2017-04-12

Poeti që nuk e përsëriti asnjëherë vetveten


( Parathënia e vëllimit poetik ”  Kësaj nuk i them dot liri ” të autorit Adem Zaplluzha ) 

images
Nga: Prof. Kopi Kyçyku

Duke lëçitur me vëmendjen e merituar këtë vëllim të Adem Zaplluzhës, të përforcohet bindja se ky poet tejet prodhimtar është i aftë të mos e përsëritë vetveten as atëherë kur i rikthehet së njëjtës temë. Kjo e fundit nuk është vetëm një. Fjala është për një larmi subjektesh që nisin me ndjenjat më intime të njeriut të dashuruar e vazhdojnë me shpërthimet e vrullshme atmëmëdhetare, për të mos u shterur kurrë trajtesat e aspekteve të ndryshme të jetës e të veprimtarisë shoqërore.

adem
Adem Zaplluzha

Këndvështrimet e Ademit janë sa ylberore, aq edhe të befta. Në shumicën e rasteve mbyllja nuk hamendësohet as nga titulli e as nga zbërthimi i përmbajtjes në vargje. Më tej: befasia nuk bëhet qëllim në vetvete, por, krahas thyerjes së monotonisë që haset rrallë në mjaft autorë të tjerë, gjendemi përballë shpalosjes së një realiteti që, shumë-shumë e kemi ëndërruar, por nuk e kemi prekur as me shqisa e as me përfytyrimet tona. Gjithaq me rëndësi është të vëmë në dukje se vargu i Ademit rrjedh si uji i burimit, figuracioni është me sens mase, larg sensacioneve apo efekteve të bujshëm e të sipërfaqshëm.

14281535_1216031081782672_1489374888_n

Elementët stilistikë dhe artistikë janë në varësi të idesë që kumtojnë, nuk i rrinë përsipër kësaj të fundit, por as i kundërvihen. Ata mbeten brenda rolit që kanë, pra si mjete për të shpalosur sa më këndshëm mendimet. Tipar themelor i poezisë së Adem Zaplluzhës, do të thosha gjenetik, është dashuria për të parët e vet, për trojet shqiptare, brenda ose përkohësisht jashtë kufijve shtetërorë të dy shteteve kombëtare dhe optimizmi për një të ardhme të ndritur të shqiptarisë.

No comments:

Post a Comment