4.16.2017

Opozita kosovare mbetet kundër, analistët kërkojnë unitet politik,vizita e ndërkombëtarëve nuk kryejnë punë


Image


"Vetë kushti i Demarkacionit në këmbim të liberalizimit të vizave, paraqet formën më të vrazhdë të presionit politik të ndërkombëtarëve ndaj politikanëve të korruptuar kosovarë, praktikë kjo e paprecedent në vendet e rajonit", tha Florim Zeqa

Pavarësisht mesazheve të fuqishme dhe në formë ultimatumi që erdhën së fundi nga diplomatët ndërkombëtarë për politikën e Kosovës, për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, pozita dhe opozita akoma vazhdojnë të jenë larg një konsensusi për t'i dhënë zgjidhje këtij problemi, i cili gati tash dy vjet po e mban peng jetën institucionale në vend dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, tha se nuk ka ndryshim në qëndrimet e këtij subjekti politik, derisa përgjegjësia u takon atyre, që, sipas opozitës, e kanë firmosur këtë marrëveshje të dëmshme. "Qëndrimi ynë vazhdon të jetë po ai që ka qenë edhe deri më tani, ata që kanë firmosur marrëveshje, e cila cenon territorin e Kosovës herët apo vonë do të përgjigjen jo vetëm para votuesit, por edhe para ligjit", tha Berisha.

Nga vota kundër versionit të tanishëm të Demarkacionit, sipas deputetes Teuta Haxhiu, nuk do të lëkunden as deputetët e AAK-së. "Jemi për ta përfunduar Demarkacionin me Malin e Zi, ngase me këtë do të duhej t'i hapim rrugë demarkacionit edhe me Serbinë, mirëpo asnjëherë në versionin, të cilin e kanë sjellë tani të nënshkruar Hashim Thaçi, tani si president i vendit dhe Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Jemi për ta ratifikuar një marrëveshje për Demarkacionin me Malin e Zi, por jo në këtë version, dhe ne për këtë i kemi dhënë me kohë edhe arsyet e tona", the deputetja Teuta Haxhiu .

Image

Integriteti territorial, prioritet

Analistët politikë konsiderojnë se veç- mas pas mesazheve të fuqishme të miqve ndërkombëtarë, që i sollën gjatë kësaj jave, pozita dhe opozita duhet të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje të daljes nga kjo situatë.

Analisti politik, Florim Zeqa, konsideron se pavarësisht mesazheve të fuqishme dhe presioneve ndërkombëtare, versioni i tanishëm i Demarkacionit me Malin e Zi nuk do të duhej të guxonte të kalojë në Parlamentin e Kosovës, madje pavarësisht konsekuencave, që mund të pësojnë partitë politike në zgjedhjet e ardhshme, për shkak të mbajtjes peng të perspektivës evropiane, mbrojtja e integritetit territorial të vendit duhet të jetë prioritet i pushtetit dhe opozitës pa dallim.

 Ai thotë se zgjidhja për kalimin e marrëveshjes duhet të jetë konsensuale, që të rishikohet ky version, ndaj të cilit ka edhe vërejtje të ekspertëve të fushës, që konstatojnë se Kosova humb territor nga versioni i tanishëm i marrëveshjes.

 "Vetë kushti i Demarkacionit, në këmbim të liberalizimit të vizave, paraqet formën më të vrazhdë të presionit politik të ndërkombëtarëve ndaj politikanëve të korruptuar kosovarë, praktikë kjo e paprecedent në vendet e rajonit.

 Andaj, politikanët kosovarë duhet vetë ta gjejnë formulën e zgjidhjes së problemeve të hapura me fqinjët, në këtë rast të Demarkacionit me Malin e Zi dhe të Asociacionit të komunave serbe.

Kjo është e mundur të arrihet përmes unitetit të subjekteve politike në raport me dy temat e sipërpërmendura, të cilat ekskluzivisht nuk janë kompetencë e veçantë e pushtetit apo opozitës, por janë tema nacionale, që përcaktojnë të ardhmen e shtetit dhe perspektiven evropiane të Kosovës", potencoi Zeqa.

Kalkulimet politike na lënë në izolim

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, me këtë situatë të krijuar, Kosova po rrezikon seriozisht të ardhmen e saj euro-atlantike, pikërisht nga kjo klasë politike, pozitë e opozitë, shkaku i inateve dhe kalkulimeve të tyre.

Ai thotë se përgjegjësia i takon megjithatë koalicionit të madh politik së bashku me opozitën, pavarë- sisht që opozita nuk e ka për obligim t'i bëhet vartëse pozitës për t'ia riparuar çarjet që ka brendapë brenda si koalicion, ndër më të fuqishmit në numra që ka pasur Kosova deri më tani.

 "Të stagnosh vendin për tri vite me dy tema, të cilat nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me mirëqenien qytetare dhe zhvillimin ekonomik është jo e logjikshme, jo e natyrshme, por as veprim politik i kalkulueshëm për të gjitha subjektet politike.

 Të mbyllësh qytetarët brenda kufijve ballkanikë të disa shteteve është vrasje e drejtpërdrejtë e frymës së lirisë së lëvizjes, bashkëpunimit e ndërveprimit reciprok, ekonomik, politik, social e kulturor dhe njëkohësisht është logjikë e bllokimit dhe izolimit", u shpreh ai.

"Nuk dua të paragjykoj versionin përfundimtar të Demarkacionit, por Qeveria e Kosovës ka pasur mundësinë ta përfundojë këtë proces shumë të rëndë- sishëm për vendin, por edhe opozita ish dashur të tregohet më konstruktive karshi këtij procesi, i cili është paraqitur si kusht në raportin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizim vizash", tha Hidajet Ahmeti.

Ai ka shtuar se nga gjithë kjo rrëmujë politike e institucionale, mbetet në dorën e Qeverisë për të gjetur alternativë për përfundimin e procesit të demarkimit, por jo kosto e liberalizimit të vizave të paguhet me territorin e Republikës së Kosovës, pasi që Kosova nuk ka tokë për të falur....

No comments:

Post a Comment