështirë se sa mund ta mendoni, se lypen sakrifica të mëdha me e meritue këtë emër, është gjë e mrekullueshme me qenë shqiptar i mirë, por është e vështirë dhe madje shumë më e vështirë se sa mund ta mendoni, se lypet me dhanë edhe jetën po qe nevoja për atë se kështu e meritoni emrin shqiptar i mirë!”
At Konrad Gjolaj: “…Mes të lidhurve ishte edhe mësuesi im, Don Alfons Tracki. Ai hodhi sytë e pa nëse jam aty. Me shikoji me sytë e tij të fortë. Unë  isha i vetmi njeri i shtëpisë së tij. Çoi sytë nga qiella e pa frikë i dolën nga buza e tij fjalët: “Në dorë të Zotit”. Fjalët e tij ishin burim i fjalës sё Zotit. Veladoni, uniforma e ushtarit të Krishtit, duart e lidhura, simbol i gjithë atyre që luftuan për liri, ecja burrërore me kokë lart drejt Fushës sё Qelës në Shkodër, i jepte meshtarit pamjen e trimave shqiptarë që vdesin për atdhe. Mbas murit të vorreve të Rrmajt, aty e çuen më  18 korrik 1946…Aty ra nën qinar!”

   Duke lexuar për se dyti  librin “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit, nga Mali i Rencit, Shëngjin, në një faqe kishte shkruar për Dom Alfonsin: “…Dom Nikoll Gazulli, një ndër shkencëtaret e mëdhenj të “Hyllit të Dritës” dhe prift i Shkrelit, doli në mal se ndiqej nga forcat e sigurimit. Përveç të tjerave rëndonte akuza edhe për ndihmën që  i ishte dhënë dom Alfons Trackit. Ky misionar katolik, që nuk mbante armë, iu bashkue çetës të një grupi qytetarësh nga Shkodra me në krye Ndoc Jakovën. Ndoci bie si hero në përpjekje trup me trup me forcat e ndjekjes. Ndërkohë që Dom Alfonsi po kryente  shërbesën e fundit të lamtumirës, e kapin dhe e burgosin në Shkodër. I thonë se je agjent gjerman, ai që e donte aq shumë Shqipërinë. Në momentin që do ta ekzekutonin, bie një shi i imët dhe ai mendonte për jetën dhe jo për vdekjen. Kështu ma ka treguar Dom Tom Luca, i cili ishte i pranishëm gjatë pushkatimit të tij. Veprimtarisë se tij fetare i duhet njohur edhe edukimi i meshtarëve të devotshëm, si At Konrad Gjolaj, Dom Dedë Malaj, At Zef Pllumi e Dom Prek Ndrevashaj!”
            Një  fragment nga deklarata e tij në gjyq: “…Kam qenë dhe jam kundra të gjitha diktaturave. Kam qenë dha jam kundra të gjitha luftërave vëllavrasëse. Nuk kam qenë kurrë dakord me luftën e Gjermanisë, kundra shteteve të tjera. Nuk i kam dëshiruar kurrë pushtimet e saj në Evrope. Nuk kam qenë kurrë dakord me luftën e saj kudra popullit hebre. Nuk kam dëshiruar kurrë që një gjerman të hedhë në furrat e djegies me gaz në kampet e shfarosjes. Madje jam mundur të shpëtoj edhe shqiptarë të cilët i kishin nisur drejt Prishtinës dhe kampe të tjera. Duke ditur shqipen dhe gjermanishten kam marrë pjesë si përkthyes në çështje të ndryshme…!”

Meshtari gjerman personazh në romanin e P.Arbnorit
…edhe 10 vjet burg më tepër për autorin!…!
           ...Kur të shkel me çizme ushtarake është pushtim dhe nuk ka llafe. Kështu ndodhi edhe me pushtuesin gjerman në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore. Nga forcat partizane u prangosën 220 gjermanë, shumica e të cilëve ishin në formacionet luftarake gjermane. U kapën në ato kohë dhe disa shtetas të tjerë gjermanë, mes  tyre edhe ndonjë meshtar që kishin mbërritur në kohë të ndryshme, para luftës në Shqipëri, me qellim të përhapnin fjalën e shenjtë dhe të ndihmonin kombin tonë të robëruar nga luftërat dhe nga skamja. Për njërin nga meshtarët, ka shkruar në kujtimet e tij Pjetë r Arbnori, ish i dënuar politik në Shqipëri për 28 vjet dhe me ardhjen e pluralizmit dhe fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 1991, ai merr postin e kryeparlamentarit të Shqipërisë pluraliste.
            Pjetër Arbnori shkruan : “…Isha 8-9 vjeç kur e njoha. Vazhdoja klasën e tretë fillore në shkollën e jezuitëve në Shkodër, me drejtor At Anton Lulin, i cili bëri rreth dyzet vjet burg në diktaturë. Tani kandidat për shenjt. Mbas shtatorit 1943, autokolona gjermane të pambarim u vunë në lëvizje. Natën udhëtonin, ditën pushonin, ose flinin. Disa njësi zunë vend në qytet dhe u selitën ku mundën: në fusha sporti, në oborre kishash e xhamish, në shkolla. Çdo ditë dëgjohej sirena e alarmit. Mijëra aeroplanë kalonin mbi qiell për të bombarduar diku larg.
      Kështu ndodhi që shoqata jonë kulturore-sportive fetare, për shkak të ngushtimit që na sollën trupat gjermane, u transferua nga Kolegji Saverian në ambientet e jashtme të Kishës së Madhe, Katedrales së Shkodrës, e cila kishte një fushë futbolli, një kino-teatër, një bandë muzikore dhe rrethe të tjera artistike.
        Quhej Dom Alfons Tracki, i biri i Zefit dhe Maries, i lindur në Breslau, më 1897.  Në romanin tim "Shtëpia e mbetur përgjysmë", ku ky prift gjerman është personazh, gjendet një përshkrim i tij që më kushtoi bashkë me të tjerat, edhe 10 vjet shtesë dënimit tim të parë me vdekje, shndërruar në 25 vjet heqje lirie. Ndoshta, duke e parë me sytë e një fëmije, e kam përshkruar duke i zmadhuar përmasat dhe duke i theksuar tiparet e karakteristikat e tij. Sidoqoftë edhe tani, mbas 53 vjetësh, kam gjithnjë idenë se kam njohur një njeri të jashtëzakonshëm, që mbrapa rreptësisë së jashtme kishte një shpirt të mirë dhe ndjenja të bukura njerëzore. Kaq rrjedhshëm e fliste shqipen, sa askush nuk e merrte për të huaj, por si shqiptar të kulluar. Gjatë dhjetëra viteve, sidomos nga zona fushore e Velipojës, ku ai shërbeu, ai kishte nxjerrë nxënës të shquar, pati bashkëpunëtorë dhe klerikë të devotshëm, si Dom Prenk Ndrevashaj, primat i Kishës Katolike të Detroitit, At Konrad Gjolaj, françeskan, profesor kimie, i burgosur politik, At Zef Pllumi, primat i Kishës Françeskane Tiranë, i burgosur politik, Dom Dedë Malaj, prift shembullor, të cilit i bënë një gjyq të montuar, por ai qëndroi aq i fortë, i qartë dhe i guximshëm dhe demaskoi farsën komuniste, sa nga tërbimi, diktatura e pushkatoi...
       Vitin e fundit 1944 u shtuan traktet komuniste të hedhura natën poshtë dyerve, disa djem të rritur u përzien në celulat, filluan internimet në Kampin e Prishtinës. Shumë prej tyre ishin djem të ndershëm e idealistë, që të nisur nga motive patriotike të luftës kundër pushtimit fashist, ranë në prehrin e një lëvizjeje të komanduar nga jugosllavët.  Dom Alfons Tracki, megjithëse nuk merrej kurrë me politikë, duke pasur favorin që ishte gjerman dhe dinte gjermanishten, ndërhynte shpeshherë, madje edhe me guxim, për të liruar nga burgu dhe internimi shumë të rinj.
       Kur u tërhoqën trupat gjermane, shumë njerëz e këshilluan priftin misionar të largohej nga Shqipëria, e cila po binte në kthetrat e komunizmit. Dom Alfons Tracki nuk pranoi dhe tha: "Fati im është i lidhur me fatin e Shqipërisë e të shqiptarëve, me të cilët kam jetuar e punuar për dhjetëra vjet. Kur sulmon ujku grigjën e dhënve, nuk i takon bariut të ikë e t'i lerë vetëm".
      Që në ditët e para pas 28 nëntorit 1944, prifti gjermano-shqiptar u bashkua me një çetë qytetarësh shkodranë atdhetarë, që kishin marrë pushkën në dorë dhe kishin dalë malit për të luftuar komunizmin. Ndër ta bënte pjesë edhe Ndoc Jakova, vëllai i kompozitorit Prenk Jakova dhe fotografit të njohur Dedë Jakova, djalë i shkëlqyeshëm, intelektual dhe antikomunist i shquar. Çeta ndiqej nga forcat e sigurimit dhe një ditë, ajo ra në pritë. Në luftimin e rreptë që pasoi, u plagos për vdekje Ndoc Jakova. Duke parë se djali ra, Dom Alfonsi doli nga pozicioni i tij dhe shkoi t'i jepte ndihmën e fundit shpirtërore dhe sakramentet e fesë. Ndërsa kryente shërbimet e fundit fetare, kapet nga forcat e ndjekjes, torturohet në mënyrën më barbare në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe nxirret në gjyq në kinemanë "Rozafat" të qytetit të Shkodrës.
      E mbaj mend si sot gjyqin e "popullit". Isha pa mbushur 12 vjeç. Asokohe, çdo javë ngjiteshin në mure shpallje të mëdha për gjyqe me "kriminelë" dhe "spiunë" që dënoheshin dhe pushkatoheshin pa pushim. Nga emrat, prindërit tanë kuptonin se po bëhej një pastrim i të gjithë njerëzve me influencë, klerikëve e intelektualëve dhe oficerëve akademistë, që nuk e donin komunizmin.
          Ishte verë e vitit 1946. Të arrestuarit e zbehtë i nxirrnin të lidhur dy nga dy nga qelitë (asokohe në Shkodër kishte trembëdhjetë burgje të improvizuara, në Kuvendin e Françeskanëve, në kinema, në shtëpi tregtarësh, etj), i kalonin rrugës së qytetit në mes të kureshtarëve të heshtur dhe i dërgonin në kinema "Rozafat", ku ishte ndërtuar një kafaz i posaçëm për të pandehurit. Kishte aq shumë dëgjues, sa gjysma mbeteshin jashtë dhe dëgjonin me anën e altoparlantit. Në Shkodër, edhe në kulmin e diktaturës ka pasur shumë pak horra, ose njerëz të paguar që thërrisnin: "Kriminelët në litar!", ose "Plumbin ballit!", pa i njohur njerëzit; shumica heshtnin me dhimbje!”



NJE KOMB QË LIND KA NEVOJË PËR  FATOSAT QË VDESIN
At Gjon  Shllaku

 U lind në Shkodër më 27 Korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në Universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca e për filozofi, për  teologji në Holandë dhe në Sorbonë të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1938. Kur u kthye në Shqipëri, që profesor i filozofisë në liceun “Illyricum” të françeskanëve (Shkodër). U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe u pushkatua më 4 mars. Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!”.
 At Gjon Shllaku njihet si drejtues i shkëlqyer i shoqërisë fetare “Antoniane”. Ishte frat i moderuar dhe me kulturë të gjerë. Ai shfaqej hapur si antifashist. Bashkëpunimi me letrarë, avokatë, intelektualë të rinj, që kishin studiuar në perëndim, bëri që frati Shllaku të formojë një personalitet të spikatur në elitën qytetare të kohës. Ai për çdo njeri e mbante zemrën dhe derën hapur.
       Në një takim me ambasadorin Jugosllav në Tiranë diktatori Hoxha me krenari i thotë: “E mbytëm P. Anton Harapin. Me të e plagosem për vdekje Klerin Katolik”. Diplomati serb iu përgjigj: “Po, po! por keni ende gjallë Padёr Gjon Shllakun, i cili peshon shumë. Sipas porosisë që kam prej qeverisë time duhet ta zhdukni Shllakun, që të zhdukni me themel çerdhen e klerit katolik në Shkodër me në krye françeskanët!”
    Bashkëshorti i sekretares së diktatorit, që bënte rolin e përkthyeses në ambasadën jugosllave në Tiranë, ia tregoi këtë ngjarje P. Shllakut.
      Avokat Paulin Pali, i tha mikut të tij, Muzafer Pipes: “Te lumtë se e ke treguar veten në mbrojtje të P. Gjon Shllakut!” E për këtë Muzaferi do të merrte plumbin.
           Atë ditë të zezë kur u dha vendimi, shpërthyen prej zemrës të At. Matisë këto fjalë: “Ah, të lumtë o serb, se ia dole me i tregue botçs se në shqiptarët, me bisht a pa bisht, jemi me të vërtetë  egërsira!”
      Dënimet kapitale ndaj klerit katolik nuk jepeshin për veprat që kishin kryer, por për mendimet që kishin në krye! Ata kurrë një vepër penale nuk kishin në ndërgjegjen e tyre! E P. Anton Harapi pat thënë: “Shqipëria u fitue me gjak dhe me gjak po mbahet e robëruar. Ka me ardh dita me paqe e drejtësi të fitohet përsëri!”
    Sipas kujtimeve të Pal Duka Gjinit, (Daniel Gjeçaj), Muzafer Pipa ka pranuar të mbrojë Padёr Gjonin dhe në një koment tha:“Shka mund të bëjë juristi ku s’ka ligje dhe s’ka drejtësi? Si mund të mbroj një njeri në kohë kur, para se të provohet jo faji i tij, ai  asht i dënuem?”.
        Një gjyq tragjikomik. Padёr Gjoni dënohet me vdekje. Akuzat të planifikuara nga lart paraqitën Padёr Gjonin si ideologun dhe krijuesin e PDK-sё, organizatorin dhe udhëheqësin e “Bashkimit Shqiptar”. Fajtor për vdekje, jo vetëm si kundërshtar regjimi, por edhe si “kriminel” dhe “njeri i dëmshëm” për popullin dhe kombin. Dënimi me vdekje kishte ardhë prej kohe nga Tirana zyrtare. Pas kësaj, ekzekutimi është i padiskutueshëm.
       “E kam pasë profesor në liceun “Illyricum” dhe na jepte mësime në fiziko-kimi, në frëngjisht dhe në ekonominë politike. Ishte profesori me simpatik. Në klasë na fliste për marrjen e Bastijes, që ndryshoi botёn. E kuptonim na?.. Sigurisht që jo…”thotë At Zef Pllumi.
“Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosat qi desin. Por fatosat qi desin nuk kanë  ç’të bajnë në nji komb, qi i harron dhe i përbuzë“. Kështu do të shprehej drejtuesi i revistës “Hylli i Drites” At Gjon Shllaku në numrin 3-4 të kësaj reviste.
Sami Repishti kujton me respekt fjalët e vendosmërisë të At Dr. Gjon Shllakut, gjatë takimit të paharruar: “Nuk do të provokojmë, nuk është roli ynë, por njëkohësisht, nuk mund të heqim dorë nga Feja dhe nga Kisha e Romës. Ato janë jeta e nana jonë. Pa ato qenia jonë si klerikë s’ka kuptim!” Repishti shton: “Ky bir i Shën Françeskut do të jetё ngazëlluar me mendimin se jashtë mureve të burgut po rritej një rini e shëndoshë guximtare, që nuk do të pranonte degjenerimin moral e nënshtrimin e turpshëm ndaj diktaturës bolshevike dhe se kjo rini mbetej shpresa e vetme e kombit tonë dhe si rrjedhim i vazhdimësisë se Kishës katolike në Shqipëri!”
Pal Duka-Gjini: “…Furra antiklerikale e antifetare tashme ishte kallë dhe zjarri kishte nisur të shkrinte gurët e themelit. Me kujtohet si sot trishtimi që na kishte mbuluar të gjithëve, por sidomos më ka mbetur në mendje gjendja shpirtërore e P. Gjonit. S’pushonte duke thënë: “Tash me takon mua, por mjerisht nuk jam as i pari e as i fundit. Të lutemi që Zoti tё na japë forcë e zemër për të përballuar martirizimin!”
       Udhëtimi me kaminin e vdekjes prej burgut e në Rrmaj, pranë qytetit, ishte relativisht i shkurtër. Shkuan, duke kënduar psalmet e shtegtareve të popullit të zgjedhur në drejtim të Jerusalemit. Ata drejtoheshin nga Jerusalemi qiellor…!”
Mark Shkambi, nga Dukagjini, të cilit xhaxhain ia vranë pa gjyq, më tregon një ditë në Detroit: “Ne Malësitë tona e kanë dashtë kishën, kryqin dhe meshtarin. Sa me e egër ka qenё natyra e maleve, aq më fort malësorët e kanë marrё Krishtin në zemër. E besa, malet janë foleja e kishës dhe e kryqit. Në odat tona tregoheshin historitë, madje ato ishin kthyer në klasa rrëfimesh.  E mbaj mend një histori të treguar në kullën tonë. At Gjon Shllakun e kishin plasur në burg dhe mbi të ushtronin dhunë barbare. E nxorën në gjyqin politik ushtarak. Gjyqtari i tha se në emër të popullit Gjon Shllaku dënohesh me vdekje. At Gjoni buzëqeshi.
      “Pse po qesh, a nuk po të dhimbset jeta!” – e pyeti trupi gjykues. E meshtari i zgjuar vuri përsëri buzën në gaz. “Ju nuk mund të më dënoni me vdekje se jetën ma ka fal Zoti dhe ai mundet të ma marrë! Ndërsa ju mundeni vetëm të ma shkurtoni atë!”

MBETI PA VARR THELLË NË TOKËN E TIJ NJË  EMËR I SHNDRITSHËM
At Karl  Serreqi

U lind në Shkodër më 2 Shkurt 1911. Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët, kurse teologjinë në Bresha (Itali). U shugurua meshtar dhe meshën e parë e kremtoi më 29 qershor 1936. U arrestua më 9 tetor 1946, sepse organet e sigurimit donin të dinin se çfarë i kishte thënë në rrëfim një person politik. Ai, besnik ndaj fshehtësisë së rrëfimit, nuk tha asgjë gjatë torturave. U dënua me vdekje më 18 janar 1947. Vdiq në burgun e Burrelit më 5 prill 1954. Është martir i fshehtësisë së rrëfimit.
         Atë Karl Serreqit në pagëzim iu dha emni Ndoc. Ishte djali i tretë që i shtohej familjes së Kol Serreqit, mbas Angjelinit, që për arsye të jetës së tij të devotshme u njoh në Shkodër me emrin Lin Shenjti, dhe Çeskut, që do ta kalonte një pjesë të mirë të jetës në burgun komunist.
            Mësimet e para dhe të mesme Atë Karli i kreu në shkollën françeskane të Shkodrës. Studimet teologjike në Itali, në Studio Teologico Francescano.
U shugurua më 29 shtator 1936 dhe me 30 qershor të këtij viti, çoi meshën e parë në Peshia, pranë Montecatinit, në Itali.
        U kthye nga dheu i huaj meshtar, 25 vjeç, plot zell e dëshirë për të përhapur dritën e Ungjillit në bjeshkët shqiptare, ku katolicizmi i bëri ballë 500 vjet presionit islamik. U caktua së pari famullitár në Nikaj e Më rtur (Curraj i Epër, Berishë, Raj) , ku shërbeu 10 vjet, deri më 1946. Më 9 tetor 1946, ngarkuar me pranga, u zvarrit në kuvendin e fretërve françeskanë, kthyer në burg të tmerrshëm.
         Në malet, ku shërbente si famullitar Atë Karli, ishte plagosur për vdekje një malësor, në ndeshje me forcat e ndjekjes. Familja vrapoi të frati e i kërkoi t'i jepte të plagosurit sakramentet e fundme. Atë Karli e kreu me shpejtësi detyrën: e rrëfeu, e kungoi dhe e vajoi të plagosurin, që dёrgjej në pyll. Në këtë kohë Dukagjini ishte nën kontrollin e rreptë të komunistëve. Ishte kohë zjarri, gjaku, kobi. Malet shqiptare vijonin t'i kundërviheshin diktaturës e nuk dorëzoheshin. Kontrollet komuniste e akuzuan fratin e ëmbël, të butë, të thjeshtë, që s'njihte politikë tjetër veç Kryqit të Krishtit, se kishte vajuar një diversant, se ishte në dijeni të sekreteve të rrezikshme për partinë e pushtetin, të cilat i plagosuri i kishte marrë me vete në varr.
           E ndërsa shpirti i malësorit të vdekur fluturonte në dritën e amshimit, frati torturohej mizorisht në errësirën e birucës, që i ngjiste shumë burgut, ku i pati mbyllur dikur turku dy xhaxhallarët e tij martirë. E kërcënuan. E gjakosën. Kërkonin me çdo kusht të fshehtën e pëshpëritur në prag të vdekjes, ndërsa njeriu flet me meshtarin, si të fliste me vetë Zotin. A mundet vallë të të tradhtojë Zoti? Prandaj ai qëndroi e s'do të ishte as i pari, as i fundit….
         Familja e merrte veshtë çka po ndodhte aty brenda, kur i kthehej mbrapsht ushqimi a kur i dorëzoheshin ndërresat e mpiksura nga gjaku e qelbi, të cilat i lante me lot në sy, e kunata e devotshme, Luçia.
      Më 18 janar 1947 gjyqi ushtarak lexoi dënimin e tij me vdekje. Tri javë Atë Karli priti ditë-natë ekzekutimin. Mbas tri javësh, dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Vetëm sepse nuk pranoi të bëhej spiun i komunistëve! Pse s' pranoi të shkelte premtimin e bërë në Elter…
            7 vjet kaloi nëpër burgje. Më 19 korrik 1947 u dërgua për të vazhduar dënimin në Maliq të Korçës. Adresa e tij e re, siç dëshmojnë letrat e ruajtura nga familjarët, ishte "Kampi i armiqve të popullit", Maliq , Korçë.
Më 3 dhjetor u transferua në Vlashuk të Urës Vajgurore - Berat e, pak më vonë, në burgun famëkeq të Burrelit. Ende s'i kishte mbushur 43 vjet, kur familja mori nga Atë Donat Kurti telegramin: "Padër Karloja ndërroi jetë më 4 prill 1954 nga një vdekje e papritun, prej zemrës".
        Qeveria komuniste e Shqipërisë nuk u tregua aq e mëshirshme sa veziri turk. Nuk ua ktheu trupin e vdekur të vetëve. Frati u varros diku në varrezën e burgut. E familja nuk guxoi t'i qiste vajin, si pati bërë me trupin pa kokë të një biri tjetër martir. Familja e qau Atë Karlin në heshtje, e qau me lot të fshehtë gjaku.
           Atë Karli është një nga njerëzit fisnikë pa varr, por jo të pa emër. Ai nuk shkroi epopenë e kombit, as satira e lirika të pavdekshme, si atë Gjergj Fishta e Dom Ndre Mjeda, nuk thuri prozë madhore, si Dom Lazër Shantoja, drama të bukura, si Dom Ndre Zadeja, nuk kodifikoi Kanunin e Lekës, si At Shtjefën Gjeçovi, nuk mblodhi Eposin e Mujit e të Halilit, si atë Bernardin Palaj e At  Donat Kurti… nuk shkroi, pra, kryevepra të letërsisë a të muzikës shqiptare, si shumë bashkëvëllezër të tij… Po kjo nuk ia zbeh aspak vlerën. Veprën e tij, mbrojtjen e idealit, të cilit i kishte kushtuar jetën, At Karli e la të shkruar me gjak martiri ballë për ballë diktaturës ateiste të komunizmit.


          LUFTËTAR I MALEVE DHE KRAH I FORTË I DED GJO’LULIT
At Mati  Prenushi

 U lind në Shkodër, më 2 Tetor 1881. Shkollën fillore, të mesme dhe liceun, i kreu në shkollën françeskane nё Shkodёr. Studimet për  filozofi i kreu në Grac, Austri. U shugurua meshtar më 25.03.1904. Mori pjesë në kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe në Deçiq në vitin 1911. Ishte me Dedë Gjon Lulin dhe të tjerët kur u ngrit flamuri shqiptar. Qe provincial i Françeskanëve në Shqipëri nga viti 1943 deri në vdekje. E dha jetën dhe lirinë e vet në flijim për të mirën e Shqipërisë. Ishte dënuar me vdekje nga serbët, por pas një ndërhyrjeje të mbretit Nikolla të Malit të Zi, qe falur. Më 15.11.1946 u arrestua me akuzën e rreme se kishte fshehur armë nën altarin e Shën Antonit në kishën françeskane të Shkodrës dhe, për këtë arsye, u pushkatua nga komunistët më 11 mars 1948, tek varrezat e Rrmajit.
          At Mati Prenushi në vitin 1943 është Provincial i Franceskanëve të Shqipërisë mbas At Anton Harapit. Ai rrjedh nga trungu i shëndoshë i familjes Prenushi në Shkodër, familje që i ka dhënë kishës 5 meshtarë në 100 vjet. Një prej tyre, Dom Matia, vdiq në vitin 1904 dhe po  në këtë vit është shugurue prift At Matia, nipi i tij, që ka marrë atë emër aq të njohur në malësi për veprimtari patriotike në luftë kundër turkut. Po nga kjo familje ishin  Imzot Vicens Prenushi, Arqipeshev i Durrësit, At Karlo Prenushi, franceskan, i cili ka luftuar ndër male për pavarësinë e Shqipërisë dhe ka vdekur i ri. I fundit është Dom Koleci, nipi i At Matisë, që bashkë me axhën dhe Imzot Vincens Prenushin, mbyllën sytë si martirë të kishës katolike.
      Të gjithë këta ishin të shkolluar për teologji e psikologji në Austri, shtet model i arsimit cilësor e të kompletuar dhe me një kontribut të madh, si për çështjen shqiptare në tërësi, ashtu në përgatitjen e klerit tonë dhe për pajisjen e institucioneve fetare me botime e literaturë të gjithanshme.
      Mbasi u shugurue në Elter në kishën e Madhe të Shkodrës më 1904, aty ku bëri betimin se do t’i shërbente Zotit dhe besimtarëve, aty dha edhe jetën si besnik i Krishtit. Gjithë luftëtarët për pavarësinë e Shqipërisë në Veri e kishin qelën e Mati Prenushit, vatrën e tyre të ngrohtë dhe aty ata merrnin bekimin kur niseshin në betejë.
          Sipas rrëfimeve jetësore të Konrad Gjolajt, At Mati Prenushi dhe At Buon Gjeçaj e çuan flamurin kombëtar në shtëpi të Ded Gjo’lulit, të cilin e kishin futur në gji, nënzhgun, për ta ngritun në Bratile, më 25 mars 1911. Serbët e patën arrestue At Matinë, por me ndërhyrjen e At Gjergj Fishtës tek Krajl Nikolla, lirohet dhe vjen në Shqipëri në krye të opozites. Nuk pajtohet me Mbretin Zog dhe radhitet si luftëtar në kryengritjen e malësoreve të vitit 1926. Për këtë ai dënohet me vdekje bashkë me Dom Gjon Gazullin. Këtë herё e shpëton At Pal Dodaj nga vdekja e sigurtë. Dërgohet me mision në Gomsiqe, në Lac të Kurbinit dhe në Tiranë, dhe në fund, vjen provincial në Shkodër.
     Diktaturat ai i konsideronte rrugë për në orient. Ishte përherë në vijën e parë të frontit në luftë me turqit, serbët, malazeztë, komunistët, për një shtet demokratik të tipit evropian. Zotëronte në mënyrë të përkryer frëngjishten dhe kjo e ndihmonte për të kuptuar politikën europiane.
       At Mati Prenushi ishte plot humor dhe i shpërthentenë batuta hileqarët dhe ateistët. Ai thoshte: “...Çdotradhtar i shokut është tradhtar i atdheut. Për mё qenё komunist duhet me qenë edhe ateist edhe tradhtar!”. Sa për Papën e Romës dhe lidhjet e kishës me Vatikanin ai i është përgjigjur prerë kryeministrit M. Shehu se vendimet nuk ndryshohen prej klerit në Shqipëri, por nga vetë Papa i Romës. Ai e din se çfarë duhet të bëjë me ne dhe jo ne çfarë duhet të bëjë me Selinë e Shenjtë!”
         Mati Prenushi ishte superior i vërtetë në çdo kohë, sepse zemra e tij i gulfonte gjithmonë liri!
          Rreth vitit 1947 kishin burgosur edhe Vitore Kukën, mësuese nga Dajçi. Ajo tregon se kur ishte në hetuesi, një ditë e futën në një dhomë të errët. Aty pa një burrë, që kur u çue në këmbë, mjekra i mbërriti deri në bel. I tregoi se ishte At Mati Prenueshi. Kjo nuk e njohu, sepse kur e kishte parë para arrestimit të tij, At Matia ishte një burrë që peshonte gati 100 kg, ndërsa aty ishte rreth 40 kg, sa një fëmijë 12-vjeçar. Ishte i palarë dhe i mbuluar me morra. Armët, i kishte thënë, nuk i kemi futur ne në kishë. Të gjitha akuzat janë shpifje. E kishin mbajtur të lidhun këmbë e duarsh dhe shpirtin e mbante gjallë vetëm me një copë bukë thatë!”
Terezina Pali: “Një ditë e torturuan rëndë  dhe për vdekje At Matinë, kur e kishin filmuar jugosllavet tёk Elteri me armë në dorë dhe, mbasi e sollën në dhomë, e pyeta: “Ç’ka ke bërë At Matia?” Ai u përgjigj me zë të ulët: “Mos pyet, por që të mos kënaqen këta, eja të këndojmë!”. Ai ia filloi i pari këngës; “ Në Shkodrën tonë ka ra një dritë!” U mundonte mos me na lan me u ligështue. Para torturave na jepte zëmër edhe ne!”
Ana Daja: “Një ditë e kishin lidhur At Matinë për një peme. Nuk e mbanin këmbët. Ishte e katërta ditë që po e linin në shi. Afrohet oficeri Kçira dhe i thotë: “He, Padёr Mati, si po e kalon!” Ai i përgjigjet: “S’ka ma mirë. Shyqyr se po bie shi e po lahem!”
        Në qelën e At Mati Prendushit u mblodh Kuvendi i Malësisë për “Memorandiumin e Grecë s” dhe  për këtë “faj” Krail Nikolla kërkoi dënim me vdekje, varje në litar. Edhe Zogu e dënoi, por Enveri e ekzekutoi...

Armët e tyre fitimtare ishin Kryqi dhe Ungjilli!
KUJTIMIN E SHQIPTARËVE MESHTAR I KRISHTIT
Dom Jozef  Maksen

U lind në Worringen (Gjermani) më 2 Gusht 1906. Erdhi në Shqipëri si misionar dhe punoi në zonën e vështirë të Kthellës, Mirditë. Dha një kontribut të madh për rritjen e fesë së atij populli, por edhe në fushën e të mësuarit dhe të kulturës. Në periudhën 1938-1943 u angazhua në famullinë e Perlatit te këtij rrethi. Në vitin 1943 u transferua në Jubë të Durrësit. Në vitin 1946 u arrestua dhe u dënua me dy vjet burg, sepse ishte prift dhe sepse ishte gjerman. U mbyll në burgun e Tiranës dhe nga aty u zhduk. Të dënuarit e tjerë tregojnë se një natë e nxorën nga burgu dhe pastaj nuk e morën vesh kurrë, se ku e kishin dërguar. Thuhet se e kanë pushkatuar në një pyll më 17 nëntor 1946, në moshën 40 vjeçare.
      Shkeli me këmbët e tij të zbathura ndër malet e Mirditës. Atje dha një kontribut të madh për arsimimin dhe kulturën duke e treguar veten se një shëmbëlltyrë e përafërt me gjermanin e mirënjohur, prift Trackin. Njohu mirë gjuhën shqipe e punoi aq shumë për të sikur të ishte gjuha e nënës se tij. Pas arrestimit ia sekuestruan të gjitha materialet historike dhe studimet e arrira shkencore. Një prift i mprehtë, fjalëpakë e punë shumë e, mbi të gjitha, i thjeshtë e modest. I donte shumë mirditorët dhe malësorët, se prej tyre mori shumë dhe po me shumice ua ktheu. I dukej se duke jetuar me ta nuk bënte asnjë sakrifice. Punoi shumё në shuarjen e gjaqeve në krahinat e veriut. Po ashtu ndikoi me veprimet e tij baritore për afrimin e feve në zonën e Durrësit. At Zefit nuk i shkonte mendja se një ditё do të arrestohej nën akuzën si tradhtar e si spiun. Do të dënohej dy vjet dhe një natë të zezë do të grabitej nga burgu dhe do të pushkatohej.
        Në ditët e fundit të jetës i kishte thënë një të burgosuri: “Jam i lumtur se po vdes, për t’u kujtuar gjithmonë prej shqiptarëve si meshtar i fesë dhe i Krishtit!”
At Konrad Gjolaj: “…Ai ka vdekë me atë përshtypje, por kam frikë se ky është harruar si meshtarët e tjerë…dhe e ka la me gjakun e tij tokën shqiptare. Ishte një misionar i denjë që qëndronte përkrah Trackit!”
   Në deklaratën e Kapo Kapajt, shef i seksionit të brendshëm, dëshmohet “ mbi vrasjen që ka bërë (Koçi Xoxe) gjatë rrugës për në Kukës të Dom Zef Marksmen, Rudolf Uaber dhe Joseph Kutzen, të cilët i kishim në udhëtim për t’i nxjerre përtej kufirit e për t’i dërguar në vendet e tyre!”
     Ishte dhënë urdhri që të tre të dorëzoheshin në Prizren, për t’u kthyer në Gjermani, por i vrasin natën me pretekstin se deshën të largoheshin. Kjo hipokrizi si mund të besohet?! Kur ata do të dërgoheshin pranë familjeve, pse duhet të iknin nga makina? Sipas Kapajt, ishte  Koçi Xoxe që u kishte dhënë urdhër ushtareve të qëllonin mbi tre gjermanët...
           Zef Maksen kishte ndërhyrë tek kampet e nazizmit dhe kishte liruar nga burgu disa partizanë të arrestuar. Por kur ata morën pushtetin, i dhanë shpëtimtarit të tyre  plumbin në të pabesë, si shenjë “mirësie” e tyre. Meshtari i dënuar me 25 vjet burg, Gjolaj dëshmon se në biruca futeshin njerëz të sigurimit të veshur si prift ose shokë e miq të meshtarëve për të bërë rolin e spiunit dhe dëshmitarit të rremë.Ja ç’shkruan ai, si njeri i mëshirës së Zotit:
         “Me u rrëfye, me u pendue dhe me kërkue falje, kurrë nuk është vonë. Ata që kanë   vdekë pa e kryer këtë vepër, i faltë Zoti. Ata që kanë arritur me e krye këtë akt, është një heroizëm. Ata që nuk duan me e krye këtë veprim, mos të harrojnë se është faji i rëndë me ua lenë borxhin me e pague trashëgimtarët e tyre!”
         Kam shkruar në librin tim “Djepi i thyer” për meshtarin Gjolaj, të cilin e kam njohur personalisht, kur më 1991 ishte famullitar i kishës françeskane të Lezhës.

MA VRISNI DJALIN, PLUMBIN UA PAGUAJ...
Dom Lazer  Shantoja

          U lind në Shkodër më 2 Shtator 1892. Studioi nga fillorja deri në lice në Seminarin Papnor Shqiptar dhe mandej vazhdoi studimet e teologjisë në Insbruk, Austri. U shugurua meshtar më 29 maj 1915. Ishte sekretar i kreyiepshkvit Imzot Lazër Mjeda. Ai ishte orator i aftë, shumë i përgatitur në shkencat njerëzore e hyjnore. U arrestua në vitin 1945 në Sheldi në shtëpinë e Kol Sheldisë. Tmerrësisht dhe barbarisht i torturuar, u pushkatua në Tiranë më 5 mars 1945, i pari prift që ekzekutohej në kryeqytet.
       Kush ishte ajo nënë shqiptare që tha: “Ma vrisni…, bajeni këtë mirësi…e mos ma lini djalin me vuajte kështu…, aman, ma vrisni sa më parë. Lekët e plumbit ua paguaj vetë!!”
E thirrën një ditë nanën e Don Lazër Shantojës dhe i thanë“Eja dhe shikoje djalin tënd!” Dhe nana e shkretë, si të gjitha nanat për frytin e barkut të vet, hyri shend e verë me pa me padurim të birin e arrestuar. Por  nga pamja e tmerrshme që ju shfaq, ma mirë të kishte hyrë në varr, ndaj u tha oficerëve të sigurimit ato fjalë që i përmendëm  më sipër.
      Dom Lazri ishte  përfshirë në opozitën e revolucionit të vitit 1924 dhe mbas dështimit të tij, ai largohet nga Shqipëria për në Zvicër, në famullinë La Motte të Giura Berneze-s, ndërmjet kufirit franko-zvicerian. Qëndroi për 15 vjet në mërgim. Punoi edhe atje mes shqiptarëve për çështjen e kombit tonë. Dom Lazri ka qenë edhe drejtor i gazetës “Ora e Maleve”, i cilësuar nga kritika si pena më e fortë e publicistikës së Veriut të Shqipërisë, aq sa ka qenë Faik Konica për jugorët, duke formuar me njëri tjetrin “dy binjakë” të Shqipërisë në fushën e letrave...
     Asnjëherë letërsia shqipe nuk mund të shkruhet pa përfshirjen e mendimit  të Dom Lazër Shantojës, vlerësim që e çon Dr. Prof. Angjela Ciricione të shkruaj: “Historia e letërsisë shqiptare pa emrin e Don Lazër Shantojës, është e mangët dhe e varfër!”
          Dom Lazri mbetet i pakrahasueshëm për shkrimet në “Ora e Maleve” për të ardhmen e demokracisë. Ai ishte një antikomunist i betuar që në rininë e tij, prandaj ata e cilësonin si fashist. Ai e konsideronte ëndrrën e Shqipërisë Etnike të realizuar fill mbas Luftës së II-të Botërore.
     Mbas arrestimit e mbajtën në hetuesi në Shkodër dhe, pasi e mjekuan nga torturat e rënda që mbushnin trupin e tij të nxirë, e dërgojnë në Tiranë. I presin dy këmbët se nuk mund t’i “prisnin” mendjen dhe idetë progresiste, dhe pasi i thyen edhe parakrahët, e lanë në çimento pa mjekim. Copën e thatë të bukës me zor e kapte me buzë sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Të gjitha nevojat personale ishte i detyruar t’i kryente aty në birucë, aty ku kurrë nuk vuri sy në gjumë. Ujin e pinte me një tas, duke u zvarritur përdhe për ta kapur…
   E nana kur e pa, nuk e njohu. Më mirë plumbi se ajo gjendje antinjerëzore e dorës së mizorit të kuq.
    Komunistët vrasin edhe Kol Sheldinë dhe Muhamet Sheldinë, i kthyer në katolik, se kishin strehuar Dom Lazër Shantojën. Kolës i lindi djali pas vdekjes dhe e kishte lenë amanet me ia vu emrin Lazër.
Prof Ernest Koliqi “…Më 1944 që arrestue, hedhur në një burg të tmerrshëm e torturue në mënyrë çnjerëzore. Ia thyen eshtnat e duerve e të kambëve. Ecte tue u mbështetë mbi brryla e mbi gjuj. E ama, lejue me e vizitue, tue e pa n’ate gjendje të mjerueshme, iu lut rojeve të burgut:
“Vriteni, banie këtë mëshirë, mos e leni me vuejtë kështu. Harxhimet e municionit i paguaj unë!”
         …I rrëgjuem në mbarim të jetës nga torturat ma t’pa tregueshme, komunistat ia dhanë grushtin e fundit tue e vra me një plumb në zverk. U vorrue në nji vend të panjoftun pa iu dijtë vorri. Po në të njajtën gropë, pranë trupit të Dom Lazrit, u hodh kufoma e Sulço Bej Bushatit, një fisniku tetëdhjetëvjeçar musliman, pasardhës i një familje princore, qe sunduen në Verì të Shqipnisë gati të pavarun nga Porta e Naltë e Kostandinopolit, në shekullin e XVIII.”
           Më tej Koliqi shton:  “…përpara se të njiheshim, pata dëgjuar duke folur në Shkodër për këtë famullitar të ri të kulturuar, i cili nëpër shtigjet e vështira të Sheldisë, kishte bajtur në shpinë të mushkut një pianoforte. Prandaj në mbarë zonën e quanin famullitari i pianofortit.....Dom Lazri i pajisur me një ndjeshmëri artistike, me baza të shëndosha kulturore, njohës i rrallë i gjuhëve të huaja më të dalluara evropiane, zotërues i sigurt i gjuhës amtare, dashamirës i muzikës e i sportit, mundet të themi se ishte i paracaktuar me lenë një vepër të madhe, e cila do të zbulonte fuqinë e tij krijuese gjeniale. Proza të shkurtra e pak lirika frymëzuese përbëjnë  margaritarë e diamante që dhjetëfishojnë vlerën e tyre. Përktheu në mënyrë të ndritshme nga Goethe, Shiler e poetë të ndryshëm italianë. Në shkrimet e veta Dom Lazër Shantoja mbillte thelbin e ringjalljes së një qytetërimi të pastër perëndimor, të mbrujtur në krishterim!..”
           Willy Kamsi: “Dom Lazër Shantojës, stilist letrar me shej, përkthyes i disa veprave të Goethe-s, i thejnë duar e kambë e mandej e pushkatojnë. Këtë ia lypi xhelatëve të tij e ëma kur e pa të birin në atë gjendje. Nuk ka sadizëm më të madh. Të tillë ishin komunistat…!”
Kolec Cefa: “Në kulmin e krijimtarisë e të pjekurisë së tij, diktatura komuniste, pasi e akuzoi Dom Lazrin si agjent të SIM-it, të Gestapos, të Ovra-s, pasi e torturoi në mënyrë çnjerëzore, e pushkatoi së bashku me Sulço Begun, ende sot pa iu ditur varri i tyre!” 
   Me dy këmbët e sharruara me një sharrë druvari për së gjalli, e vrasin në bregun e lumit Lana, Tiranë.


ME FJALËN E KRISHTIT NDRIÇOI GJURMËT E ATLETIT TË KRISHTERIMIT
Dom Lekë (aleksandër) Sirdani

           
U lind në Gurëz-Milot, më 1 mars 1891. Studimet e para i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk-Austri. U shugurua meshtar më 24 prill 1916 dhe pas dy vitesh kthehet në Shqipëri. Ndërkaq si student universiteti ishte i dhënë më tepër mbas studimeve historike-kulturore të traditës veriore të vendit. Ishte vëlla me At Marin Sirdani, profesor i historisë në liceun “Illyricum”, botues i veprës “Skënderbeu sipas gojëdhënave” 1926. Në vitin 1944, At Marini është drejtor i Kolegjit Françeskan në Shkodër.
Shërbeu në famullitë e maleve të Arqipeshkvisë së Shkodrës, në Pult të Dukagjinit dhe famullitar i Pogut të Bogёs. Ishte shumë i zellshëm dhe i devotshëm. U torturua në mënyrë barbare e të pashpirtshme, me metoda krejt çnjerëzore. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 31 korrik 1948, i torturuar dhe i mbytur nga policia e Koplikut, në veri të qytetit të Shkodrës.
Ai njihet si një personalitet i madh, patriot dhe demokrat i spikatur, studiues i zellshëm, poet dhe publicist. Vrojtimet shkencërisht të plota i boton në revistat e kohës, duke filluat nga viti 1929 në “Leka”, “Hylli i Dritës”, “Illyricum”, deri në vitin 1943. Në botimet e tij bien në sy të dhënat folklorike të Malësisë së Madhe, gojëdhënat, legjendat, këngë epike dhe legjendare të krahinës kreshnike, por edhe këngë dasme e vaji. Duke mbetur që herët jetim, shkon në shkollë për meshtar, për t’iu bërë krah fesë, atdheut dhe njëri-tjetrit.
Dom Aleksandri u mor fort me dijen popullore, doket dhe zakonet, virtytet e besës, të nderit, burrërisë, mikpritjes, tipare të lashtësisë ilire të shqiptarit e të kohës së Lek Dukagjinit.Në arkivin e Ministrisë së Brendshme thuhet se vdiq gjatë torturave me elektricitet dhe, më pas, e varrosën në gropën e gjirizit, siç dëshmojnë dëshmitarët, ndër ta edhe At Anton Luli, duke e zhytur me sfurk për së gjalli në gropën e nevojtores, së bashku me Dom Pjetër Çunin.
Nga një dëshmi mbi Dom Aleksandër Sirdanin thuhet  se shumë shpejt mbeti jetim nga nëna. Studioi në Shkodër pranë Kolegjit Saverian të Jezuitëve dhe studimet e teologjisë i vazhdoi në Austri. U shugurua meshtar në vitin 1916, shërbeu si famullitar në fshatra të ndryshëm të dioqezës së Shkodrës. Njeri i lutjeve dhe punëtor i paqes, ndërhynte në situata mosmarrëveshjeje dhe hakmarrjeje mes familjeve. U dallua për urtinë dhe fisnikërinë e tij të shpirtit.
Në vitin 1948 u arrestua dhe u çua në Koplik. Iu nënshtrua torturave çnjerëzore për pesë muaj, u vra së bashku me Dom Pjetër Çunin.
Njeri i gojës, Dom Aleksandri ishte shumë i qartë në predikimet e veta. Me fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme prej të gjithëve, përçonte mësimet e urtisë së krishterë dhe, pa iu trembur asgjëje dhe askujt, hidhte poshtë teoritë materialiste dhe demaskonte para të gjithëve idetë antikristiane të komunizmit ateist. Përsëriste me zë të lartë dhe të vendosur se vetëm aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria!
Disa dëshmitarë tregojnë se një ditë, pas predikimit të tij, persona në shërbim të regjimit e nxorën jashtë, afër një kryqi dhe me zemërim të madh e kritikuan me fjalë të ulëta dhe e kërcënuan përpara popullit. Dom Aleksandri, me qetësinë e vet të zakonshme, tha: “Më godisni! Ja ku jam. Unë e jap jetën për Krishtin!”.
Atëherë dikush iu lut: “Jo, Dom Aleksandër, sepse kështu po na shkatërron ne dhe veten tënde!”
Dhe ai iu përgjigj: “Është nder për mua dhe për ju ta dëshmojmë Krishtin. Unë kam predikuar dhe do të predikoj vetëm fenë e Krishtit!”.
Ndrek Pjetri, misionari i pajtime të gjaqeve dhe ish-i burgosur politik kujton: “…Pa dashur të futem në detaje dhe t’u referohem autorëve, të cilët i kanë kryer krimet me vullnet të tërbuar, po i referohem një fakti të kryer në burgun e Koplikut. Togat e zeza kishin hapur gropën e ujërave të zeza. Dom Pjetër Çunit, Dom Lek Sirdanit dhe Taro Keqit, po u bëhej presion: “Hidhuni! Vdisni vetë, kërceni me kokë!”. “Jo” - u përgjigjën të dy meshtarët. “Vetëflijimi është mëkat!”. Oficeri i togës i dha urdhër njërit prej ushtarëve. “Jo” - tha ai. “Jam gati të zbraz pushkën mbi ta!”. I shtynë dhe i hodhën me kokë poshtë, e ashtu duke u llakaçitur i vunë gropës rrasën e betonit!”
“Zoti na ruajtë nga njerëzit tanë!” - shprehej kapiten Gjergj Vata.“Atë që nuk e bëri pushtuesi e bënë njerëzit tanë!”.
Simon Pepa: “Përveç fjalorëve të botuar nga kleri katolik, u bë një punë e mirë edhe në gjurmimin, parashtrimin e botimin e fjalëve të rralla dhe njësive frazeologjike, në revista të veçanta si në “Hylli i Dritës”,“Leka”,“Cirka”, ku shquhet Dom Aleksandër Sirdani, i cili na dha sa e sa rubrika të tilla të njësive frazeologjike në fjalët dorë, këmbë, sy, kokë, mend etj., duke i përmbledhur në vëllimin “Fjalë ari”.


NËPËR SHKREPAT E MALEVE VETËM UNGJILLËZOI
Dom Luigj Prendushi

Duke shfletuar kalendarin historik, çdo muaj të vitit, më 24 janar, përkujtojmë martirin e fesë së Krishtit, Dom Luigj Prendushin, vrarë nga komunizmi. Siç dihet, muaji nëntor i vitit 2002 shënoi një ndër ngjarjet më të mëdha për Kishën Katolike të Shqipërisë e atë shqiptare në përgjithësi. Gjatë këtij muaji në Shqipëri u zhvillua vizita e Prefektit të Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, Kardinalit Crescenzio Sepe, nga 6 deri më 11 nëntor 2002.
Gjatë kësaj vizite baritore, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, me kremtimin solemn të Meshës së Shenjtë, u hap, në nivelin e kishës vendore, procesi i beatifikimit e i kanonizimit për 40 martirë të kishës katolike shqiptare, kryesisht viktima të komunizmit, shqiptarë e misionarë të huaj që janë ikonë e gjallë e Kishës Universale. Njëri nga dyzetë martirët, që flijuan jetën për Krishtin është edhe Dom Luigj Prendushi, të cilin e kujtojnë jo vetëm të afërmit, por edhe kisha dhe kombi ynë. 
Dom Luigji u lind në Shkodër më 3 janar 1896. Si kreu shkollën fillore në vendlindje, nga viti 1908 deri më 1921 studioi në Piemonte-Itali, në kolegjin “Skarnafizi e Sarvano”.Po në këtë krahinë, në veri të Italisë, u shugurua meshtar, për t’u kthyer menjëherë në atdhe e për të filluar shërbimin meshtar. Nisi të predikojë Krishtin në malet e ashpra të Mazrekut, për të zbritur në Nënshat e, më pas, për t’iu ngjitur rishtas maleve, në zonën tejet të vështirë të Shllakut. Më pas vazhdoi nga Dardha e Pukës, në Koman, Dush e, së fundi, deri më 1946, në Kaçë-Naraç e Shelqet.
U arrestua më 5 dhjetor 1946, në valën e martirizimit të kishës katolike, me akuzën spiun i Vatikanit. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në një vend të shkretë më 24 janar 1947. Eshtrat e tij u gjetën vetëm pas 45 vjetësh, u sollën në qytetin e lindjes e u rivarrosën në Rrëmaj, pranë eshtrave të familjarëve të vdekur, në maj të vitit 1992.

DËSHIRA IME TA SHUAJ FARËN E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI
At Ciprian Nika

U lind në Shkodër më 19 korrik 1900. Mbeti jetim që në moshën 5-vjeçare. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Shkodër, kurse studimet teologjike në Austri. U shugurua meshtar në Romë më 25.07.1924. Qe provincial i françeskanëve në periudhën 1938-1941, u bë gardian i Kuvendit të Shkodrës nga viti 1944 deri në vdekje. U arrestua me akuzën, se kishte marrë pjesë në vendosjen e armëve në altarin e kishës, një gënjeshtër e shpikur për të shkatërruar kuvendin. Fjalët e tij të fundit, të shkruara në procesverbalin gjyqësor qenë:“Rrotë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë! Shqipëria nuk vdes me ne!”. U pushkatua më 11 mars 1948.
Françeskani Ciprian Nika, besnik i Shën Françeskut, është meshtari, të cilin shkrimtari Faik Konica e ka përcaktuar: “Ku më parë se bijtë e atij Serafinit të Asizit, që aq ëmbël përshkruan proza e Fioriti-ve, ka dijtë me u predikue ujqërve dhe me i zbut..”. Por ujqërit komunistë, janë bisha që nuk krahasohen me kafshët e egra të pyllit, prandaj një ditë, mbasi i thyen kockat, e kafshuan fratin e bekuar të Shkodrës, At Cipirian Nikën!”
Studimet e larta teologjike i përfundoi në Austri. Ka qenë studiues dhe bashkëpunëtor i revistës “Hylli i Dritës”. Kur fliste dhe predikonte në altar, të jepte përshtypjen sikur fliste një shenjt. Merrte pjesë në orkestrën e françeskanëve të qytetit dhe i binte me talent e mjeshtëri të rrallë flautit. Ç’kishin në shpirt komunistët që nuk e pëlqenin këngën e instrumentit të tij?! Mirëpo, meshtari u krijonte pushtetarëve komunistë një tërbim deri në sadizëm, prandaj edhe salvimi i tij ka qenë më i rrepti në vendet e Lindjes, madje i pakrahasueshëm.
At Ciprian Nika ishte një nga françeskanët më të vyer që ka pasur kleri në Shqipëri. Pikërisht kjo ishte edhe arsyeja, që, kur u zgjodh provincial, At Matia këmbënguli që të mos zgjidhej At Cipriani, sepse puna e parë që do bënin komunistët ishte vrasja e tij, prandaj “ ta ruajmë atë për më vonë, sepse është i ri dhe shumë i vlefshëm për ne”. At Matia e mori detyrën e provincialit i bindur se do të pushkatohej, por atij nuk i bënte përshtypje pushkatimi, sepse kishte shkuar edhe dy herë të tjera në grykë të pushkës, madje deri tek stoli i litarit në Serbi.
At Cipirian Nika ishte një meshtar i atillë, saqë të ligështuarve dhe të dëshpëruarve prej torturave në birucat e sigurimit, ua forconte karakterin, aq sa edhe sot qëndrimin burrëror të tyre bashkëvuajtësit ia dedikojnë fratit të dhembshur e zemërmirë, Ciprian.
Gjithkush, kur fati i keq e përplas në duart e xhelatëve, kërkon të shpëtojë jetën, por At Cipriani, shokut të tij të birucës, Sami Repishtit, kur i tha  “At Ciprian, ky qëndrim po të kushton shumë!”, iu  përgjigj: “Ke të drejtë biri im. Po në këtë mes unë kam një mision më të madh se të tjerët. Më duhet me ndez dritën, kudo ku ajo është e shuar…!” Dhe e përfundon fjalën me bindjen e tij: “Vuajtja, or bir, e bën më fisnike fitoren e korrur!”.
Frano Ilia: “… Për të shkatërruar Kuvendin, bastion i katolicizmit, siç e shkatërruan, akuzuan At Ciprianin se gjoja kishte fshehur armë në kishën françeskane të Gjuhadolit, nën altarin e Shna Ndout!”.
Terezina Pali: “…At Cipriani, që ishte një shenjt i vërtetë, vuante shumë prej këmbëve. Ia kishin djegur me hekur të skuqur, aq sa çorapet i ngjiteshin për mishi. Kësi plagësh kishte edhe në shpinë. Këmisha ishte bërë njësh me lëkurën dhe gjaku i plagëve dilte përsipër... Kur e thërrisnin në hetuesi, shpesh vinte pa ndjenja, megjithatë gjente forca vetëm duke u lutur me uratë”.
Kolec Pikolini: “…Një ditë në sallën e gjyqit i thashë shokut: “Shkurtoi këmbët e karriges që prokurori A. C., të rrëzohet si qeni i tërbuar...” Një avokat ma ktheu aty për aty: “Të kesh kujdes se ai është gjarpër dhe për helmin e tij ne nuk jemi doktorë!”. Seancat vijuan me terrorin e pjesëmarrësve në sallë. Një herë, kur salla po zbrazej, ne si gjithmonë ishim në pritje për të mbyllur dyert, duke i përshëndetur me sy të akuzuarit. Në dalje, At Gjon Shllaku më tha: “Qofshi të bekuar, sepse nuk na e latë gojën të thahet. Na keni shërbyer!” Unë iu përgjigja: “Nuk kemi patur mundësi të bëjmë më tepër”. Nërrugë, në pjacë, grumbuj njerëzish, prindërit dhe familjet e tyre, donin t’u jepnin zemër këtyre të lidhurve dorë për dore, të rrethuar me roje të shumta, prirë nga një turmë rrugaçësh që bërtisnin si kafshë, duke kënduar këngë përçmuese për klerikët.Më kujtohet se fjala e fundit e At Ciprianit ishte: “…Dëshira ime dhe e shokëve të mi ka qenë mё e shue farën e komunizmit në Shqipëri!”
Sami Repishtit i ka mbetur në mendje fjala e At Ciprian Nikës, kur e takoi në burg: “Biri im, me vrasjen time, komunistët duan të vrasin të vërtetën! Ajo që më shqetëson ma shumë, - më tha frati para vdekjes, - është mashtrimi i popullit, e kam frikë se ka edhe nga ata që besojnë”.



LART SI XHEVAHIR RRUZARESH....
At Serafin Koda


At Serafin Koda lindi në Janjevë-Kosovë, më 25 prill 1893. Hyri në Urdhrin e Fretërve Minorë në vitin 1909. Pasi u shugurua meshtar, në vitin 1915, u bë definitor provincial dhe famullitar i fshatrave të ndryshëm. Meshën e parë e kremtoi më 30 korrik 1925. Qe famullitar në Lezhë, kur u arrestua dhe u torturua, pas një takimi për arsye ekonomike, organizuar nga françeskanët në Lezhë, takim të cilit Organi i Sigurimit donte t’i vishte ngjyrim politik, sikurse ata e kishin zakon. Kërkonin me çdo kusht dëshmin e At Serafinit, i cili nuk pranoi kurrsesi t’i akuzonte vëllezërit e vet. Vdiq në Lezhë, ndërtortura, më 11.05.1947. At Serafin Koda jetoi 54 vjet, 37 vjet ia kushtoi meshtarisë.
Shquhej si misionar i zellshëm. Infermierja, Marie Ndoja, e cila e mjekoi në momentet e agonisë, kur dha shpirt, e varrosi fshehurazi nën një pemë ulliri në oborrin e Kuvendit. Më pas, në bazë të dëshmisë së saj, më 16 shtator 1994, u gjetën edhe eshtrat e tij. Monsinjor Angjelo Massafra mbajti një meshë në nder të shpirtit të tij, ku mora pjesë edhe unë. Gjatë ritit Maries i shkuan lot, të cilët u mundua t’i fshinte me cepin e shamisë. Në predikimin e tij, ndër të tjera, Massafra tha:
“Në këtë kodër u mboll filizi i parë i ullirit nga Shën Françesku më 1224, rrënjët e tij u vaditën me gjakun e një meshtari martir. Përkujtimi i tij është përkujtim i persekutimit në emër të Krishtit, drita e botës që iu kthye njeriut të vuajtur nën zinxhirët e diktaturës e sot e jeton lirinë e kësaj drite!”
At Serafini ishte njeri shumë i mirë dhe i kujdesshëm, vlerësohej anekënd për urtinë dhe guximin e tij, mbi të gjitha, ishte i palodhur në misionin e vet si meshtar e famullitar. I kryente shërbesat fetare pa pasur frikë prej asgjëje dhe prej askujt. U arrestua në kuvendin françeskan të Lezhës nga forcat e sigurimit: Ishte dita e emrit të tij, 12 tetor 1946. U mbajt i burgosur në stallën e kuvendit, marrë nga regjimi dhe kthyer në spital.
Në birucat e policisë së qytetit, mbi të, u ushtrua dhunë monstruoze, duke e futur në një fuçi me ujë deri në fyt. Gjatë torturave ia ngulën aq shumë thonjtë në fyt, saqë ia shqyen gurmazin, por zëri i veprës së tij nuk e tradhtonte Krishtin, sepse njeriu pa Shëlbuesin është si lumi pa ujë, ai ndriçon lart si xhevahir rruzaresh. Personi që u gjend pranë, tregon se, ndërsa po e çonin nga burgu për në infermieri, At Serafini i drejtoi Zojës këtë lutje: “O Zojë, bëje shpejt punën tënde!”.
Marien, e cila kishte punuar si shërbyese në Komitetin e Partisë së Punës, unë pata rastin ta  intervistoja. Gjatë rrëfimit, ajo më tha:
“Ishte natë e vështirë. Mot i lig, me breshër e vetëtima, me furtunë e me shi. Unë shërbeja si sanitare në Kishën Françeskane të Lezhës. Befas, trokiti fort dera. Derën e Kuvendit e çeli Frroku, rojtari i kishës, që tashmë ishte kthyer në spital. Dy policë ia behën në derë dhe i thanë: “Merreni trupin e priftit! Ka vdekur. Nuk kemi kohë të çelim gropën për të...” Dolëm dhe e morëm menjëherë trupin, i cili ishte i nxirë dhe i lyer me gjak nga torturat. E varrosëm po atë natë trupin e pajetë të At Serafinit, nën rrënjët e ullirit në oborr. Ishim ba ujë. Shfrytëzonim dritën e rrufesë. Frroku gërmonte me kazmë, ndërsa unë hiqja dheun me lopatë… Dhe vetëm kur erdhi liria e fesë shkova e i rrëfeva ndodhinë priftit të kishës françeskane. Mandej, u bë zhvarrosja dhe, me anë të një meshe, u rivarros në kishën që i kishte shërbyer me shpirt!”
Shkrimin për rrëfimin dhe aktin human e njerëzor të Marie Ndoit e botova në “Gazetën Shqiptare”. Gjatë bashkëbisedimit, Maria më foli gjatë për At Serafinin. Ai nuk lutej për lirimin nga burgu, përkundrazi frati kërkonte një liri shumë më të çmuar se vetë liria njerëzore: lirimin nga “burgu i jetës”. Së fundi, Zoja e liroi duke ia hapur rrugën drejt lumnimit. Ai, po, kishte të drejtë të ankohej!Po të lumët nuk kanë më asnjë ankim!
Imzot Zef Simoni: “…At Serafin Kodës i doli shpirti me gabzherrin e nxjerrë nga fyti...”.
Dihet se At Anton Harapi, veshur me kostum kombëtar, ia dha zhgunin Lef Nosit dhe iu ngjitën maleve për t’u bashkuar me luftëtarët e rezistencës komuniste. Fatkeqësisht, ky veprim u mor vesh nga forcat e ndjekjes, të cilat u vunë në kërkim të tyre. Sipas dëshmisë së Dom Filip Mazrekut, publikuar në gazetën “Vatra” nga Veli Haklaj, ndër të tjera citohet:
“…Në famullinë e Kirit, At Ludovik Kiri i rrejti ushtarët dhe i futi në një dhomë tjetër, pastaj nxori At Antonin, me të cilin ishte dhe Lef Nosi. Mbas disa kohësh Lefi vendosi të kthehej në qytetin e vet. Rrugës së kthimit u ndal në Kishën Françeskane të Lezhës, ku shërbente At Serafin Koda, i cili e priti shumë mirë dhe e mbajti për disa ditë të fshehur në një mullar sane, më vonë e çoi në shtëpinë e Mrikës, shërbëtores së vet. Prej andej e kapërceu me trap në lumin Drin, tek Ura e Lezhës”.
At Flavio Cavalini, meshtar i kishës françeskane në Lezhë, i cili, në shkurt të vitit 1988, në kishën e Shëngjinit, pagëzoi tre djemtë e mi, dëshmon: “… Një infermiere, që kishte shërbyer në spitalin e asaj kohe, kishte marrë pjesë në varrosjen e tij, rrëzë një peme ulliri, mbrapa Kuvendit Françeskan. Ishim të pranishëm në zhvarrosjen e eshtrave dhe rivarrimin e tyre. Ai, prehej ashtu, në të njëjtin pozicion që e kishin hedhur. Kishin mbetur pa u tretur vetëm disa pjesë të petkut të meshtarit dhe këpucët. Për këtë rast, u zhvillua një ceremoni mjaft e dhimbshme, si dhe janë ruajtur dokumente të bollshme për sa i përket ndodhisë”.



NJË LARTËSI E PËRULUR PËR POPULLIN E TIJ
At Gasper Suma

            U lind në Shkodër, më 23 mars 1897. Shkollën e mesme e kreu te françeskanët, kurse teologjinë në Insbruk-Austri. U shugurua meshtar, më 31 korrik 1921, dhe shërbeu gjithmonë në zonat më të vështira malore, si Perkash,Theth, Brigje të Hotit, Toplanë, Nikaj, Gomsiqe. Shquhej për shpirtin e sakrificës. U arrestua më 9 maj 1947, duke u dënuar, pa asnjë faj, me katër vjet heqje lirie. Vdiq në burgun e Shkodrës, më 14 prill 1950. Eshtrat e tij prehen në Kishën Françeskane të Shkodrës.
Për një kohë të gjatë emrin e tij e mbuloi pluhuri i harresës, për t’u përshenur me lumni në listën e 40 martirëve, viktima të diktaturës. Portretin e fratit mund ta pikturojmë me dy penelatat që pati përdorur Konica, kur e njohu në gjirin e familjes famëmadhe të Sumajve. Njeri i përvuajtur, por me shpirt të madh, ai s’mund të ishte tjetër veçse “Një lartësi e përulur”. Shtatgjatë, me flokë të bardhë, ndonëse i ri në moshë e me humor tejet të hollë, e kaloi gjithë jetën “me armë në brez”, armë për të cilën tregonte gjithfarë episodesh humoristike. Ndër të tjera, tregonte edhe historinë e arrestimit, në kuvendin françeskan të Vjenës:
“Isha në kokërr të gjumit, - kallëzonte, - kur tre policë, rrëmbimthi, hynë në dhomën teme e, me armë drejtue nga unë, bërtitën me të madhe: “Alt! Duert nalt!”. Çova duert nalt. Atëherë, njeni nga ata më erdhi te shtrati e më bërtiti me të madhe: “Mos luej! Trego ku e ke armën!”. Kur i thashë se nuk kisha, polici ma i fuqishëm më kapi për krahu e më uli në krevat. Në mes të shtrojës, pashë rruzaren. E mora dhe i thashë: “Vetëm kjo asht arma jeme!”… Ishte ora 3.00 kur më çuen në polici. Një oficer më pyeti për lidhjet me Angjelin Sumën, që ishte i arratisun nga Shqipnia. “E kam vëlla” - iu përgjigja. Atëherë më dorëzoi rruzaren, që ma kishin marrë, tue më kujtue se u kisha thanë policëve: “Kjo asht arma jeme”. Dhe vijon dialogu në stacionin e policisë.
- Asht e vërtetë? Domethanë nuk deshte me u tallë me policin? Ai asht fye. - më tha.
- Nuk kam pasë pse ta fyej e po m’vjen keq, që ai e ka kuptue kështu!
- Po ku e ke mësue gjermanishten, që po e flitke kaq mirë? - më pyeti.
- Këtu, në Austri, kam krye studimet e filozofisë dhe të teologjisë!
Atëherë, ai u çue në kambë e më dha dorën, tue më sigurue se do të më lironin mbrenda dite, në rasë se nuk do delte ndonji dishmi tjetër. Mbas nja tri orësh, po hyn në qeli ai polici qi më kishte ba kontrollin.
- Eja me mue, se do të shoqëroj deri në kuvendin e françeskanëve! - më tha e shtoi: -Të kërkoj ndjesë për shqetësimin, por detyra asht detyrë!
Rrugës u tregue shumë i dashtun dhe më kërkoi t’i falja, si kujtim, rruzaren, që ma kishte marrë.
- Po ti, a nuk e di se arma nuk dorëzohet? - i thashë, ndërkohë që po nxirrja rruzaren prej xhepit, për t’ia vu në qafë. Ai më puthi gati për të qarë. Prej tij mësova se Ahmet Zogut i kishin ba atentat dhe se policia austriake atë natë kishte arrestue të gjithë shqiptarët…”.
Ky është episodi i parë i “armës së fratit”, dorëzuar në rrethana kaq lojcake në Vjenë.
Episodi i dytë është shumë më pak komik, siç ishte gjithë jeta, kur frati i Sumajve provoi birucën e burgut komunist.
“E kishin sjellë në dhomën tonë si të sëmurë, - kujton bashkëvuajtësi, Lekë Harapi Parubi. Ato ditë, më kishin hy me ushqime një palë rruzare. Me i dorëzue m’u duk ligështi, me i mbajtë kisha frikë. Ia tregova shokëve e At Gaspër Suma më tha: “Nëse keni frikë me i mbajtë, m’i jepni mue dhe po ju falënderoj njëmijë herë, sepse kam 18 muej që nuk i kam prekë me dorë”. Ai vazhdoi me ngulë kambë e unë ia dhashë, por nuk fjeta rahat për shumë kohë, ndërsa ai, aty pranë meje, më pëshpëriste në vesh, tue ba me gisht nga vendi ku e kishte fshehur rruzaren: “Tashti jam përsëri i armatosun!””.
Martir i fesë dhe i demokracisë, ai provoi dhimbjen e pakufishme të sëmundjes së tumorit në kokë, por edhe të dhunës njerëzore, gjithnjë i armatosur me “armën e fratit”, pa u përkulur, pa i flijuar idealet, pa u ligështuar, pa e njollosur kurrë shpirtin. Eshtrat e tij pushojnë në Kriptë të Kishës Françeskane të Gjuhadolit, gjithnjë “me armë në brez”, sepse me armë të tilla nuk vdes kurrë, madje me ato armë është nisur drejt qiellit të lumturimit!
Dom Llukë Suma njihet si katoliku i parë shqiptar, që studioi në Austri, duke shërbyer në një nga kishat më të rëndësishme të Vjenës. Për katër shekuj me radhë, familja Suma i dha Shqipërisë klerikë të shquar, diplomatë të zotë dhe mjekë të dëgjuar. Kështu, në shekullin e 18-të Ipeshkëv i Tivarit ishte Mëhill Suma, ndërsa në Shkodër shërbyen me devocion Dom Pjetër Suma, Dom Gjon Suma, etj. Kol Suma mbaroi studimet për mjekësi në vitet 1788-1794, në Venedik, duke qenë kështu mjeku i parë i diplomuar jashtë shtetit dhe ka shërbyer në qytetin e tij nga vitet 1795-1828.
Prof. Dr. Zija Shkodra: “Piktori anglez E. Lir, i cili vizitoi Shkodrën në vitin 1848, u strehue për disa ditë në një shtëpi qytetare shkodrane. Ai e përshkruan kështu këtë shtëpi: “Shtëpia e Ndoc Sumës ishte një ndërtesë e madhe, me një oborr të gjerë, ku gjithçka përreth tregonte begati dhe komoditet”. Familja Suma ishte pasardhëse e konsujve shkodranë të Anglisë në këtë qytet. Në shtëpinë e tyre u strehua për vite me radhë Miss. Edith Durham. Nga kjo familje rrjedh edhe Gaspër Suma, i biri i Frano Heqimit (1885) dhe Jak Suma, i biri i Çim Heqimit! (Heqim=Doktor, mjek).


I THONI FAMILJES PO VDES PËR FENË E KRISHTIT
Dom Anton Muzaj

U lind në Vrnakollë-Kosovë, më 19 mars 1921. Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër. Në vitin 1938, shkoi në Romë në Kongregatën “Propaganda Fide” dhe studioi teologji në Universitetin Gregorian. U shugurua meshtar më 19 mars 1944. Në vitin 1946, në kohën kur kishte filluar përndjekja komuniste, u kthye në atdhe. U arrestua në vitin 1947, me akuzën se kishte qenë spiun i Vatikanit dhe, pas shumë torturave, u lirua. Vdiq në moshën 29-vjeçare në Arqipeshkvinë e Shkodrës, për shkak të torturave të rënda, në pranverë të vitit 1948. Pra, është vrarë “in odium fidei”. Ishte njeri i devotshëm dhe i zellshëm, gjithmonë i gatshëm dhe shumë i përvuajtur. 
At Konrad Gjolaj: “Dom Anton Muzajn e futën në një kanal me ujëra të zeza deri në bel dhe vetëm atëherë kur filloi me nxjerrë copat e mushkërive nga fyti e nxjerrin prej torturës... Flitej se Dom Antoni ishte shumë i sëmurë, i ftohur dhe pa shpresë për jetën, po se ku ishte nuk e dinte asnjeri. Flitej se e kishin çuar për me vdekë në shtëpi. Dom Vlash Muçaj më tregoi se një polic i kishte thënë se Dom Antoni vdiq në tortura. Nuk doja ta besoja. Ishte 30 vjeç dhe e mora si provokim. Por polici kishte thënë të vërtetën. Ngjitur me qelinë e tij ishte dhe Dom Lazër Deti…”.
Ishte tetori i vitit 1947, kur Dom Anton Muzaj dhe At Frano Kiri u arrestuan dhe iu nënshtruan torturave më të tmerrshme. I detyronin të qëndronin në këmbë, me majën e hundës mbështetur tek muri, të lidhur duar e këmbë, për ditë e net të tëra, ndërsa etja ua shtonte edhe më shumë vuajtjet. Çdo ditë, dy të burgosur, me radhë, lanin dyshemenë e korridorit të burgut, shpesh të lagur me gjak. Një ditë, Dom Antoni u kërkoi që të mos e thanin krejt ujin, që të mund të pinte pak prej tij. U hodhën përtokë për të lëpirë si qentë ndonjë pikë ujë, që mund të kishte mbetur mbi dyshemenë e lagur.Kishte shkuar deri në atë pikë, sa nuk mund të qëndronte në këmbë dhe, për këtë arsye, rrihej edhe më shumë. Shpesh i hidhnin sipër kova me ujë të ngrirë, më pas e vendosnin mes dyerve dhe dritareve, në rrymat e akullta të muajve dimërorë. U sëmur rëndë nga tuberkulozi. Pas procesit, gjyqtarët, duke parë gjendjen e tij shëndetësore, e kuptuan se nuk kishte veçse pak muaj jetë, prandaj nuk e dënuan me vdekje. Shokëve të tij të burgut u tha: “Nëse një ditë do t’i shihni familjarët e mi, u thoni atyre që jam krejt i pafajshëm dhe se po vdes për fenë time, për fenë e Krishtit”.
AnaDaja: “…Me Dom Anton Muzaj, qelitë na i ndante vetëm një mur tullash. Dëgjoja me tmerr britmat e tij. E linin me orë në këmbë, derisa i binte të fikët. Pastaj e lagnin me ujë dhe përsëri tortura. Shpeshherë më thoshte: “Unë nuk dal gjallë, por të jesh dëshmitar se po vdes vetëm për fenë e Krishtit”. Vdiq pas disa javësh, si rrjedhojë e torturave në moshën 29 vjeçare”.
Dom Ndoc Nogaj: “Kur dola nga burgu, pas pesë vjetësh, mora vesh se Dom Anton Muzaj gjendej në Arqipeshkevi, në një dhomë të katit përdhes, sepse pjesa tjetër ishte shtetëzuar. Ishte i sëmurë në shtrat nga tuberkulozi në gradën e fundit. Takimi ynë qe shumë i përmallshëm. Gjatë bisedës më tha: “Ty, Ndoc, Zoti të paska dashtë shumë!” Ditët e fundit të jetës nuk i kaloi asnjëherë i mërzitur, përkundrazi gjithmonë duke thënë: “U bëftë, o Zot, vullnesa jote!”


FEJA IME NUK SHKULET NGA ZEMRA
Dom Dedë Maçaj


Lindi në Mal të Jushit (Shkodër), më 5 shkurt 1920. Mësimet e para i mori në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë e vijoi në Romë. U shugurua meshtar më 19 mars 1944 dhe u emërua zëvendës famullitar i Shkodrës. Shërbeu si famullitar në Rragam e Sheldi, ku pak më parë kishte qenë Dom Ndre Zadeja.
U mor në shërbimin ushtarak, pastaj u arrestua si spiun i Vatikanit më 10 mars 1947. Gjatë shërbimit ushtarak, edhe pse i disiplinuar, për shkak të fesë së tij katolike, qe gjithmonë i përçmuar dhe i keqtrajtuar, sipas dëshmisë së shokëve të tij. Pas torturave të papërshkrueshme, u pushkatua më 28 mars 1947, në Përmet,duke pësuar të njëjtin fat si shokët e vet meshtarë.
Pasi e larguan nga salla e gjyqit, gjykata mori vendimin: “Dënim me vdekje dhe ekzekutim të menjëhershëm”. Kur i kërkuan të shprehte dëshirën e fundit, ai tha: “S’kam asgjë për të thënë, përveç asaj që e dini edhe ju, që jeni duke më dënuar pa faj. Feja ime nuk shkulet nga zemra!”
E nxorën jashtë zonës ushtarake, në një lëndinë pranë Vjosës, i hoqën petkat, siç bënë me Jezusin në Golgotë, dhe toga e zezë qëlloi mbi të, mirëpo ai nuk ra përtokë. Qëlluan përsëri, po përsëri Dom Deda qëndroi në këmbë. Xhelati, i tërbuar nga inati, për faktin se nuk kishte mundur ta shtrinte përtokë me një të goditur të vetme atë vigan, dha urdhër që të qëllonin për të tretën herë. Por këtë herë, ai nuk arriti të qëndronte. U rrëzua dhe përshëndeti tokën nënë, e cila u skuq me gjakun e tij.
 Afro pesëdhjet vjet më pas, nipi i tij, Gjushi, shkoi 13 herë në Përmet, për të gjetur eshtrat e dajës, Dom Dedë Maçajt. Meshtari i ri kishte marrë pesë plumba, dy të fundit i kishte nga komisari, për të provuar se tani partia kishte një “armik” më pak. Ndërkohë që Gjushi vazhdonte të kërkonte përgjatë rrjedhës së Vjosës, me shpresën se mos gjente ndonjë gjurmë të varrit të dajës së tij, dëgjoi një zë që i foli: “Mos kërko kot! Atë nuk e ke në dhé, por me engjëjt në qiell”. Kështu, Gjushi u kthye në shtëpi dhe shkroi vjershën e gjatë, të cilën e këndoi me çifteli këngëtari, Nik Çarku, rapsod malësor.

Vra pa faj kanë një klerik,
Një shenjtor kanë shpallur armik
Një malësor, një selcian
Në Përmet gjamën ia banë.

…Ndër tortura la me gjak
Ai nuk trembet para plumbit ushtarak,
Jam ushtar i atdheut
Gjak prej gjakut të Skënderbeut…
Vizionar me petka të priftit
Shërbëtor i fesë së Krishtit...!

Aleksandër Nokaj, bashkëvuajtës: “Që në fillim të shërbimit ushtarak Dom Dedë Maçaj u konsiderua spiun i Vatikanit… U mbajt 15 ditë në tortura, më pas e sollën para regjimentit. Befas, Dom Dedë Maçaj bërtiti me një zë aq vibrues, saqë i gjithë regjimenti mundi ta dëgjonte: “Shpall para Zotit, para të cilit shpejt do të dal dhe përpara jush, të dashur shqiptarë, që po vritem vetëm për shkak të urrejtjes së besimit katolik. Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Papa! Rroftë Shqipëria!”. Pastaj ngriti sytë nga qielli, eci pak drejt plutonit, si për t’u treguar ekzekutorëve të tij, se ai nuk kishte frikë nga vdekja. Fytyra e tij rrezatonte një bukuri mbinatyrore. Breshëria e parë nuk e lëndoi, aq sa të krijohej përshtypja sikur Zoti po jepte dëshminё e pafajësisë së Atit. Për çudinë e gjithë shikuesve, ai u ngrit, pastaj ngadalë u ul në gjunjë. Disa zëra thirrën nga rreshtat: “Ai është i pafajshëm. Kursejani jetën!”, por thirrja për falje u mbyt nga ulërima e ushtarëve komunistë: “Plumbin ballit! Plumbin ballit!”. Një breshëri e tretë e rrëzoi në pellgun e gjakut të tij!”

PËR VEPRIMET KUNDRA KOMUNIZMIT, JAM KRENAR TË VRITEM SI PRIFT KATOLIK
Dom Dedë Malaj


Lindi në Selcë të Vermoshit, më 16 nëntor 1920. Pas shkollës fillore dhe të mesme, të cilat i kreu në Seminarin Papnor Shqiptar, studimet për teologji i vazhdoi në Itali. U shugurua meshtar në Castel Gandolfo (Romë), më 20 dhjetor 1942. U kthye në Shqipëri në Ipeshkvinë e Shkodrës, për të shërbyer në zonën e Dajçit të Bregut të Bunës. U arrestua dhe u dënua me vdekje, pasi dërgoi jashtë shtetit listën e meshtarëve të pushkatuar. “In odium fidei-Vox Populi”.Përballë gjyqit rinovoi me guxim shpalljen e fesë katolike dhe paditi padrejtësitë e regjimit komunist. U pushkatua më 12 maj 1959, në moshën 42 vjeçare.
Dom Deda rrjedh nga një familje patriotike, e persekutuar gjatë regjimit komunist, e cila zbriti nga Malësia dhe u vendos në Malin Kolaj, saktësisht në Sukën e Dushkut, mes Shkodrës dhe Lezhës. Vëllanë e tij, Nikollën, e pushkatuan, sepse së bashku me vëllanë dhe babain, doli në mal kundra forcave të ndjekjes komuniste.
“Me orë të tëra nën tortura, hetuesit kërkonin mё zbulue ndër vuajtjet e meshtarëve të lidhur në pranga, boshllëkun shpirtëror të tyre, të mbushur nga ideologjia e kuqe dhe këtë e kërkonte që nga oficeri më i lartë, deri tek polici injorant”.
Më 7 nëntor 1958, pasi kishte mbaruar mesha, qela e Dajçit u mbush me oficerë të sigurimit, në supet e të cilëve qëndronin grada të larta, nga Tirana dhe nga Shkodra. Një kordon i armatosur policësh mbikëqyrnin qelën, ku kishin bujtur këta njerëz që ushqeheshin me krimin monstruoz. Dom Deda u arrestua dhe frika i bëri fshatarët të mbylleshin brenda kullave të tyre. Dom Deda ishte firmëtari i një letre drejtuar Vatikanit, më 1954, ku shënohej lista e të dënuarve dhe të pushkatuarve të klerit katolik, së bashku me At Konrad Gjolaj, nëpërmjet priftit të Malit të Zi, Don Ivo Bozhiq, që me siguri ra në dorë të UDB-së, e cila nisi urgjent agjentët e saj për të raportuar tek Dega e Shkodrës. Priftërinjtë e rinj duhet të miratoheshin në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit. Kah po shkonte kisha?! Mos vallë ishte frika e ngjitjes në postet e larta kishtare të ndonjë prifti të rekrutuar? Vendosja e ipeshkvijve nga shteti shoqërohej me dritëhije dyshimi, ndërsa Vatikani nuk kishte asnjë informacion se çfarë po ndodhte në Shqipëri. Megjithëse përmbajtja e letrës kishte vetëm karakter fetar, ku e vetmja gjë që kërkohej ishte pak nga ostja e Shenjtë për sakramentet… Mirëpo, gjatë vizitës që bëri At Konrad Gjolaj  pas vitit 1990 në Vatikan, mësoi se një letër e tillë nuk kishte mbërritur kurrë, ashtu sikurse nuk u dihej adresa edhe letrave të tjera.
Dranja 13 vjeçare, e mbetur jetime, mbasi babai Frani, vëlla me Dom Dedën, vdiq herët nga vuajtjet e rezistencës në mal, shkoi deri në Komitetin Qendror në Tiranë dhe në Kuvendin Popullor, për të kërkuar falje për Dom Dedën, si jetime pa prindër, por përgjigja që mori ishte: “Dom Deda është tradhtar i Pushtetit Popullor dhe nuk ka falje”.
Shpirti i Dom Dedë Malajt ishte gatuar në shkëmbin e Alpeve tona. Ai ishte aq trim sa vdekja e afronte gjithnjë më shumë me Zotin! Ashtu sikurse Dom Engjëll Kovaçi, At Konradi, edhe Dom Deda nuk e kishte firmosur Projekt- Statusin e Kishës Katolike të pregatitur nga qeveria, që e shkëpuste atë nga Vatikani. Më 12 maj 1959, kur Dom Deda doli nga burgu, në derën e birucës kishte lënë këtë mbishkrim në gjuhën latine: “Malediktus Homo Qui Credit in Hominen!”.
Më 10 tetor 1991, u zhvillua ceremonia e rivarrimit të eshtrave të tij në Sukë të Dajçit të Bregut të Bunës, në varrezat e famullisë së tij. Po eshtrat, vëlla, janë të thyera, të copëtuara nga hekuri i kuq, janë të përhumbura dhe të heshtura në thellësi të dheut që i lindi. Eshtrat nuk flasin, por veprat dhe virtytet e shumta, me shkëlqim në fe e në atdhe, e kanë lavdinë pikërisht në dritën e tyre.
At Konrad Gjolaj mbajti fjalën kryesore: “Dom Dedë Malaj u vra se ishte ushtar i Krishtit. U vra, se lartësoi krijuesin tonë me dashurinë që kishte për Të, me drejtësinë dhe pafajësinë e Tij. Për mua, ai mbetet gjithmonë pasqyrë e virtytit, sikurse për të gjithë ata që e njohën nga afër”. Më pas, shton: “…Fjala e Dom Dedë Malajt ra, sikur të binte në mbledhjen e të gjithë klerit të Shqipërisë, në Arqipeshkëvinë e Shkodrës, nën drejtimin e Imzot Bernardin Shllakut, për të diskutuar projekt-statutin e kishës së ardhur nga qeveria e Tiranës, kur nguli këmbë që të mos pranojmë më diskutime për shkëputje me Papën dhe emërime ipeshkvijsh nga qeveria komuniste e Tiranës. Kush mendon ndryshe, le të flasë…!”
Ti e deshe atdheun, prindërit, miqtë, vëllezërit dhe shokët, por mbi të gjitha deshe Qiellin. Unë pashë me sy, kah mbi ty u përplasën kohët më të vështira, ma të mjerueshme e të kobshme të një të burgosuri, i tretur ndër biruca të errëta, të lara me gjak, i lidhur këmbë e duar në vargonj, pa ujë, pa bukë, pa gjumë, duke pritur… Pse?! Pse para luftës me ata që nuk e njihnin Zotin ne forcoheshim me Hirin e Zotit, pse prej Altarit ku çdo ditë përsëritej Darka e Fundit, shkëlqimi i fytyrës sonë i verbonte ata, duke ndezur zemrat e besimtarëve me dashuri të shenjtë për fe e Atdhe. Ti vure në shërbim të popullit shqiptar të gjitha energjitë e tua, duke i treguar atij fuqinë e pakufishme mbi vdekjen e jetës, ti ishe lajmëtar i fjalës së Krishtit. Armiqtë me britma e çirrje, që kanë për t’i ndjekur edhe prej vorrit, kërkuan me e mbulue vrasjen tënde të pafajshme në atë breg liqeni. Nuk pati kush ta mbulonte atë gjoks azgani të shpuar me plumba prej dorës së mizorit, vetëm atë natë ra si vesë avulli i gjakut tënd. Mbi ty i bekuar! Zonja e Shkodrës në Itali të priti në krahët e Saj. Tek Ajo je!”
Fritz Radovani: “Prokurori e pyeti: "Që kur je armik i komunizmit?" Në sallë ra një heshtje... Dom Deda iu përgjigj: "Qysh se jam kenë 9 vjeç, pikërisht atëherë kur kam shkue ndër bankat e shkollës së mësuesit tem Don Alfons Tracki, aty mora vesht prej tij këtë emën dhe, prej asaj dite, nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma komunizmit. Gjithë jetën e kam urrejtë dhe kam punue me të gjitha forcat e mia, aq sa më ka lejue feja, kundër tij".
Oshtima dhe duhija e fjalës së Dom Dedë Malaj, ra si një ortek mbi sallën e gjyqit, me turr e gjamë, e rrebtë si rrëfeja që zbriste tue shkrepë shkëndia nga Selca e Kelmendit, nga gjiu i Bjeshkëve të Nemuna, ku gurgullon qumështi me shkumbë e gjak përzi, e, ku nana Lulë përkrah burrit të saj, Keq Lucës (Malaj), që i vringëllonin armët ndër mote e, që, më 16 nandor 1917, i kishin falë Shqipnisë një vigan drangue malesh”.
Mehdi Ali Kraja: “… Në fjalën e tij të fundit në gjyq, Dom Dedë Malaj, mbajti një qëndrim heroik dhe të papërkulur, duke deklaruar haptas: “Nuk kam qenë kurrë dhe nuk jam as sot tradhtar i atdheut tim. Jam meshtar katolik dhe nuk e ndjej veten fajtor as para Zotit, as para atdheut, as para popullit tim, që i kam shërbyer me devotshmëri. Për veprimet që kam kryer kundra komunizmit, jam krenar që pushkatohem si prift katolik për fe e Atdhe!”
Kolec Pikolini: “…Xhelatët më dërguan në burgun e Gestapos në Shkodër, ku gjeta gjashtë vetë: tre nga Malësia e Madhe dhe tre nga Mirdita, mes tyre edhe Dom Dedë Malaj. Ky meshtar i çeliktë, ishte shumë i dhënë kundra komunizmit. Ai më mbajti gjallë moralin me këshillat e tij, i cili shpeshherë më thoshte: “Mua nuk më dhimbset jeta për Fe e për Atdhe. Këto janë raste të rralla për njeriun, për ta treguar veten se ka nder e burrëri.Ç’është e vërteta, vendi ka nevojë për histori të martirëve, sepse shërbëtorët e diktaturës janë njerëzit më të pavlefshëm në këtë jetë, kurse feja e Krishtit lulëzon në gjakun e martirëve!…”.
Pa humbur kohë Dom Dedë Malaj, kërciti në murin e qelisë për të ditur se si po shkonin seancat e gjyqit. Ai, si meshtar dhe atdhetar, më kishte dhënë kurajë që ta përballoja situatën nëse më dënonin me vdekje, duke më cituar shembuj të shumtë kur burrave u kishte ardhur vdekja papritur, si rrjedhojë nuk kishin pasur mundësi të pajtoheshin me Zotin. “Zotëri kam edhe pak kohë për të dalë në gjyq dhe nuk e di a do të takohemi më! Dua të rrëfehem me ju, kështu të jem i pajtuar në shoqëri para Zotit”. “Shiko Kolec, - më tha, - të gjithë ata që bien martirë janë në Lumturinë e Tij, shoqëria kurrë nuk ka për të harruar për çfarë jeni munduar për të bërë për Fe e Atdhe!”. Në dhomën e vdekjes kupat e gjunjëve m’u dridhën nga të ftohtit, ndaj fillova të lutesha menjëherë: “Uratë, Punët e Pendimit, që Zoti të më falte fajet e jetës.O Zot, pash gjakun e Krishtit, më jep forcë të mos ligështohem! O Zot, më jep rast në këto çaste të fundit…”.
Ata, jo vetëm mbetën të pavdekshëm në historinë e salvimit dhe të martirizimit të kishës katolike, por Dom Dedë Malaj do të qëndrojë përjetësisht si shkëmb i pathyeshëm i alpeve kreshnike dhe i Selcës heroike në tokën shqiptare! Dom Dedë Malaj asht shkëmb, që ka lind prej shkëmbit!



AI ISHTE AGIMI QË PO LINDTE NË SHQIPËRI
Mark Çuni, seminarist


Djali i Ndoc Franos e Dilë Lisnas, lindi në Rranxa të Bushatit -Shkodër, më 30.09.1919. Pas shkollës fillore, kryer në vendlindje, shkollën e mesme e kreu në Shkodër, ndërsa mandej studimet i vazhdoi në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” brenda seminarit, gjë për të cilën eprorët e tij nuk ishin në dijeni. Kur organizata u zbulua nga qeveria, u arrestuan At Fausti e At Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Më pas, seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet. U pushkatua më 4 mars 1946.
Mark Çuni ishte krijuesi, organizatori dhe shpirti i organizatës "Bashkimi Shqiptar". Ka qenë letrar, një ndër katër kryeredaktorët, daktilografistët dhe çiklostilistët e revistës së Seminarit Papnor të Shkodrës "Aurora Consurgens" (“Agimi që po lind”), ku thuajse gjysmën e artikujve e shkruante vetë. Ka qenë një përkthyes i njohur, mjeshtëria e lartë e penës së të cilit dallohet në përkthimin e veprave të Dantes. Prej tij ka mbetur e botuar "Stolia e Ligjëratës", i vetmi krijim letrar që na ka lanë, pasi të tjerat u zhdukën nga komunistët. Shquhet për ndjenja patriotike kundër regjimit fashist, çka e shpreh haptas me grisjen e portretit të diktatorit fashist. Si organizatë paqësore, "Bashkimi Shqiptar" kërkoi rrugë demokratike për realizimin e programit të saj në mbledhjet që organizonte, me traktet që shpërndante, në bisedat e lira me popullin. Në një nga traktat shkruhej: “Masakrat në Shqipëri, komunistët i bëjnë në udhën e Titos dhe Stalinit!”
Mikel Prenushi: “Diktatura komuniste në Shqipëri u sul në radhë të parë kundra klerit katolik, si kleri më i përgatitur, më i kulturuar dhe kundërshtar i hapur kundër çfarëdo lloj diktature dhe çfarëdo lloj forme ateizmi. Atdhetarizmin e tij kleri katolik e ka tregue edhe me këtë luftë të drejtë, kundër atyre që donin t’i mohonin popullit të drejtën më fondamentale, atë të besimit në Zot. Kleri vuri në dukje se bolshevizmi dhe stalinizmi janë një rrezik i madh për kombin, atdheun e familjen shqiptare. Një ndër martirët e parë të kësaj lufte të drejtë, një ndër viktimat e parë të diktaturës komuniste, është dhe i riu 27-vjeçar, seminaristi Mark Çuni, një ndër seminaristët e parë të Kolegjit Saverian që iu kundërvu diktaturës komuniste dhe me gjakun e vet mbrojti idealin fetar, kombëtar e demokratik”.
Mbrojtja që ai u bëri qëllimeve të larta fetare, demokratike e atdhetare të organizatës, i dha emrit të tij një lartësi qiellore dhe të nderuar në qytetin e lindjes.

Hero i qytetërimit të dashurisë:

Sipas dëshmisë së Gjovalin Zezajt: “Në prag të Kreshmëve të vitit 1946, Dega e Sigurimit, që quhej mbrojtja e popullit, ishte në kulmin e veprimtarisë. Proces pas procesi, akuzat më të rënda binin mbi Mark Çunin. Njëherësh me akuzat, mbi trupin e tij, rëndonin gjithnjë e më shumë torturat. “Kur, për të shfryrë inatin se “nuk i rrëfeva mëkatet”, hetuesit më zbritën në katin përdhes e më mbyllën në një banjo të madhe, të ndyrë, primitive, kthyer në vend torture, aty gjeta Mark Çunin. Dёrgjej pa shtrojë e pa mbulojë, i katandisur mos o Zot më keq, me njërin krah të thyer e pa kurrfarë ndihme mjekësore. U mundova ta ndihmoj, si e sa munda, duke ia lidhur krahun e thyer me një copë të ndyrë peshqiri, pashë se trupi i tij ishte i mbuluar me plagë. Buzët i qenë tharë e plasaritur, po unë nuk kisha asnjë pikë ujë që t’ia freskoja… Kur nisi të belbëzonte pak, më tregoi se, në pritje të arrestimit, kishte shkuar tri ditë rresht tek At Dajani. I kishte kërkuar leje për arratisje, po jezuiti nuk e kishte lejuar. Madje, nuk kishte marrë asnjë masë disiplinore kundër tij, siç ishte zakon ndër jezuitë, kur ndokush thyente disiplinën e hekurt. Meshtari kishte menduar se gjithçka do të sqarohej. Ndërkaq, i kishte nisur seminaristët për pushime verore, sepse Kuvendi ishte keq ekonomikisht, duke i porositur ta mbanin lart petkun që kishin veshur dhe duke menduar se me kalimin e kohës në seminar do të kthehej normaliteti, ndonëse e dinte fare mirë se kë kishte përballë... Më pas heshti. U zhytëm të dy në mendime.
Nuk e di sa kohë kaluam ashtu, të tulatur pranë e pranë, kur erdhi “miku i të burgosurve”, Fadil Rakiqi, i cili na lajmëroi se kishin arrestuar një prift italian. Të nesërmen, kur Fadili po më shoqëronte në nevojtore, iu luta të më linte një çast vetëm me klerikun. E ai më çoi nën shkallë, ku pashë një burrë të mbledhur gërmuq. Në fillim, nuk e njoha. Thashë emrin tim, befas dëgjova një zë që më gjegji: “Jam atë Giovanni Fausti”. Po e takoja për herë të parë, sepse unë ndiqja gjimnazin e shtetit. E kishin rrasur aty, për ta depersonalizuar njeriun me personalitet të pathyeshëm! Po ata nuk e njihnin ende. I putha dorën. Ai më bekoi e më përcolli me fjalët: “Fali, o Zot, se nuk dijnë çka bajnë!”- thënë butë-butë, me një shqipe të kulluar. Pas disa ditësh, po aty, nën shkallë, do të takoja atë Daniel Dajanin, 42 vjeç, nga Blinishti i Zadrimës...
Kur mori vesh arrestimin e dy eprorëve, Mark Çuni i harroi dhimbjet e trupit dhe krahun e thyer nga torturat. E brente ndërgjegjja, i dukej sikur ishte përgjegjësi i kësaj katastrofe, pa menduar fare se edhe ai vetë do të zhdukej fizikisht. E kishte parashikuar se kleri do të shkatërrohej dhe, me të, edhe seminari papnor, Kolegji Saverian e të gjitha vlerat që qenë krijuar në atë oazë feje e kulture!”
Mikel Prenushi: “…Mark Çuni qëndroi heroikisht në tortura dhe në gjyq. Ai mori përsipër gjithë veprimtarinë e organizatës, kur e kuptoi se duhej sakrifikuar jeta. Në ato ditë gjyqi, Shkodra mbarë përjetoi ditë ankthi, por njëherazi ndoqi me krenari të heshtur qëndrimin burrëror të atij djaloshi të guximshëm. Ishin pikërisht idealet e larta që mbronte pikëmbështetjet që i jepnin forcë kundër bishave të etura për gjak. Mbrojtja që u bëri idealeve të larta fetare, demokratike e atdhetare të organizatës, e bëri emrin e tij të mbetet i paharrueshëm në popullin e qytetit dhe të rrethit të Shkodrës”.



KRESHNIK I KËNGËVE TË KRESHNIKËVE
Bernardin Palaj

       U lind në Shllak, famulli e Ipeshkvnisë së Shkodrës, më 2 tetor 1894. Teologjinë e kreu në Insbruk-Austri. Ishte një ndër mitologët më të mirë shqiptarë, profesor dhe shkrimtar. Njeri me kulturë dhe dije të gjerë letrare dhe muzikore, qe pianist i shquar. Në 1946 u arrestua dhe vdiq ndër tortura, para se të dënohej, më 8 dhjetor 1947 në Shkodër. E lidhën me tela të ndryshkur, si rrjedhojë, vdiq nga tetanosi.
Bernardin Palaj,së bashku me sivëllain, At Justin Rrotën, i dhuroi kulturës shqiptare një nga brilantet më të shndritshëm: Përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit e të Halilit. Ishte viti 1939 kur përmbledhja “Kangë kreshnikësh e legjenda” pa për herë të parë dritën e shtypit. Botoi shumë shkrime në shtypin klerikal të kohës, posaçërisht në “Hylline Dritës” e në “Zani i Shna Ndout”, por edhe në gazetën “Tomorri”. Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që më 1940. Ka botuar edhe librat "Prej burgut të jetës", "Vorreve të flamurit", "Kuq e zi, "Mite, besime, legjenda" (ribotuar pak vite më parë në Kosovë), "Kanuni i Maleve", etj.
Si shpërblim për të gjitha këto merita, më 1947 u burgos. Pasi u torturua mizorisht, duke e lidhur shtrëngueshëm me tel të ndryshkur, që i hapi plagë vdekjeprurëse, u flak nën shkallët e spitalit të burgut, ku dha shpirt mes dhimbjesh të papërshkrueshme, shkaktuar nga tetanosi, si martir i fesë e dëshmor i lirisë. Ndërsa mbytej e mohohej në atdhe, në mërgatën shqiptare, për krijimtarinë e tij u interesua vazhdimisht Ernest Koliqi, i cili botoi shumë shkrime të tij e për të. Në vitet '30 At Bernardini shikohej si poeti që do të zinte vendin e Atë Fishtës, duke sjellë një frymë të re moderne në letrat shqipe. Poeti Atë Gjergj Fishta, duke parë seriozitetin, talentin, mjeshtërinë, gjuhën e pastër të këtij poeti thotë:
Ky ka talent të madh, e njeh gjuhën shqipe me themel” dhe shton se “ky do të na kalojë të gjithëve”.
Studiuesi prof. Dr. Alfred Çapaliku në veprën “Atë Bernardin Palaj - Jeta dhe Vepra”, thotë se Palaj e heton psikologjinë e shqiptarëve dhe njeh thellësisht popullin, gurrën e pashterur të folklorit, nëpërmjet të cilit spikaten aspiratat e kombit në përgjithësi. Ndërsa për gati gjysmë shekulli veprat e tij u lanë në harresë, u injoruan, u përbuzën, u nëpërkëmbën, me ardhjen e demokracisë, veprat e At Bernardin Palaj filluan të shkruhen e të përmenden.
At Bernardini njihet si muzikant, por njëherazi edhe si autor i teksteve dhe i muzikës së këngëve tash të njohura me përmbajtje patriotike, si: “Flamuri”, “Vaji i bylbylit”, e para e përmbledhur në tetë vargje, ku jepet gjithë historia e popullit shqiptar, ndërsa e dyta i bën jehonë gjendjes së mjeruar të Shqipërisë nën pushtimin fashist. Këto dy këngë, me tekst dhe muzikë të At Bernardinit, u përhapën në tërë Shqipërinë, sidomos në mesin e rinisë shkodrane.
Prof. Dr. Alfred Çapaliku shton se At Bernardini i kishte rënë fyellit qysh në fëmijëri, duke vijuar edhe në adoleshencë, madje kur arriti moshën madhore, u bë i njohur edhe në muzikë, duke marrë pjesë edhe në orkestrën e Liceut “Illyricum” në Shkodër.

Vdekja në qelitë e sigurimit
Luigj Palok Gjergji: “Pas vitit 1944, At Bernardini jetoi sa në Shkodër, aq edhe në Tiranë, ku vinte shpesh për të botuar punimet e tij shkencore në Institutin e Studimeve Shqiptare, me të cilin kishte bashkëpunuar që nga koha e luftës. Punimet e tij shkencore u vlerësuan mjaft edhe pas mbarimit të luftës, madje një nga studiueset më të famshme të Eposit shqiptar, rusja Denisckaja, në një studim të sajin shprehej me superlativa, duke thënë: "At Palaj është njohësi më i thellë i maleve tona".
Mirëpo puna e gjatë kërkimore e studimore, që kishte nisur At Bernardin Palaj në fillim të viteve 1920, nuk mundi të vazhdonte më tej, sepse, ashtu si pjesa më e madhe e klerikëve katolikë, edhe ai u godit nga regjimi komunist. Në datën 22 tetor 1946, një ditë pasi At Bernardini ishte kthyer nga Tirana, ku së toku me disa klerikë të tjerë katolikë ishin thirrur në një takim me diktatorin, atë e arrestuan dhe e mbyllën në njërën prej dhomave të Kuvendit të Françeskanëve, të cilin Sigurimi e kishte kthyer në burg. Gjatë kohës që mbahej i arrestuar, u torturua në mënyrë tё paprinciptё dhe asnjë anëtar i familjes sonë nuk mundi ta takonte dot. Më datën 2 dhjetor të vitit 1946, na lajmëruan që të shkonim tek Kuvendi për ta parë, kështu që shkova unë me nënën, Nushën, Lizën dhe gjyshen. Nuk na lejuan që të futeshim brenda oborrit të Kuvendit, por na hapën paksa portën e jashtme dhe, prej aty, pamë trupin e Bernardinit të plandosur përdhe me veladonin gjithë gjak të ngjitur pas trupit. Njerëzit e Sigurimit na thanë se kishte pasur vdekje natyrale, më pas na dhanë disa plaçka e sende personale krejt të parëndësishme. Në fakt, e vërteta qëndronte krejt ndryshe, pasi vdekja e tij ishte pasojë e torturave çnjerëzore, po ashtu sëmundja e tetanosit e kishte zënë për shkak të telit me gjemba që i kishin lidhur duart. Ne kërkuam që të merrnim kufomën për ta varrosur, por ata nuk na e dhanë e pas disa minutash na përzunë që aty.
Që prej asaj dite, edhe pse u përpoqëm shumë, nuk mësuam asnjë të dhënë se ku e kishin varrosur trupin e tij. Pas pesë vjetësh, u hap fjala se At Bernardinin, së bashku me gjashtë klerikë të tjerë, që i kishin mbytur në tortura, i kishin varrosur në gropën e gëlqeres në rrethinat e Kuvendit Françeskan. Po kështu, krahas këtij lajmi, na thanë se trupi i At Palajt ishte groposur në të njëjtin vend me trupin e Dom Lazër Shantojës, brenda murit rrethues të Kuvendit, megjithëse gjithçka që përflitej ishin hamendësime të njerëzve dashamirës, sepse faktikisht eshtrat e At Bernardinit familja jonë nuk ka mundur t'i gjej edhe sot e kësaj dite!”
Willy Kamsi: “At Benardin Palaj e At Donat Kurti, mbledhës të njohur të folklorit, botuan në “Visaret e Kombit” një vëllim të çmuar me rapsoditë e përmendura të veriut. Ky botim i bëri të njohur jo vetëm në rrethet kulturore shqiptare, por edhe në ato të huaja. Gjithashtu, ata ishin studiues të traditave të trashëguara gojë më gojë prej banorëve të maleve tona kreshnike... Të njëjtës periudhë i përket edhe vrasja e Lek (Aleksandër) Serdanit, mbledhës i fjalëve të urta dhe folklorit shqiptar, të cilin komunistët e mbytën në gropën e ujërave të zeza, së bashku me Dom Pjetër Çunin!”.
Francesco Jacomoni: “Vlen të theksohet se kleri shqiptar ishte i mbrujtur me një kulturë të mirë letrare, të cilën e kishte fituar në netët e gjata të dimrit, nën dritën e dridhjeve të flakës së oxhakut. Të ardhurat qesharake që siguronin kishat, nuk u lejonin priftërinjve luksin të kishin qirinj dhe vajguri. Shembull i gjallë për shpirtin e sakrificës dhe dashurinë ndaj Shqipërisë ishin etërit françeskanë. Përveç Atë Fishtës dhe Arqipeshkvit të Durrësit, dy figura të tjera do të nguliteshin në mendjen time, At Bernardin Palaj dhe kreu i françeskanëve të Shqipërisë, At Harapi. I pari gjendej në thjeshtësinë e ndriçuar të një françeskani dhe poeti, shprehja e gjallë e cilësive më të bukura shqiptare, ndërsa tjetri ishte njeri energjik dhe me karakter të fortë, çka të sillte ndërmend murgjit luftëtarë të Mesjetës!
E varrosën pikërisht në vendin ku e torturuan për vdekje, rrëzë qershisë së konviktit “Malet Tona”.




RROFTË KRISHTI MBRET, RROFTË SHQIPËRIA
Gjelosh Lulashi (laik)


U lind në Shosh -Dukagjin, më 2 shtator 1925. Ishte besimtar i thjeshtë, laik, punonte oficer ushtarak në spitalin e Shkodrës, njëherazi ishte anëtar i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar”. U arrestua dhe pushkatua më 4 mars 1946, së bashku me At Gjon Shllakun, At Giovani Faustin, At Daniel Dajanin. Në çastet e fundit të jetës së tij, mbështetur dhe përkrahur nga shokët e tij heroikë, tha: “I thoni babës të më falë se e kam trazue. Nanës të fala dhe të m’i puthë vllaznit. Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!”.
Rrëfimi i Lulash Sokol Pepsumaj, 45 vite më vonë, përputhet me dëshminë e dhënë nga Gjelosh Lulashi në hetuesi: “Erdhën më pas Prof. Kol Prela, me ndërmjetësinë e të cilit u paraqitëm tek major Ndrekoni, prej andej na dërguan të lirë në Shkodër. Baba dhe bajraktari i Shalës shkuan të takojnë komandantin e përgjithshëm E. Hoxha”.
Falë këtij “pakti” Gjelosh Lulashi filloi punë si nëpunës civil në spitalin e Shkodrës, por në shpirt e në zemër i vlonte urrejtja ndaj komunizmit, jo vetëm si regjim i ri politik, por edhe si ideologji. Që prej vitit 1945 ishte anëtar aktiv i “Bashkimi Demokristian Shqiptar”. Bashkëpunoi ngushtësisht me At Daniel Dajani, At. Faustin, seminaristin Mark Çuni, major Gjelosh Lulin dhe antikomunistin e vendosur, Qerim Sadikun.
Mbi Gjeloshin rëndonin disa akuza, mes të cilave “Tentativë për arratisje” dhe “Për formimin e Partisë Demokristiane” në Shkodër. Meqenëse nuk pranoi të hiqte dorë nga besimi dhe veprimtaria e klerit, duke kundërshtuar kategorikisht t’u dilte si dëshmitar i rremë, ai mori plumbin, kur fëmija e tij në barkun e nënës ishte ndjerë i gjallë.
Gjovalin Zezaj e provoi mbi lëkurën e vet gjyqin e parë kundër klerit katolik, me të cilin niste gjenocidi i madh. Asokohe gati fëmijë, sot me kujtesë ende të fortë, përjeton me të gjitha hollësitë tragjedinë e jetës së tij, por edhe të të dënuarve me vdekje, ndërmjet të cilëve, figura ndër më të spikaturat e klerit katolik, meshtarë, seminaristë e laikë. Ishin laikë, të rinjtë malësorë Qerim Sadik Myftari nga Gucia; Gjelosh Lulash Bajraktari nga Shoshi i Dukagjinit e Fran Mirakaj nga Puka. Më tej kujton, duke sqaruar se dënimi me vdekje për seminaristin Gjergj Bici do të kthehej në burgim të përjetshëm, për Frano Mirakajn, në dënim të mëvonshëm, që do të ishte pushkatimi e zhdukja pa asnjë gjurmë varri.
Kur Gjeloshi shërbente në spitalin ushtarak të Shkodrës, u njoh me të rinjtë e revoltuar nga shenjat e para të gjenocidit mbi popullsinë e, sidomos, mbi të krishterët. I njohu pikërisht kur rrekeshin të krijonin organizatën “Bashkimi Shqiptar”, për t’iu kundërvënë me rrugë paqësore, parlamentare, regjimit që nuk premtonte asgjë të mirë. Ishte një organizim i pavarur seminaristësh e të rinjsh laikë, që, pa dijeninë e eprorëve, shestonin përditë plane në bankat e Seminarit Papnor dhe të gjimnazit të shtetit.
Myfit Q. Bushati: “Gjatë ditëve, deri në vendimin e gjyqit, më rastisi të takohem me martirin Gjelosh Lulashin, ish-shoku im i shkollës kur ishim 20-vjeçarë, një djalë nga malësia e Shoshit, i pashëm, inteligjent dhe shumë guximtar. Nuk e pashë njëherë të mërzitur, por gjithmonë të qeshur dhe me humor. Megjithëse po ndahej përjetë nga prindërit dhe nga rinia e tij, ai asnjëherë nuk u ligështua, nuk mendonte asnjë çast se çfarë fati i zi e priste. Përkundrazi, na jepte kurajë, jo vetëm neve që ishim më të rinj, por edhe dënimet tona ishin të papërfillshme me dënimin e tij. Shpeshherë përsëriste thënien: “Një herë vdesin burrat, më mirë me vdek me nder, se me faqe të zezë”.     
Gjelosh Lulashi, djali i bajraktarit të Shoshit, ishte fort i ri kur doli para gjyqit. Bir i një familje të përmendur për bujari, trimëri e atdhedashuri, ai e donte fort jetën, mirëpo pati forcë ta flijonte atë, duke mbrojtur me një burrëri të denjë për paraardhësit e tij, idealet para një gjykate të padrejtë. I hodhi poshtë me neveri të gjitha akuzat e rreme kundër tij e, sidomos, kundër rregulltarëve, duke i mbrojtur vendosmërisht bindjet e veta politike, aq sa arriti t’i mahniste të pranishmit në sallë. 


NJERI I THJESHTË, PRINC I BESIMIT PARA ZOTIT
Dom Mikel Beltoja

Lindi në Beltojë, më 9 maj 1935. Shkollën fillore dhe disa klasë të shkollës së mesme i kreu në vendlindje. Nga ana filozofike dhe teologjike u përgatit privatisht nga Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba. U shugurua meshtar më 8 dhjetor 1961 dhe, fill pas kësaj, e filloi shërbimin meshtar ndër fshatra, në malësi e qytet, kudo ku iu kërkua nga të parët. Ishte i zellshëm në përmbushjen e misionit, duke folur me një gjuhë të thjeshtë, por bindëse e të përzemërt, i vendosur e gjithnjë përkrah së vërtetës. Pas mbylljes së kishave në mars 1967, pa marrë parasysh ndalimet e regjimit, shkonte nga njëri fshat në tjetrin dhe në mënyrë të veçantë në male, duke ofruar me guxim shërbimin e tij fetar. U arrestua në Beltojë, më 19 prill 1973. Qe torturuar në mënyrë shtazarake, por rezistoi me vendosmëri dhe heroizëm. Për ta detyruar të heshte në sallën gjyqit, pasi e kishin zhveshur, e shpuan disa herë me kunja të nxehtë. U pushkatua më 10 shkurt 1974.
Gjithkush që ra viktimë e tehut të mprehtë të shpatës së diktaturës komuniste, mund të cilësohet me një epitet të veçantë. Pra, njëri martir i rrëfimit, tjetri i pagëzimit, një tjetër i butësisë ungjillore e kështu me radhë. Në këtë ushtri njerëzish të armatosur me rruzare, që meritojnë epitetet më fisnike, Dom Mikeli është ushtari sypatrembur i Krishtit, i cili, gjatë seancave gjyqësore, u doli zot idealeve të tij me një guxim të atillë, që e radhiti në pararojën e atyre pak njerëzve fisnikë, të cilët nga banka e të akuzuarit, u kthyen në akuzues. Meqenëse nuk kishte pasur mundësi të përgatitej në vende të zgjedhura, ku qenë edukuar një pjesë e madhe e meshtarëve katolikë shqiptarë, nuk i dha kulturës shqiptare atë çka i dhanë shumë klerikë të tjerë. Për këtë arsye nuk mund ta radhisim as ndër radhët e poetëve, as të enciklopedistëve, as të publicistëve apo të muzikantëve të shquar, gjithsesi ai meriton një vend nderi ndërmjet klerikëve të mëdhenj të kishës katolike për zellin dhe guximin e tij. Ndjeu thirrjen për rrugën e meshtarisë, kur diçka e tillë konsiderohej plot rreziqe, kur dukej pa të ardhme, kur furra ishte ndezur për të djegur në të, sipas shprehjes së diktatorit: "çdo zakon prapanik e paragjykim fetar", e bashkë me doket e zakonet, edhe ata që do të guxonin t'i mbronin.
Dom Mikeli fillimisht e jetonte, më pas e predikonte Ungjillin. Një bashkëvëlla, që vuajti së bashku me të në birucat e sigurimit, shkruan:
“Çdo njeri asht i përbërë prej trupit e prej shpirtit. Po Dom Mikeli ishte vetëm shpirt. Nuk dinte çka asht fjala e keqe, as mendimi i keq. Mendonte e fliste vetëm mirë e për të mirë, aq sa shumëkush besonte se kishte natyrë tepër fëminore”.
Meshën e tij të fundit e dha në kishën e Barbullushit, të cilën ia mbyllën në vitin 1967, por kjo s'e trembi Dom Mikelin, përkundrazi, ia ndezi edhe më tepër zellin e s' pati gjë që ta ndalonte në shërbimin ndaj Zotit, i cili po kryqëzohej rishtas. Tashti kishë për të ishte gjithë Shqipëria.
Me shtat të lidhur e të fuqishëm, si princ i besimit të vërtetë, s'do të ndjente kurrë lodhje, s'do të pushonte kurrë, do të gjendej ditë e natë në shërbim, ditë e natë pranë njerëzve që kishin nevojë për një fjalë të mirë, për një shpresë, gjithnjë me sakramentet e shenjta fshehur nën veladon, atje ku i rrihte zemra e mirë, sepse ai ishte i vendosur deri në kryqëzim.
Natyrisht, nuk vonuan ta arrestonin. Ishte data 19 prill 1973, kur i vunë prangat. Kaloi gjashtë muaj hetuesie të llahtarshme. Përballoi një gjyq heronjsh. Foli aq hapur kundra diktatorit e diktaturës, sa kriminelët nuk mundën ta përmbanin veten. Nuk pritën të kthehej rishtas në birucën e vdekjes, por iu vërsulën bash në sallën e gjyqit dhe nisën ta torturonin me mjete primitive. Ia bënë trupin vraga-vraga, duke tmerruar të madh e të vogël në sallën e mbushur me njerëz, që i kishin sjellë me detyrim. Ndërsa gjaku i martirit derdhej përdhe, gjykatësit e shndërruan vendimin nga 7 vjet burgim, në dënim me vdekje. U pushkatua më 10 shkurt 1974, kur ishte në lulen e moshës. Njeri i thjeshtë, që u shndërrua i madh para Zotit e para njerëzve, sepse Zotit e njerëzve ia kushtoi gjithë vetveten, deri në flijimin e jetës.
Ato ditë ishte arrestuar edhe gjashtëmbëdhjetëvjeçarja shkodrane, Laura Keçi, që do të ishte fqinjë qelie me Dom Mikelin dhe, në një letër të saj, kishte shkruar këtë dëshmi. Po citojmë disa fragmente nga kujtimet e saj:
“Kur isha ende pa u arrestue, kisha ndigjue se një prift i ri predikonte pa frikë për Jezu Krishtin dhe bante shërbime fetare, prandej edhe e dënuan me vdekje. Populli i Shkodrës u trondit shumë nga ky vendim kundrejt një njeriu të pafajshëm, që me qëndrimin e tij burrnor, ringjalli në opinionin publik edhe njëherë kujtimin e Martirëve të Fesë. Isha 16 vjeç kur u arrestova dhe shprehja e parë që ndijova, porsa më futën në hetuesi, ishte: “Ç’t’i bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë, do ta pushkatoja pa mëshirë me priftin që sonte...”, - dhe më futën në një birucë aty afër tij.
Dom Mikeli ishte i lidhun kambësh e duarsh me zingjirë në birucën e tij, duke pritur vendimin e Tiranës për pushkatim. Gjella, si duket shumë e ngrohët, mbasi nga djegësia e saj ndigjohej britma e priftit, që nuk mund ta kapërdinte. Kur mbyllte gojën, dëgjohej krisma e tasit të aluminit, që rrokullisej nëpër çimento, mbasi ia hidhte fytyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë, që përsëritej gati çdo ditë, ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmet e tija të randa, hapte birucën e Dom Mikelit, e veç kur ndigjohej krisma e kockave të kupës së gjunjëve. Goditjet ishin aq të forta, sa që, betohem, se i kam ndigjue me veshët e mi kockat e Dom Mikelit tue u thye...”.
“Dashuria e Zotit është e përjetshme, drejtësia e njerëzve është e përkohshme… Bashkë me bukën e përditshme, duhet t’i jepni fëmijëve virtytin. Atdheu forcohet prej virtytit të bijve të tij. Devotshmëria e Zotit është devotshmëri ndaj kombit”, - ka thënë Dom Mikeli dhe kur xhelati i burgut shkoi ta merrte për ta pushkatuar e ka gjetur Dom Mikelin në lutjen e fundit, i rënë në gjunjë dhe i shqyen gjymtyrësh.
Mjeku S. Rr. deklaron: “Na shumicën e herës as e dinim i kujt ishte trupi. Na thonin që ishte i një të pushkatuemi... E mbaj mend mirë atë trup të gjymtuem para se të na e sillnin ne... Por nuk e dinim i kujt ishte”.
Monsinjor Zef Simoni: “Dom Mikel Gjergji -Beltoja, mbas torturave të forta, të bëra nga Sigurimi, por edhe në sallën e gjyqit për fjalët e forta që tha, ku e torturoi policia, trupin e zhveshur ia kishin mbushur me vrima me gjak dhe, në fund, e pushkatuan në shkurt të vitit 1974”.
Pa varr, njëlloj si shumë martirë të tjerë, vetëm sepse kishte thënë: “Këtu, në bankën e të akuzuarve, duhej të ishte Enver Hoxha, jo unë!” Pa varr, por në pavdekësi.
Disa dëshmitarë okularë tregojnë se Dom Mikeli ishte një “ushtar” i vërtetë i Krishtit: i guximshëm dhe i zellshëm për çështjen e Hyjit, i vendosur dhe i pa të meta, i gatshëm për gjithçka, veç për t’i shërbyer Krishtit dhe vëllezërve. Për këtë arsye, komunistët e përgjonin dhe e ruanin vazhdimisht. Një ditë, agjentët e Sigurimit hynë në shtëpinë e tij dhe bënë një kontroll të hollësishëm. Morën gjithçka gjetën: petkat e meshës, librat liturgjikë, figurat dhe objektet e tjera të shenjta, më pas i dolën përpara dhe e arrestuan përpara kishës së Beltojës, e cila tashmë ishte kthyer në një qendër kulture dhe e futën me dhunë në makinë. Nga ana tjetër, ai, me qetësi, përshëndeti gjithë të pranishmit që ndodheshin në vendngjarje, mirëpo këta të fundit patën frikë t’i përgjigjeshin dhe e shoqëruan vetëm me sy. Shtëpia e tij u ruajt me roje të armatosura, të cilët, pasi morën gjithçka, mblodhën popullin duke i detyruar që ta akuzonin Dom Mikelin si armik të popullit dhe si reaksionar.




MESHTARI I PARË I MURIT TË GJAKUT
Dom Ndre Zadeja


U lind në Shkodër, më 3 nëntor 1891. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk-Austri. U shugurua meshtar në Shkodër më 24 prill 1916. Njihet si orator i madh, shkrimtar,poet dhe dramaturg. Një nga meshat e tij të para e kremtoi në Shenjtëroren e “Zojës së Këshillit të Mirë” (rrëzë Kalasë së Shkodrës). Shkroi shumë drama. Qe sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës dhe, më vonë, famullitar në famulli të ndryshme të Dioqezës. Ishte meshtari i parë që u pushkatua nga komunistët në Shkodër, të cilët sapo kishin ardhur në pushtet, më 25 mars 1945.
Tepër tronditëse është vdekja, - shkruan Zadeja. - por jo sa e juaja Dom Ndre!”.
Njihet si ndër pesë predikuesit më të mirë të kishës.
“Kanë gri Dom Ndrenë!… Kanë gri Dom Ndrenë!…”, - kalonte gojë më gojë e vesh më vesh fjala kobzezë. - “Kanë gri Dom Ndrenë!” Ishte mëngjesi i 25 marsit 1945 dhe Shkodrës i ishin tronditur themelet. “Kanë gri Dom Ndrenë!… Kanë gri legjendën e kufijve Prekë Calin!… Kanë gri katërmbëdhjetë burra te Muri i Gjakut në Rrëmaji”.
Shqiptarët po shfaronin shqiptarët, ata ma të mirët. Po, shqiptarë ishin edhe ata që tërhiqnin çarkun e marshinave, por mbas tyne kishte qenë ma parë e gjithmonë një dorë serbi që kishte drejtue gishtin: “Të arrestohet…! Të pushkatohet…!”. Gjithmonë një dorë serbi dhe një verbëri komuniste, që mbasi kishte përgjakë Jugun gjatë luftës tue vra bijtë e tij ma të mirë, tashti, të pangopur me gjak, ishin lëshue si bishat mbi Veriun: Ishin brigadat e ndjekjes, komandantat katila, por mbi të gjitha, ishin urdhnat që vinin nga Tirana, apo drejtpërdrejt nga Beogradi. I kanë lanë vetë dëshmitë në proceset gjyqësore që i banë njeni-tjetrit ndër vite, kur, si hienat, u hanin kryet shokëve.
Ja çfarë deklaron Koçi Xoxe në gjyq: “Kur ishim në Shkodër, në janar të vitit 1945, shokët Mehmet Shehu, Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori, Muço Saliu, etj., ishin në dijeni për vrasjet pa gjyq e me gjyq, kanë qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut komandant”1)
“Kanë gri Dom Ndre Zadenë, që, para skuadrës së pushkatimit, u kishte thanë: “Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty?!”.
“Ajo piskamë e pëshpëritur me za të lehtë gojë më gojë e vesh më vesh: “Kanë gri Dom Ndrenë!”, më duket se vjen e mnershme edhe sot e kësaj dite, - thotë poeti Daniel Gazulli, - kur Tirana postkomuniste ban gjithçka me i lanë në harresë ata, Martirët e Kombit”.
Daniel Gazulli: “Tragjedia e poetit të ambëlsisë kishte fillue ndoshta qysh më 16 gusht 1944, gjatë meshës në kishën e Shirokës, ditën e Shën Rrokut, kur Zadeja iu drejtue besimtarëve: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s'keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.

Komunistët nuk do t’ia harronin lehtë fjalët e tij, të cilat, gjatë luftës, futeshin kudo dhe lëshonin kushtrimin për tragjedinë që po i kanosej popullit shqiptar. Ai që, si pak kush, kishte plotësisht të drejtë të thonte para plotonit të pushkatimit: “Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty?!”
Dom Ndreu kompozoi rreth 40 pjesë të ndryshme korale, si:“Offertorium”, “Cor Jezu”, “Tu es Petrus”. Themeloi revistën e njohur “Këmbona e së Dielës”, të cilën e drejtoi si kryeredaktor nga numri i parë më 1938 deri sa plumbi ia vrau lirinë, besimin dhe fjalën. Kjo revistё u mbyll nga censura e egër komuniste në vitin 1954.
Zef Staku: “Më 5 maj 1942, një grup të rinjsh shkodranë, mbas një pune të vështirë, me guxim dhe përpjekje, ia dolën të botojnë numrin e parë të revistës “Zani i Lirisë”, duke i dhuruar atdheut të parin organ antifashist në Shqipëri… Si rrjedhojë, i dërguam një letër Rektorit të Jezuitëve, ku i kërkonim që ta detyronte At Fulvio Cordignanon të tërhiqte publikisht artikullin e tij fyes ndaj shqiptarëve, të botuar në “Revista d’Albania” në mars të vitit 1941… At Ndre Zadeja i drejtoi një “letër të hapur” At Fulvio Cordignanos me 291 vargje 11 rrokësh”.
Më 25 mars 1945, Dom Ndre Zadeja, së bashku me 13 shokë të tjerë, u nxorën nga burgu për t’u çuar drejt vendit të ekzekutimit. Të burgosurit pa përjashtim ishin të frikësuar, ndërsa shokët e tij meshtarë, para se të dilte, i dhanë bekimin nëpërmjet derës së vogël të burgut, para të cilëve Dom Zadeja u gjunjëzua së bashku me të tjerët. Në vendin e ekzekutimit, pas varrezave katolike të Shkodrës, Dom Tom Lacaj iu afrua për t’i dhënë zgjidhjen e fundit të mëkateve. Dom Zadeja e falënderoi me këto fjalë: “Të falënderoj që ke ardhur këtu për të m’i lehtësuar vuajtjet”. Pas pak çastesh, qyteti i Shkodrës dëgjoi krismat e mitralozit që shtrinë përtokë 14 vetë, mes tyre edhe Prek Cali.Seminaristi Mark Çuni i vuri në gji flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenore, për të cilin dha jetën Dom Ndre Zadeja.



PËR TË GJALLË NUK E MOHOJ ZOTIN TIM
At Mark Gjani


U lind në Shën Gjergj tё Dukagjinit, më 10 korrik 1909. Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Xhenova-Itali, ku edhe u shugurua meshtar më 21 mars 1942. U arrestua në vitin 1947 në Kalivar dhe vdiq në Shën Pal të Mirditës, pas torturave çnjerëzore, në vitin 1947. Gjatë torturave i kërkonin të mallkonte Jezu Krishtin, mirëpo ai u kundërpërgjigjej: “Rroftë Jezu Krishti!”, ritual që zgjati disa ditë rresht, derisa vdiq. Fjalët e fundit të Dom Mark Gjanit u rrëfyen me lot në sy nga Nikollë Përndoj nga Kthella e Oroshit, që kishte qenë në të njëjtën qeli me të. “Trupin ia hodhën në një kanal për t’ia shqyer qentë”.
Zef Simoni: “Dom Mark Gjanin, duke e torturuar i kërkonin të mohonte Krishtin. Përkundrazi, Dom Marku fjalët e fundit që tha mes dhimbjeve të padurueshme ishin: “Rroftë Krishti mbret!”. Vdiq i varur për shpatulla, duke ia hedhur trupin qenve të rrugës, flakur në një përrua”.
Më 1945, në qelitë e sigurimit të Mirditës, torturohej mizorisht Dom Mark Gjani. Trupi i lakuriqtë varej për shpatullash, i vënë në një nga provat më të rënda, ndërmjet qiellit e tokës, pa ushqim, pa ujë, i sharë, i pështyrë, i urryer për vdekje. Po ç’kish bërë ky njeri? Asgjë tjetër, përveç faktit se ishte përpjekur të ungjillëzonte zonën e Oroshit të Mirditës, d.m.th. ta lidhte me qytetërimin evropian. Si shkëmbim mori një vdekje të llahtarshme, duke përfunduar në gojën e qenve endacakë. Paradoks i rrallë! Ekzekutorët nuk ishin turq, ishin shqiptarë! Që ia kishin friken edhe hijes. E urrenin deri ne ekstazё, sepse edhe i vdekur i mësonte shqiptarit ç’është në të vërtetë Atdheu, kombi, shteti. Se shteti i përket kombit. Se Shqipëria mund të mbahet në këmbë e të përparojë, vetëm nëse shqiptarët janë shqiptarë me shpirt e jo vetëm me trup. Se nuk e gënjeu kurrë popullin me fjalë të mëdha, herë dykuptimëshe, herë gjysma-fjalësh. Se, si kirurgu i mirë, para se ta përdorte bisturinë, i njohu mirë varrat që rrezikonin jetën e të sëmurit, të cilit i kishte kushtuar gjithë vetveten, në emër të Krishtit, me bindjen se shpirti i shqiptarit duhej edukuar, duke i mësuar njëherë ç’është atdheu, për ta bërë pastaj ta donte me gjithë zemër. I sati katolik ishte që bëhej ushqim për qentë? E, sidomos, kush e kishte radhën...? Çnjerëzore e ndoshta tipike për doket barbare të Lindjes, kjo praktikë synonte të zhdukte çdo gjurmë të njerëzve, që, duke vdekur, nuk mund të torturoheshin më. Ishte hakmarrja e papërligjur e një shteti, që do t’ua kishte hedhur qenve të Shën Palit edhe amshimin. Pikërisht, sepse dritën e amshimit e dronte, para hijes së atyre që vdisnin burrërisht, në emër të tij.
Në këtë botë, gjithçka varet nga mënyra si i shohim njerëzit e ngjarjet. Për komunistët, Dom Mark Gjani ishte i dënuari, i humburi, i zhdukuri pa nam e pa nishan, për kishën, martir, ndërsa pritet të jetë i lumë edhe shenjt!
Ndue Dedaj: “…Dom Mark Gjani shërbeu për disa vite famullitar dhe kapelan i Abacisë në Orosh. U arrestua në vitin 1945 dhe vdiq gjatë seancave të torturave çnjerëzore në burgun e Shën Palit në Mirditë. Trupin ia dërguan në Orosh, për të terrorizuar popullsinë, të cilin e varin të vdekur ndër shpatulla dhe, më pas, trupin ia hedhin qenve të Shën Palit, ndërsa mbeturinat në përrua. Në popull, fundi tragjik i priftit të ri dhe të virtytshëm, nuk kaloi pa lënë gjurmë, për më tepër që ai kishte qenë nxënës i Mjedës dhe mik e bashkëpunëtor i Frano Gjinit. Njihet si një nga dëshmorët e parë të krishterimit pas Luftës së Dytë Botërore. Dom Mark Gjanit, njeriut me shije të hollë artisti në organizimin e procesioneve fetare, i humbi varri, por jo kujtimi. Madje, vitet e fundit, vepra e tij evokohet gjithnjë e më shpesh, si në rastin e përurimit të kishës së restauruar të Ndërfanes nga Imzot Frano Ilia më 1995”.   
Në përurimin e kësaj kishe m’u dha rasti të marr pjesë si gazetar i ATSH-së, e cila u restaurua nga kompania ndërtimore me president, Rita Lacaj, me qendër në Lezhë. Madje, foton që bëra në kodrën e kishës së Geziqit e ruaj si kujtim të rrallë. Në vitet 1190-1216, në Ndërfane u ndërtua një katedrale e madhe dhe e rëndësishme. Gjithashtu, këtu përmenden dy prej emrave të principatës së Arbërit: Dhimitri dhe Progoni, si vena kryesore e zemrës se Bizantit… Aty është gjetur edhe guri i stemës së shtetit të Arbërit, murosur në muret e Abacisë së Ndërfanes.
Gjatë predikimit, në meshën e celebruar me këtë rast, Imzot Frano Illia vlerësoi ringjalljen shpirtërore të mirditorëve, të cilët, ndër male, e ruajtën me forcën e gurit fenë katolike dhe nuk lejuan të shkelte këmbë turku në krahinë. Ai theksoi gjithashtu se në themel të kësaj ringjalljeje të dritësuar mbijetonte edhe gjaku i martirëve të fesë, si Frano Gjini e Mark Plani, por edhe i shumë meshtarëve të tjerë, që me zgjuarsi dhe guxim e ngritën lart emrin e Abacisë së Mirditës.
Monsinjor Illia ndër të tjera tha: “Dom Mark Gjani ishte njeri i devotshëm dhe meshtar i zellshëm. Ndërkohë që po e torturonin, i kërkonin të mallkonte Jezu Krishtin. Sa më fort i binin, aq më fort thërriste me zë të lartë: “Rroftë Jezu Krishti!”. Fjalët e Dom Markut i ka treguar me lot në sy Nikollë Përndoj nga Kthella e Mirditës, i cili ishte i burgosur në të njëjtën qeli e mundte ta shikonte e ta dëgjonte përmes të çarave. Dom Marku është hero i vërtetë i fesë katolike!”
Kur i shkuam për vizitë të parit të fshatit, më kujtohet si sot, kur Monsinjor Illia ndër të tjera tha: “Unë jam mirditor, po, po, jam mirditor. Vërtet kam lindur në Mal-Bardhë, por zakonet, traditat dhe fenë e kemi të përbashkët, prandaj kur më pyesim për origjinën u them se jam mirditor”. Lek Shtija, si i kuvendit, mori gotat e tha: “Qoftë lëvdue Jezu Krishti. Ta pimë një gotë për Monsinjorin dhe për mirditorin…!”.


DOM DEDA NUK I FIRMOSI PLANET E SIGURIMIT
Dom  Ded Plani

U lind në Shkodër, më 21 janar 1889. Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk-Austri. U shugurua meshtar në Primiz -Austri, më 3 gusht 1919. Pas shugurimit të tij meshtarak, u rikthye në atdhe dhe shërbeu si meshtar në Dukagjin, Gimaj, Shalë, Pogun e Rragamit. Ishte njeri zemërmirë dhe i devotshëm. U arrestua në vitin 1947 në Rrenc-Shkodër, me akuzën e veprimtarisë politike kundra sistemit komunist. Përgjatë një viti u hetua dhe u torturua mizorisht, edhe për faktin se nuk firmosi asnjë procesverbal të sajuar nga sigurimi. Vdiq ndër tortura para se të gjykohej, më 30 prill 1948.
 At Konrad Gjolaj: “…torturohej në mënyrë shtazore i shkreti Dedë Plani, që ishte para nesh në qelitë e sigurimit. Kah pranvera e vitit 1949 mora vesh se kishte vdekë në spital pa mundur të ngrihet më!”.
Frano Illia: Ka vdekur “In odium fidei””.
Në procesverbalin e hartuar nga Sigurimi i Shtetit, në të gjitha fletët e dosjes së    meshtarit dukagjinas, nuk gjendej asnjë firmë, çka do të thotë se nuk ka pranuar asnjë    akuzë. Ka pasur edhe një vëlla me emrin Andre, i cili gjithashtu ishte meshtar.


DOM EJËLLI “IN ODIUM FIDEI”
Dom  Ejëll  Deda

Lindi në Shkodër, më 23 shkurt 1917. Studimet e para i kreu në Kolegjin Françeskan, pastaj kaloi në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku studioi edhe teologjinë. U shugurua meshtar më 24 shkurt 1943 në kishën e jezuitëve-Shkodër, pranë meshtarit Dom Mikel Koliqi, ku kremtoi edhe meshën e parë, të nesërmen, më 25 shkurt. Qe famullitar i Bushatit-Shkodër. U arrestua më 12 nëntor 1947 dhe vdiq në burg më 12 maj 1948, “In odium fidei”. Ishte i përshpirtshëm, i zellshëm dhe një meshtar shembullor.
Dom Ejëll Deda kishte “tri faje të rënda”: ishte kundër komunizmit, ishte prift katolik dhe një intelektual i dalluar, shoqëruar me akuzën si bashkëpunëtor i organizatës “Bashkimi Kombëtar”. Gjatë gjyqit deponoi: “Kam kryer tri klasë fillore në lagjen “Ballabane”. Për komunizmin kam dëgjuar fjalë të këqija, aq sa Mehmet Shehu ka pirë gjak njeriu. Kur shteti ndaloi revistat fetare dhe filloi ndjekjen e klerikëve dhe besimtarëve, atëherë fillova t’i kundërvihem Pushtetit Popullor. Nga fundi i muajit qershor, në kishën time erdhën Xhevdeti, së bashku me Vlash Çunin dhe lexuan një gazetë mbi provokacionin grek. Nuk pranova të bëhem pjesëtar i grupit të tyre… Kur në Kuvendin Françeskan u gjetën dokumente e armë të ndryshme, nuk mund t’u besoja syve se mund të ndodhte diçka e tillë, pasi jam më se i bindur se u futën tinëz nga Dega e Brёndshme, me qëllim që të prangosnin priftërinjtë… Kopjen e Enciklikës së Papës, unë e kam patur, por nuk e kam kënduar. Kapitullimin e Italisë fashiste e mirëprita, gjithashtu kam urryer lëvizjen nacional-çlirimtare, madje nuk doja kurrsesi të viheshin në krye të Shqipërisë”.
Pretenca e prokurorit: “Dom Ejëll Deda, klerik, njeri i shitur tek Papa dhe armik i përbetuar i Pushtetit të sotëm Popullor, në fshatin e tij, pikërisht qelën e tij e ka kthyer në çerdhe të mbledhjeve të grupit, i cili formohet në Bushat dhe kryetar është ai vetë, bashkë me Xhevdet Gavoçin. Grupi i armatosur, sipas udhëzimeve të Dom Ejëllit, fillon nga veprimi… Si klerik ka punuar vazhdimisht për të përgatitur terrenin për okupimin e vendit tonë nga fashizmi. Gjatë luftës ka propaganduar kundra Lëvizjes nacional- çlirimtare, duke e paraqitur komunizmin si të pafe, ndërsa komunistët si njerëz që pinë gjak njeriu. Mbas çlirimit të vendit është bërë anëtar i organizatës “Bashkimi Shqiptar”. Ka propaganduar kundra Pushtetit Popullor, si dhe është përpjekur me çdo mjet të sabotojë punën kolektive të fshatarëve…”.
Dom Ejëll Deda u dënua me 10 vjet heqje lirie, por nuk bëri më shumë se dy vjet, pasi torturat çnjerëzore ia morën jetën në moshën e 31 pranverave.
At Zef Pllumi: “…Një ditë, Dom Alfons Tracki na tha se na kishte përgatitur në kolegj dhe na pyeti se ku dëshironim të shkonim: për fretër apo për prift? Ejëlli, që ishte më i madhi ndër ne, por edhe qytetas, sepse gjithë të tjerët ishim malësorë, kërkoi të shkonte për prift. Dom Alfonsi na ndau tre me tre. Ejëll Dedën e dërgoi në Kolegjin Françeskan. Mbas ndonjë viti, ai bëri noviciatin në Troshan me emrin fra Anselm… Prej Seminarit u dërgua në kolegjin Urban në Romë. Kur u kthye në Shqipëri u bë famullitar në Bushat, duke u kthyer në boshtin e jetës së këtij fshati, 15 km larg Shkodrës, i përbërë prej katolikëve e myslimanëve. Për planet kriminale të partisë, ky mund të ishte një njeri i rrezikshëm si të gjithë klerikët katolikë. Ishte i pari që e kishin futur në birucën me numër 5, e cila përdorej si depo. Dom Ejëllin e kishim patur kujdestar në shkollë, ndërsa tani në burg e kishim përgjegjës dhome. Një natë, filloi t’i dhembte dhëmballa, po mjeku nuk erdhi. Kur dhimbjet iu shtuan, dentisti ia shkuli dhëmballën e sëmurë, mirëpo gjaku që i shpërtheu nuk pushoi. E dërguan në spital dhe që prej asaj dite nuk e pamë më”.
Dom Lazër Sheldija: “…Persekutuesit kërkuan ekzekutimin e menjëhershëm të 11 të pandehurve. Më 4 mars 1946, i morën nga burgu dhe i sollën në oborrin e pasmë të varrezave katolike të Shkodrës, ku ishte i pranishëm edhe Dom Ejëll Deda dhe një doktor italian, për të dëshmuar ekzekutimin e tyre. Para pushkatimit, të dënuarit thirrën për lavdinë e Zotit e të Shqipërisë. Ata ranë përtokë nën breshërinë e plumbave, duke përqafuar njëri-tjetrin. Dom Ejëllit iu dha një mundësi e pazakontë, që t’u ndante të ekzekutuarve sakramentin e fundit. Ndërsa vepronte kështu, ai zhyste një copë të madhe pambuku në gjakun e çdo viktime. Sot këtë relike pambuku e ruan ma fanatizëm të madh një prej familjeve më të krishtera të Shkodrës”.
Dom Ejëll Deda u torturua në kishën e Fretërve, të cilën komunistët e kishin kthyer në kasaphanë torturash dhe, si hero, dha jetën për Krishtin!


MARTIR I VËRTETË DHE SHENJT NË JETË
Dom Jak Bushati

Lindi në Shkodër, më 8 gusht 1890. Studimet i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, sikurse edhe filozofinë dhe teologjinë. U shugurua meshtar më 29 maj 1915 dhe për 26 vjet shërbeu në zonën e Mirditës. Qe njeri i respektuar nga të gjithë, për më tepër, ishte i devotshëm dhe i zellshëm. U arrestua në prillin e vitin 1949. Pas shumë torturash, vdiq në burg, më 12 shtator 1949, para se të gjykohej. Është një martir i vërtetë me një jetë të shenjtë.
Fillimisht, pagëzohet nga Dr. Agostino Barbullushi me emrin Giacomo (Jak) dhe regjistrohet në shkollën françeskane. Më vonë, shkoi në Trieste tek i vëllai, Filipi, me qëllim që të vazhdonte studimet për ekonomi-financë, mirëpo Jakut iu përforcua më shumë thirrja për të vazhduar udhën e Zotit e të bëhej prift, kështu që u regjistrua në Seminarin Papnor në Shkodër. Më 1915 mbajti meshën e parë në kishën e seminarit. Mandej emërohet në Abacinë e Mirditës në Ndërfane, një zonë e vështirë ku punoi me devocion e përkushtim të madh, madje arriti të ngrejë edhe dy vepra të rëndësishme: ndërtimin e kishës së Geziqit mbi një kodër të dukshme dhe çeljen e një shkolle shqipe në vitin 1936. Më pas, Dom Jaku u transferua në Kallmet të Lezhës.
Në moshën 59 vjeçare provoi prangat, të cilat ia shtrënguan në kishë. Dom Jaku merrej vazhdimisht në pyetje, si ditën, ashtu edhe natën dhe në qeli kthehej me trup të gjakosur dhe të mavijosur nga torturat. I kërkohej pareshtur të mohonte Krishtin, të pohonte se ishte ngarkuar nga Superiorët e tij të organizonte një revoltë antipopullore. Si dënim e linin varur për ditë të tëra për krahësh. Trupi i tij provoi të gjitha torturat kriminale që mund t’i bëhen një qenieje njerëzore, si gozhdë të skuqura në zjarr, kunja pishe ngulur në thonjtë e gishtërinjve. Duroi i paepur rrahjet me kamxhik deri në përgjakje, por nuk mori nëpër gojë e nuk rëndoi askënd. Në muajt e torturave, i kthyer kockë e lëkurë, nuk i mohoi deri në frymën e fundit idealet e mëdha të Krishtit.
Nard Bushati: “….U lajmëruan familjarët të vinin e ta merrnin kufomën, duke marrë urdhër të mos e çelnin arkëvarrin e tij. Ata treguan se arka ishte shumë e lehtë, pasi trupi i dikurshëm i meshtarit ishte shkrirë nga torturat brutale”.
Imzot Frano Illia: “Akuzohej se kishte lidhje me diversantët dhe për agjitacion e propagandë. Si të gjithë meshtarët e tjerë, ai ishte vetëm një antikomunist i vendosur. Sipas dëshmisë së një ish-diakroni nga Gziqi, sot banues në Spiten Lezhë, është torturuar kaq shumë, sa ata që e panë para vdekjes, nuk e njohën. Vdiq në burg. Është një martir i vërtetë dhe shenjt në jetë!”.



NJË FARË QË VDES JEP SHUMË FRYTE
At Josif Papamihali

Lindi në Elbasan, më 23 shtator 1912. Kur ishte i ri, Arqipeshkvi katolik i ritit bizantin, Pietro Scarpeli, e dërgoi Josif Papamihalin të studionte në Seminarin Pontifikal “Benedikti XI”, në Grotaferrata -Itali, ku dha një shembull shumë të mirë. Në seminar qëndroi pesë vjet, më pas u regjistrua për të vazhduar studimet e mëtejshme për filozofi dhe teologji, të cilat i përfundoi në Kolegjin e Shën Athanasiust nё Romë.
U shugurua prift katolik i ritit bizantin në Romë, nga Bishopo Giovani Mele, në Lungro, më 1 dhjetor 1935. Në Shqipëri erdhi në vitin 1936 dhe u caktua famullitar i Kishës së Shën Pjetrit në Elbasan. U arrestua në vitin 1945, sepse ishte prift katolik i ritit bizantin dhe u dërgua me punë të detyruar në Maliq. I rraskapitur nga lodhja, meqë nuk mund të punonte më, e varrosën të gjallë në kënetën e Maliqit, më 26 tetor 1948. Mbas katër vitesh i vranë edhe vëllanë, Kostaqin, në vitin 1952 në Tiranë. At Papamihali njihte shumë mirë italishten, greqishten, latinishten, frëngjishten dhe gjuhën shqipe.
Ja se çfarë deponon At Josifi më 22 maj 1947: “…Në këtë mbledhje, fjalën e rastit e mbajti i pari Dom Shtjefën Kurti, famullitar i Tiranës, i cili tha: “Meqenëse jemi pranë votimeve, që do të bëhen më 2 dhjetor, jemi mbledhur të këmbejmë mendimet tona mbi qëndrimin që duhet mbajtur me këtë rast. At Troshani e At Meshkalla nuk e aprovuan votimin, sepse konsiderohej pushtet kundër besimit e kundër Zotit. Në bisedë e sipër u tha për një “Parti katolike”, mendim të cilin e përkrahën pothuajse të gjithë, sikur kishte në Itali e gjetkë, madje edhe për ndonjë deputet katolik, i cili të kishte mundësi të merrte pjesë në parlament. Personalisht nuk jam në dijeni për ndonjë “Parti Demokristiane”, që të këtë lidhje me Vatikanin. At Jul Bonatin e kam njohur në vitin 1937, kohë kur erdhi në Vlorë për të parë motrën që e kishte murgeshë dhe njëherazi ishte e sëmurë. Së bashku me të ishte edhe At Pal Dodaj, me të cilët shkuam për darkë tek konsulli italian, Elisoni”.
Ai bëri çfarë tha Jezu Krishti: “Një farë që vdes jep shumë fryte”.
Imzot Zef Simoni: “…Papa Pandit, prift i ritit oriental në Korçë i prenë kokën dhe ia vendosën mbi trupin e tij të vdekur, ndërsa Papa Josifin, i të njëjtit rit, katolik bizantin, e mbytën në kanal në kënetën e Maliqit”.
R. Daberdaku: “Isha fëmijë në moshën 10-vjeçare. Motra ime shërbente si murgeshë në kishën katolike të këtij qyteti, pranë Papa Josifit. Atëherë, ai ishte arrestuar, por mbaj mend se, kur ia merrnin rrobat nga Sigurimi dhe, më vonë, nga burgu i kampit të internimit, ato ishin të përgjakura. Nuk e di pse po enëve të gjellëve u vinte shumë erë e keqe. Më vonë mësuam se në enët që hanin, të burgosurit ishin të detyruar të bënin edhe nevojat personale…”.
 Kur shkruaj këto rreshta më vjen në mendje thënia e një të dënuari: “Çdo gjë kishim mendue, por kurrë s’do të na shkonte në mendje se shqiptari do ta mundonte kështu shqiptarin…!”.
Didier Rance: “…Bashkëvuajtësit e dënimit në kënetën e Maliqit, At Gardin e At Luli, flisnin për të si një njeri guximtar dhe heroik. Më 26 tetor 1958, ndërsa po punonte në kënetë, i ra të fikët nga mundi i tepërt. Shokët u munduan ta ndihmojnë, por roja i ndaloi dhe i urdhëroi ta varrosnin për së gjalli”.
Monsinjor Frano Illia shprehet se Papa Josifi ishte një prift i devotshëm, me një ëmbëlsi dhe mjeshtëri të jashtëzakonshme, një martir i vërtetë i fesë.


KY PUSHTET DUHET TË RRËZOHET
Dom Marin shkurti

        U lind në Samrish, më 1 tetor 1933. Shkollën fillore e kreu në Dajç të Bregut të Bunës, kurse studimet e tjera tek famullitari Pjetër Gruda. U shugurua meshtar në Katedralen e Shkodrës nga Imzot Çoba, më 8 dhjetor 1961. Pas mbylljes së kishave, shërbesën fetare e zhvillonte fshehurazi nëpër fshatra e qytete. Për shkak të situatës së rënduar, kërkoi strehim në Jugosllavi, por u tradhtua dhe iu dorëzua komunistëve shqiptarë, të cilët e pushkatuan në vitin 1969.
Një gjyq “shëmbullor” me krejt familjen Shkurti u inskenua në Dajç, në vatrën e kulturës (në fakt, ishte kisha e dikurshme) në datat 4-5 të muajit mars 1969, ku partia dhe organet e saj të represionit kishin mbledhur fshatarë nga Samrishi, Dajçi, Shirqi, Mushani, Darragjati, por edhe nga Oblika, Muriqani, Belaj, Velipojë, etj. Madje, në dokument thuhet se ishin 700 njerëz dhe nuk i nxinte salla. Katundarët i transportonin me automjete, për të marrë pjesë në gjyq, shumicës për t’iu shtënë frikën, ndërsa një pakicë, për të dëshmuar dhe për të akuzuar këtë familje.
Në radhë të parë ishte prifti Marin Shkurti, pastaj Ndrekë, Jak, Gaspër, Lazër, Prena, Leze, Liza dhe Ruke Shkurti. Marin dhe Ndrekë Shkurti u pushkatuan, kurse pjesëtarët e tjerë të familjes u dënuan me vite të gjata burgimi, si burrat, ashtu edhe gratë.
Don Marin Shkurtin e arratisur, e dorëzuan tradhtisht ata që i premtuan strehim në Jugosllavi, si rrjedhojë akuza për tradhti ndaj kombit rëndoi mbi gjithë familjen, kurse Ndreka akuzohej më shumë për agjitacion dhe propagandë. Të bën përshtypje relacioni i mbushur me gjenocidin e gjyqit për familjen Shkurti, i cili pikësëpari fillonte me akuzën e sabotimit të kolektivizimit, origjinën e pasur të familjes, luftën kundër kolektivizimit, si dhe në brendësi parullat e ndryshme “në kooperativë nuk jetohet”, “... ky pushtet duhet të rrëzohet”, me arratisjen dhe, normalisht, nëse Marini nuk kthehej, akuzat binin mbi Ndrekën. Madje, në relacion thuhet se “me luftën kundër fesë, familja humbi dhe kalanë e fundit”, sepse ishte një familje prifti.


NUK DUHET HARRUAR ÇFARË KA NGJARË
Dom Ndoc Suma


Ndoc Suma u lind në Nënshat, më 31 korrik 1887. Studimet filozofike dhe teologjike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në Insbruk-Austri, bëri edhe dy vite të tjera studim. U shugurua meshtar më 21 shtator 1911 në Kapelën e Kolegjit Saverian. Meshën e parë e kremtoi në Nënshat, më 24 shtator 1911. Shërbeu si famullitar në Kçirë, Koman, Naraç, Laç të Vaut të Dejës dhe në Pistull. Më 8 dhjetor 1946 u arrestua, ndërsa kremtonte Meshën e shenjtë. U akuzua rrejshëm, e pastaj u dënua me 30 vjet burg. Pas një paralize në vitin 1953 dhe, pasi bëri tetë vite burg, u lirua më 27 nëntor 1954. Njihej si një etnograf i madh, i cili kishte mbledhur shumë tregime mitologjike e tradita të vjetra shqiptare. Vdiq më 22 prill 1958.
Dom Ndoc Sumavdiq 2 vjet pasi u lirua nga burgu, i dërmuar nga torturuat e tmerrshme, i akuzuar për faje të paqena, ndër të cilat bashkëpunim me diversantët, të cilët nuk i kishte parë kurrë, në një fshat ku gjithkush e dinte ku mund ta gjente në çdo orë të ditës e të natës. Sepse njerëzit vdesin edhe natën!
“Vetëm kur dola në gjyq, e mora vesh pse më kishin arrestue.Vetëm tashti e mora vesh çka kam ba”, - pati thënë me humor të hidhur, kur u rikthye nga gjyqi në qeli, i dënuar me 30 vjet burgim.
Krishti e kishte vendosur para një sprove të madhe, dukej sikur donte t’i pengonte dashamirët e dijes të dilnin faqebardhë. Madje, të shquheshin mbi të tjerët. Mjafton të kujtojmë Konicën. Për Dom Ndocin jeta e të tjerëve ishte gjithnjë më e rëndësishme se jeta e tij e patrazuar. Kështu, ai u kthye pranë të vetëve, me dëshirën për t’i gdhendur shpirtërisht e mendërisht. E ndjente si detyrim t’u gjendej pranë njerëzve të thjeshtë të fshatit, mundimçarë, me kallo në duar, të kërrusur nga rangët e shtëpisë, nga punët ndër ara e kopshtije, nga vrapimi pas gjedhëve, gjithnjë në ndjekje të çobanёve të barit. Pra, ai u bë bari i barinjve, i atyre që teshat më të mira i ruanin për vdekje. Shkoi mes tyre, si njeri, që dijen e kishte marrë sa në shkollë, aq në majë të gurit të malit e rreth vatrës, mbrëmjeve, ku mblodhi mite e tradita të lashta shqiptare, duke iu kushtuar etnografisë.
Ishte njeri i thjeshtë, i qetë, energjik, me zë tingëllues, si gjithë meshtarët, fliste thjesht, pa gojëtari të zgjedhur, po me zemër në dorë. Mbështetej në Zotin e në popullin, që Ai i lumi ia kishte besuar. Vlerësohej fort nga besimtarët, që e deshën dhe e ndoqën shqetësueshëm në çdo hap. Me thjeshtësinë e tij karakteristike përballoi edhe burgun, i bindur se kjo ishte vullnesa e Zotit, duke mos iu nënshtruar torturave të tmerrshme e të padurueshme, si të tjerët. Si u paralizua në burg, ku kishte ndenjur 8 vjet, e liruan, të shkatërruar fizikisht aq, sa pas pak do të mbyllte sytë, me bindjen se s’kish bërë tjetër veç misionit të tij. Duke na kujtuar kështu, me jetën e vdekjen e tij, se edhe njeriu më i thjeshtë mund të ecë në rrugën e shenjtërisë.
Më 10 nëntor të vitit 2002, kur u hap procesi dioqezan për lumnimin dhe shenjtërimin e 40 martirëve shqiptarë, do të ishte çuditur, po tё kishte mbërritur tё dëgjonte emrin e tij. Tashmë, nuk ishte në listën e të dënuarve me burgim të përjetshëm, por në atë të kandidatëve për nderimet e altarit”. “Vetëm tashti po e marr vesh se ç’ka kam ba!” - do të ketë thënë prej atje nalt, ku sosen të gjitha shtigjet, duke lexuar historinë e jetës së vet, në listën e 40 të lumëve të ardhshëm.
Madje, edhe fjalët, të cilat po i thurim për të, mund t’i duken krejt të tepërta, duke kujtuar i bindur se nuk bëri as më pak e as më shumë se ç’duhej të bënte. Po ne nuk mund të mos e kujtojmë, atë, të 40-tët e të tjerët, me emra e pa emra, sepse nuk mund t’i harrojmë kurrë martirët tanë. “Përvoja e vdekjes dhe e ringjalljes së tyre i përket gjithë Kishës, mbarë botës” - vijon të na kujtojë pasardhësi i Shën Pjetrit, Papa i Lum Vojtila, duke na porositur ta vijojmë reflektimin mbi çka na ngjau gjatë disa dhjetëvjeçarëve të shekullit XX: “Përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një kohe shumë të mjerueshme, të paparë në rrjedhën e historisë… Nuk duhet harruar ç’ka ngjarë…nuk duhet harruar!”, - jehojnë fjalët e të Lumit Gjon Pali II në trojet tona.

QË UNË TË JEM I FUNDIT
Dom Pjetër Çuni

Pjetër Çuni lindi në Shkodër, më 9 korrik 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën “Propaganda Fide” -Romë. U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe -Shkrel. U arrestua pa motive në Rrjoll, më 27 korrik 1948. Mbi të u ushtruan tortura me gjak mbi lekurё, duke e futur për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 26 dhjetor 1948 në Shkodër.
“Më duket se Krishti ka vendosur që unë të jem ndër të fundit!” - Këto ishin fjalët që dolën nga goja e tij pak muaj para se ta pushkatonin. Mund të duket e çuditshme, por meshtari Dom Pjetër Çuni, sikur e kishte parandier se po jetonte ditët e fundit të jetës.
Regjimi komunist u tregua i pamëshirshëm, i luftoi me të gjithë forcën e tij dhe i shpalli armiq të përjetshëm klerikët katolikë. Sot, kur vitet kanë kaluar, ata janë 40 martirët e Kishës Katolike Shqiptare, por procesi i lumturimit të tyre ende s’ka përfunduar dhe qëndron si kryefjalë në Selinë e Shenjtë. Kisha mëmë e pret me gëzim lajmin, që pritet të bëhet realitet vitin që vjen. Por, megjithëse gjërat kanë ndryshuar, në zemrat e familjarëve të 40 martirëve, plagët janë të hapura, pasi pengu i tyre më i madh është mospasja e një varri, ku t’i nderojnë të afërmit e tyre.
Gjovalin Çuni, nipi i meshtarit Dom Pjetër Çuni, tregon për “Ora News” momentin e pushkatimit të xhaxhait, si iu fsheh lajmi familjes dhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve.
“Dom Pjetër Çuni është mbytur me bashkëvllanin e tij, Dom Aleksandër Sirdani. Të dy u kapën nga forcat e sigurimit në vitin 1948. Pasi i hipën në një gomar, shpinë më shpinë, dhe u shëtitën nëpër rrugët e Koplikut, u torturuan, u mbytën në mënyrën më mizore. Më pas, i hodhën në një gropë me fekale, duke i shtyrë me sfurk, derisa u mbytën në gropën e ujërave të zeza”.
Edhe në familjen Çuni, në fshatin Trush, që rastësia i lidh me të njëjtin mbiemër me atë të Dom Pjetrit, përjetohet ende momenti i pushkatimit të Mark Çunit. Motra dhe nipi i tij na rrëfejnë amanetin e fundit para pushkatimit.
Para se të pushkatohej tha: “Krishti asht mbret. I kam dikujt 7 napolona ari. Amanet thoni nanës teme t’ia paguajë” - kujton nipi, ndërsa motra e Mark Çunit thotë se e ëma kishte mësuar për pushkatimin e tij kur ishte në kishë.
Një kushëri i Dom Pjetrit rrëfen: Dom Pjetri kishte kohë që po përgatitej ta pranonte kalvarin e vet. Flisnim për vendime, dënime e pushkatime, që shtoheshin dita-ditës. Jo shumë kohë pas këtij takimi në shtëpinë time, Krishti vendosi ta thërriste për t’i bërë dëshmi. Ishte korriku i vitit 1948. Në fakt, një mëngjes, një i sigurimit e ndali në rrugë duke e pyetur se kush ishte, edhe pse e dinte shumë mirë se kush ishte. Ai e kuptoi se kishte ardhur koha. Atë ditë u nis me biçikletë për në Koplik, kryeqendra e zonës së famullisë së tij. E ndaluan dhe e arrestuan pa asnjë shkak e motiv. E lidhën dhe e çuan në Koplik. Këtu, së bashku me Dom Aleksandër Sirdanin, i lidhën dhe i hipën shpinë mbi shpinë mbi një gomar, duke i shëtitën kështu nëpër gjithë qytetin, ndërsa i fyenin dhe i akuzonin pareshtur”.
At Konrad Gjolaj: “Kur u lirova në shtator të vitit 1949, (mbajtur në burg e torturuar për 11 muaj pa gjyq), mora vesh vdekjen tragjike të Dom Pjetër Çunit dhe Dom Aleksandër Sirdanit, të cilët u mbytën mizorisht në hetuesinë e Koplikut në një gropë të ujërave të zeza. Mizorët, mbasi i kishin hedhur të gjallë, i pyetnin: “Flisni, hë, ku është Krishti, që nuk po ju ndihmon…?!” Dhe aty, të dy martirët dhanë shpirt. Vdekja e tyre heroike është ndër më të shëmtuarat e kryer prej të pashpirtëve komunistë të shek. të 19-të. A thue më beson bota?! Kam frikë se jo! E pra, kjo ka ndodh, dhe zor mund të mendohet se ka ngjarë brenda një kombi, ku njerëzit duhej të thirreshin vëllazën dhe jo bisha!”
   Nga dëshmia e At Anton Lulit (Jezuit, bashkëkohës i Gjon Palit II, i mbijetoi komunizmit dhe bëri një dëshmi në Shën Pjetër me rastin e 50-vjetorit të meshtarisë që festonte me Papën. Vdiq në vitin 1998):
“Në dhomat e Sigurimit torturat morale dhe fizike ishin sa të tmerrshme, aq edhe të padurueshme. Në burgun ku ndodhesha unë, ishin edhe dy meshtarë të tjerë, të cilët i njihja mjaft mirë. Ata u rezistuan vetëm pak ditë torturave. I dëgjoja tek kërkonin ndihmë, kërkonin ujë për të pirë, por askush nuk u jepte. I pari, Dom Aleksandër Sirdani, rezistoi tri ditë. Të dytin, Dom Pjetër Çunin, i ri në moshë, e torturuan me rrymë elektrike. Unë isha i lodhur prej jetës dhe dëshiroja të vdisja. Kur policët më shoqëronin, u thosha se do t’u isha mirënjohës nëse do të më goditnin me një plumb mu në lule të ballit, për t’i dhënë kështu fund vuajtjeve të mia të tmerrshme”.
Dom Pjetrin e masakruan bashkë me Dom Aleksadërin, i cili, duke dhënë shpirt, thirri me të madhe: “Rroftë Krishti mbret… Tek Ai po shkoj!”.

PLUMBIN... SE GUXOI TË PAGËZONTE NJË FËMIJË...
Dom Shtjefën Kurti


Lindi në Ferizaj-Kosovë, më 25 dhjetor 1898. U shugurua meshtar në Romë më 13 maj 1921. Më 1914, Kurti shkoi në Insbruk të Austrisë për të vazhduar studimet për teologji dhe psikologji. Më pas u kthye në Shkup, ku kreu misionin e tij si meshtar, deri në fund të vitit 1929. Në Shqipëri erdhi më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun. U arrestua në Tiranë, më 28 tetor 1946, dhe u dënua me njëzet vjet burg. Pas mbylljes së kishave, u dërgua në Gurëz-Milot, ku u arrestua përsëri më 11 qershor 1970 dhe u dënua me vdekje: “In odium fidei”, sepse pagëzoi një fëmijë. U pushkatua më 20 tetor 1971.
Nga një letër e Dom Shtjefën Kurtit,datë 16.10.1946, drejtuar Atit të Shenjtë!
“Atë shumë i Shenjtë!
Radhët e martirëve shtohen çdo ditë. Në burgje praktikohen tortura të tmerrshme, ndaj të gjithëve pa dallim. Mijëra burra, gra, pleq e fëmijë të zhveshur lakuriq dhe të uritur internohen në kampe përqendrimi, në vendet më të izoluara dhe më të rrezikshme, në shtëpi pa dyer dhe pa dritare, të shtrënguar që të bëjnë punë të rënda, gjithë ditën, vetëm për një copë bukë. Më qëllim që të burgosurit të dobësohen fizikisht dhe të lëngojnë për shkak të shterimit të fuqive dhe të tuberkulozit, me një vendim të kohëve të fundit, familjeve u është ndaluar t’u sjellin ushqime.
Shenjtëri, do të kisha për të të thënë edhe shumë gjëra të tjera, por duhet të kufizohem duke hedhur shpesh e shpejt këto rreshta, prej frikës se mos më kapin duke i shkruar.
Duke u përulur në këmbët e Shenjtërisë Suaj, me përvujtëri kërkoj bekimin Tuaj atëror dhe apostolik për vete, për krejt klerin, për mbarë popullin, me qëllim që të luftojmë, pa e lëshuar veten, për fenë tonë”.
Papritur, në fjalën e tij në prill të vitit 1973, gjatë një takimi me besimtarët e Pulias së Italisë, Papa Gjon Pali VI dha një mesazh për besimtarët shqiptarë, të cilët, në Shqipëri ishin të privuar të kryenin ritet fetare për shkak të regjimit komunist. Shkak i mesazhit të Atit të Shenjtë ishte lajmi i vrasjes së Dom Shtjefën Kurtit, transmetuar nga “RAI” dhe “Radio-Vatikani”, vetëm sepse ai kishte guxuar të pagëzonte fëmijët shqiptarë. Ngjarja u shoqërua me protesta të emigrantëve politikë në botë, ndërsa protesta e prillit të po atij viti, organizuar para selisë së OKB-së, ku morën pjesë mbi 150 protestues, përfundoi me ndërhyrje të dhunshme të policisë. Komiteti “Shqipëria e Lirë” shpërndau një Memorandum për të gjithë emigrantët në botë.
Monsinjor Zef Simoni: “Meshtari Dom Shtjefën Kurti, edhe pse në moshë të thyer, punonte në bujqësi në zonën e Shën Koloit të Bregut të Matës. U arrestua dhe u pushkatua në vitin 1971, i akuzuar për krime të shumta, ndër të tjera si sabotues kundra kooperativës, se ishte agjent i të huajve, se gjoja kishte helmuar puset etj. Të gjitha shpifje. E vërteta ishte se ai kishte bërë një pagëzim.
Festivali XI në Radio-Televizion, me tendencë liberalizmi, ishte një ngjarje që e acaroi ethshëm luftën e klasave në Shqipëri, si pasojë u dënuan shumë vetë. Radiot e huaja dhe “Zëri i Amerikës”, nisën të flasin për tmerret në besim dhe në ekonomi, duke paraqitur gjithashtu edhe vrasjen e Dom Shtjefënit vetëm sepse kishte bërë pagëzimin e një fëmije.
Komunistët i vranë edhe motrën, Shaqe Kurti-Berisha, pasi i kishte rrëfyer gazetarit italian Angelo Montonati jetën e saj dhe të vëllait, Dom Shtjefën Kurti, artikull i cili u botua në prill të vitit 1973 në gazetën “Italian Press”. Në atë kohë, ajo jetonte në Shkupin shqiptar, në ish-Jugosllavi. Bashkëshortin, Zef Berisha, ia kishin vrarë në vitin 1945, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kur vuante dënimin në burgun e Burrelit, Dom Shtjefëni i shkroi motrës një letër me pak rreshta, ku i kërkonte pak ilaçe dhe vitamina. Më 1963, i shkroi një letër të dytë, me anë të së cilës e njoftonte se kishte dalë nga burgu në gjendje të lirë.
Shaqja tregon: “Arrestimi i dytë nuk do të zgjaste shumë. Një ditë, në qytetin e Lezhës, afër lumit Drin, disa policë të Degës e arrestuan Dom Kurtin. Ai kishte shkuar të takonte vëllezërit e besimit të vetë në kishën françeskane, në kodrën e ulët të Lezhës, ndërkohë që policët kishin marrë urdhër ta shkatërronin këtë objekt kulti. Ai shkonte shpesh në këtë kishë, gjithnjë fshehurazi, por kësaj radhe e kishin diktuar dhe e dënuan përsëri me 17 vjet heqje lirie. Para Gjykatës së Milotit ishte dhe meshtari Michael, si dhe një grua fillimisht kishte kaluar në mënyrë klandestine nga Jugosllavia në Vjenë. Nuk ia njoh identitetin, por dëshmia e saj ishte një provë decisive në procesin e kanonizimit të martirëve shqiptarë. Ajo kishte pagëzuar djalin e saj. Gjyqtari e pyeti nëse e kishte pagëzuar atë fëmijë dhe ai u përgjigj: “Unë jam prift dhe është detyra ime me pagëzue dhe me dhënë sakramentet për secilin që ka nevojë”.
Ndër vargjet e elegjisë së Nikoll Mëlyshit,, kushtuar Dom Shtjefën Kurtit, veçuam:
Dom Shtjefën Kurti një plak meshtar
Nuk u thye e as u përkul pa e vu në litar
Prifti një fëmijë paska pagëzue
Fenë e Krishtit mos me e harrue
Nuk iu tremb zemra, as nuk iu tut syri
As nga litari, as nga pushkatimi
Tridhjetë vjet marshina, duke pushkatue priftën
Kanë ardhur dreqnit që patën gozhdue Krishtin!

Dom Shtjefën Kurti ishte ftuar nga qeveria komuniste, që të merrte në dorë drejtimin e Kishës Katolike Shqiptare, e cila, në bazë të një statuti të hartuar prej saj, duhej të deklarohej e shkëputur nga Vatikani dhe se nuk e njihte autoritetin e Selisë së Shenjtë. Ai nuk e pranoi një gjë të tillë, si rrjedhojë, në duar provoi prangat dhe në trup plumbin, ky martir i lumturuar në Shpirtin e Shenjtë!


LUFTOI PËR MENDIMIN DHE VOTËN E LIRË
Fran Mirakaj (laik)


Lindi në Iballë të Pukës, më 13 gusht 1916. Qe blegtor dhe shitës. Ngaqë kishte të afërm e kushërinj jashtë shtetit, u fut në lojën e Sigurimit. Gjykata e Tiranës, e kryesuar nga gjykatësi Frederik Nosi, me Prokuror Nevzat Haznedarin, aprovoi dënimin e shpallur nëShkodër më 22 shkurt 1946. U pushkatua në moshën 29 vjeçare, në shtator të vitit 1946. Në foton e publikuar në Tiranë ai mbante qeleshen e bardhë…
Fran Mirakaj u aktivizua në detyrën konspirative si ndërlidhës i grupit të të rinjve rebelë me krerët nacionalistë, që vijonin rezistencën në arrati. Me Qerim Sadikun, shpërndarës të trakteve të para antikomuniste, i bënin thirrje popullit të mendohej mirë, para se ta hidhte votën në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Pa e kuptuar aspak se liria e mendimit dhe e votës, po pushkatohej në Zall të Kirit, për t’u zhdukur, në shkurt të vitit 1947, me “Grupin e Deputetëve” antikomunistë, që patën fituar në zgjedhjet. Kujtojmë se ndërmjet të rinjve ishte edhe Gjon Shllaku, përkthyesi i mëvonshëm i kryeveprave të letërsisë klasike. Pikërisht ky i fundit e shkroi traktin e parë.
Frani martir, la tre fëmijë, kur jetën ia këputën me lutjen e Jezu Krishtit në gojë.



DËSHMITAR I PATREMBUR I FJALËS SË HYJIT
Vëlla Gjon Pantalia

Martiri shqiptar, rregulltari jezuit, vëllai Gjon Pantalia, shërbëtor i Zotit lindi në Prizren më 2 qershor 1887 në një familje të thjeshtë. Ishte kushëri i Nënë Terezës nga ana e së ëmës. Fëmijërinë e rininë i kaloi duke punuar si çirak në pazarin e Prizrenit. Në vitin 1906, sapo i kishte mbushur 19 vjetët, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve. Noviciatin e bëri në Itali e pikërisht në Soresina, në provincën e Kremonës. Ndonëse eprorët shprehën dëshirën që t’i vijonte studimet për t’u bërë meshtar, Gjoni deshi të mbetej thjesht vëlla-ndihmës, që në Shqipëri njihej me emrin laik ose fratel (vëlla). E, siç ndodh shpesh që më të fundmit bëhen pikëmbështetje për të gjithë bashkësinë në të cilën jetojnë, Fratel Gjoni u bë frymëzues i të gjitha veprimtarive shoqërore e kulturore të Kolegjit, njeri-kyç i Institutit të Jezuitëve të Shkodrës, që mbante emrin e Françesk Saverit e që u shndërrua në fidanishte të meshtarëve, avokatëve, politikanëve e mësuesve të ardhshëm. Kishte një mori detyrash: profesor, këshilltar pedagogjik, shkrimtar, drejtues shpirtëror. Shpëtoi nga arrestimi shumë nga nxënësit e tij shqiptarë, që kërkoheshin në fillim nga ushtritë pushtuese italiane e, më pas, nga ato gjermane.
Gjon Pantalia u përpoq, ndonëse tepër i mbikëqyrur, të shpëtonte objekte me vlerë të Kolegjit e të gjente avokatë që pranonin të mbronin meshtarët e arrestuar gjatë persekutimit të mëpasëm komunist, i cili, nga viti 1945, vuri në shënjestër gjithë bashkësinë katolike, sidomos jezuitët. Por ai s’u tremb, përkundrazi, bëri çmos që veprimtaritë shkollore të vijonin sa më mirë të ishte e mundur, duke e acaruar kështu edhe më shumë regjimin e kuq e ateist. Acarimi kundrejt tij arriti kulmin pas arrestimit të jezuitëve At Gjon Faustit dhe Rektorit të Kolegjit, At Daniel Dajanit, sepse në këtë periudhë, më shumë se kurrë, frateli mbeti përgjegjës moral i Shoqërisë së Jezuitëve në Shqipëri.
Për të shmangur reagimet, u arrestua pa bujë në tetorin e vitit 1946. Gjon Pantalia u torturua mizorisht për besimin në Krisht, sepse ishte rregulltar jezuit, pra katolik e dëshmitar i patrembur i Fjalës së Zotit dhe i vlerave kombëtare. Komunistët e rrahën, e munduan me korrent elektrik, i ngulën spica druri të ndezura ndër thonj, provuan mbi trupin e tij gjithë koleksionin e mjeteve të torturës shpikur nga sigurimi famëkeq i shtetit diktatorial të komunizmit. Më pas, e mbyllën në kuvendin françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, shndërruar në burg. Qelia e tij ishte ngjitur me Kishën, por ai nuk ishte në gjendje t’i gëzohej këtij fakti, sepse ishte shkatërruar fizikisht nga torturat. 
Pavarësisht nga kjo gjendje, provoi të ikte por, i ligsht siç ishte, gjatë përpjekjeve për t’u larguar, ra nga dritarja dhe theu të dyja këmbët. E lanë të vuante, duke i kaluar ditët e fundit të jetës mes dhimbjesh sublime, derisa mbylli sytë si martir më 31 tetor 1947, duke u bërë shkaktar për ta radhitur mes të lumturve martirë-jezuitin shqiptar, vëllain Gjon Pantalinë, i cili dritën  e Krishtit e mori në dritën e syve të tij.
Motër Xhuzepina Radovani: “…Shumë nga martirët dhe shenjtët i kam prek me duart e mia… Një ditë erdhi pa ndjenja në spital rregulltari jezuit, Gjon Pantalia. E bëra gati shpejt shtratin dhe e vendosëm në një dhomë me At Ciprianin. I çova një gotë kos. Më tha me një zë të mekun: “Nuk mundem ta kapërdijë” dhe ra në një gjumë të thellë. I tregova se në krah kishte një shenjt si At Ciprianin, që kishte ardhur më keq se ai. Mos u mërzit se do të njoftoj Dr. Shirokën dhe do t’i shikojë këmbët. Në agoninë e tij vazhdonte të thoshte uratat…”.
Ajo shton: “Në darkë shkova dhe i pashë. Vazhdonte me fjetë në një gjumë të rëndë. Të nesërmen, kur dola në punë në ora 6:30 të mëngjesit, sa hyra në dhomë pashë nga frateli Pantalia. Krahu ishte varur nga shtrati, sytë e hapur me shikim lart dhe kokën nga At Cipriani. Në atë kohë, ai ishte në Parriz… Bana kryq, i mbylla sytë dhe thashë shpejt uratën si e vetmja ndihmë që mund t’i jepja”.
Në komodinën e vogël, Gjon Pantalia, para se të vdiste, kishte bërë kryqin në pluhurin e saj dhe kishte shkruar emrin e tij F. Gjon Pantalia S.J.
At Giacomo Gardin: “…Fratel Pantalia, siç më tregoi At Gjon Karma, pësoi një ferr të vërtetë  mundimesh. Vdiq në spital, mbasi theu këmbët duke u përpjekur të ikte. Ishte një personalitet i jashtëzakonshëm: besnik i plotë i shtëpisë, guximtar, mendjemprehtë dhe shumë i gjallë. E quajtën Dreqi i Shkodrës. Policët bënë të pamundurën për t’i nxjerrë sekretet e jezuitëve, që padyshim ai i njihte”.
Terezina Pali: “Një natë na erdhën në burg disa emisarë jugosllavë. Ishin të veshur me kapica ushtarake në krye. Pranë meje, në një birucë, ishte Fratel Gjon Pantalia, të cilin e dinin se kush ishte dhe e pyetën: “Kako si Pope?!” Ky iu përgjigj diçka sllavisht. Fratel Gjoni më tregoi se i kishte pyetur se kush ishin, por kishte marrë përgjigjen: “Tash po e merr vesh ma vonë!” O Zot, çfarë torturash kanë bërë në trupin tonë! Policët e burgut i zbatonin me përpikëri udhëzimet e jugosllavëve”.
Gjon Pantalia dinte shumë e fliste pak. E hodhën nga kompanjeli i kishës, për t’i veshur akuzën se deshi t’u shpëtonte rojeve dhe të arratisej nga burgu!”

NDËRLIDHËSI I MALIT DHE QYTETIT
Qerim Sadiku (laik)

Lindi në Vuthaj (Shkodër), më 12 shkurt 1919. Ishte anëtar i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” dhe ndërlidhës i forcave antikomuniste mes malit dhe qytetit. U arrestua më 3 dhjetor 1945 dhe i duroi torturat me një guxim të madh. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në grup, bashkë me At Gjon Shllaku, At Giovanni Fausti dhe At Daniel Dajani, më 4 mars 1946. Fjalët e tij të fundit qenë: “I fali ata që kanë mundur të më bëjnë keq. I fali ata që më kanë dënuar me vdekje e ata që po më pushkatojnë”.
Qerim Sadiku i përballoi me durim të jashtëzakonshëm torturat e gjyqin, dënimin me vdekje e pushkatimin. Një breshëri plumbash ia këputi jetën, pasi kishte shqiptuar fjalët e fundit, të protokolluara nga vrasësit. Provë krimi, në procesverbalin e komunistëve, provë shenjtërie, në analet e martirëve të Kishës Katolike.
Për disa vite Qerim Sadiku kishte qenë rreshter në xhandarmërinë e qytetit verior. Kundërshtar i rreptë i komunizmit, bashkëpunoi ngushtë me klerin katolik për lartësimin e identitetit të shqiptarit, për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe në respekt të fesë, sidomos asaj katolike. Mbas 6 muajve të ekzekutimit Zoti i fali fëmijën tjetër.
Prelë Milani: “Papa do të përkulet para 40 martirëve të kishës katolike në Shqipëri. Dukagjini, si askush tjetër i dha Shqipërisë 1/5 e çetës së kryqtarëve martirë. At Gjon Shllaku, At Benardin Palaj, At Ciprian Nika, Dom Lazër Shentoja, Dom Mikel Beltoja, Dom Dedë Plani, Gjelosh Lulashi, Qerim Sadiku. Sa krenari e lumnueshme t’i japësh çetës së kryqtarëve të Shqipërisë 1/5 e martirëve, mbi të cilën lartësohet shtatorja e kishës shqiptare, portretet e të cilëve sot hijeshojnë madhnushëm sheshin ku shqiptarët do presin Papa Françeskun!”.
Kolec Pikolini: “Në mbledhjen tjetër, Mark Shllaku, kishte marrë një lajm prej Ndocit se Kapidani i Mirditёs Mark Gjonmarku është duke përgatitur një thirrje për të gjithë të arratisurit e Veriut. Për herë të parë na ra në dorë një trakt kushtuar terrorit mbi popullsinë, ku thuhej se shoqëritë fetare po shkojnë drejt eliminimit dhe pasuria po konfiskohet. Për herë të parë në shtëpinë e Mark Shllakut u takuam në një mbledhje të ngushtë Qerim Sadiku, unë dhe një i ardhur nga Puka, i dërguari i Ndoc Mirakës. Unë u tregova letrën e të arratisurve të Mirditës. Qerim Sadiku na lajmëroi se është duke u bërë një organizim i fshehtë, ku në program është fushata kundra zgjedhjeve të njëanshme e jo demokratike që komunistët do të organizonin. U mor vendimi që Qerimi të jetë ndërlidhës për Dukagjinin, Mark Shllaku për Pukën e unë për Mirditën. Pikë tjetër e rëndësishme ishte të gjenim elemente të përshtatshëm dhe secili të mbante kontakte me ta personalisht, pa u cilësuar”.
Dhe Pikolini shton: “…Në atë moment, nuk kisha mundësi të shkëmbeja ndonjë fjalë me Qerim Sadikun. Kur Tola po u shërbente rojeve, e pyeta Qerim Sadikun nëse ishim të implikuar ndokund, por ai më tha të vazhdonim, sepse nuk rrezikonim. “Ju vazhdoni pa frikë”, - vijoi ai, në frazën e tij të shkurtër. Një ditë më tha: “Më lër në nevojtore një revole ose një bombë, pa bërë llogari konsekuencat!”, duke harruar se rojet, çdo ditë, në çdo moment i inspektonin nevojtoret, e kinemase “Rozafa” kur ndonjë i arrestuar dilte për të kryer nevojat personale. I tregova shokut, i cili më tha se nëse ndodhte diçka e tillë, atëherë të parët që do të arrestoheshim ishim ne të dy, sepse lëvizjet tona vëzhgoheshin prej Sigurimit. I tregova menjëherë Qerimit, se banjat kontrolloheshin në mënyrë të vazhdueshme prej Sigurimit”.
Jam i vetëdijshëm, se, në rast se do të më jepej mundësia t’i intervistoja të gjithë ata që kanë dhënë dëshmi për njerëz, meshtarë apo ngjarje, të cilat i kanë përjetuar në lëkurën e tyre, me dhimbjen më të thellë do të nxirrja nga miniera e shpirtit që vlon xhevahire rrezatuese në ndriçim të së vërtetës dhe historisë. Po fatkeqësisht, për shumë arsye, diçka e tillë është e pamundur, ndaj rrëfimet janë marrë nga librat e cituar.
Sapo përfundova së lexuari librin e Kolec Pikolinit: “Regjimi i Hienave”, me anë të të cilit lexuesi informohet për atë çfarë ka ngjarë në sytë e tij përballë bajonetës së regjimit, që shponte zemra meshtarësh dhe kundërshtarësh politikë. Në fund të librit ishte adresa dhe numri i telefonit të tij. Kështu më 11 janar 2015 e mora në telefon dhe, pas përshëndetjeve dhe prezantimit, e pyeta për Qerim Sadikun, kapidanin e Mirditës Dr. Mark Gjonmarku dhe për Mark Jak Bajraktarin nga malësia e Lezhës. Ai po nxitonte të shkonte në meshën e së dielës, por me mirësjellje shpenzoi disa minuta me mua, duke më thënë: “Unë kam qenë kino-operator në kinemanë “Rozafa” në Shkodër dhe më është dhënë rasti të njoh shumë njerëz. Për më tepër kam filmuar të gjitha gjyqet e montuara, që janë zhvilluar në këtë kinema. Së bashku me mua punonte Mark Shllaku dhe Tola, që shisnin biletat. Qerim Sadikun e kam njohur personalisht. Njeri i vendosur, aktiv dhe i lidhur fort me “Bashkimin Shqiptar”, organizatë e cila kishte si prioritet të themelonte baza të shëndosha të një opozite dinjitoze, si në të gjitha vendet demokratike perëndimore. Qerimi me burrërinë dhe karakterin e tij të hekurt, na ka shpëtuar dhe na ka lehtësuar nga akuzat, sepse nuk e hapi gojën të dëshmonte ato që donin akuzuesit tanë. Gjithashtu, ai ka shpëtuar edhe shkrimtarin malësor Martin Camaj. Ka bashkëpunuar ngushtë me Gjelosh Lulashin, djalin e bajraktarit të Shalës. Qerimi ka qenë rreshter në kohën e pushtimit gjerman të Shkodrës, por njëkohësisht ishte një ndërlidhës me shtabin e rezistencës që e drejtonte Dr. Mark Gjonmarku. Me vrasjen e kapidanit të Mirditës mbaroi Shqipëria, ajo ra nën thundrën komuniste…
Besëlidhja e Shkodrës” është krijuar në vitin 1944, por vitet kaluan dhe historinë po e deformojnë. Po dalin heronj pa heroizma. Çdo grup që akuzohej nga sigurimi i shtetit, kur dilte në gjyq, duhej të kishte në bankën e të akuzuarve edhe një prift katolik. Kur dola para gjyqit, pyeta priftinDom Lazër Dredha: “Po ju këtu?!” Ndërsa ai më tha se sigurimit i duhet një prift, që ta bëjnë të besueshme akuzën, se gjoja  kisha dhe meshtarët janë tradhtarë të popullit! Gjithsesi, fakti që Qerimi më kërkoi që t’i lija në nevojtoren e kinemasë një revole, ose një bombë, është i vërtetë. Ndoshta, kishte ndërmend të bënte ndonjë atentat. Po ku t’i gjenim revolen dhe bombën?! Vëllanë ma kishin vrarë dhe çdo skutë kontrollohej nga ushtarët para se të vinin të arrestuarit në gjyq, madje me imtësi të madhe. Edhe pse jam në moshë të thyer, po shkruaj një libër tjetër se kam shumë të dhëna, ngjarje dhe fotografi të vlefshme, që do të botohen për herë të parë”.
Këtu e ndërpremë bisedën me premtimin se do ta vazhdonin në ditët në vijim… Kambanat e të dielës kishin rënë!



GJAKU TË QOFTË FALË PËR KOMB TË SHQIPTARIT
At Luigj Palaj (Paliq)

Lindi në Janjevë-Kosovë, më 21 shkurt 1879. Pas shkollës fillore në vendlindje, u transferua në Shqipëri, ku hyri në familjen rregulltare të Fretërve Minorë, në Kuvendin e Troshanit-Lezhë, ku bëri edhe noviciatin. Studimet filozofike i vazhdoi në Itali gjatë viteve 1896-1901.U shugurua meshtar më 21.09.1901. Pas shugurimit shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit, si edhe në Shenjtëroren e Shën Antonit në Gjakovë, në Arqipeshkvinë Shkup-Prizren. Ndërroi emër nga Mati në Luigj, sepse ishte shumë i prekur nga jeta e Shën Luigj Gonzagës. Pas shugurimit, qëndroi edhe dy vite të tjera në Romë për studime pasuniversitare. Gjatë viteve 1905-1907 qe famullitar në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Gjatë viteve 1907-1912 u emërua Rektor i Shenjtërores së Shën Antonit të Gjakovës -Kosovë.
Më 5 mars 1913, u nis nga Gllogjani drejt Gjakovës, mirëpo gjatë udhëtimit ndalohet nga xhandarët dhe burgoset, mbahet dy ditë i lidhur me rreth 300 persona të tjerë, të cilët kishin kundërshtuar të konvertoheshin në fenë ortodokse të pushtuesit. Pas dy ditësh qëndrimi në burg, ku ishte rrahur e keqtrajtuar në mënyrë mizore, duke i kërkuar të konvertohej me çdo kusht, gjë që e kishte kundërshtuar në çdo mënyrë, më 7 mars të vitit 1913, At Luigjin, së bashku me 80 të burgosur të tjerë, i morën dhe i nisën për në burgun e Pejës të lidhur dy nga dy. At Luigji ishte i lidhur me Rexhep Sylën (shqiptar i besimit mysliman). Gjatë rrugëtimit, duke ecur të zhveshur e të zbathur nëpër acarin e madh, xhandarët i godisnin dhe i rrihnin pa mëshirë me të njëjtin motiv: “Të pranonin fenë ortodokse”.
O vllazën shyptarë! Të gjithë një ditë kemi me vdekë, prandaj mos t’i biem mohit fesë së të parëve!"
  Mirëpo, sa herë përsëriste këto fjalë, At Luigji fshikullohej nga kamxhiku i xhandarëve që e shoqëronin. Frati i kishës së Gllogjanit në Lugun e Baranit rrinte prore pranë grigjës së tij, duke e forcuar shpirtërisht dhe duke i dhënë zemër që t'i përballojë rrebeshet e pushtuesit të huaj, për t'i qëndruar kësisoj besnik fesë së të parëve. Pasi e keqtrajtuan për dy ditë rresht në burgun e Gjakovës (më 5-6 mars 1913), pasi duroi përbuzjen, fyerjen dhe poshtërimin, pa u ligështuar asnjë çast, e vunë përpara me të tjerët, të lidhur dy nga dy, dhe e nisën drejt Pejës. Kur mbërritën në Janosh, e ndanë nga grupi i madh, vetë të shtatin, ia zhveshën zhgunin dhe e detyruan të ecte zbathur nëpër acar të madh, derisa të "pendohej" dhe të flakte fenë e tij katolike. Por At Luigji qëndronte sypatrembur, rrëzohej dhe çohej, duke iu lutur gjithnjë Jezu Krishtit dhe, si shërbëtor i devotshëm i Shën Françeskut, mblidhte forcën e fundit dhe refuzonte me përbuzje kërkesën e malazezëve. Së fundi, provuan ta thyenin me prerjen e dy gishtërinjve të dorës së djathtë, që të mos mund të bënte kryq me pesë gishtërinjtë, po me tre, dhe tek e mbrama xhelatët ia morën shpirtin duke e masakruar me bajonetë. Kurse autoritetet malazeze njoftonin se ky "kriminel" kishte provuar të ikte. Këso shpjegimesh jepeshin për të gjithë shqiptarët e burgosur që i vrisnin rrugës. 
…Kur trupi i tij u nxor nga varri, doli se ishte masakruar me bajonetë dhe se në trupin e tij nuk u gjetën plagë plumbi. Dhe, meqë pala malazeze këmbëngulte në versionin e saj të vrasjes, përkatësisht në ekspertizën e dy mjekëve malazezë dhe një mjeku serb, nënkonsulli Pecel u largua nga Gjakova në shenjë proteste. 
... Në Gllogjan të Pejës, u mbajt akademia përkujtimore, në 100 vjetorin e martirizimit të At Luigj Palajt, fratit nga Janjeva, i cili shërbeu në Gllogjan dhe u martirizua për fe e atdhe në Janosh të Gjakovës. Akademia përkujtimore u mbajt më 10 mars 2013, në kishën “Shën Ndou” të Gllogjanit, vepër e ndërtuar në përkujtim të martirizimit të At Luigjit. Meshën e shenjtë, kushtuar fratit të keqtrajtuar, e mbajti At Ndue Kajtazi. Gjithashtu, këtë akademi përkujtimore e përshëndetën edhe prifti i famullisë Dom Marjan Ukë Ukaj, kryetari i komunës së Pejës, Dr. Ali Berisha, kryetari i PSHDK-së, Dr. Ukë Berisha. Gjatë evenimentit fetar dhe kombëtar kumtuan njohësit e veprës dhe jetës së meshtarit hero të krishterimit, Prof. Dr. Lush Culaj, historiani Arben Arifi, shkrimtari i njohur Prend Buzhala dhe Adrian Kamberi. Manifestimin kulturor-artistik e përcolli kori i kishës dhe fëmijët me recitime të ndryshme. Në fund, u zbulua lapidari i ndërtuar në oborrin e kishës nga komuna e Pejës, kushtuar këtij martiri të fesë dhe kombit, falë të cilit shqiptarët shpëtuan nga regjimi i atëhershëm serbo-malazez. Manifestimi madhështor i organizuar nga famullia e Gllogjanit, u përmbyll me një koktej rasti tradicional.
Më 12 qershor 2012, për nder të Ditës së Lirisë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori vendim për të dekoruar një numër personalitetesh të vendit dhe ndërkombëtarë. Në mes tyre ishte edhe At Luigj Palaj, i cili u dekorua me:“Urdhrin e Lirisë!”
Dr. Zekeria Cana: “Në Janosh, në skaj të rrugës është një shenjtore e quajtur "Kryqi i Fratit". Ata që kalojnë aty pari mund të ndalen pak, të mendohen e kujtohen për të mësuar si vdiset për fe e atdhe. Vëllazëria jonë shqiptare nuk do të përtojë të heqë pak mundim për të dalë në Karashëngjergj të Hasit dhe për t'u përkulur para dy varreve të dy martirëve të fetarisë dhe shqiptarisë, Patёr Luigj Palajt dhe At Shtjefën Gjeçovit”.
Kujtdo që lexon këto radhë i sillen ndërmend vargjet e Fishtës, kushtuar At Luigj Paliq, vrarë prej serbëve:
Prandaj, o Zot prej qiellet
Ti priri sytë mbi ne
E ban që puna të kthjellet
Si asht mirë për Atdhe e për Fe
E gjaku i këtij meshtarit
Të qoftë falë për komb të shqiptarit!
Edhe pse i lidhur në pranga, ai porosiste: “Vëllazën, hiqni keq e mos ndërroni fe”! Pastaj, sa më tepër shfrenin torturuesit me të rrahura, ai vazhdonte të lutej e të thoshte: “Kurr e kurr s’i bie mohit fesë së të parëve të mi! O Krisht, gjithçka hjeksha, voftë për hatër tënd! ”. Në këtë mënyrë, deri në fund vazhdoi t’i trimërojë vëllezërit e vetë me fjalët: “Burra, na do të vdesim një ditë, pra të vdesim me gajret e mos t’i biem mohit fesë së të parëve tanë, fesë katolike! Qëndroni trimërisht si besimtarë shqiptarë, mos t’ju dhimbset ky korp qi sot o nesër do të bëhet gjellë krimbash e pluhur toket! Vëllezër, hiqni keq, e mos ndërroni fe!”
Edith Durham: “…Nga Gjakova vinin lajme se At Paliqin, një françeskan të cilin e kisha takuar në vitin 1908, e kishin vrarë me bajonetë, sepse nuk kishte pranuar të bënte kryq sipas mënyrës ortodokse. Hollësitë e vrasjes së tij, të cilat jepeshin si nga myslimanët, ashtu edhe nga katolikët, qeveria malazeze i mohoi. Austria këmbëngulte në shqyrtimin e çështjes, sepse, si katolik, ai ishte nën mbrojtjen e saj. Kjo gjë u bë nga një komision, të cilin e drejtonte peshkop Mjeda. Trupi i At Paliqit u nxor nga varri dhe u vërtetua se ai ishte vrarë me bajonetë dhe në trupin e tij nuk gjetën gjurmë plumbi. Kështu, trillimi i malazezëve se ai ishte vrarë në përpjekje për të ikur, mbeti e pabazuar… Kjo çështje u shqyrtua me rrënjë e me degë, por sllavët vazhdonin të çirreshin “Vdekje shqiptarëve!”.
Duke mbyllur këto radhë, vizatuar në muret e dhimbjes sublime, historia e të cilëve është shkruar me currila gjaku, më vjen ndërmend një fjalë e kapidanit të fundit të Sarajave të Oroshit, Ded Gjonmarku, ish-i burgosur politik:“Burgu nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ai është danga më e pashërueshme në kurriz të njeriut që mendonte ndryshe për Shqipërinë demokratike dhe në rrobën e fesë. Më kujtohen shumë fakte, por po ju them njërën nga këto: “Në burg kishin pre një lopë gati të coftë, zorrët ia kishin hedhur në plehra. Një zagar tërhiqte nga njëra anë zorrën e lopës dhe nga ana tjetër një i burgosur, të cilin e kishte pllakosur uria. Tërhiq njeri e tërhiq tjetri dhe më në fund fitoi zagari i repartit…!”


Faqe e re- si te bjeri

XIXËLLONJA DËSHMIE ME DRITË TË SHENJTË

Nga dëshmia e Imzot Frano Illisë (U mbijetoi përndjekjeve, sepse dënimi i tij me vdekje, së bashku me At Giovanni Faustin dhe At Daniel Dajanin, iu kthye në burg të përjetshëm dhe punë të detyruar. U emërua Ipeshkëv i Shkodrës dhe u shugurua nga Papa Gjon Pali II gjatë vizitës së Tij në Shqipëri më 25 prill 1993. Vdiq në vitin 1998).
“Ishim kaq të lodhur, kaq të dobësuar dhe kishim kaq shumë vuajtje materiale e shpirtërore, sa tashmë, gjatë marrjes në pyetje, nuk dinim më ç’të thonim. Ishim të detyruar të përgjigjeshim: “Po, po, mirë!”. Pranonim me sy mbyllur atë që ata thonin. Gjykatësi, emri i të cilit nuk më kujtohet, ishte një njeri shumë arrogant dhe i ashpër. Na fuste frikën dhe bërtiste me të madhe: “Ju jeni armiq të popullit!” Thonin se ishim spiunë të Vatikanit. Me këto akuza më dënuan me vdekje”.
Atë Zef Pllumi (Lindi në Lezhë në vitin 1924 dhe vdiq në vitin 2007. Njeri me kulturë të gjerë, u mbijetoi përndjekjeve pasi bëri 25 vjet burg dhe punë të detyruar).
“Me rastin e Pashkëve të vitit 1949, në qelinë time nr.7 ndodhi një ngjarje tejet e gëzueshme. Krishti erdhi për të na forcuar në fe! Ja çfarë ndodhi: At Leon Kabashi, frat minor, i kërkoi një palë papuçe të motrës, Rozës, e cila kishte ardhur për ta takuar. Mundi t’i thoshte: “Përpiqu që në papuçe të na futësh dhuratën e Pashkëve!”. Policët dhe spiunët që i dëgjuan këto fjalë, nuk e kuptuan se po i kërkonte të motrës oste të shuguruara për kungim. Për Pashkë At Leoni arriti ta takonte Rozën, e cila i solli papuçet. I hapëm fshehtas: brenda tyre ndodhej një kuti me 50 oste! Rashë në gjunjë. M’u kujtua Shën Tarcizi, martir i kungimit në kohën e katakombeve… O Qengji i Hyjit, Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne! Po përsëriteshin në shek. XX po ato skena që kishin ndodhur në katakombet romake”.
 At Konrad Gjolaj, që bëri 25 vjet burg bedenave të telit me gjemba: “…Një ditë, Loro Vata, më tregoi se kishte pasur rastin të bisedonte me një polic, i cili kishte ruajtur të internuarit. Atje ishte i dënuar edhe një prift. Sigurisht polici kishte atë mendim dhe përshtypje që dihet për klerikët. Prifti kujdesej dhe ushqente derrat e burgut. “Një ditë prifti qe duke na ngordh urie” - tregon gardiani, - “Merrte bukën në dorë dhe dilte tek porta e kampit dhe ua jepte fëmijëve që lypnin, ca fëmijëve të varfër e leckamanë. U jepte edhe racionin e vet dhe gjithë ditën nuk kishte çfarë të hante. Kur merrte kovat me ushqim për derrat më thoshte: “A mundem me e marrë një copë buke prej derrave sa për vete?!” Ore, si nuk prekte një copë bukë pa lejen time?! Unë i kujtoja tjetër njerëz priftërinjtë, sepse nuk m’i kishte shpjeguar njeri kështu. Ai gati vdiq duke i dhënë racionin e tij lypsarëve. Ndoshta e ke njohur, se ishte nga Shkodra, quhej Ferdinad Pali!”
Lekë Shtija: “…Natyra donte të thoshte: “Mos e vrisni pafajësinë!”. Njëri nga të pushkatuarit ra i gjallë në gropën-varr dhe, kur po e mbulonin me baltë, thirri me zë të lartë: “Na vrisni burra, mos na mbuloni të gjallë!” Gjithçka ndodhi në prezencë të 300 mirditorëve të mbledhur me forcë për të parë masakrën e ndodhur më 17 gusht 1949… Gruaja e një të pushkatuari ishte shtatzënë, kur e internuan në një kazermë me 200 të internuar me “përbërje të keqe politike”. Dhjetëra gra mirditore e rrethuan gruan që po lindte me fustanet e tyre të bardha, të cilat i hapën si krahë pëllumbi, duke improvizuar një dhomë lindje. Lindi djalë dhe e pagëzuan me emrin Gjokë!”.
Studiuesi i fotografisë Agim Musta në librin e tij “Burgjet e shtetit-burg” shkruan: “Për motive politike u ekzekutuan 5037 burra e 450 gra, u dënuan me burgime 20788 burra e 7367 gra, u internuan 48217 burra e 10792 gra, u dëbuan nga qytetet e zonave kufitare 11536 familje. Të njëjtin fat pësuan qindra shtetas të huaj, prej të cilëve u pushkatuan e vdiqën nëpër burgjet e diktaturës së qeverisë komuniste shqiptare 64 vetë, mes tyre klerikë dhe intelektualë si Torenco Tocci, i cili kishte botuar gazetën “Taraboshi” në vitin 1913. U dënuan me burgim 1215 burra e 38 gra. Po ashtu u pushkatuan 950 kosovarë që ndodheshin me punë në Shqipëri dhe mijëra të tjerë u kalbën nëpër burgje e moçale”. Në atë periudhë Shqipëria kishte 100 burgje, ndër të cilat 27 ishin në Shkodër.
Giakomo (Jak) Gardin, jezuiti italian që bëri burg në Shqipëri (1945-1955) dëshmon: “…Të nesërmen më transferuan në një nga burgjet e shumta të hapura me ngut në qytetin e Shkodrës. Përflitej se ishin diku tek 30 burgje. Në Shkodër kishin ardhur 1400 të burgosur nga Tirana, Elbasani dhe Durrësi. Si rrjedhojë, filloi fjetja përtokë, vuajtja nga insektet, ankthi i pyetjeve, ulërima e të torturuarve, shtrydhjet e pafund të ndërgjegjes vetjake për të zbuluar fajet e pabëra, vetmimi, kërcënimet, sharja, mundimet për të nxjerrë ndonjë sekret, pëshpëritja e të burgosurve për procese, dënime e pushkatime. Ishte një fund ferri me të ba me e deshirue vdekjen si një çlirim, deri në tundim të vetëvrasjes, nëse prangat do ta kishin lejuar. Racioni i ushqimit bukë gruni e ujë druni, si thuhej ndër të burgosurit, vetëm se buka në të shumtën ishte bukë misri e gatuar si mos më keq… Burgu i parë ishte një dhomë e vogël me dritare e dyer të ndryme. Mbi dysheme, dukeshin mbeturinat e atij që kishte qenë para meje: ndyrësira gjithkah dhe enë me të dala njeriu. Në një qoshe më pak të ndyrë, ishin grumbulluar ca njerëz të heshtur. Më kujtohet se ndër ta ishte dhe një ushtar gjerman, i cili, i dëshpëruar, i binte derës së qelisë, mirëpo vetëm në mëngjes dhe në darkë lejohej me shkue e me zbraz enët e ndyra. Edhe në dhomën tonë enët ishin plot e përplot. Kur rojet, nga mërzia dhe këmbëngulja, vendosnin ta hapnin derën, zakonisht zbraznin një batare shqelmash mbi fatkeqin, mjafton që ai ta kryente nevojën... Në burgun e Bedenit me mua ishin 29 meshtarë!
Çdo dhomë mund të nxinte të shtrirë përtokë, në katër rreshta, 40-60 njerëz. Natën, sidomos në kohën e grumbullimit më të madh, dukej si një qilim trupash e një pështjellim këmbësh të kryqëzuara, ku rrinin në pritë një koloni parazitësh. Në oborr, në katin e poshtëm, ishin nevojtoret të vendosura në një rruginë pa dritare, pa ujë, me pesë apo gjashtë vende allaturka, d.m.th. biruca të thjeshta në dysheme, të cilat dërgonin ndyrësirat drejt e në hendek, prandaj era e qelbësirës ishte e padurueshme... Në anë të oborrit, nën shkallë, dy biruca shërbenin si banja, po ashtu me ndëshkue të padëgjueshmit, duke i rrahur me shkop ose duke iu lëshuar kova me ujë të ftohtë, ose duke i detyruar të qëndronin gjithë natën me krye të ulur nën shkallë e me këmbët e zhytura në ujë deri në gjunjë, ndëshkim të cilin edhe unë e kam provuar… Ambienti ishte krejtësisht i fëlliqur nga parazitët: çimka e pleshta, por ma të tërbuarit ishin morrat!”.
At Gardin përfaqësoi Superiorin e Përgjithshëm të Jezuitëve, Peter Hans Kolvenbach në Konferencën Ekumenike, kushtuar përkujtimit të 40-vjetorit të salvimit fetar në Shqipëri, organizuar nga Instituti Katolik “Daniel Dajani” më 13-14 prill 1985, në San Francisko, Kaliforni të ShBA-së, me moderator Prof. Gjon Sinishtaj, njëherësh redaktor i librit “Dhjetë vjet burg në Shqipëri!” i shkruar nga meshtari italian Gardin. Gjatë konferencës, në referatin e tij, Gardin, ndër të tjera tha: “…Si sot edhe ndër kohëra të kaluara, e sidomos të katakombeve, misteret e fesë kryheshin mbi rrasat e vorreve që ruanin eshtrat e të rënëve për fe. Zakon i bukur plot vështrim. E njëmend flijimi që kreu Krishti në Kryq për rilindjen e njerëzimit u përtëri aty mbi ato rrasa, aty u përziente me gjakun e martirëve, për të pohuar se shëlbimi vjen prej dy palëve, e se vuajtjet e Krishtit plotësohen me mundimet e ndjekësve të tij…Nuk do të ishte e drejtë për mua të harroja shokët, që humbën jetën në ato fusha të kampeve të punës e të shfarosjes, por edhe shokë të tjerë, që, pas pushkatimit, i rrokullisnin si stërvina nëpër gropa, njërin mbi tjetrin, pa asnjë shenj fetar, pa asnjë lule, sa për të ditur ku me shkue e me u lutë për ata që shtinë në dorë kurorën e martirizimit. Tëkemi duresë! - ështëzë që nuk i përket atyre që janë në lumni, por atyre që janë gjallë me u bashkue me përkujtue, krenar para Zotit, viktimat e salvimit!”
Sami Repishti, ish i burgosur politik në Shqipëri 1946-56, tani në SHBA, dëshmon:… Asnjëherë gjatë atyre viteve të gjata nuk m’u lëkund bindja, as u trondit vendosmëria ime me vuajt së bashku me polemin e kryqëzuar, ashtu si nana ime. Sepse në kalvarin e vuajtjes, unë, i burgosuri, shikoja mbarë një popull shqiptar, që kishte marrë rrugën e kodrinës së Golgotës. Shikoja rreth e rrotull atdheun tim, masat e kryqëzuara pa faj, vargje të pafund vuajtjesh të pamerituara, sikur të kishim gjuajtur vetë Zeusin me gurë! …Shenjtëria, pa dyshim, duhet të ketë kaluar nëpër të njëjtat shtigje të vështira e heroizmi të njëmendë!... Këto mostra me fytyrë njeriu, përfaqësonin tipin e ri të kriminelit komunist, gjakpirës, që planifikon dhe e ekzekuton krimin me gjakftohtësi. Për hir të karrierës, këta kriminelë ordinerë merrnin iniciativën e veprimit në qelitë e errëta të burgut, larg syve të botës e ekzekutonin me dorën e tyre, viktimën pa mbrojtje. Ishin bisha të egra, bisha të egra…!”.
Tom Leci i burgosur politik: “Kur e pyeta njëherë Hafiz Dërgutin se përse të torturojnë kaq shumë, e çka kërkojnë prej teje?”, ai m’u përgjigj: “Kërkojnë dëshmi për priftërinj, me qëllim që me na përça nesër e me tregue se i pushkatuem meshtarët katolikë sipas dëshmisë së hoxhallarëve. Ju kam thënë se unë këtë punë nuk e bëj, më vrisni e bani ç’ka të doni”.
Pandi Kristo pohon në gjyq se: “Ato Llesh-rat e Preng-at i kemi vrarë faj e pafaj, vetëm sepse kanë qenë katolikë!...”.
Në fund të vitit 1946 nga Shqipëria u larguan 85 meshtarë katolikë të huaj, që vepronin kryesisht në Shkodër dhe në zonat e thella të Veriut të vendit, nga të cilët 80 ishin me kombësi italiane. Pati prej meshtarëve gjermanë dhe italianë, të cilët u pushkatuan ose vuajtën dënimin nëpër burgjet dhe moçalishtet e ferrit.
Dom David Xhuxha: “Në dhjetor 1944, u mbyllën tri tipografitë katolike: e jezuitëve, e françeskanëve dhe “Skënderbeg”, si dhe pesë revista. Ndërmjet qershorit dhe dhjetorit u mbyllën të gjitha shkollat katolike në Shqipëri. Në Shkodër filluan arrestimet e meshtarëve, katolikëve dhe laikëve. Forcat ushtarake komuniste ushtronin kontrolle të rrepta në institucionet katolike. Gjatë këtyre kontrolleve u shkatërruan dhe u bastisën muzeumet dhe bibliotekat e jezuitëve dhe françeskanëve, u thyen terrakotat arkeologjike, u zhdukën skedarët dhe u dhunuan vorrezat. Pothuajse të gjithë librat e bibliotekave, si dhe materialet e tjera të arkivit, u dërguan për t’u kthyer në karton në Jugosllavi. Në politikën e jashtme, Shqipëria ra në vartësi të plotë të Jugosllavisë… Kisha katolike është e organizuar me dy Arkidioqeza, tri dioqeza dhe një Abaci në Mirditë, si dhe një Administratë Apostolike. Ka 131 famulli, 5 Ipeshkvij, 93 meshtarë dioqezanë, 94 rregulltarë dhe 161 rregulltare. Ndër urdhrat fetare të pranishëm mund të përmendim, rreth 80 vetë, të gjithë shqiptarë. Jezuitët, 16 shqiptarë e 9 italianë. Orionitët, me 5 shqiptarë. Rregulltarët përfaqësoheshin prej Kongregatës së Stigmatinëve me 98 vetë, pothuajse të gjithë shqiptarë, Servitët me 27 vetë, shumica shqiptarë. Bijat e Zojës ndihmëtare, salezianët, kryesisht italianë. Ancella della Carita di Breshia, me 71 italianë e 5 shqiptarë”.
Kolec Pikolini, i dënuar me vdekje për idenë e krijimit të një grupi alternativ socialdemokrat, më pas, me 20 vjet dhe, së fundmi, arrin të arratiset dhe përfundon në Amerikë. Në librin e tij “Regjimi i Hienave”, ai shkruan: “Si një njeri që tashmë dergjej në birucat e komunizmit, pas dy ditë torturash fillova të dëshpërohesha. Dëshpërimi më vinte nga dhimbjet dhe lodhja e torturave. Thoja rruzaret dhe i lutesha Zotit për ndihmë. Që kur jam pajtuar me jetën, çdo të premte të muajit rrëfehesha dhe merrja kungimin. Dhoma ishte e errët, oficeri më kapi për flokësh dhe më kërcënoi të mos flisja. Kisha rënë në kllapi, por një ëndërr më zgjoi. Hapa sytë dhe në mur pashë një dritë. Në faqen e murit shndriste një copë peshqiri, ku ravijëzohej fytyra e përgjakur e Jezu Krishtit me kurorën prej ferre dhe mbi të shkruhej: “Salva Me, o Mi!” U trondita, por e mora veten dhe konstatova se dhoma ishte në errësirë, sikurse hana që kishte mbuluar natyrën pa hënë. Kjo skenë erdhi duke më hyrë në tru. Germat latine çfarë do të thoshin?! Menjëherë mendova me vete, se Zoti nuk më ka harruar. Natën e kalova, si të tjerat në tortura”.
Dhe shton: “…Një të ri e varrosën të gjallë. Çdo mbrëmje ia lagnin dyshemenë dhe i jepnin vetëm pak ushqim sa për të mbajtur frymën gjallë. Ishte i dënuar për të mos pasur shtroje dhe mbuloje. Shurdhi, që ndjente dhimbje për të, kishte raportuar dhe xhelati i burgut e kishte goditur. Ishte e shtunë në mbrëmje, kur roja raportoi se i burgosuri nuk jepte shenja jete. Kufomën e mbështollën në një batanije dhe, pasi e vendosën në karrocë, e dërguan në Zallin e Kirit, aty ku ekzekutoheshin “armiqtë e popullit”. Dy persona vazhdonin të hapnin gropën e varrit, mirëpo, kur morën kufomën dhe ashtu të mbështjellë e hodhën në gropë, kufoma lëvizi. E kishte ngrohur dheu i varrit. Viktima nxori një zë gjëmues, sikur donte të thoshte: “…Jam gjallë, mos më mbulo!”. Ata hidhnin dhé mbi të e zëri i tij erdhi duke u shuar si jeta e tij”.

Qela dhe kisha-  Vatra të mëdha të dijes, kulturës, atdhetarisë...

Besnik Mustafaj, shkrimtar:  Shenjtorët e kishës shqiptare dëshmojnë fuqinë e jashtëzakonshme morale të kombit tonë në përgjithësi. Ata natyrshëm e ndriçojnë njësoj krenarinë e çdo shqiptari me dritën e tyre të mrekullueshme, pavarësisht besimit që ka secili prej nesh individualisht.
Të dyzet shenjtorët e ardhshëm, me shembullin e sakrificës së tyre sipërore, shkojnë shumë përtej sakrifikimit të mirëfilltë për kishën. Ata përfaqësojnë në shkallën më të lartë kundërshtimin civil, rezistencën paqësore, kurajën për të mos tradhtuar veten pavarësisht çmimit, mendjen e kthjellët, për ta kuptuar qysh në embrion të keqen që po i kanosej krejt kombit e për të mos u pajtuar me besimin e palëkundur, se me vdekjen e tyre ata thjesht po kurorëzonin një jetë në shërbim të kombit, me vetëdijen e plotë se vrasësit e tyre do të linin pas vetes turpin, ndërsa ata lavdinë e amshueme e që është lavdi për Shqipërinë. Pra, në këtë kuptim, ata e ndriçojnë njësoj krenarinë e secilit prej nesh, pavarësisht besimit që kemi individualisht. Me të drejtë mëkëmbësi i Papës, Benedikti XVI, Kardinali Claudio Hummes, me këtë rast tha, se këta martirë i bëjnë nder mbarë Shqipërisë, pasi do t’i japin emër ndërkombëtar, si një popull me vlera universale”.
Nëse e mbajmë fare pak frymën në shenjat e dritës së françeskanëve, si Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Gjon Shllaku, Vincenc Malaj, Bernardin Palaj, Donat Kurti, Vincenc Prendushi e shumë të tjerë, do të bindemi se qela dhe kishat ishin kthyer në klasa të gjuhës shqipe, ishin kthyer në muzeume arkeologjike dhe etnokulturore të kombit tonë, pra ishin vatra të ngrohta të fjalës së Krishtit dhe dashurisë njerëzore. Qela dhe kisha ishin qendra studimore, letrare e historike, aty ku mblidhej folklori, dorëshkrime, përralla dhe rrëfime nga zakonet e doket popullore, një lëndë e madhe nga të gjitha fushat e jetës, qoftë edhe ajo bujqësore e blegtorale, kanunore e deri pagane. Këta priftërinj ishin sita e seleksionimit të tyre, e sqarimit dhe vënia në kontekst të kohës me një ndriçim që vinte nga përmbajtja e tyre e pasur.
Qela dhe kisha ishin shkolla e parë shqipe, aty ku u përgatitën meshtarët e Jezu Krishtit dhe mësuesit e alfabetit shqip. Në viset tona, pasardhësit e benediktinëve, të cilët në Shqipëri themeluan 30 kuvende, janë dominikanët dhe françeskanët. Qendra dominikane ishte një kuvend në qytetin e Durrësit, themeluar në vitin 1224. Ata çelën në këtë qytet shkollën e lartë teologjike “Studium gjenerale” me 100 nxënës e 9 magjistra. Në të njëjtën kohë, ata çelën edhe një shkollë simotër në Ulqin. Një nga dominikanët më të përmendur ishte Arqipeshkëvi i Tivarit, Gulielmus Adae, i cili, në vitin 1332, shkroi për mbretin e Francës veprën: “Udhëzim se si duhet bërë udhëtimi”, kugjenden dëshmitë e para, deri më sot, për shqipen e shkruar. Besohet se kjo vepër e ka çuar murgun francez të dëshmojë, po atë vit, se shqiptarët i shkruanin librat e tyre me germa latine.
Mathieu Aref: “Bokardus, murg francez, vepra e të cilit u shkrua krejt në mënyrë paradoksale nga Arqipeshkëvi i Tivarit, Guliem Adae, të pohonte në vitin 1332: “Megjithëse kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga gjuha latine, shqiptarët në librat e tyre përdornin germat latine”.
Leibnitz: “Nëse doni të zbuloni historinë e para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet të studioni gjuhën shqipe”.
Në vitin 1613, Kongregata e Romës themeloi të tretin “Kolegj Ilirik” të Fermos, i cili vazhdoi t’i mbajë dyert hapur, deri në mesin e shek. XVII. Në vitin 1711, në shkollën “San Pietro in Montario” të Romës, nën ndikimin e françeskanëve, ndihmuar direkt nga Papa Klementi XI, iliro-shqiptar, filloi aktivitetin katedra e gjuhës shqipe. Në fillim të viteve ’30 të shek. XVII, Gjergj Bardhi, Ipeshkvi i Zadrimës, u parashtroi eprorëve të vet në Romë nevojën e vendit tonë për shkolla klerike. At Buonaventura Palazollo u hodh në veprim dhe, në vitin 1632, u dekretua misioni françeskan në Shqipëri. Në shtator të vitit 1634, Palazollo së bashku me 11 meshtarë, u nis nga Italia dhe u vendos në Troshan të Lezhës, ku ngritën edhe selinë e Kuvendit të Fretnëve “Hospicin”. Në vitin 1638, një grup françeskanësh bëri një vizitë baritore në fshatrat e Lezhës dhe vendosën të ngrenë në fshatin Pllane shkollën fillore, të cilën e çeli Hjacinti Sospitelo. Më 1639, u çel një tjetër shkollë në Blinisht të Lezhës, në rangun e shkollës së mesme për meshtarë me drejtor Karl Miradulani.
Ludovik Shllaku: “Jeta dhe veprimtaria e gjimnazit “Illyricum” ështëe lidhur me fillimet e shkollës fillore të françeskanëve (1854-1855), kur Arqipeshkëvi i Shkodrës Gasper Topic (1790-1868), punoi për vendosjen përfundimtare të françeskanëve në Shkodër… Deri në vitin 1928, gjimnazi “Illyricum”, duke qenë shkollë klasike si shkollat e Austrisë, përbëhej nga shtatë klasa, katër për gjimnazin e ulët dhe tri për atë të lartin. Papritur, më 9.4.1946, me një urdhër të veçantë të qeverisë, gjimnazi u mbyll. U sekuestruan lokalet e këtij institucioni, shtypshkronja, biblioteka e kuvendit, baza materiale dhe metodike, si dhe biblioteka e pasur. Në atë kohë, gjimnazi frekuentohej nga 180 nxënës”.
Më 2 gusht 1859, në Shkodër u çel Seminari Papnor Shqiptar, themeluar prej Urdhrit të Jezuitëve, i cili u vendos në Shqipëri më 1841 nga dy misionarë nga Sicilia. Me punën e tyre skrupuloze, priftërinjtë depërtuan thellë në minierën e traditës dhe, prej atje, si gjeologë zbulues, nxorën në sipërfaqe botën mitologjike, ritet pagane dhe të besëtytnive, shpeshherë duke rënë ndesh me misionin e tyre, vetëm e vetëm që të ndërtonin shtresimin e të vërtetës historike të kombit tonë. Relacionet që ata i kanë dërguar Vatikanit janë jo vetëm një pjesë serioze dhe dokumentare e kohës në të cilën ata jetuan, por edhe pikë referimi jashtëzakonisht e rëndësishme për ata që merren me histori.
Qela dhe kisha u kthye në një bazë të rëndësishme të lindjes së letërsisë kombëtare, aty lindi dhe u ushqye shenjtërisht fjala e lirë. Ato ishin shtypshkronjat e para, ku shtypeshin libra, gazeta e revista, ato ishin kolegjet e kulturës dhe dijes së kombit tonë. Në shek. e 18-të në Shqipëri numëroheshin 72 shkrimtarë, ndër të cilët 26 ishin klerikë, në shek. e 19-të nga 120 shkrimtarë,16 janë klerikë të krishterë. Nga gjysma e parë e shekullit, nga 294 vetë që botuan të paktën një libër, 205 prej tyre i përkisnin komunitetit të krishterë shqiptar.
Ardian Ndreca: “…Kisha katolike u gjend plotësisht në hullinë e Rilindjes Kombëtare, herë duke organizuar kryengritjet e njëpasnjëshme në malësitë e veriut, herë duke shpërndarë libra e çelur shkolla shqipe, herë të tjera duke sensibilizuar opinionin dhe politikën ndërkombëtare rreth çështjes shqiptare. Në periudhën e Lidhjes së Prizrenit, françeskani Monsinjor Bucciarelli shkroi dhe përhapi një qarkore për bashkimin e elementit katolik dhe atij mysliman në luftë kundër turqve osmanlinj, ndërsa në vitin 1879, At Pierbattista, misionar françeskan, mori pjesë të drejtpërdrejtë në luftën kundra malazezëve. Në vitin 1942, në një Memorandum që Provinca françeskane shqiptare i dërgonte qeverisë ndër të tjera lexojmë: “Në kohën e Turqve të Rij, banimet e françeskanëve bëhen strehë nacionalistësh. Kuvendi i Rubikut kthehet në një qendër e lëvizjeve kombëtare, që u zhvilluan në Breg të Matës, në Durrës, Tiranë, etj.  Kisha françeskane mbi gurin e bardhë të Rubikut, e drejtuar nga  At Pal Dodaj dhe qela e  At Ciril Çanit, frat i Shalës së Dukagjinit, duke vënë edhe jetën në rrezik, bëhen mbështetje shpirtërore dhe materiale për kauzën e madhe të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare. Vepra kombëtare e Ded Gjo Lulit ishte frymëzue e drejtue prej françeskanëve. Në vitin 1910, P. Sebastian Hila, P. Mati Prendushi e P. Karl Prendushi bashkohen me malësorët në luftën për pavarësi. Më 1913 P. Zef Mesi shpëtoi krahinat Mat e Lurë prej invazionit serb. Në kohën e luftës ballkanike P. Klement Miraj krijoi një fuqi shqiptare në Pejë. P. Luigj Paliq, më 1913, ra fli e mizorisë së malazezëve, pse ishte françeskan shqiptar. Për të parën herë, më 12 qershor 1913, në Shkodër, françeskanët ngritën flamurin tonë kombëtar në kumanjelin e kishës, me gjithë urdhrin e kundërt të autoriteteve internacionale. Vetëm françeskanët në “Hylli i Dritës” çojnë zërin e protestojnë pse Evropa do me e mbajtë Shkodrën të shkëputur nga Shqipëria. Ata protestuan kundër bullgarit Rizof, i cili kërkonte të copëtohej Shqipëria ndërmjet shteteve fqinje. Mbasi u bë Shqipëria P. Rrok Vata e P. Serafin Lushaj përcjellin ushtritë nacionaliste kundër esadistëve më 1914. Po në këtë vit, P. Pashko Prelaj, në rrezik për jetën, ngriti flamurin në Zym të Kosovës. Në vitin 1915, kundër invazionit malazez, P. Benard Llupi me Nikaj e me Mërtur luftoi në Qafë të Kolçit. P. Ciril Çani qet kushtrimin në Dukagjin dhe priu, madje në luftën e Koplikut zhvilloi një veprim heroik. Në vitin 1918, P. Anton Topalli u internua vetëm për faktin se ishte shqiptar. Në po të njëjtin vit, At Anton Harapi çoi në këmbë Hotin, Grudën e Triepshin dhe së bashku me ta ra në Shkodër, ku bënë demonstrimin kombëtar për bashkimin e tyre me Shqipërinë, me gjithë kundërshtimin e autoriteteve franceze. Në Kongresin e Lushnjës, në Konferencën e Paqes në Paris dhe tri herë në Konferenca Interballkanike, françeskanët gjenden ndër përfaqësuesit më me shenj të Shqipërisë”.
Mirëpo komunizmi, si një kazmë hekuri, në sytë e këtyre visareve të arta të kombit, e nguli thellë në lëkurën dhe në shtyllën kurrizore të kësaj plejade kishtare, për ta kthyer kombin dhe kulturën e tij në një kërrusje ateiste. Ai e akuzoi me forcën e plumbit dhe litarit të lagur si flirte të nazifashizmit, sikur kisha i mbante anën për të justifikuar pushtimin e vendit!
Ajet Shehu: “…Kisha dhe shteti përfaqësojnë dy institucione, të cilat përbëjnë një binom me rrënjë historike dymijë vjeçare, që në ditën e lindjes së Krishtit. Mirëpo, për një moment, mirëkuptimi shtet-kishë pësoi një çarje të thellë. Shteti komunist e shndërroi atë në një proces lufte armiqësore, duke dashur ndoshta të riciklojë kryqëzimin e Krishtit”.
Sipas emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut në TV-Klan, gjatë viteve 1940-1990, në Shqipëri, në kampet-burgje të komunizmit, kanë shkuar jetën 150 mijë vetë. 6800 janë vrarë nga diktatura, ndërsa 9000 mijë të tjerë kanë vdekur nëpër burgjet e ndryshme të vendit. Sigurimi i Shtetit kishte 120 mijë bashkëpunëtorë. Kjo armë e diktaturës, çdo vit mbikëqyrte me anë të agjentëve të saj 7800-15 mijë vetë. Në vitin 1946, sipas arkivave të shtetit kishte 45 mijë të burgosur ose të internuar familjarisht.

Solidarizim  nga Amerika me kauzën e martirëve shqiptarë..

Në mënyrë të vazhdueshme, shtypi amerikan dhe Shtëpia e Bardhë e kanë dënuar sistemin e diktaturës në Shqipëri, shkeljen flagrante të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, si dhe persekucionin fetar të vendit tonë.
Marvin Howe: “No Hint of Change Where Liberalization Has Long Been Suspect!” New York Time, 13 Nov. 1989.
Neal Ackerson: “Albania’s Dam against Time”, “A 20the Century anachronism” and a “utopia… all utopias… surely the most grandiose!” The Observer, 22 Nov. 1987.
Christian Tyler: “The Mouse That Roars”, Financial Time, 15 Oct. 1988.
President Bush in his electoral campaign: “Associate it with African countries from Angola to Albania!”
Francis Fukuyama: “…people in Albania or Burgino Faso” or call the Albanians “aliens” and “monsters” New York Time Magazine, 19 Nov. 1989. The attraction Albania exerts on foreigners is that of an exotic rare animal in a zoo.
Nisur nga këto fakte të trishtueshme, shkrimtari i diasporës amerikane Arshi Pipa, profesor në Universitetin Minesota, një ish i burgosur dhe disident politik në Shqipëri, në mënyrë permanente i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë, Presidentit Bush dhe Sekretarit të Shtetit James Baker, për të përdorur autoritetin dhe personalitetin e tyre, për çështjen e ushtrimit të një dhune dhe krimi deri në metastazë të regjimit komunist dhe për çështjen e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, lidhur me masakrat që bënte shteti jugosllav mbi popullsinë etnike shqiptare në trojet e veta. Në letrën e datës 7 maj 1990, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Javier Perez de Cuelar, ndër të tjera thuhet:
“Është e nevojshme dhe e domosdoshme që një komision i lirive dhe të drejtave njerëzore i OKB-se të inspektojë gjendjen e dhunimit të lirive të popullit shqiptar. Shqipëria, si anëtare e OKB-së është e detyruar ta pranojë delegacionin e ngritur në mënyrë perfekt nga ana juaj. Si qytetar amerikan dhe si disident shqiptar, me respektin më të madh, ju rekomandoj se nëse vizitoni burgun e Burrelit, qelitë e tij, ju mund të pyesni për varrin e Gac Çunit, një i ri që vdiq në galeri në prill të vitit 1956, nga sëmundja e apendisitit akut, pa asnjë ndihmë mjekësore, pak ditë para se të mbaronte dënimin. Në qoftë se vizitoni burgun e ferrit komunist në Spaç, ju lutem pyesni për varret e katër të burgosurve, që u vranë gjatë një revolte si liderë të kësaj ngjarjeje kundra diktaturës në vitin 1973. Nëse vizitoni Shkodrën, ju lutem shikoni varrezat e martirëve. Ky është një vend që më 4 mars 1946 u pushkatua At Gjon Fausti, italian, z. Provinciali i Jezuitëve të Shqipërisë, së bashku me shtatë seminaristë”.


Përkujtohet në San Francesko 40 vjetori i martirizimit

“…ta marrë vesh bota mbarë se në Amerikë, rron, o rron shqiptari me gjuhë, fe, zakone e simbole kombetare”!

Për herë të parë në historinë e salvimit fetar në Shqipëri, përkujtohet 40-vjetori i martirizimit të klerit fetar shqiptar (1944-1984), me iniciativën e gazetarit malësor, Prof. Gjon Sinishta.
Në dhjetorin e vitit 1983, “Qendra Katolike Shqiptare e Informacionit” në Universitetin Santa-Klara të Kalifornisë, së bashku me revistën “Buletini Katolik”, firmosur nga Prof. Gjon Sinishta, si themelues i këtyre dy forumeve historike fetare-dokumentare në diasporën e Amerikës, u dërgoi një ftesë mbarë lexuesve të merrnin pjesë në frymën ekumenike, në 40-vjetorin e përkujtimit të dëshmorëve të fesë (1944-1984), të cilët, për të mbrojtur lirinë dhe shëlbuesin, dhanë jetën deri në flijimin suprem. Dihet botërisht, se, nga viti në vit, regjimi komunist erdhi duke e rritur dhunën dhe shtypjen mbi popullin shqiptar, për të arritur kulmin në vitin 1976, me miratimin e Kushtetutës dhe shpalljen e Shqipërisë si vendi i parë ateist në gjithë rruzullin tokësor. Gjenocidi fetar ishte i pashembullt, krahasuar me vendet e tjera të Lindjes.
Qendra Katolike “Daniel Dajani” e ndjeu si detyrë fetare, kombëtare e humanitare, t’i përvishej punës për realizimin me sukses të këtij evenimenti ndërkombëtar, si i pari i këtij lloji në gjithë hapësirën shqiptare në botën e lirë. Qëllimi i këtij aktiviteti, ku morën pjesë rreth 500 vetë nga shtete të ndryshme të botës, shumica të huaj nga sferat akademike, shkencore dhe fetare, ishte t’u bëhej e ditur se ç’ka ndodhur dhe ç’ka po ndodhte në Shqipërinë tonë të vogël dhe të izoluar me vargonjtë e brutalitetit diktatorial, si dhe ç’frymë pajtuese kristiane po përdorte diaspora dhe eksponentët e saj për shërimin përfundimtar të këtyre plagëve shumë të rënda.
Manifestimi u nda në dy pjesë: njëri civil, tjetri fetar. Të shtunën, më 13 prill 1985, që në orët e para të mëngjesit, shqiptarët dhe arbëreshët e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, filluan të grumbulloheshin pranë Universitetit për t’u çmallur me njëri-tjetrin.
“Zoti nuk e kishte thënë se feja ka mbaruar në zemrën e shqiptarit. Ai vetë, me thirrjen e tij, me këta meshtarë intelektualë dhe atdhetarë, na ka çue fjalë të mblidhemi bash si kërthinjat e Besëlidhjes së Kastriotit…!” - i tha një malësor gazetarit të “New-York Times”
Një puhizë e lehtë, çuar me hov nga vala e oqeanit, bënte që flamuri ynë kombëtar të valëvitej denjësisht përkrah flamurit amerikan, mbi ndërtesën e administratës amerikane “Campion Hall” në San Francisko. Procesionit civil i priu solemnisht grupi i delegacioneve nga Bullgaria, Kroacia, Çekosllovakia, Estonia, Hungaria, Lituania, Polonia, Rumania e Ukraina... Pasi u ekzekutua himni kombëtar, në kishën e Shën Injacit nga kori i kësaj kishe, përgatitur nga Mathew Walsh, i cili ndezi zemrat e djegura të mërgimtarëve dhe, pasi u mbajt një minutë heshtje në kujtim të martirëve, drejtuesi i kësaj akademie shkencore dhe jubilare, Prof. Gjon Sinishtaj, ia dha fjalën arbëreshit të njohur, Dr. John Cordina, i cili ndër të tjera tha: “…ndërsa sot jemi mbledhur në Amerikë të përkujtojmë martirët e fesë së popullit shqiptar, pushteti komunist është mbledhur në ceremoninë e varrimit të diktatorit Hoxha!” Më tej, ai i bëri një sintezë kalvarit të persekutimit gjakatar të popullit shqiptar. Poeti i shquar amerikan, James Torrens, profesor në Universitetin e Santa Klarës, recitoi në anglisht, me një mjeshtëri mbresëlënëse, poezinë e Ernest Koliqit “Lutje Dëshpëruese”.
Prefekti i kishës së Shën Injacit, Donald Fore, u shpreh i nderuar që i ishte dhënë rasti të solidarizohej me kauzën e martirëve klerikë të Shqipërisë, të merrte pjesë dhe të jepte kontributin e tij në realizimin sa më dinjitoz të këtij evenimenti historik. Për “Qendrën Shqiptare të Informacionit”, At Leo Neal, i cili përgjatë dy dekadave iu kushtua me mish e me shpirt çështjes kombëtare shqiptare, duke përshkruar aktivitetin e kësaj qendre dhe historikun e saj, theksoi, se me gjithë zemrën e tij plot, Qendra është krijuar nga ideja dhe puna e pandërprerë e koordinuesit të kësaj ceremonie, Prof. Gjon Sinishtaj”. At Andrea Narkaj, përfaqësues i emëruar nga Superiori i Përgjithshëm i Urdhrit Françeskan, Hirësia e Tij, Jon Vaugn, nga Roma, foli në shqip mbi mallëngjimin e tij mbi vuajtjet e vëllezërve katolikë, madje fjalimin e mbylli me një citim rrëqethës të Fishtës mbi martirët e kombit. Dr. Cordini lexoi telegramin e Presidentit të ShBA-së, Roland Regan, i cili shprehte mendimin se forca fizike asnjëherë nuk ka mundur të thyej idenë e lirisë dhe të fesë. Në këtë seancë, Jakob Margosian, lexoi telegramin e Guvernatorit të Kalifornisë z. George Deukmenian, si përfaqësues i tij personal. Guvernatori, ndër të tjera shkruante, se e kishte përjetuar me zemër të thyer persekutimin e shqiptarëve dhe të institucioneve të kultit, nën diktaturën çnjerëzore të Shqipërisë.
Në këtë aktivitet, referuan gjithashtu edhe Ann Sclafani-Meridier, me prejardhje nga familja bujare dhe fisnike e Muzakajve të Skënderbeut, me temë mbi eksodin e arbëreshëve nga Italia në SHBA, të cilët patën të njëjtin fat me mërgimtarët e trojeve shqiptare. Folësi kryesor i programit civil, Prof. Dr. George Lerski, përfaqësues i Asamblesë së Kombeve të Robëruara, në temën e tij shtjelloi faktin sesi kombet e vegjël kanë dhënë njerëz të mëdhenj, si në rastin e Shqipërisë me Gjergj Kastriotin, atletin e krishterimit dhe Nana Terezën, nobelisten e paqes. Ai përmendi gjithashtu edhe veprën e Ndre Mjedës, si student i Krakovit, ku ka studiuar edhe Papa Gjon Pali II, duke lexuar poezi nga krijimtaria e tij. Dr. George Morton, Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës “Kisha e Vuajtur” në SHBA, mbajti temën mbi persekutimin dhe martirizimin e klerikëve në Shqipëri, si dhe shkatërrimin e transformimin e objekteve të kultit si askund tjetër. Gjithashtu referuan At Jak Gardin, At Andrea Narkaj, Dom Prek Ndrevashaj, Imam Vehbi Ismaili, Edward S. McFadden nga Universiteti i San Franciskos, shkrimtari D’Arcy Fallon, Reverendi William Wood nga Konferenca Katolike e Kalifornisë me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore, etj. Të gjitha referencat përmbanin fakte tronditëse nga përdorimi i mënyrave brutale e gjakatare të sistemit komunist në Shqipëri, por edhe në disa vende të Lindjes, kundra klerit dhe atyre që i mbështetën në udhën e mëshirës së Zotit.
Ndër telegramet më të rëndësishme ishin ato drejtuar në emër të Prof. Gjon Sinishtës, si ai nga ndihmës sekretari i shtetit amerikan, Eliot Abrams, kongresistja, Sara Burton, senatorët, Jesse Helms dhe Edward Kenedy, shkrimtari i famshëm në mërgim, Aleksandër Sholzhenjicin, Ipeshkvi arbëresh, Irakli Lupinacci, zyrtari i lartë i Vatikanit, Monsinjor Eleuterio Fotino, Nana Terezë, Mbreti Leka I dhe mbretëresha Suzanë, Kardinali i San-Franciskos, Hume, Prof. Martin Camaj e Prof. Arshi Pipa, Reverend Arthur E. Liolin, Baba Rexhepi, Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave Fetare në Gjenevë, Misioni Kristian nga Danimarka, si dhe 20 kardinalë e ipeshkvij amerikanë. Telegramet u lexuan sipas radhës nga Prof. Zef Nekaj.
Podiumi ishte zbukuruar me flamuj shqiptarë e amerikanë, rreth e rrotull me lule, si dhe dy parulla ku shkruhej: “Për Fe, Atdhe dhe Përparim” dhe “Liri fesë në Shqipëri!”

Sa më zi e ban robi, aq më mirë e ban Zoti...

Në këtë procesion të bekuar, në emër të komunitetit myslimannë SHBA, foli Imam Vehbi Ismaili, një mik i Fishtës, themelues i “Qendrës Muhamedane” në Detroit më 1954. Duke iu përmbajtur me besnikëri frymës ekumenike, ai citoi nga Kurani pikat e përbashkëta të harmonisë fetare ndërmjet myslimanizmit dhe katolicizmit. Imami theksoi gjithashtu se, sot, të gjitha besimet gjenden të bashkuara në kampin e mbrojtjes kundra komunizmit, sidomos këtu në SHBA, ku të tria besimet kanë ndihmuar njëra-tjetrën në ndërtimin e faltoreve të tyre. Në linjë me librat e shenjtë, ai tha se martirët e fesë janë të gjallë. Fjala e tij u duartrokit me ovacion, si një rast i rrallë në kishat katolike.
Si përfaqësues i komunitetit katolik, fjalën e rastit e mbajti Dom Prek Ndrevashaj, themelues i kishës “Zonja Pajtore”, 1977, në Detroit. Si dëshmitar i gjallë i persekutimit fetar në Shqipëri, me një shqipe të kulluar dhe pa letër, Ndrevashaj trajtoi me elokuencë episode tragjike të martirëve të fesë nën thundrën komuniste. Fjalën e tij oratorike e mbylli me shpresën se paqja, liria dhe feja do të mbretërojnë përsëri në Shqipërinë tonë.
Në emër të kishës ortodokse në Amerikë takimin e përshëndeti At Michael Ukraini, i cili lexoi edhe përshëndetjen e At Arthur Liolinit. Folësi i fundit i shërbesës ekumenike ishte themeluesi dhe kryetari i Misionit Kristian “Open Doors” nga Holanda, Brother Andrew. Përmallimi i tij ishte aq i madh, saqë kur dëgjoi Himnin tonë kombëtar dhe persekutimin e ashpër dhe të egër të klerit shqiptar, mundi të thoshte se e ndjente veten shqiptar. Në këtë përkujtim, foli edhe At Peter Marinkoviqi, përfaqësues i Superiorit të Përgjithshëm të Urdhrit Françeskan nga Roma. At Andrea Narkaj, në fjalën e tij, ndër të tjera, tha: “Sa më zi e ban robi, aq më mirë e ban Zoti. Le të bëhemi të denjë për gjakun e dëshmorëve të derdhur në fushën e nderës, për të na siguruar lirinë e ardhshme për Fe e Atdhe dhe për një prosperitet për të gjithë kombin shqiptar. Le ta dëgjojmë zanin e tyre, që, prej vorreve të tretura në katër anët e Shqipërisë, na thërret: “Ne kemi vdekur për ju e ju çfarë po bëni për ne!” Le të përulemi me nderim para kujtimit të tyre të pavdekshëm e t’i ndjekim ndër vepra të mira heroike. O tokë e Shqipërisë, mos rëndo mbi ta, sepse ata sa qenë gjallë nuk rënduan mbi ty!”
At Peter Fleming nga Universiteti i San Franciskos, mbajti një kumtesë mbi persekutimin dhe jetën e meshtarit Dom Dedë Malaj nga Selca e Kelmendit, pushkatuar në vitin 1952, të premten e zezë. Në gjyqin e zhvilluar në kinema “Republika”, prifti, pa iu trembur syri, deklaroi: “…E premtja e zezë në Shqipëri ka filluar që më 29 nëntor 1944 dhe ka për të vazhduar derisa t’i sosen ditët komunizmit”.
Mesha solemne e paqes u pri nga 12 motra të urdhrave të ndryshëm fetarë, të cilat, me qirinj të ndezur në duar, si simbol i dritës së përkujtimit dhe martirizimit të murgeshave në Shqipëri, të ndjekura nga 30 meshtarë nga të katër anët, të cilët morën pjesë në këtë celebrim të shenjtë, e udhëhequr nga Ipeshkëvi amerikan Daniel Walsh, njëherësh Kryetar i Konferencës Ipeshkëvore të Amerikës me qendër në Washington. At Gardini, që kishte bërë 10 vjet burg në Shqipëri, përfaqësonte Gjeneralin e Urdhrit të Jezuitëve nga Roma, At Petor Hans Kolvenbach. At Jak Gardin pati nderin të mbajë në gjuhën shqipe predikimin e radhës. Me fjalë rrëqethëse, ai solli shembuj jetësorë nga kalvari i dramës dhe tragjedisë fetare, mbushur me akte krimi nëpër kampet e skëterrës së regjimit diktatorial.
“…Brezat do të ndryshojnë nga dita në ditë, do të ndërgjegjësohen dhe do të kuptojnë se nuk mund të udhëhiqet me metodat çnjerëzore të dhunës, nga regjime totalitare, që e përdorin gënjeshtrën si metodë sundimi, që nuk duan bashkëpunim e marrëveshje, e më në fund, nuk duan ta kapin fijen e besimit fetar, e cila e merr njeriun për dore dhe nuk e len të tretet, nëse ai popull dëshiron paqe, vëllazërim e përparim”.
Dom Prek Ndrevashaj i dorëzoi klerikut të lartë amerikan Kryqin dhe Librin e Uratës, të nxjerrë nga kufiri shqiptar gjatë arratisjes. Një arbëresh i veshur me kostum kombëtar, i dhuroi portretin e “Zonjës së Shkodrës”, ndërsa Imam Vehbi Ismaili dorëzoi para altarit listën e klerikëve të pushkatuar nga diktatura në Shqipëri. Meshën e shenjtë, kori universitar i kishës së Shën Injacit e përcolli me këngë shqipe të shkruara nga Prof. Ernest Koliqi dhe Monsinjor Zef Shestani. Mbas ceremonisë u shfaq filmi dokumentar: “Nga Skënderbeu, deri tek E. Hoxha”, realizuar nga shkrimtari i njohur austriak Prof. Paul Lendvay. Në dokumentar u shfaq intervista e vetme që diktatori Hoxha, në vitin 1984, një vit para se të vdiste, i kishte dhënë gazetarit të huaj. Në vazhdim u shfaq edhe dokumentari i studentit gjerman, Stefan Lipsius, mbi Shqipërinë, me rastin e vizitës së tij në vendin tonë më 1983.
Për martirët Fishta pati shkruar:
 “…Derisa të këndojë në mal ndonjë zanë,
Derisa të këtë deti ujë e ranë,
Derisa të shndrisin diell e hanë
Ata kurrë mos u harrofshin
Në këngë e valle u kujtofshin
E lehtë u kjoftë mbi vorr lëndina
Butë u kjoftë moti e stina…!”
Në fund, të gjithë pjesëmarrësit iu lutën Zotit për Shqipërinë, që atje të mbretërojë paqja, liria dhe drejtësia dhe menjëherë t’i jepet fuqia e fesë për të lulëzuar dhe për t’i prirë popullit shqiptar drejt mësimeve të Perëndisë. Paqja qoftë me ju dhe gëzuar nga mot Pashkët!

Një ditë në ferr Burrel... dhe Mesha e Parë në Shkodër

Njëditë, në stacionin e trenit të Lezhës takova një të burgosur politik, i cili kishte kryer dënime të rënda në burgun e Burrelit. Ishte viti 1989. Ai më tha: “Shko njëherë në Burrel, të kuptosh se ç’do të thotë qeli plumbi. Se kështu do të shkruani për të vërtetën e vuajtjeve nga më çnjerëzoret, që shqiptari dhe kleriku i provoi në lëkurën e vet për lirinë e këtij kombi!”
Thënia e tij më befasoi për dy arsye: së pari, nuk e njihja të burgosurin politik, që për çudi e takova kalimthi një ditë në Teqenë Bektashiane në Detroit dhe, së dyti, nuk kishim ndonjë njohuri të mjaftueshme se ç’kishte ngjarë në ato zgafelle plumbi e minierash nëntoke, ku jeta e dikujt që mendonte ndryshe, nuk kishte as më të voglën shenjë vlere. Kështu, u nisa pra për në ferr-Burrel të bëja disa shkrime. Cilitdo mund t’i kujtohen fjalët e Uran Kostrecit, i cili ka bërë 17 vjet burg politik, shumë prej tyre në Burrel: “…më futën në dhomën numër 8. Kjo dhomë dhe tjetra përballë ishin dy më të mëdhatë 8x5m. Aty jetonim 33 vetë. Çimento, lagështirë, dyshekë të hollë të shtrirë përtokë, saqë kur kalonim, gjithsecili i shkelte ato. Njëri prej tyre ishte spiun, fytyrën e verdhë dhe trupin e hollë. 20 mijë vetë kanë kaluar në këto biruca”. Nё shënimet e mia shkrova këto vargje:
Kam shkuar një herë në ferr Burrel
Mushkëritë e qytetit kacavarur
Lëngonin në një shtyllë me një tel:
A është shkruar libri i burgut?
Në sytë e tij bajoneta e thika,
Siç thotë shkrimtari Arshi Pipa.
A janë përshkruar qelitë prej plumbi?
Siç na dëshmon At Zef Pllumi.
Në livadhin e tharë nga thundra e çizmes
Tela të këputur…rroba të hedhura me gjak
Kundra të tretura nga vdekja
Laskare e ndërresa pas kuzhine mbi hunj
Të shtypura, tenxhere, gaveta, lugë dhe pirunj
Në një tas të ndryshkur pilafi
Dhëmbë të shkulur me darë xhelati.
Komandanti i burgut më tha:
“Nuk kemi pasur qeli plumbi,
Po era e rëndë u vinte më keq se shkrumbi”.
Në këtë burg e në burgje të tjerë,
Njeriu dremiste me trastën e bukës nën kokë
Që tjetri mos me ia vjedhë.
Bubullonte reja e shkrepte urrejtje
Nën katerma currila shiu
Një mizerje ku qelbej rrecka e mish njeriu
E nesërmja fytyrën si hendeku
Të gjithë mblidheshin aty
Në gropën e thellë, arkivol dukej fati
Kur me baltën gjallë mbulohej frati.
Dysheme betoni si shtrojë
Natën e zezë të mallkimit si mbulojë
Sa të gjatë e ka jetën gjarpri?
Kripë mbi plagë
E thonj të shkulur me sharrë,
Bishta cigaresh të fikura në sy
Që shenjti të mos dilte prej aty.
Pas shkopit dhe shqelmave përjashta
Nderoheshin me një batare plumbash,
Fikej dita e pushtet merrte nata!

Prifti shkodran Dom Simon Jubani njihet si një nga meshtarët shqiptarë, që gjithë jetën e ka kaluar nëpër burgjet komuniste, por gjithashtu u ka qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme të ushtruara nga regjimi komunist, ndaj gjithë njerëzve e qytetarëve të pafajshëm që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore e kombëtare, as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve. Kështu, mund të pohojmë se kremtimi i meshës së parë, më 4 nëntor 1990, në varreza të Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtërore, hyjnore e njerëzore, që diktatura komuniste nuk arriti ta çrrënjoste kurrë nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë. Në këtë mënyrë, Dom Simon Jubani u bë nismëtari i rihapjes së kishave e xhamive në Shqipëri, kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar. Kleri e Kisha Katolike u bënë edhe njëherë shkëndija që rifitoi lirinë e rivendosi demokracinë në Shqipëri.
Po citojmë një dëshmi mbi homelinë që Dom Simon Jubani kumtoi ditën e paharrueshme, që solli agimin e lirisë:
 “Vllazën dhe Motra! 
Le t’i kujtojmë për një minutë në heshtje të gjithë këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të gjithë ata vllazën e motra tona, që kanë ra për një Shqipni europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme. Në vitin 1443, kur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti popullin shqiptar me këto fjalë: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush!”. Unë, i padenjë për këtë mision, po ju them se fenë nuk ua solla unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat Tueja! ... Shkodra, qytet me një histori ma të lashtë se dy mijëvjeçare, Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit, e Teutës, e Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë gjithë Shqipnisë tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkodër asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën, por edhe me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtarët e Gjergj Balshës së madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësit e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Dom Ndoc Nikës, të Dom Ndre Mjedës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit, gjinden këtu, në këto troje shqiptare, të gatshëm me e ripërtëri edhe njëherë traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen!”
Përmeshën e 4 nëntorit 1990, Dom Simon Jubani kujton në librin e tij “Meshët e mia”:
“Bana gadi shpejt çka i kishte shpëtue kontrolleve dhe sekuestrimeve në shtëpinë time gjatë 26 vjetëve: Mesharin latinisht, një stol, një kelk, një purifikues, një korpiral dhe nji kryq. Kur mbërrita ndër vorre, Marku solli nji tavolinë të zakonshme e një shtroje, mbi të cilën vendosa çka nevojitej për meshë të improvizuese. Para 300 vetëve të ndodhun ndër varreza, për nji meshë të pasiguritë, ma tepër për lutje e devocione personale, duke pastrue barna e duke e përkëdhel banesën prej dheut, nga ku do të ngjallemi nji ditë me të dashtunit dhe të parët tonë!”
Për famullitarin e Shkodrës, kjo datë është rikujtim i vullnetit të asaj kohe për të ndryshuar Shqipërinë dhe për ecur në rrugën tonë së bashku me Zotin. Mesha e 4 nëntorit do t’i paraprinte meshës së 11 nëntorit të vitit 1990, kur nga varrezat katolike të Rrmajit do niste rruga e lirisë së fesë në vendin tonë. Më 11 nëntor, në meshën e mbajtur në këto varreza, u mblodhën mbi 50 mijë njerëz, me tyre dhe myslimanë, e cila pati një jehonë të madhe jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë e jashtë saj. Dom Simon Jubani, meshtar katolik, kremtoi meshën e parë katolike në Shkodër, duke sfiduar terrorin e diktaturës komuniste dhe duke bërë të shpërthente fuqia e lirisë mbi diktaturën, fuqia e së mirës mbi të keqen, e dashurisë e vëllazërimit mbi urrejtjen e përçarjen. Ai u bë kështu nismëtari i rihapjes së kishave e xhamive në Shqipëri, kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar.  

Jubani, titull “Doctor Honoris Causa”.
Për kontributin e çmueshëm mbarëkombëtar, Universiteti i San Franciskos në Kaliforni, në vitin 1991, i akordoi Jubanit diplomën “Doctor Honoris Causa” në shkenca humane me motivacion: “Protagonist i një epoke të re në Shqipëri”. Pas komunizmit, ai shërbeu për disa vite përsëri në malet e Mirditës dhe dekadën e fundit, me përkushtim të madh dhe besnikëri, shërbeu në përvujtërinë e rrëfyestores së Katedrales së Shkodrës.
Para mikrofonit të “Zërit të Amerikës”, prifti Jubani ka dëshmuar: “…Në burg më kanë thyer të gjithë dhëmbët. Kam qenë i dënuar me vdekje, po bëra 26 vjet. Dola më prift se hyra. E kalova kohën me krye në libra. Më shumë më kanë torturuar të burgosurit, sesa drejtoria e burgut. Ma shumë në birucë, se në dhomën me lagështirë e në çimento. Vuajtja është një tra i rëndë që peshon mbi shpatulla të shqiptarit. Në burg kam thirrë me të madhe: “Poshtë Enveri!”, “Ai nuk është shqiptar, por i shartuar me serb, rus e kinez!”
Më12 korrik 2011, ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare, Dom Simon Jubani, kleriku që mbajti meshën e parë pas rënies së komunizmit. Humbja e tij, si pasojë e një hemorragjie cerebrale, u njoftua nga zëdhënësi i Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta. Emri i Dom Simon Jubanit lidhet ngushtë me një proces të rëndësishëm të ringjalljes së Kishës Katolike në vend. Jubani është kleriku që mbajti meshën e parë publike pas rënies së komunizmit në qytetin e Shkodrës, më 4 dhe 11 nëntor 1990. Ai lindi më 8 mars të vitit 1927 në Shkodër, në një familje të devotshme katolike, e cila i fali kishës e atdheut dy meshtarë: martirin e intelektualin, Dom Lazër Jubani, i cili u helmua me arsenik nga policia sekrete komuniste në vitin 1982 dhe të guximshmin Dom Simon Jubani. Më 4 maj të vitit 1958, shugurohet meshtar nga Imzot Ernest Çoba dhe dërgohet të shërbejë në Abacinë e Mirditës. Arrestohet në vitin 1963 dhe vuan plot 26 vite në burgun famëkeq të Burrelit. Gjithnjë aktiv, ballë për ballë dhe i papërkulur përballë torturave të komunistëve dhe gjithmonë nën vëzhgimin e spiunëve, lirohet më 13 prill të vitit 1989, së bashku me klerikë të tjerë. Meshën e ndoqën mbi 70 stacione televizive nga vende të ndryshme të botës.
Arqipeshkëvi Metropolitan i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angjelo Massafra, shprehet, se: “Dom Simon Jubani dhe vepra e Tij si klerik i kushtuar ndaj Zotit janë shembull për brezat... Edhe sot, kur e kishte të pamundur të shërbente nëpër male, ai në rrëfyestoren e katedrales ishte i pranishëm, tashmë ai vend do mbetet bosh...”.
Fritz Radovani:Don Simon Jubani, jam i sigurt se Shpirti Yt asht pranë Krijuesit Tand... Ai të vuni në provë,dhe Ti jo vetëm i përballove me nder, po edhe u bane një shembull qëndrese dhe i besniknisë ndaj Zotit dhe atdheut, i cili gjithnjë ka me e kujtue veprën tande, lirinë e fesë pa të cilën nuk ka asnjë liri tjetër në truellin e paraardhësve Tuej, Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezës, me të cilët ju lidhi gjaku, atdheu, feja dhe ideali, simbol i të cilave edhe Ju do të jeni për shekuj të shekujve në tokën shqiptare”.







1)Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Dosja Nr. 1623.