4.15.2017

Marash Ivanaj, nën vëzhgimin e Sigurimit, ja raportet sekrete

Dosja hetimore e 1947/ Çfarë raportonin punonjësit e Sigurimit për gjithë lëvizjet e ish-ministrit të Zogut nga dita e mbërritjes së tij në Tiranë me 1 tetor 1945 e deri në arrestimin e tij në maj 1947….

Mirash Ivanaj, ish-ministri i Arsimit e më pas këshilltar i lartë i mbretit Zog pas shumë vitesh në arrati, kthehet në atdhe me 1 tetor 1945.

Pushtetin e kishin marrë komunistët dhe ai, si njeri i afërt i mbretit, nuk mund të rehabilitohej lehtë. Përkundrazi ai ishte vënë në vëzhgimin e njerëzve të Sigurimit që në orët e para sapo vuri këmbë në Tiranë.

Raporti i parë që rezulton në materialet e Sigurimit i përket pikërisht ditës së parë të mbërritjes së tij në Tiranë. Madje shënohet edhe ora. Mirash Ivanaj kishte mbërritur në Tiranë i ardhur nga Jugosllavia pikërisht në orën 12 në mesditë. Të gjithë lëvizjet e tij, takimet e hapura dhe ato të fshehta ishin regjistruar ditë pas dite nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit.

Raportet e shumta grupuar sipas tematikës ose njerëve të përfshirë ishin analizuar në zyrat e hetuesisë menjëherë pas arrestimti të tij. Këto raporta (disa prej të cilave përsëriten) ruhen në dosjen hetimore të Mirash Ivanajt. Një pjesë prej tyre i sjellim më poshtë, duke krijuar tablonë reale të përgjimit të këtij intelektuali në përiudhën para arrestimit të tij.

1 Tetor 45

Drejtoris Mbrojtjes Popullit
K ë t u

Sot ora 12 arrijti në Tiranë prej Jugosllavije, ish Ministri i Arsimit Mirash Ivanaj, i cili zuri vend në Hotel Kontinental.
Në hotel e vizituan Gjergj Kokoshi dhe Nikolla Ivanaj, djali i Xhajës së Mirashit, shkrimtar me banim në Tiranë.
Ora 6 Mirash Ivanaj i shoqëruar prej Gjergj Kokoshit dhe prej Nikolla Ivanajt shkuan në Komitetin e N/Prefekturës për të takuar Ali Bakiun. Dihet se Ali Bakiu ka nji admirim të math për Ivananë dhe nji miqësi të madhe. Pasi nuk e gjetën atje u drejtuan për në qendrën e Prefekturës ku Ali Bakiu merte pjesë në nji mbledhje, prej ku e nxuar dhe u takuan në portën e hyrjes së godinës. Atje u fjalosnë më këmbë mjaft minuta dhe nji shok i joni na thotë se kish digjuar fjalët “Për Statutin Themeltar”.
Është në vëzhgim tepër konspirativ.

SEKSIONI MBROJTJES POPULLIT

SHEF’I SEKSIONIT

(Stefo Grabocka)

(firma)

RAPORT MBI VËZHGIMET QË I JANË BËRË MIRASH IVANAJT

Mirash Ivanaj është parë të shkojë në Kontinental, me gjithse ka tre ditë që është larguar së këtejmi. Ky provizorisht ka hyrë në një shtëpi, deri sa të lirohet shtëpija e tijë ku ka vënë ustallarë për ta riparuar e bojatisur. Miqtë që rrinë fort me të janë Ali Bakiu e Sali Tagani nga Tirana. Shtëpija që rrin është e Sali Taganit në rrugën e Dibrës. Me datën 8 k.m. ka qenë ne Saliu, këtej ishte thirrur për drekë tek Rauf Fico, ku ka ndenjur deri në orën 2 pas dreke.

Prej këtej shkoi prapë në shtëpinë e Sali Taganit. Prej shtëpisë së Rauf Ficos nuk u pa të delte njeri tjetër veçse u pa që ta shoqëronte deri në shtëpi një djalë po i asajë shtëpije, gjat kësaj dite nuk ka dalë prej këtu.

Me 9 k.m. doli nga shtëpija në orën 9 dhe u drejtua për në Pazar, rrugës u takua me Mustafa Demnerin, bizedoi me të 15 minuta dhe u ndanë. Kur zbriti në Pazar shkoi nga Tirana e Re deri në shtëpin e të vëllait të vetë por as aty nuk ndenji, erdhi në Pazar hëngri bukë dhe shkoi drejt në shtëpi të Saliut. Gjat rrugës për të sallutuar salluton shumë, bën lëvizje në shumë rrugë por nuk ndalohet në ndonjë vend.

Më 10 k.m. mbasi doli nga shtëpija në orën 10.45 u drejtua për te Noteri Publik më rrugën Ish Mbretnore, ku bizedoi me të quajturin Jonuz Tafaj për 15 minuta, prej këtu shkoi në Bankën e Shtetit, aty nuk bëri as gjë, veçse shikoj rreth e përqark Bankës dhe doli hëngri bukë dhe u drejtua për nga shtëpija; në Pazar u takua me Selman Stërmasin, me të cilin u shoqërua deri në shtëpi, nga ku nuk doli më.

VF.LP.

Tiranë më 4.10.945


RAPORT MBI LËVIZJET E MIRASH IVANAJT


Me datën 3 k.m. në orën 9.30 Mirash Ivanaj doli nga Hoteli dhe u drejtua për në rrugën 28 Nëndor, në atë kohë (në rrugë) i erdhi një letër nga Kryeministrija, prurë nga një shërbëtor. Mbasi e këndoi vazhdoi rrugën tue parë vitrinat e dyqaneve. Tue kalue rrugën 28 Nëndor vazhdoi rrugën e Dibrës dhe doli në Bulevard.

Në orën 10 po në Bulevard u takua me të birin e Afiz Ali Korçës, i cili ka qenë në burg dhe tashti është liruar. Në orën 10.10 hyri te Ministri Arësimit dhe doli nga Ministrija në orën 10.30. Prej këtu kaloi prapë në rrugën 28 Nëndor dhe u fut te Ali Kaçeli, bizedoi pak me Alinë dhe shkoi pranë Sahatit ne Filip Ujka (mekanik). Bizedoi aty 30 minuta. Prej këtu shkoi në Hotel nga ku nuk doli më; me gjith se është pritur deri vonë.

ËSHTË NË SURVEJIM.

SHEF I SEKSIONIT TË II-të

(Dhosi Progri)

(firma)

Vdekje Fashizmit Liri Popullit

Tiranë më 7.X.945

Rreth lëvizjeve të Mirash Ivanajt

Më datën 4 të k.m. ësht parë tue shtitur në Rr. e Dibrës bashkë me Sali Taganin n’ora 10 e 30 para dite, Saliu ësht Tiranas dhe më parë ka qen si arkëtar në Bashkin e këtushme. Mbasi u ndan Mirashi u drejtua për në bujtinën që rri.
Po më datën e sipërme Mirashi ësht takuar në Bulevard të math me Muhamet Hoxhën ish drejtor i Shkollës teknike të këtushme, ky nuk ka pas qëndrim të mirë ndaj Lëvizjes tonë. Mbasi shtiti pakë me Mirashin u ndan dhe Mirashi më vonë shkonë përsëri në hotelin ku qëndron. Muhameti mbasi u nda prej Mirashit takohet me Gjergj Kokoshin dhe mbasi biseduan tue shtitur u ndan me drejtime të ndryshme. Në hotel ku banon Mirashi (Kontinental) shikohet që të ven shum burra dhe gra që takohen me të, populli flet mirë për të.

Shefi Seksionit të II-të

(Dhosi Progri)

(firma)

V.F.L.P. Tiranë më 8.10.945

R A P O R T MBI LËVIZJET E MIRASH IVANAJT

Me datën 4 k.m. në orën 8.15 shkoi në Kontinental i quajturi Ramazan Kaçeli, i cili u takua me Mirashin, mbasi ndenjën pak duallën të dy së bashku tue bizedue në disa shëtit pazarit, në orën 8.5 u ulën në Kafe Savoja ku ndenjën 10 minuta, prej këtu u drejtuan në dyqanin e Kaçelit, këtu Mirashi nuk qëndroi por shkoi drejt në Bibliotekë, kurse Ramazan Kaçeli ngeli në dyqan. Prej Biblioteke doli jashtë në orën 10 ku u takua me Sali Taganin, shëtiti me të deri në orën 11.30. Mbasi u nda prej tijë shkoi drejt në Hotel. Ka dalë në orën 5 mbas dite duke shkuar drejtë në Ministrinë e Kulturës, ku qëndroi gati 20 minuta. Prej Ministrije shkoi drejt në Bulevardin ish Musolini. Në rrugë takoi me Nikolla Ivananë, u shoqëruan deri ne kisha katolike, aty u kthye prapa dhe shkoi në Hotel, nga ku doli me një herë, bëri disa shëtitje vetëm pa u takuar me as njeri dhe shkoi prapë në Hotel (ishte ora 8) dhe nuk doli më.

Me datën 5 k.m. në orën 7.30 erdhi Ali Bakiu dhe kanë bizeduar gjyzëm ore dhe iku në orën 8. Pastaj ardhi Muhamet Hoxha, ish Drejtor i Shkollës Teknike i cili me Mirashin që atëhere kish një miqësi, me këtë bizedoi më se gjysëm ore. Prej kësaj ore e deri në 12.15 nuk erdhi njeri. Në orën 12.15 erdhi Gjergj Kokoshi dhe u takua me të. Ky hyri në dhomë të Mirashit dhe pasi bizedoi 15 minuta u largua. Ka pasur takime dhe me Sali Taganin të cilit i shkoi dhe në shtëpi, është shoqëruar me Musa Petrelën të birin e Shaqir Petrelës.

Me datën 6 k.m. është takuar në rrugë rastësisht me Gjergj Kokoshin, por u ndanë për një herësh. Po në këtë datë Gjergji është takuar me Llazar Treskën dhe me Prof. Loni Kriston. Po në këtë datë Mirash Ivanaj ka qenë i thirrur te Sali Tagani për drekë (në shtëpi) ku kanë ndenjur deri në orën 11.30. U muarr vesh se ishte thirrur dhe Gjergj Kokoshi, por nuk u pa që të hynte e të delte gjë. Po me këtë datë Ali Bakiu kërkoi me telefon Mirashin, i cili nuk ishte aty, kështu Ali Bakiu erdhi ta takonte personalisht por përsëri nuk e gjeti në dhomë.

Shtojmë se këta elementa që takohen me Gjergj Kokoshin, janë parë shumë herë tue ndenjur në zyrën e Ing. Xegës, si Ing. Llazar Treska, Prof. Loni Kristo e Niko Konda.

JANË NË VËZHGIM.

SHEF I SEKSIONIT TË II-të

(Dhosi Progri)

(firma)

Tiranë me 19 Nëndor 1945
Nga Seks.M.P.Tiranë

Me datën 7 të k.m. Mirash Ivanaj ka dalë nga shtëpija e tijë në orën 10.30 shkoj në zyrat e ujsjellsit pas SEM-pit të këtushëm, aty u takua me përgjegjsin që është një inxhiner Rus, qëndrimi i të cilit thuhet se nuk ka qenë i mirë. Ingjineri në fjalë ndodhet prej kohe në Shqipëri i ikur nga Rusija që në kohën e revolucionit. Mirashi si iku prej këtej para Bankës së Shtetit u takua me nji grua të pa njohur, e cila i dha nji letër që ky e këndojë. Prej këtej shkojë në shtëpin e Sali Taganit, ku qëndrojë për një orë, prej këtu shkojë në dyqanin e Hem Kellezit Nr.28 Nënduer ku ndenji gjysëm ore e shkoj në shtëpin e vet.

Nga Seks.II-të

10.X.45: Nuk dimë deri ku asht e sinqertë një informatë simbas së cilës rrethet që e pritën të parët Mirash Ivananë, këtu në Tiranë, tash së fundi kanë filluar ta sulmojnë, duke thënë se aji nuk interesohet, nuk do ta prishi me Qeverinë se ka shpresë që të marrë prapë shtëpin që i kishin konfiskuar italianët në Tiranë të Re. Nga ana tjetër thanë se pas Ivanajt presin të vinë dhe Qemal Butka, Dalip Zavalani, Avdyl Zalo Geçoja, e ahere të shofim për formimin e ndonjë grupi për zgjedhjet. Për këta që presin thonë se janë Antifashistë të njohur dhe se Pushteti i jonë nuk ka se ç’të thotë. Reaksioni ka shpresë se edhe prej radhëve tona do të ketë mjaft që do të dalin hapur në favor të tyre. Po të besojmë fjalët që u nxuarr nga një bizedim me dentistin Hasan ___ero, duhet të marrim parasysh se reaksioni zgjedhjet i pret me me’avititet’ që do të thotë me shumë etje e pa durim. Një gjë ësht e vërtet: Duken lëvizje të qarta dhe të shpeshta të reaksionarve të njohur dhe parrullat e tyre i lidhin me gjendjen e sotme, me mos njohjen e qeverrisë, dhe me politikën që duhet të bëjë vendi për tu bërë qejfin englezëve.

900. – Nga survejimi që i ashtë bërë prej datës 12-16/II/1947 janë konstatuar këto lëvizje:
Gjatë ditës nuk ka bërë lëvizje ose takime me elementa të dyshimtë. Ky si del nga shtëpija shkon drejtë në shkollë, dhe si del këndej ban nji shëtitje në Pazar dhe përsëri këthehet në shtëpi. Prej shum kohe që ka qenë në survejim nuk ashtë parë të takohet me ndonji njeri jashtë, dhe as që saluton ato që njeh, për pa qenë salutue prej tyre më parë.

Me datë 16/II/1947 dolli prej shtëpije dhe shkoj drejtë në shtëpinë e Sali Taganit rruga Vll. Huta Nr. 119, në këtë shtëpi shkonte dhe disa kohë më parë, mbassi ka nji miqësi të vjetër me këtë. Këtu ka ndenjur deri në ora 12.30 dhe së bashku me Salin dollën prej shtëpisë ku mbassi banë disa shëtitje deri në Pazar, u nda nga Saliu, dhe u drejtua për nga shtëpija.

Nga sa kemi konstatuar gjatë gjithë kohës që e kemi në survejim ky ruhet shumë nga takimet me elementat e dyshimtë jashtë, kurse në shtëpi nga informatat që kemi pasur herë pas here janë bërë lëvizje, por këto shumë konspirative dhe me sa kuptojmë të pregatitura.
Survejimi mbas tashit do të bëhet vetëm përsa i përket shtëpisë, mbassi në lëvizje jashtë nuk po del gjë gjatë gjithë kohës që ka qenë në survejim.

No comments:

Post a Comment