11.30.2016

Cikël me poezi ndërkombëtare(Christopher Salerno, Luke Hankins,Ananya S Guha,Chad Norman ,Alan Corkish,Duane Vorhees, Niels Hav,Sunil Sharma,Don Beukes,Dennis Villelmi,Cornelia Paun Heinzel)


Image result for irsa ruçi

Poezitë janë përkthyer nga Anglishtja në Shqip nga Irsa Ruçi:

(Autoren mund të kontaktoni në Blogun e saj:


https://internationalpoetry16.wordpress.com/


© Christopher Salerno

Komplot

Jeta ime nuk është duke u tkurrur
nëse hëna është ngritur

tej Toyot – ës sime. Një hënë
fantazmë në rritjen e saj

përmbi pellgun e krahinës
parkuar atje ku zhgualli

i një breshke kacafytej
me trotuarin, apo topitej

posi trysnia e lartë e natriumit
tek prozhektonte dritën si dy televizorë.

I mbërthyer prej telave,
ndërsa gjyshja ime besonte tek unë

Teksa ne ngadalë kapërcyem
anën tjetër të rrugës mbushur me ushqime-

1 – 2 – 3 prej nga ku jemi
deri aty ku nuk jemi.

Për të përcaktuar mungesën e dikujt
maten hapësirat e pabanuara.

Për të mos parë ata, por
shkakun që vjen prej tyre. Një luginë e tërë

dukej në stacion prej dritares së vagonit.
Siç ndodh në çdo komplot: ne lexojmë

përmes lëvizjeve historinë
e kinetikës. Lexojmë mes

hapësirave bosh kapitujt
e pashkruar.


© Christopher Salerno

Laboratorike

Ra më tepër borë nga ç’ish’ në gjendje
të sprapsej. Ne kthyem

fytyrën drejt reve, pritëm
në sallon për të plotësuar

formularët, prekëm lehtë secilin,
si lëkura e kokës së një fëmije

me flokë jo realë
posi një kukull bërë me dorë

tek qëndron në kuverdën e një anijeje të bukur.
U ula në dhomën mbushur me pornografi

ndërsa thirri vetë emrin tim
një prej shenjtorëve, ai i cili

e mori Krishtin foshnjë
mbi lumin e fryrë.

  

© Luke Hankins

Madje dhe lumi

Në një shushurimë të vazhdueshme të gjetheve dhe degëve
malet janë duke folur me mua
sesi ti i braktise, zogjtë kardinal
duke shndritur brenda dhe jashtë degëve
sinjalizuar në të kuqen e semaforit të tyri mjerim
të largimit tënd. Gjithçka në natyrë
më adresohet dhe më fajëson mua.
Unë eci përreth duke zgjatur duart,
Pëllëmbët drejtuar kah qielli, në një gjest
të shushatjes dhe dorëzimit,
ofrojnë pafajësinë time
por edhe gatishmërinë për të mbajtur
fajin që nuk gjen tjetër vend për të pushuar.
Unë dal në mesnatë të ngushëlloj lumin
pranë shinave ku trenat kalojnë
në një ngadalësi, tërbim të pamëshirshëm gjithë natën,
shkëndijat metalike të metaleve
pështjelluar nëpër terr,
gumëzhijnë pyetje të panumërta
që unë nuk e di si t’u përgjigjem.
Madje dhe lumi i reziston prekjes sime,
si një fëmijë i vogël i cili vazhdon
të ndjehet i shpërfillur
pa marrë parasysh se sa kohë
i ati i ulet pranë shtratit
duke i përkëdhelur flokët dhe kënduar.



© Luke Hankins

Të njëjtë dhe të kundërt

Duke shikuar qiellin, fjala qiell
vjen në mendje. Fjala ka një referent -
qiellin vetë, por vetë qielli
nuk ka referent. Të jetosh në gjuhë
do të thotë të parashikosh metaforat,
por në këtë moment unë ndjej boshllëkun
mbi të cilin, gjithë këto vite, kam ndërtuar
shtëpinë time të fjalëve.
Vetëm eja me mua
në greminën ku unë nxjerr kryet llahtarshëm,
unë lutem, koprrac në fjalë
që nuk ofrojnë rezistencë
si pupla rrëmbyer nga ajri,
si litarë që nuk lidhin asgjë.
U krodha nëpër botën
që nuk ka gjuhë
duke u lutur (në gjuhën time)
referent mungues,
forca të njëjta dhe të kundërta
në zbrazëti, rrokje që mund
(unë lutem) të ndalin rënien time
kështu që unë mund të fiksohem
në atë se çfarë qielli nënkupton.


© Ananya S Guha

Shenjat e zeza tek pëllumbi

Unë shkoj duke ecur jashtë kohe
qoshkat dhe rrugët tingëllojnë
këngët e pabesisë
përzhitur natën
veshur dorezat me lëvore lëkure
vaj dhe myshk.
Unë tinëzisht hap dritaret
që fusin shpërthimin ndotës
me aromën e së kaluarës,
thithin këngët e përtypshme
teksa era fryn përmes kujtimeve
ujëvarat bien
ndërsa unë gdhend me pendë në pluhur:
shkrimi është domosdoshmëri,
si një vakt
si bombat e luftës dhe dordolecët,
na shkund prej lajthitjeve tona.
Perëndi o bollëk
ti je atje
për të zbutur me tëndin melhem,
unë mund të përmend lëmoshat e lypësve.
Si shembull i dashurisë së zhytur në errësirë
ashtu si unë shtoj shenjat e zeza
tek pëllumbi.


© Ananya S Guha

“Jo, në këtë kohë …”

Jo, nga kjo mbrëmje
do të zhduket në pyjet
e natës, dhe hëna kobshëm
do ia ngulë sytë
harabelave
mbi kokën time, dhe era
lyer me pluhur mbi muret, rrugët.
Përsëri shirat kërcënojnë të përmbysin
posi tërheqja e kodrave nga vegimet e natës.
Unë do të shkruaj edhe një herë kaq shumë sa dje;
shtëpitë e verës, kaluar dimra në rrezet e shndritshme të diellit,
fusha me bulktha dhe shkolla e vjetër, e cila kishte aq shumë
për të ofruar. Por unë i hodha të gjitha në koshin e mbeturinave.
Vjedhje e vogël.
Vetëm salla jehon prej filmave, koncerteve dhe një kalë i vogël ndjek vajzat
nga shkolla aty pranë.

Turmat kapen diku dhe godasin
nëpër lëkundjet e natës fantazuar nga labirintet ulëritës
dhe qeni kufirit, i cili thith gjakun tim
në gojën e tij të jargëzuar.


© Chad Norman

Fotografia e Mapplethorpe në Muzeun AROS

I
Pas një grindjeje të shkurtër të qëllimshme, endemi
nëpër pamjet e qendrës së qytetit Aarhus,
humbasim veç në qoftë se fillojmë të kemi kujdes, endemi
me një destinacion të kurorëzuar prej një ylberi
në anë të rrugës, një ylber të gatshëm për të mirëpritur
dikë që të ecë në 360 gradët e saj,
një destinacion që ne dimë vetëm se është muze
ku askush prej nesh nuk e njihte Mapplethorpe
derisa na u shfaq, duke u kthyer tek ne,
turistët, Kanadezët, një trio duke parë pamjet,
nuk i njihnin fotot e tij ndërsa ishin duke pritur
nëpër kate, duke pritur
me një paralajmërim në mure nga ato për marrje biletash,
një paralajmërim i qëllimshëm kryesisht për shkak të djalit tonë
që ata kishin për ta mbrojtur, djalin tonë që ata
nuk e dinin se nuk do të hynte në dhomë
ku sytë, mendja dhe sfida e Robertit
varej në magjepsjen e plotë bardh e zi.

II
Njeriu duhet ta dijë çfarë e pret po të hyjë
kur të tjerët paraqesin një formë të paralajmërimit,
një detyrë disi e pamundur, njeriu duhet ta dijë
fotot mund të jenë mësues, mund të jenë bartës të
një historie krijuar në New York, si mjegull e dendur
në një distancë prej nga unë mund ta shoh, endemi
ndër njollat në mure me të cilat ai
zgjodhi të kapë vëmendjen, varur në një robëri joshëse
si Andy, Arnold, Lou, Iggy, Lisa, dhe Patti.


© Alan Corkish

Gjëra të rëndësishme

Unë duhet ta vendos mënjanë kohën
Për     gjëra të rëndësishme
si të vizitoj njëqind miq
dhe t’u tregoj atyre që   unë i dua ata
si të kontrolloj  shtëpinë e maceve 
të shikoj  nëse atyre u duhet diçka
ose të nxitoj për tek ty  tashmë
dhe të t’ shtrëngoj   në krahët e mi
të tregoj ty sa shumë  je duke më munguar.












© Alan Corkish

Poezia e Pal

(fjalë nga një email; 22 May 16)

Unë do të shkruaj më vonë
kur të jem plakur
dhe unë do e di si
mrekullisht
gjithçka është e kotë...
Unë nuk jam mjaft e vjetër
bërthama
është sërish shumë e fuqishme
dhe akoma
Unë jam duke u bërë
e tejdukshme
si lëkura kur hollohet
dhe zbutet...
... dhe rrudhat
... rrudhat i tregojnë të gjitha.



© Duane Vorhees

Ah netëve

Ah! Netëve ti ishe një valltare haremi
dhe unë, Beduin i paformuar dhe i etur prej kohësh-
duke ndjekur eunukun e zi nëpër natë, unë do të vidhja në tendën tënde,
i paarmatosur me përjashtim të një shigjete të vetme në brezin tim,
do ngrija velin tënd damaskjan dhe do ngulja shtizën time thellë në qendrën e Arabeskës tënde –
Ose: ti ishe mbretëresha e kosheres
dhe unë një zukamë mes mjaltit
duke u dehur dhe duke bërë punën time
zhytur në mesin e tërfilit të mugët
duke u përpjekur të polenizoj qiellin që të lulëzojë në natën me yje –
humbja e thumbit tim të vetëm do të thotë vdekje…
Ose akoma, ti ishe një Shën Mëri
Në pritjen e një perëndie xheloz, Ngjizësi i Kozmosit,
Rreze Drite e bërë Njeri për të t’ mbajtur
(Ndërsa ti prisje në ngazëllim ardhjen e tëndit Zot,
Unë, një korist i vogël do të vidhja në varrezat e tua pa varrmihës
Për të ndezur një fishekzjarrë të vetme në vrimën e fshehtë të katedrales
me shpresën të shpërthejë gjer në kupolat e katedrales,
në habinë letargjike të etërve beqarë).


© Duane Vorhees

 “Si kërpudhat pas shiut”:

Nëse ti do të ishe pyll
Unë mund të pretendoja
Këtë qëllim fisnik
Për këto sondazhe
Të shpeshta të përpikta
Që unë kryej
Në lagështinë tënde
Dhe hijet e qelbura.


© Niels Hav

Mentaliteti njerëzor

Mentaliteti i njeriut është një hotel mistik
me kate të shumta, korridore, salla mbledhjesh
dhe pajisje konferencash.
Në përcaktimin e rregullave të padiskutueshme
me mirëkuptim gjatë ditës. Natën çdo gjë kalon në kujdesin
e njeriut Neandertal.

Të gjitha pikëpamjet e botës janë përfaqësuar në këtë hotel.
Në disa dhoma janë negociuar kontrata të rëndësishme,
reforma drastike janë planifikuar. Akte kriminale
dhe vrasjet janë komplotuar. Nëse pritësi
troket në këtë derë për të bërë pyetje personale
ai do të largohet me një ulërimë tallëse.
Në dhomat e tjera jetojnë filozofët, zhonglerët e fjalës,
magjistarët dhe besimtarët e zellshëm. Bodrumi është i zënë
nga i madhi tamburist i asgjësë, që mban
zvarranikët si kafshë shtëpiake. Gjithandej ka aktivitete të ethshme.

Në situata të rëndësishme thirren të gjithë së bashku
për një konferencë, natën ose ditën, në mënyrë që të konsultojnë
probleme të mëdha ose çikërrima.
Nuk ka agjendë dhe as karrige;
pyetjet ngrihen dhe zhduken në hapësira të shpejta.
Një argument mbi një tjetër
secili në fushën e vet. Disa përdorin logjikën
ose mirëkuptimin mes tyre, të tjerët deklamojnë me zell,
ankesat, këngët, mallkimet, lutjet dhe britmat e terrorit.
Shpirtrat e lashtë lartësojnë tufën e fjalëve të pakuptueshme
në gjuhë të vdekur. Rrallë
janë nxjerrë përfundime të analizuara.
Papritmas të gjithë kthehen në dhomat e tyre
Secili bie në grackën e konfuzionit të tij të palëkundur.

Në pritjen e një personi të pastër, mirë-veshur
Që ecën kuturu. Ai e quan veten e tij Unë
dhe pohon se ai është menaxheri; ai thekson
se të gjitha vendimet janë marrë prej tij; ai pretendon
se hoteli është drejtuar në mënyrë racionale
në përputhje me parimet bashkëkohore.

E dëgjojnë me pak skepticizëm.
Pjesa tjetër e banorëve të hotelit e bëjnë për një lek
autoritetin e tij.


© Niels Hav

Memecëri

Kur ju të shihni një majmun që rreh ujë
në hava, është njëlloj sikur të shikoni dikë
duke hetuar një problem filozofik.
Askush nuk mund ta përjashtojë që kafshët janë më të zgjuara
se ne, ato e menaxhojnë jetën pa fjalë,
ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë. Heshtja
na çon përhumbur në një labirint psikik,
fjalët depërtojnë në tru si peshku
zhytur thellësive; ato vazhdimisht ndryshojnë kuptimin.

Secili prej nesh e gjen veten brenda një trupi;
duke pasur mundësinë e përkujdesjes,
por çdo gjë bëhet gjithnjë e më tepër abstrakte.
Dhelprat kanë strofkat dhe zogjtë e qiellit foletë[1];
mendja i mban mend vendbanimet
në gjendjen natyrale. Tani ne jetojmë me raftet
mbushur me fjalorë, në kështjellat paemër të ajrit,
në kate të ndara.
Si e quani ju këtë?



© Sunil Sharma

Lodra shitësit

Poshtë një mbikalimi
Mbledhur dy familje
Pelenat e foshnjave
Mundin drithërimat e Delhi- t.
Shtresa mes
Dy shtyllave të urës
Nxjerr ndotjet.
Lodrat ndërpresin
Shkopinjtë e gjatë të bambujit-
Duke qëndruar si një mur memec.
Familje të rreckosura
Jetojnë jashtë me jorganë të grisur.
Lodra lëvizin nëpër erë
Por, jo për fëmijët e tyre!



















© Sunil Sharma

Tërmet ndryshe

Pas një rrënimi të shpejtë
Nga bashkësitë komunale,
Një çift i vjetër rimarrin pjesë të
ndryshkura të kasolles
Dhe kalojnë natën nën yje
Duke zënë një hapësirë të vogël
Midis rrugicave të shembura dhe
Një peme mbetur aty.
Jeta e tyre shpërngulur/shkatërruar
Pas këtij tërmeti të llojit të ndryshëm!


© Don Beukes

Brezi i dashurisë

Thelbi ynë njerëzor nuk
qenka tharë – Është paragjykimi juaj
që na etiketoni secilin çast
dhe çdo ditë – Ne nuk zgjedhim
kush do na dojë apo përkujdeset për ne- Është errësira
e zemrës suaj për të cilën ne lutemi-
Lejoni veten të merrni frymë
e më tej lëreni veten të lirë për të dashuruar…


© Don Beukes

I braktisur

Dhjetëra fëmijë të uritur në bredhje
heshturazi ankohen si ne shikojmë në tmerr
prapa sigurisë së ekraneve tona televizive
britmat e ngopura të neglizhencës që të mos
harrojmë objektivat bamirëse që nuk përmbushen –

Besimi ynë i brishtë në njerëzim është thërrmuar
duke përjetuar pluhurat e pasojave politike
që mbulojnë fushat trazuar në konflikte të dhunshme
në makthet e fundit të botës.

tik-tak … tik-tak …

zhytje e kombeve në shpërbërje të braktisura.

Pushtete të uritur ushqejnë mekanizmat
duke i dhënë lustrën e tyre të fundit dizajnuar
duke lënë kërkues të kualifikuar të kërkojnë diamantet
lotët – ndezin frikën djallëzore të parathënë
të plaçkitjes ushqyer me fraksionet e dëshpërimit
duke shkatërruar pallate të materializuara në utopi
vetëm për të ndaluar rreptësishtë
një ferr fatal politik të turmës së kërcënuar

me rritjen e tensioneve për të ndarë shoqërinë
marrësit rropaten – grabiten hije të falsifikuara
në purot Che Guevara mbushur në fshehtësi
duke u shërbyer mjaltë mbuluar me kërpudha helmuese

ajri mbarset me thashetheme të rreme
serenata prej parlamentarëve të korruptuar
këndonjës – Një botë e trazuar në
trazira përpjekur dëshpërimisht për të mbajtur kontakte

një ferr i djegies së humanes
në një vend të dënuar për t’ mbetur

i braktisur…


© Dennis Villelmi

Ishim mirë kur ishim Mite

Ju e bëtë të sigurt që unë gjithmonë mund të lëshoj stuhi.
Kuti rrufesh   plot ushtarë kallaji  ceremoni pengjesh –
Të thyer, kyçet e mi ende të freskët nga kryqëzimi.
Ku është mitologjia juaj e çmuar tani?
Unë, jo ju, në shëmbëllimin e Akilit;
Në gjurmët e vdekjes, si kurrë më parë, por për shkak se e tija është një fytyrë e rëndë,
Ne nuk mund të themi nëse ai është i zhgënjyer që ne dështuam të mbanim Trojën.
Në kujtim ne grabitëm kartagjenasit faqekuq pas njëqind vjetësh
Dhe u lamë atyre një buqetë mes Austrisë e Gjeorgjisë.
Ne ishim të mirë atëherë, apo s’ishim ne?
Por tani ne thjesht nuk mund t’i pështyjmë numrat;
Si guxon dikush ta quajë atë terror!
Do mbajnë yjet tanë ndonjëherë një orgji këtu në tokë?
Stuhi, sigurisht, por jo të dhëna.
Patjetër – kush betohet këto ditë për vajzat e vjetra të oqeanit?
Dhe ata të tjerët të cilët do emërohen heronj nuk e kanë nocionin
E vdekjes së pakallur që ata duhet të lartësojnë.
Masakra është shkallë, mandat.
Ishte thjesht jashtë kuriozitetit çfarë unë kapërceva përmes,
Të shihja çfarë ai mendonte për të mirëqenë. Gjithçka mund të shihja ishte si
Lajmet shkatërruan botën.
Pushimi mes konferencave të shtypit mbante këto linja hapur:
Ç’ është kuptimi i shtrëngatës pa ndriçimin vdekjeprurës?
Gjembat sërish kaq të thellë, ne nuk mund t’i marrim të gjitha prej shtratit ku
Parisi është në objektiv si më parë.
Po, stuhia –


© Dennis Villelmi

Nëpër botë, si i humbur

Merre!
Shpirti yt është programuar.
“Interneti është rivali vetëm i verifikueshëm i Perëndisë.”
Ti e ke dëgjuar atë më parë. Kur unë e dëgjova, jeta ime
Ishte shabllon, dhe unë i lumtur u bashkohesha kafshëve të animuara;
Akoma më i lumtur kur ato ktheheshin në përbindësha me kostum.
Çfarë? – Po, unë dëgjova se qielli u përpoq të kryejë vetëvrasje;
kjo është arsyeja pse shtëpitë tona janë larë në dafina. Tani qytetarët dhe pastorët e tyre janë
Duke bërë nekrologji dhe yshtje bashkë, duke u përpjekur për të zgjuar një tjetër bibliotekë globale
Nga gjumi i foshnjërisë. Ndoshta kur Tempulli i tretë ka qenë më së fundmi
Ndërtuar në Izrael.
Unë jam duke mbyllur këtë libër, dhe duke e titulluar rreth strehëve të alabastra. Plutoni është braktisur
mjaftueshëm gjatë. Dhe një thirrje për luftë civile!
Vajzat e Gjermanisë ende nuk e kanë zgjeruar ftesën e tyre; as për ty, as për mua.
Bëj ç’të duash, për shkak se unë kam hequr dorë prej kontinenteve. Ishujt mbeten plotësisht të hapur.
Fakultative –
Është drita e qiriut,
Manifestuar nga pranvera e thatë ku fantazmat e gjuhëtarëve erdhën duke folur
gjuhën e planetëve.
Unë jam viktima e verës, dhe unë vajtoj çdo verë pse stinët nuk janë fakultative.
Si një orkestër e thyer, unë marshoj në të gjitha drejtimet dhe shpresoj se në vazhdim
Qyteti gjatë të cilit unë do të mësoj si të lutem përsëri, ashtu si në qytetin tjetër mbi të cilin unë isha udhëzuar në
Disa romane të mëkatshëm.
Unë jam i vdekur, unë e pranoj, dhe jam duke kërkuar në të tim atë.
Por e kam lënë vdekjen të marrë njoftimet për mua vetëm nga një xham i thyer në dritare.
Unë kurrë nuk do të përfundoj me këtë. Është krejtësisht e braktisur.
Fakultative –
është mësimi i gjuhëve.
është kapërcimi i rrugës në dhomën veshura me fletët e gazetës.
Ti hyn në atë dhomë përmes derës, është parajsa; ti shkon përmes dritares,
Asaj me xhama të thyer, është ferri.
Unë qeshë ftuar për të qenë një gur i çmuar pa shndritje; unë kam qenë i ftuar për të qenë djalli.
Si i tillë, botën unë e largova nga çfarë është bërë tashmë mëngjesi i së shtunës sime
Karikatura. Animimi është lehtësisht i zotërueshëm. Problemi i vetëm
është përpjekja për të mos dëgjuar të qarën e pagjumë të paraardhësve.


© Cornelia Paun Heinzel

Idealizëm

Ti gjithmonë më thua: ti je tepër idealiste
kur i do gjithë njerëzit njësoj, pemët dhe lulet, kafshët,
pa i fshehur me petkun e pabarazisë,
kur ti admiron çfarë është e denjë për t’u lëvduar,
pa krimbin e xhelozisë që i ha të tjerë përbrenda,
kur ti nuk dëmton askënd
dhe valët e ligësisë nuk të prekin ty,
kur ti e kupton çdo qenie,
edhe në qoftë se ti, për këtë fakt, je enigmatike,
kur ti ndihmon çdokënd prej mirësisë së zemrës tënde
pa pritur diçka në këmbim,
kur ti i konsideron paratë të pavlera
dhe tufëzat e lakmisë kurrë nuk të trullosin ty,
kur ti fal gjithnjë
pa gurin e hakmarrjes që të shpartallon në copa,
kur ti e prezanton veten tek njerëzit në mënyrën që ti realisht je,
pa performuar në skenën e jetës si një aktore e përsosur,
kur ti vërtet je besnike
pa shigjetat e së keqes, lakmisë dhe mashtrimit depërtues…


© Cornelia Paun Heinzel

Ëndrrat

Kur qepalla e sipërme e syrit të mbyllet,
Do ngushëllohesh tek tjetra
Dhe gjenet e tua do të ndërthuren
Ti mund të dallosh të ardhmen
Paqartësish si një ëndërr
Dhe do jesh në gjendje të skicosh fatin me duart e tyre,
Ti do i mbështjellësh ëndrrat
Të qëndisura magjishëm në mendimet e tua.
Ëndrrat fluturuese me krahët hapur në pafundësi,
Si dy paralele që asnjëherë nuk puqen.
Mendime të porsalindura
si perëndesha Afërditë, shkumë deti,
Copëza shprese, besimi
Lundrues të palodhur në mosqenie,
Pa u hedhur në humnerë t’ harresës…
Dhe së bashku, kujtimet, dallgët në hijet e rozta,
Ngjyrat që ndikojnë në të
Rrëke lotësh
Shpërthejnë llogoret e së ardhmes kaotike.
Kur imagjinata nuk është duke të ndihmuar,
Hapi sytë dhe shiko
se asgjë nuk është ashtu siç duket,
Dhe pastaj pyet egon tënde
për të ardhmen
Që ne e presim me besim.







11.26.2016

Firmëtaret e Pavarësisë së Shqipërisë



Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare ndërsa 40 firmëtarët ishin ata të cilët nënshkruan aktin e Pavarësisë. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.


Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919)

Ngriti flamurin në Vlorë. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, Ministër i Jashtëm, diplomat, guvernator, atdhetar.

Më 28 nëntor, ngriti flamurin shqiptar në Vlorë. Deklaroi në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë. Firmosi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”.

Në deklaratë shkruhej ; “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Pas fjalëve që tha z.Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme”.


Ismail Qemal bej Vlora u zgjodh kryeministër Qeverisë së Përkohshme Ndihmoi lëvizjen e armatosur të shqiptarëve në kryengritjet e përgjithshme të viteve 1910-1912. Më 22 janar 1914 jep dorëheqjen dhe pushtetin ja dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Largohet nga Shqipëria për në Itali ku edhe vdes në rrethana të dyshimta më 24 janar 1919.

Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Klerik i lartë, atdhetar, patriot dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.Mori pjesë në lëvizjen politike-kulturore-kombëtare. Gjatë kryengritjes së Kurbinit 1905-1907, hyri si ndërmjetës midis popullsisë dhe administratës osmane që të shmangte gjakderdhjen. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e Elbasanit (1909).

Përfaqësues i krahinës së Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh nënkryetar i qeverisë së përkohshme. Firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Kaçorri “.


Vehbi Dibra Agolli (1867-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Klerik i lartë. veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptar, Mori pjesë në vitin 1909 në Kongresin e Dibrës, mbështeti alfabetin me shkronja latine të Kongresit të Manastirit.

Më 28 nëntor 1912 në krye të delegatëve të Dibrës, merr pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh kryetar i Pleqësisë. Ka luajtur rol të rëndësishëm në organizmin e kryengritjes shqiptare të vitit 1913 kundër pushtimit serb në zonën e Dibrës. Në vitin 1920 mbështeti përpjekjet për rimbëkëmbjen dhe demokratizimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Jorgji Karbunara – Bab Dud Karbunara (1842-1917)


Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Punoi shumë për hapjen e shkollave shqipe në Berat. Jorgji Karbunara ishte përfaqësues i Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” J. Karbunara “. Në këtë Kuvend, ai u zgjodh anëtar i Pleqësisë.

Elmas Boce (1850-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Mori pjesë në organizimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1880.

Elmaz Boce, ndihmoi pa kursyer hapjen e shkollës shqipe të Gjirokastrës “Lirija”. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Elmas Boce ”


Qazim Kokoshi (1882-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar për përhapjen e gjuhës shqipe, patriot, njeri me bindje dhe pikpamje demokrate. Zgjidhet delegat i Vlorës në Kuvendin e Gërçes në vitin 1911. Merr pjesë në kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën ” Qazim Kokoshi”.

Në vitin 1921, zgjidhet deputet i qarkut të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Rregjimi komunist e arreston dhe burgos. i izoluar në hetuesinë e Vlorës, vdes nga torturat.

Jani Minga (1872-1947)


Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i shkollës shqipe, i Rilindjes Kombëtare dhe i lëvizjes demokratike 1920-1924.

Ishte ndër nismëtarët e hapjes së klubit patriotik ” Labëria ” dhe të shkollës së parë shqipe në Vlorë (1908). Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” J. Minga”.

Rexhep Mitrovica (1888-1960)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, intelektual, deputet, ministër, kryeministër. Mori pjesë si delegat i Pejës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe ishte njeri nga nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë. Një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (1914), anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Zgjidhet senator i Kosovës në Këshillin Kombëtar të Lushnjes.


Dhimitër Tutulani (1875-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare.

Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Dh. Tout.”. Në vitin 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit dhe në vitin 1920 në Kongresin e Lushnjes. Në vitin 1925 kreu detyrën e kryetarit të Bashkisë së Beratit.

Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926)


Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare.

Gjatë viteve 1905-1907 u lidh dhe bashkëpunoi me atdhetarët e njohur të asaj kohe si Dom Nikoll Kaçorri etj. Priti në Durrës Ismail Qemalin e më pas, bashkë me delegatët që e shoqëronin atë, mori pjesë në mbledhjen e parë Kuvendit të Vlorës. Delegat i Durrësit, Deklaratën e Pavarësisë, e firmosi me siglën “Abas Dilaver”.

Shefqet Dajiu (1882-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i përhapjes së gjuhës shqipe dhe i lëvizjes kombëtare.


Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet si përfaqësues i Elbasanit në Kuvendin historik të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Shefqet Daji”. Në vitet 1920-1923 është deputet i Elbasanit në parlamentin shqiptar. Shefqet Dajiu arrestohet dhe burgoset në vitin 1945. Vdes në burg në vitin 1946.

Xhelal Koprencka (1876-1919)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Nismëtar për hapjen e shkollave shqipe në vitin 1908 në Skrapar, veprimtar i lëvizjes kombëtare për pavarësi

Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një nga 40 firmëtarët e Aktit të shpalljes së Pavarësisë kombëtare në vitin 1912, dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Xhelal Ko.”. Zgjidhet anëtar i Pleqësisë.


Hajredin Cakrani (1860-1940)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Në vitet 1908-1909, bashkëpunoi ngushtë me klubet atdhetare ” Labëria ” të Vlorës dhe të Filatit. U zgjodh delegat i Mallakastrës në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor të vitit 1912, ku firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Hajredin Cakrani”. Pjesëmarrës në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë.

Iljaz Vrioni (1882-1932)


Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Nën-kryetarit i Lidhjes së Prizrenit, deputet, ministër, kryeministër.

Në nëntor të vitit 1912 zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Iljas Vrijon”. Në vitin 1920, zgjidhet delegat i Beratit në punimet e Kongresit të Lushnjës. Katër herë Kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris.

Murad Toptani (1867-1918)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Poet, publicist.


Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912 si delegat i Tiranës dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani (kushëri i tij), i dogji shtëpinë dhe një pjesë të madhe të pasurisë së tij që ndodhej brenda saj si: libra, korrespondencën, antikuarë.

Luigj Gurakuqi (1879-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, ministër, deputet, gjuhëtar, poet, publicist.

Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar komisioni për njehsimin e alfabetit. Pjesëmarrës në kryengritjen e malësorëve të Mbi Shkodrës dhe bashkë hartues me I. Qemalin i Memorandumit të Greçës. Gjatë vitit 1912, ishte ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësisë, si përfaqësues i Shkodrës, firmosi Deklaratën e Pavarësisë nën siglën ” Luz Gurakuqi “.


Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar dhe përsëri përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari në 2 mars 1925.

Spiridon Ilo (1876-1950)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Patriot, atdhetar.

Shoqëron Ismail Qemalin në udhëtimin Trieste-Durrës-Vlorë. Merr pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1914, përfshihet në çetën e Themistokli Gërmenjit në luftimet kundër shovinistëve grekë.


Thanas Floqi (1884-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Jurist, veprimtar i lëvizjes kombëtare, publicist, gjuhëtar, botues, kompozitor, përkthyes.

Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Thanas V. Floqi “. Më pas punoi si jurist në administratën shtetërore në Vlorë.

Lef Nosi (1873-1946)


Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, albanolog, studiues, deputet, ministër

Në nëntor 1912 ishte delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Lef Nosi “. Në qeverinë e Ismail Qemalit, Lef Nosi caktohet në detyrën e ministrit. Anëtar i delegacionit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris. Në vitin 1945 u burgos dhe dënua me vdekje. U pushkatua në vitin 1946.

Nuri Sojliu (1870-1940)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Mbështeti Kongresin e Elbasanit dhe atë Manastirit, ku mbështeti alfabetin latin të gjuhës shqipe. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Strugës në në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Nuri “. Nuri Sojliu mbështeti lëvizjet politike me frymë demokratike të viteve `20.

Ferit Vokopola (1887-1967)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Teolog, ekonomist, poet, publicist, ministër, deputet

Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Lushnjes në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” M. Ferit Vokopola “. Ferid Vokopola ishte përfaqësues i Beratit, në Parlamentin shqiptar nga viti 1923-1939. Ministër i Bujqësisë në kabinetin e Iljaz Vrionit (1927-1928).

Ymer Deliallisi (1873-1944)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Ymer “. Në vitin 1920, përfaqëson nënprefekturën e Shijakut në Kongresin e Lushnjes, ku edhe zgjidhet senator.

Xhemal Deliallisi (1880-1941)


Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Xhemmalyyddin bej “. Ngarkohet me detyra në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe më pas në administratën e Princ Vidit.

Mustafa Merlika Kruja (1887-1958)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Deputet, ministër, Kryeministër, albanolog

Si delegat i Krujës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Mustafa Asim Kruja” ku u zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. U caktua nënprefekt në Vlorë dhe më pas sekretar i parë i Qeverisë së I. Qemalit.

Më 1919 ishte sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte deputet i Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921. Pas ardhjes së komunizmit u detyrua të arratisej. Mustafa Kruja vdiq në SHBA më 27 dhjetor 1958, në moshën 71-vjeçare.

Abdi Toptani (1864-1942)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, ministër.


Në vitin 1902 organizoi kryengritjen e armatosur të malësorëve të Shëngjergjit e të Shupalit kundër dhunës së administratës osmane.

Në Kuvendin e Vlorës ai firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Abdi”. U zgjodh ministër i Financave në Qeverinë e parë shqiptare.

Veli Harçi (1850-1914)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, intelektual.


Veli Harçi ishte një intelektual i formuar. Veprimtar i klubit patriotik të qytetit, ai përfaqësoi Gjirokastrën në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Veli Harçi”.

Nebi Sefa (1861-1942)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar.

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912. Në nëntor të atij viti u zgjodh delegat i Lushnjes për në Kuvendin e Vlorës. Ku nënshkroi Aktin e Pavarësisë me siglën “Nebi Sefa Lushja”. Në vitet `20 përkrahu kursin politik të ndjekur prej forcave fanoliane.

Mit’hat Frashëri (1880-1949)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, intelektual, deputet, patriot, ministër

Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 1908 ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Në Kuvendin e Vlorës, Frashëri ishte delegat i Elbasanit dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i Punëve të Përgjithshme. Në janar 1923 fillon detyrën e ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, deri në dhjetor 1925.

Më 1941 është një nga themeluesit e Organizatës Nacionaliste – Balli Kombëtar. U detyrua në nëntor 1944 të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Nuk u pajtua kurrë me komunizmin. Komunistët e detyruan të birin e Abdyl Frashërit, të ikte nga Shqipëria. Vdiq në Neë York, SHBA, më 3 tetor 1949.

Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, ministër.

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në Kuvendin e Vlorës, si delegat i Vlorës, firmosi në Aktin e Pavarësisë me siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Kanina u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah Mit’hat Frashërit. Në vitin 1951 u arrestua dhe u burgosë, derisa vdiq, më 1957.

Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, patriot, deputet.

Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Elbasanit në kuvendin e Vlorës dhe u caktua të shoqëronte Ismail Qemalin nga Durrësi për në Vlorë. Firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Qemal Elbasani”. Mbështeti qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes dhe për disa vite ishte asamblist.

Ai u persekutua nga regjimi komunist.

Sali Gjuka (1876-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar.

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912.

Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe firmosi Aktin me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë. Në janar 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit.

Dhimitër Berati (1888-1970)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, diplomat, ministër

Firmos Aktin e Pavarësisë së 28 nëntorit 1912, nën siglën “D. Beratti”, si delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Berati u emërua sekretar i kryetarit të Qeverisë, anëtar i Pleqësisë si dhe u caktua drejtor i përgjithshëm në gazetën e qeverisë së Vlorës. Në Konferencën e Paqes më 1919 ishte delegat i shqiptarëve të Bukureshtit.

Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Më 28 nëntor 1912, firmos Aktin e Pavarësisë me siglën “Dh Emmanuel” në emër të

kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së “Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit”. Më 1924 mbështet qeverinë e Nolit. Ishte kundër rregjimit komunist.

Dimitër Zografi (1878-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar.

U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 firmosi vendimin e Pavarësisë me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i Pleqësisë. Kundërshtoi vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të popullit shqiptar dhe firmosi protesta drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919.

Pandeli Cale (1879-1923)

Firmetar i Aktit të Pavaresise, atdhetar, ministër, deputet.

Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjese në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912 dhe shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri.

Me 28 nëntor 1912, si delegat i Korces, firmos Aktin e Pavaresise me siglen "Pandeli Cale". Zgjidhet anëtar i qeverisë së parë shqiptare. Merr pjesë aktive në lëvizjen patriotike që çoi ne Kongresin e Lushnjës me 1920. Po atë vit ishte Prefekt i Korçës, ndërsa ne shkurt 1921 deputet ne te parin parlament shqiptar.

Firmëtar Qemal Mullaj (1881-1966)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, deputet

Si delegat i Lushnjës, në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës dhe firmosi Aktin e shpalljes së Pavarësisë me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës i Botërore u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe rreth vitit 1920, për t’u rimarrë përsëri me politikë. Deputet në parlamentin e parë shqiptar.

Bedri Pejani (1885-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit të Kosovës (1918-1924).

Në nëntor 1912, mori pjesë si përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës në mbledhjen e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Bedri Pejan”. Në vitin 1943 ishte nga nismëtarët për krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe deri në vitin 1944 kryetar i saj.

Pas luftës u arrestua në Shqipëri. Vdiq sapo doli nga burgu, në vitin 1946.

Qemal Mullaj (1881-1966)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, deputet

Si delegat i Lushnjës, në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës dhe firmosi Aktin e shpalljes së Pavarësisë me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës i Botërore u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe rreth vitit 1920, për t’u rimarrë përsëri me politikë. Deputet në parlamentin e parë shqiptar.

Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, mjek, patriot

Në nëntor të vitit 1912, Dr. Myrteza Ali Struga, së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhën delegatë të Ohrit e Strugës për në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Dr. H. Myrteza Aliu”. Përsëri si përfaqësues i Ohrit e Strugës ishte delegat në Kongresin e Lushnjës më 1920.

Aristidh Ruci (1875-1950)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar.

Merr pjesë në kryengritjen e përgjithshme më 1911. Ishte delegat i Vlorës në Kuvendin që shpalli pavarësinë dhe firmosi Aktin me siglën “A. Ruci”. U zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare më 1937.

Zyhdi Ohri (1872-1938)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, senator.

Në vitet 1898-1900 u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Në nëntor 1912, i zgjedhur nga Ohri si delegat, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Zuhdi Ohri”. Ishte pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Në janar 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës.

Sulejman Delvina (1884-1932)

Ministër, Kryeministër.

Kryeministër i qeverisë i dalë nga Kongresi i Lushnjës. Përfaqësues në Konferencën e Paqes në Paris. Mori pjesë në revolucionin e Qershorit 1924 dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli u emërua ministër i Punëve të Jashtme për periudhën nga 16 qershor 1924 – 23 dhjetor 1924. Pas dështimit të këtij revolucioni, Delvina u largua nga Shqipëria. Më vonë i sëmurë u kthye në Shqipëri dhe vdiq në Vlorë në vitin 1933. Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll për të mbështetur alfabetin dhe kërkesat shqiptare.