4.12.2017

Pathënia e vëllimit poetik “NË ANËN TJETËR TË MENDJES” të autorit Adem Zaplluzha.


Iliaz Bobaj
Nga: Iliaz  BOBAJ


‘’Ju lutem njerëz
Ndalini këta zjarre të mëdhenj
Ju përgjëroj ndaleni vdekjen
Se kështu
Vdes atdheu im në mjerim…’’

Me këtë britmë njerëzore, ku shqetësimi i tij poetik arrin deri në faltoret e përgjërimit njerëzor, poeti i mirënjohur Adem Zaplluzha u drejtohet lexuesve të vet me një seriozitet, i cili kurrsesi nuk të lë të qëndrosh indiferent ndaj një britme të tillë, poetike dhe njerëzore njëherësh, ku dhimbja ia kalon shumë e shumë herë gëzimit të pakët të kohës sonë  dhe shpërthimit të saj nuk i fashitet asnjë grimë prej forcës së gjëmimit.


adem
Adem Zaplluzha

Ai duket sikur i është larguar krejtësisht kësaj kohe vrastare dhe ka shkuar në ‘’anën tjetër të mendjes’’, në atë anë ku ai mund të rrijë dhe ta gjykojë i qetë kohën tonë, t’i shohë lirshëm të gjitha plagët e saj dhe t’ia shpërfaqë lexuesit, pa mbuluar asgjë nga plagësia e tyre.
Në këtë mënyrë poeti Adem Zaplluzha është i sinqertë me lexuesin e vet, duke u bërë kështu edhe bindës në mesazhin poetik që i përcjell atij.
Në të kundërt, shqetësimi i tij prej poeti do të ishte i pamjaftueshëm edhe për atë vetë, edhe për shoqërinë e sotme, për të cilën:

‘’Rrugët e ngushta s’po na zënë
Kurse nëpër ato të gjera
Rreptësishtë ndalohen
Në çdo kohë
Hyrjet e këmbësorëve…’’

Edhe pse hera – herës është i rreptë si një despot ndaj kësaj shoqërie, ai nuk bie asnjë grimë më poshtë në qëndrimin ndaj vetes së vet. Dhe kjo e mban tepër komod në qëndrimin e tij. Rreptësia e poetit është pjesë e mesazhit të tij poetik. E ngre krejt natyrshëm veprën e tij. Si pjesëtar aktiv i kësaj shoqërie, ai ndjen përgjegjësinë e tij të plotë, të cilën e thekson në vargje të pakët, por me një forcë të admirueshme poetike:

‘’Aq pak kam me të dhënë
Sa që turpërohem prej vetvetes
Po ta lë vetëm dashurinë peng’’.

Duke lënë peng pikërisht dashurinë, ai ka lënë peng gjënë më të shtrenjtë, më të hijshme dhe më njerëzore që ka njeriu.


13957586_1191192907599823_1901561928_n
NË ANËN TJETËR TË MENDJES

Më të fuqishmen, më sublimen, gjithashtu. Ky tregues shpërfaq bujarinë e tij poetike ndaj lexuesit të vet. Dhurata të tilla lexuesit i bëjnë vetëm poetët e vërtetë. Adem Zaplluzha është një poet i tillë. Ai hyn me dinjitet në sojin e atyre që dëshirojnë dhe marrin përsipër të arnojnë shpresat e grisura të njeriut. Jo vetëm të individit.
Individi është hallka e ‘’zinxhirit’’ poetik të poetit. Por ai di ta ‘’lidhë’’ këtë hallkë bukur mirë në ‘’zinxhirin’’ e vet poetik dhe ta vendosë atë në vendin dhe në madhësinë  e duhur, për të qëndruar harmonikisht me shoqërinë ku ai jeton. Kjo vendosje kërkon një mjeshtëri të veçantë, por është pikërisht kjo vendosje e kujdesshme, ajo që konturon në masën e duhur përmasimin e mesazhit poetik nga individi tek e gjithë shoqëria, madje tek të gjithë popujt, sepse:

‘’Popujt që flenë
Përherë zgjohen të përgjumur’’.

E gjithë tematika e krijimtarisë së tij në këtë libër, i takon asaj shoqërore. Në këtë prizëm, mendoj se ajo ka një plotëri admiruese. Edhe figura artistike duket se është përzgjedhur dhe vendosur me kujdes të veçantë, duke mbajtur të gjallë hapin e ritmit dhe muzikalitetin e vargut. Sidomos metafora, e cila jo pak herë merr përsipër një ngarkesë artistike jo të zakontë, duke e përforcuar dhe ngjeshur dukshëm lëndën poetike.
Në këtë pikë mendoj se duhet pasur kujdes i madh në ndonjë përsëritje në plagjiaturën e poezisë së tij.
Por gjithsesi do ta përgëzoja sinqerisht për punën e tij të palodhur dhe plot pasion, si autor i mbi 135 librave, gjë që përbën edhe një rekord krijues në letërsinë tonë.
Ky është një kontribut jo i zakonshëm, që duhet vlerësuar dhe nderuar si i tillë. Autorët e hapësirave të tilla sasiore, janë të pakët dhe numërohen me gishtat e dorës.
Si redaktor i këtij libri, doja ta përgëzoja sinqerisht autorin, të ftoja lexuesin  dhe ta garantoja atë, se në faqet e tij do të ndjejë një kënaqësi artistike të veçantë. Nga ato që të jep poezia e vërtetë.

No comments:

Post a Comment