4.13.2017

Në një front antiturk duket Gjoni së bashku me dy djemtë e tij Kostandinin dhe Reposhin.

Rinia e Skënderbeut, misteri i helmimit të vëllezërve të tij

Çështja e fëminisë dhe rinisë të Skënderbeut, më saktë periudha para vitit 1443, i ka angazhuar mjaft studiuesit e shumtë që janë marë me jetën dhe veprën e tij.

Në këtë kontekst në mënyrë të veçantë na intereson këtu kryengritja shqiptare e viteve 1428-1430, ku një influencë të madhe për supozime të ndryshme ka pasur letra e Gjon Kastriotit (17.VIII.1428) që i drejtonte Serenisimës; tre shënime turqisht të bëra me ndërhyerjen e Skënderbeut në defterin e sanxhakut të Shqipërisë në vitet 1431-1432 dhe letra e një funksionari të lartë turk, pa datë e pa vendimin e dërgimit, me emrin Mustafa.

Drejtpërsëdrejti e lidhur me këto ngjarje, edhe pse nuk del emri i Skënderbut, por i të atit të tij, mund të futim këtu edhe “Fetihname”-ia (Shpallja fitimtare) të cilën sulltan Murati II ia drejtonte sundimtarit të Egjiptit, me rastin e luftës për pushtimin e Selanikut (1428-1430).

Vlerësimet dhe debatet në lidhje me këtë kyengritje kanë qenë gjithashtu mjat të shumta në historiografinë shqiptare dhe në veçanti në atë kastiotine, ku më afër realiteit mund të konsiderojmë tashmë sugjerimet e studiuesit A.Plasari, i cili shkruan se: “më 1428-1429 Kastrioti (është) përfshirë në një lëvizje politike që nuk përbën as thjesht kryengritjen kundër turqve dhe as vetëm mospërmbushje të detyrimeve të vasalit ndaj sulltanit” (Plasari 2010: f. 275.)

Për të kompleturar më tej këtë ide duhet thënë se nuk kemi më një kryengritje të karakterit lokal, por tentativën e parë për bashkimin e trojeve shqiptare, ndoshta nën drejtimin e Gjon Kastriotit, si më i moshuari, apo Stafan Maramonte – Balshës si një trashëgimtar i radhës së parë për gjithë zotërimet e Balshajve. Fakt është që Skënderbeu, Stanishi, dhëndri i Gjonit i Stefano Maramonte, Tanush Dukagjini, Koja Zaharia e më shumë të ngjarë edhe Kostandini e Reposhi u aktivizuan njëkohësisht në një sërë frontesh.

Mesa transmetohet nga dokumentat veneciane të periudhës dhjetor 1429- mars 1430 apo nga fakti i ndërhyrjes urgjente të Isak bej Evrenozit (maj-qershor 1430) kuptohet qartë që koalicioni familjar i Gjonit, apo i princave që e kishin halë në sy Venedikun - e thënë sipas mënyrës të kriputar të Marin Beçikemit(ndryshe Barletit), e kishte tronditur rëndë si autoritetin e Portës së Lartë, po ashtu edhe atë të Republikës së Shën Markut në viset shqiptare, i cili duket se ishte afër fitores nëse nuk do të kishte rënë Selaniku më 29 mars 1430.

Kjo çështje deri më sot e paqartë ndriçohet në kronikat e A. Morozinit të mbetura jashtë vëmendjes të historiografisë kastriotiane. Në një kronikë ditore të regjistruar nga sekretari i Serenisimës, ku mes të tjerash marim këtë informacion:

(1429) - E Gjergj Strazimirit Skaninderbieg

Nuk kemi lajm tjetër veç asaj të zotnisë Gjergj Strazimirit, Zot i Moresë këtu në Shqipëri, me Zotërinjtë tanë po synon luftë të plotë, e duket se ngado që shkon kërkon të rëmbejë e humbasë të gjitha viset tona që janë blerë nga Sinjoria ne zonat e Durrësit, Shkodrës, Drishtit e Lepantos.... e nuk dëshëron të bëjë marrëveshje me ne në asnjë mënyrë. Dhe në viset e Lezhës kemi lajme se po rrëmben e po plaçkit.

Mirëpo u vendos nga ana e Senatit të dërgohen atje të gjitha ose pjesë të anijeve tona nga të Gjirit dhe të paraqitet aty zoti Silvestër Morozini, që është bërë kapiteni ynë i përgjithshëm, dhe me dy kokë (tip anije. I.K.) të mëdha të Komunës, me tetë anije, madje edhe më shumë në se do të jetë nevoja...dhe e gjitha u vendos kaq lirisht e do të mbetet kështu. Krishti bëftë gjithmonë më të mirën për Venedikun.

Kështu kronika, jo vetëm që konfirmon prezencën e Skënderbeut për periudhën në shqyrtim(1428-1430), por në të njëjtën kohë e paraqet atë në një pozicion parësor në skakierën e ndërlikuar luftarake të atyre viteve. Nga informacioni mund të perceptohet qysh në këtë periudhë embrioni i strategjisë së përgjithëshme të Kastriotve si trashëgimtarë të Balshajve për bashkimin e trojeve shqiptare.

Jo pa qëllim i është bashkëngjitur emrit të tij cilësimi Strazimir. Kronika pasuron më tej jetëshkrimin e Skënderbeut si “Zotëri i Moresë”, më shumë të ngjarë me një pikë nisje aty rreth vitit 1428, pra një situatë krejt e panjohur deri më sot në historiografinë kastriotiane.

Kështu deklarata e kronistit Stefan Magno më 1443, i cili na trasmeton bëmat e Skënderbeut duke thënë se ai: “në tre ditë çliroi vënde të tjera në Shqipëri dhe u bë i fuqishëm, duke thënë se meqë ishte trashëgimtar i Balshës deshte trojet që ishin të tij” na vendos një paralele me formën e paraqitjes së emrit dhe në mentalitetin e strategjinë e njëjtë të veprimeve luftarake mes dy datave 1429 dhe 1443.

Nëse Skënderbeu u ngarkua nga Porta e Lartë me ndonjë detyrë të karakterit ushtarak apo administrativ kundrejt Moresë, ajo ka qenë e kondicionuar sigurisht me prezencën masive të shqiptarve në këtë provincë të Bizantit dhe rolin e rëndësishëm që ata luanin aty si nga pikëpamja ushtarake po ashtu edhe ekonomike.

Në vetvete termi Zotëri i Moresë për Skënderbeun mund të krahasohet në një farë paralelizmi historik të mëvonshëm me despotin bizantin të Moresë Manuel Kantakuzenin kur do ta quanin “despot i Shqiptarve” (? δεσπ?της τ?ν ?λβανιτ?ν). Fakti referohet edhe nga Teodor Spandugino, i cili e ve Maunele Kantakuzenin që ishte “bërë dhespot nga shqiptarët” si të barabarabartë me dy vëllezrit Paleolog: Dhimitrin dhe Thomanë.

Sidoqoftë më 1428-1430 Skënderbeu së bashku me dhëndrin e motrës së vet Stefan Maramonten u përpoqën të përfitonin nga situata e favorshme ndërkombëtare, kur Perandoria Otomane ishte e angazhuar në luftë kundër Venedikut për marrjen e Selanikut.

Në aspektin lokal situata duket të jetë tensionuar më shumë kur me vdekjen e Stefan Lazareviçit në korrik të vitit 1427 Serenisima vazhdoi t'i njohë të drejtën e trashëgimisë të Balshajve e detyrimet përkatëse kundrejt asaj pasurie të të birit të tij Gjergj Brankoviçit, i cili në fakt i pretendonte ato vetëm në linjën femërore, mbasi e ëma e tij Helena Balsha kishte qenë e bija e Balshës III.

Pra, injorohej e shmangej një trashëgimtar më i ligjshëm siç ishte dhëndri i Gjonit, Stefan Maramontia. Ky i fundit kishte pasur për baba Kostandin Balshën, i cili u ekzekuta nga venecianët në Durrës më 1402. Ja pra, në linjë mashkullore nga ana e të atit ai ishte një Balshë e për më tepër me idenë e pretendent si “bir mbretërori”, post të cilin ai duhet ta ketë pasur aty nga vitet 1392-1395. Kjo reflekron në pesë monedha prej argjedi të nxjera prej tij ku në ballor lexohet mbishkrimi M . REX . COS TANTINIUS (I MADHDHËRISHMI MBRET COSTANDIN) ndërsa mbrapsh S. STEFANU S. SCUTARENSI (SHËN STEFANI SHKODRANI.) Në disa variante gërma M.(agnus) është zëvëndësuar me D.(ominus).

Nga nëna Maromontia ishte i biri i Helena Thopisë, e cila Kostandinin e pati si dashnor duke u lidhur me të në një martesë të dytë. Kuptohet, jo gjithçka sipas kanoneve kishtare. Nga ana e saj ajo kishte pasur për baba Karl Topinë. Pra Stefani ishte edhe pretendet për Krujën, e cila kishte qënë dikur e nënës së tij.

Luftën me Venedikun Stefan Maramontia e kishte nisur së bashku me Balashën III qysh në vitet 1417-1420. Madje venecianët kishin dashur ta koruptonin që të vriste Balshën, duke i premtuar atij të gjitha zotërimet e Balshës.

Shkalla e alarmit dhe mobilizimit tërësor i Senatit Venecian ishte reflektim i drejtpërdrejtë i veprimeve luftarake që e kishin vënë në një rrezik shumë të madh ekzistencën e Republikës Veneciane, në qendrat kryesore të saj si Durrës, Lezhë, Shkodër, Drisht, Ulqin, etj.

Për rolin parësor të Kastriotit në ato ngjarje e tregon edhe fakti i ndërhyrjes të venecianëve për të bërë marrëveshje pikërisht me Skënderbeun, të cilat ai i kishte refuzuar. Rezultati i këtyre veprimeve luftarake ishte i tillë që deri nga fundi i vitit 1429 Skënderbeu dhe Maramontia kishin vënë nën kontrollin e tyre pjesë të rëndësishme të trojeve shqiptare pa arritur akoma të merrte kështjellat kryesore.

Më 1 janar 1430 Senati i Republikës merr vendim për vrasjen e Maramontes dhe cakton shpërblimin për vrasësin 500 dukatë dhe dy kuaj. Në këtë luftë ishin angazhuar gjithashtu Stanishi, Tanush Dukagjini e Koja Zaharia.

Në një front antiturk duket Gjoni së bashku me dy djemtë e tij Kostandinin dhe Reposhin. Asnjë informacion i drejtpërdrejtë nuk na vjen për këtë front të dytë që duhet të jetë zhvilluar në brendësi të viseve shqiptare, por prezencën e tij duhet ta nënkuptojmë së pari nga ekspedita e menjëhershme e Isak bej Evrenozit, fill pas rrënies së Selanikut që desh të thoshte se luftimet në Shqipëri, jo vetëm nuk ishin duke u zhvilluar në favor të Portës së Lartë, por madje edhe kundër saj, pa çka se në ndonjë formacion ushtarak mund të kishte edhe ndonjë kontigjent me ushtarë turq.

Kjo duket mjaft qartë jo vetëm në përshkrimet e kronikanve turq, por edhe në “Fetihname”-ia (Shpallja fitimtare) që folëm më lart. Në këtë dokument sulltan Murati II mes të tjerash shkruan: “Në tokën shqiptare ndodhet një sundimtar i quajtur Ivan, i cili zotëronte shumë fortesa dhe qyteza.

Ai nuk rrinte asnjë çast pa bërë akte dëmtuese dhe armiqësie...Atëhere ne morëm vendim të niseshim me ushtrinë fitimtare për shkatërrimin e vendit të tij, për shfarosjen e veprave të tij, për rrënimin e strofkës së tij dhe për rrafshimin e fortesave të tij, derisa të mos mbetej gur mbi gur.” Gjoni nga ana e tij nuk ishte i përgatitur për këtë sulm të befasishëm dhe ndoqi taktikën e tërheqjes e të mosrezistencës.

Pas këtyre ngjarjeve dihet se vdes Reposhi (25.VII.1431), jo si murg, por si “dux illyricus” në manastirin e Hilandarit dhe Kostandini gjithashtu ka humbur jetën në rrethana të paditura. Mund të supozojmë me këtë rast që u eleminuan vetëm dy djemtë që morën pjesë në luftë kundra Perandorisë Osmane dhe mbetën në jetë Gjergji dhe Stanishi që luftuan kundër Venedikut.

No comments:

Post a Comment