4.13.2017

DUART E KËPUTURATËKORAB MULËS NGA MINAT SERBE

Image result for Rexhep shahu


REXHEP SHAHU

(Duart apo sytë e viktimave të minave serbe në Kukës, Has, Tropojë, merrini për grada e nderime mirënjohje. Eshtrat e të rënëve në mina serbe merrini si trofe të meritave tuaja dhe zbukuroni me to bufetë e banesave tuaja… Qeveritë në Prishtinë e Tiranë kanë frikë ta padisin Serbinë…).



“Unë veç jam gjallë. Pa asnjë shpresë. Jam djalë i ri… Shteti e as kërkush s’po më ndihmon.Çfarë me ba? Me çfarë me jetue… Baba pa punë.Nana pa punë. Shtatë rob në shtëpi. Dy vëllezër të sëmurë.Unë, sakat pa duar. Vëllai tjetër, i paralizuar në shtrat…” – kështu e nis rrëfimin e tij Korab Mula nga Dobruna e Hasit që i ka të këputura të dyja duart nga minat e vendosura me duart e ushtarëve serbë në fshatin e tij, në teritorin e Republikës së Shqipërisë.
Tash është 22 vjeç.5 vjet më parë, me 15 qershor 2000, ra në mina dhe mbeti pa asnjërën dorë.Ashtu pa duar e me këmbë të sakatuara.Rrin gjithë ditën e lume.Rrin kot.Kërkon për me ba diçka, por askush s’e ndihmon.
Është lodhë duke folë për gazetarët.Veç gazetarët janë miq.Veç shtypi më ka mbajtë gjallë, thotë.
Korab Mula ishte 18 vjeç kur minat ia këputën të dyja duart. “Isha me provimet e vitit të katërt të shkollës së mesme, flet duke iu dridhë mjekra. Mina mi preu krejt ëndrrat.Mu pre jeta në mes.Isha duke kullotë loptë e shpisë.Shkela në një minë.S’e pashë.Ia kisha vu kamën sipër. Me kamën tjetër shkela telin e një mine tjetër.Plasën të dyja.Pastaj nuk di çka ka ndodhë me mue. Më ka marrë një kosovar në kerrin e vet e më ka çue urgjent në Gjakovë në spital. Aty, KFOR-i italian me helikopter më ka çue në Prishtinë, ku më kanë ndihmue shumë. Pas tri javësh më kanë ardhë sytë, sepse pata humbë shikimin krejt…”.
Korab Mula sot flet me shumë mërzi.Se s’sheh kund gaz e shpresë për veten.Sheh se me të e viktimat e tjera apo të mbijetuarit e tjerë të dënuar nga minat e nga zoti, është ba e po bahet hajgare.
Rrëfen se në Prishtinë në spital janë sjellë shumë mirë me të.Askush s’kqyrte me marrë lekë atje, pohon ai.Më kanë ndihmue shumë kosovarë në spital edhe me të holla. Një gazetar italian më ka ndihmu shumë. Më sillte çdo ditë pare për ushqime e për rroba në spitalin e Prishtinës. Ky gazetar ka insistuar që ta dërgojnë në Itali përmes KFOR-it italian, të cilin ai e falenderon. Korabi është djalë i ri që rritet shpejt, ndaj protezat nuk i hyjnë më në punë. Ai duhet të vendosë të tjera kur të mos rritet më.



Kur pyetet se a të ka ndihmue kush, ai veç atyre që tha më sipër, shton : Askush! Një shoqatë e minave (që Korabi nuk ia din emrin), vijon më tej ai, më ka dhënë tri bletë me kredi 60 mijë lekë (600 dollarë amerikanë) për një vit e gjysmë. Po a lahet ajo kredi.Bletët vdiqën. Qysh me ja ba tash?! Asnjë ndihmë tjetër s’kena pasë kurrë.
Kush dreqin u kujtua që viktimave të minave që u bënë të tillë duke ruajtë loptë e tyre, t’u japë lopë me kredi. A për të rënë prapë në mina… duke ruajtë loptë?
Korabi rri gjithë ditën në shpi.Ku me dalë.Vendi ashtë krejt mina.Shifsha ndonjë herë bletët.Ato kanë vdekë.Edhe disave sakatë si unë u kanë dhanë lopë me kredi. Po na te ruajtë loptë e berret kena ra në mina e kena mbetë sakatë.
Pyetjes se si ushqehesh, ai me lotë në sy i përgjigjet : Me ngrënë bukë më mkojnë njëherë nana e një herë motra. Ato më mkojnë… Para dy vjetësh më janë prish protezat. Mjekët sllovenë që më kanë vizitue më kanë thënë se unë jam në zhvillim e sipër… Të vjen zor ta pyesësh sepse tash është i rritur, se kush t’i zgjidh e kush t’i lidh pantallonat kur kryen nevojat përsonale…
Ndërsa flet me zë të dridhshëm Korab Mula, nëna e tij Sose Mula si me piskamë flet e s’di kujt i flet me dorën shtrirë si njeriu që lyp shpresë e ndihmë në grahmat e fundit… “Shteti s’po kqyr kurrë nga ne… Ne s’ia vemë gjunjt n’bark kurrkujt.Por qysh me jetue.Na nuk i vumë minat vetë në oborrin tonë. Ushtarët serbë na i lanë djemtë sakatë. Shteti s’na mbrojti… Fëmijët sakatë prapë i çojmë me bagëti. Nëpër mina prapë… Me zemër të ngrime rri, derisa të vijnë fëmijët me bagëtitë. Qysh me rrnue… Të paktën Korabin t’ma nxirrshin jashtë shtetit në ndonjë spital të mirë me i vu proteza të mira.Të paktën të ushqehej vetë. A të shkollohej diku jashtë shtetit për ndonjë zanat që ai mundet me e ba… Ndoshta i vjen shpresa me jetue po e nxorën jashtë shtetit…”- lodhet duke folë Sose Mula, nëna e Korabit.
Aty në atë shtëpi, në atë fshat, mbetesh pa fjalë. Të meket fryma.Ndoshta edhe të ndalet zemra. Se s’din çka me thanë e s’din çka me ba prej pazotësisë e pamundësisë…
Panorama në shifra
Gjashtë vite kaluan nga përfundimi i konfliktit për Kosovën dhe gjithë brezi kufitar Shqipëri-Kosovë në një gjatësi 120 km e në një sipërfaqe 1400 ha, vazhdon të jetë varr i hapur që merr jetë të pafajshme shqiptarësh, për shkak të pranisë së madhe të minave luftarake, të vendosura kudo në teritorin e Shqipërisë, nga ushtarët serbë, në vitet 1998-1999, dhe të papenguar nga ushtria dhe policia e Shqipërisë.
52 % e siperfaqes së minuar është mal e kullotë me të cilat kanë jetuar e duhet të jetojnë banorët e brezit kufitar pasi me ato kullota e ato male e bjeshkë kanë ruajtur bagëtitë e tyre të vetmet burime jetese për ta.
48 % e sipërfaqës prej 1400 hektarë të minuar është tokë arë, livadhe e oborre shtëpishë. Arat nuk mbillen.Livadhet nuk kositen.Banorët nuk i kompenson askush.
As dëmet e minave nuk janë llogaritë.Siç thamë minat janë vendosur në teritorin administrativ të Shqipërisë në një thellësi deri në 2000 metër.Pa llogaritur minat e hedhura nga distanca me raketa të ndryshme që kanë mbërritur në thellësinë e teritorit tonë deri në 30 km (fshati Kolsh I Kukësit, apo qyteti i Krumës ku mbërritën minat suprizë).
Oborret e shtëpive tash janë pastruar nga vetë banorët.Shkëlzen Kurpali në fshatin Letaj të Hasit, në oborrin e shtëpisë së tij, në oborrin e Kullës së Kurpalëve që është me nam në histori, ka hequr me dorën e tij 220 mina kasetë. Si Shkëlzeni, kanë heqë e mbledhë mina shumë banorë të verilindjes, sepse në vitin 2000 pati dalë një lajm i rremë se Natoja do t’i blinte minat serbe. Derisa shefi i atëhershëm i Natos, Robertson u shpreh se Natoja nuk blen mina, shumë banorë rrezikuan shumëfish jetën e tyre.
Por në oborre të shtëpive kanë mbetur pa këmbë, duar e sy shumë fëmijë e banorë të brezit kufitar.
58 njerëz kanë vdekur.Nga këto, 34 kanë vdekur nga qershori 1999 e deri sivjet në fundkorrik 2005.273 njerëz janë invalidë të përjetshëm. Që nuk e kanë një ose dy këmbë, njërin ose të dy sytë, njërën ose të dyja duart, krahët…
Shumica prej tyre fëmijë.Por ka edhe kryefamiljarë.
47 fshatra janë të rrethuara nga minat në gjithë gjatësinë e kufirit prej rreth 120 km mes Kosovës e Shqipërisë.Stroberda e Tropojës dhe Dobruna e Hasit kanë më shumë viktima e dëme.Por ka fshatra që janë shuar gati plotësisht nga braktisja.Nga 70 shtëpi në fshatin Pogaj të Hasit para lufte, sot kanë mbetë 8 shtëpi.
77 shtëpi banimi janë të shkatërruara plotësisht prej minave e predhave në këto fshatra kufitare.
Ndërsa 1146 shtëpi të tjera janë të dëmtuara në masën nga 30-40 %.
30 objekte publike janë të shkatërruara.
3017 kokë bagëti janë të ngordhura, sepse duke kullotur kanë rënë në mina.
Era kërmë vazhdon t’i vijë vendit në brezin kufitar edhe pse kanë kaluar disa dimra.
Që nga viti 2000 për të pastruar teritorin nga minat serbe kanë punuar disa kompani të huaja çminuese me fonde të lëvruara nga vendet e tyre.Ka punuar në terren për çminim kompania amerikan-sllovene Ronco, me fonde të Departamentit të shtetit, Kompania gjermane Help, me fonde të akorduara nga Gjermania, kompania daneze DCA, me fonde të Kishës daneze, Aksioni zvicerian kundër minave.Nuk dihet sasia e fondeve të lëvruara.Dihet se afër 50 % e teritorit është pastruar nga minat por ende nuk është çertifikuar kjo sipërfaqe si e pastruar.Vetëm në vitin 2005, BE-ja i akordoi UNDP-së një fond prej 2.5 milionë euro, fond që do të përdoret edhe për të pastruar teritorin nga minat.
Por gjithashtu që nga viti 2000, janë akorduar afërsisht (s’ka burime të sakta), rreth 1.7 milionë dollarë nga donatorë ndërkombëtarë për OJF të ndryshme për edukim për minat, për të edukuar njerzit që të mos bien në mina, për t’ua mësuar njerzve llojet e minave, për tu thënë njerzve se minat të marrin jetën.
Se sa fond është dhënë nuk dihet, por janë rehabilituar ose kanë vënë proteza rreth 80 invalidë pranë Institutit Slloven të Rehabilitimit ne Slloveni. Ka ardhë në Kukës një sallë operacioni për viktimat e minave me një vlerë rreth 100 mijë dollarë.
U janë dhënë viktimave të minave lopë ose bletë me kredi!!!
Viktima të pashpallura lufte
Viktimat po përballën me ndëshkimin e fatit, dhe të qeverisë.
Familjarët e të vdekurve nga minat nuk marrin pension.As invalidët.
Ekspertë të sigurimeve shoqërore, lokalë e qëndrorë, dinë të pohojnë se për të marrë pension duhet të kesh bërë vitet e punës që kërkon ligji dhe të kesh moshën e kërkuar.Po ashtu thonë se të marrësh pension invaliditeti duhet të kesh qenë në marrëdhënie pune disa vite.Shkurt, thonë se, të vdekurit nga minat serbe, (që kanë vdekur ose në oborre të shtëpive të tyre, ose në kullotën e tyre, ose në arën e tyre, ose në malin e tyre), nuk përfitojnë pension. As ata që kanë mbetur pa të dyja këmbët a pa të dy sytë a pa të dy krahët, nuk përfitojnë pensione sepse janë fëmijë dhe nuk kanë vite pune. Nuk kanë siguracionin të paguar !!! E ku e kur të paguante siguracionin 18 vjeçari Korab Mula që ishte nxënës shkolle e që mbeti pa të dyja duart ?! Kur, ku e si të paguante siguracion 15 vjeçari Gazmir Muhadri që mbeti pa sy!! Ku ta dinin viktimat e gjora se Shqipëria do të pushtohej (1400 hektar teritor i saj) nga Serbia, me mina serbe që ata të rendnin për të paguar siguracione se kështu do qeveria jonë…
Të ndalemi e të arsyetojmë.Të jemi së paku të drejtë.Minat që u kanë marrë jetën 58 shtetasve dhe që kanë shkaktuar 273 sakatë, a janë mina lufte?A janë vendosë këtu në kohë lufte? Askush nuk thotë jo. Asnjë qeveritar a shtetar.Po atëhere, këto njerëz, këto fatkeqë, pse nuk njihen e shpallën si viktima lufte?Pse nuk trajtohen si të tillë?Çfarë faji kishin ata pse ishin në trojet e tyre dhe erdhi pushtuesi dhe mbolli me dorë minat e vdekjes? Çfarë faji kishin pse po luanin nëpëre, pse po kullotnin lopët në ara, livadhe, pse po shkonin udhës për në shkollë, nëpër udhën e tyre dhe vdiqën ose u aksidentuan nga minat serbe, mjete lufte e jo lodra fëmijësh.
Pse nuk i shpall dhe quan fajtorë shteti ynë serbët? Kryeministri i vendit në parlament, në dhjetor të vitit 2000 e shfajësoi Serbinë duke deklaruar se të gjitha dëmët dhe pasojat për viktimat e minave në verilindje të Shqipërisë i merr përsipër shteti shqiptar dhe qeveria Nano.
Një fjalë që qarkullon herë zëshëm e herë si mërmërimë fajëson Nato-n, sikur ajo paska pasë penguar forcat e armatosura të Shqipërisë për të mbrojtur teritorin administrative të republikës !!! Nëse Nato-ja del fajtore, atëhere të përgjigjet për viktimat dhe sakatët e minave. Sepse ato duan të jetojnë.Duan bukë, të vishen e mbathën, madje kërkojnë kujdes të posaçëm shendetësor.Familjet e të vdekurve nga minat duan të jetojnë. Fëmijët e tyre duan të hanë, të blejnë libra, lapsa, fletore…
Shteti ynë nuk ndalet për këto viktima.Qeveria nuk ka patur kohë për të bërë gati dosjen për ta dërguar në gjykatën e Hagës ku vazhdon gjykimi i Milosheviçit.Për të kërkuar të paguhen jetët njerzore.Për të kërkuar dëmshpërblim për të vrarët dhe invalidët, për të gjitha shtëpitë e shkatërruara e ata pjesërisht të shkatërruara, për të gjitha bagëtitë që kanë ngordhur.Por qeveria jonë nuk ka patur kohë. Ose nuk ka dashur të “tensionojë” marrëdhëniet me fqinjët…
Ndaj me sa duket nuk u thirrën avokatët që të bënin padi në Gjykatën e Hagës a në Gjykata të tjera Ndërkombëtare, në emër të shqiptarëve të vdekur nga minat serbe, në emër të shqiptarëve të mbetur pa këmbë, pa duar, pa sy, të mbetur sakatë të përjetshëm, nuk u thirrën avokatët që të padisnin në emër të shtetasve shqiptarë në Gjykata Ndërkombëtare për dëmet e mëdha materiale e ekonomike që u janë shkaktuar banorëve në brezin kufitar. Dëme të mëdha në shtëpi, në blegtori, në prodhime bujqësore, etj.
Edhe Avokati i Popullit, nuk ka gjetë ende kohë e mundësi, të bëjë avokatinë e banorëve të republikës së pushtuar prej minave serbe (!!!).

No comments:

Post a Comment