4.12.2017

Recension për librin “Ishim të lumtur si gjinkallat” të autorit Adem Zaplluzha


Nga:  Zyba Hysa
“Letërsia është fantazi, por jo pjellë e një fantazie, është pjellë e një realiteti , për të ndritur udhën e drejtë një realiteti tjetër në të ardhmen…”                                                                  
 Zyba Hysa
Poezia është pasqyra e shpirtit të botës, shtimi dhe perfeksionimi i saj, tregon se plagët e botës janë në rritje, rënkimet e brengave çajnë qiellin, godasin Zotin dhe Zoti për t’i shpëtuar dhimbjes, shkarkon si muzë tek poetët, bijtë e tij hyjnorë, për të lëshuar peshën e dhimbjes në letër përmes vargut të poezisë… Poetët janë bijtë e Zotit, pa të cilët edhe vetë Zoti s’do të ekzistonte prej dhimbjes së plagëve të njerëzimit…
Më ndodh shpesh të lexoj poezi… diku një varg e s’bën zemra më tej, diku deri në mes e ndërpres, rrallë më ndodh të lexoj poezitë deri në fund, por atë që lexoj deri në fund, i rikthehem për të dalluar mirë çfarë fshihet thellësive të saj…gjë që më ndodhi në poezitë e vëllimit poetik “ISHIM TE LUMTUR SI GJINKALLAT”.Kur e fillova,s’ndalova në vargun e parë, as në mes të poezisë, i dola librit në fund me një frymë dhe thashë me vete: “Poezia është gulçima e një shpirti të robëruar… është flaka e lirisë së tij…”
Ju kërkoni të jem RECENSENTE e këtij libri, po a mundem unë? Le ta them me pak fjalë: Je poet i madh! Unë kurrë s’do të krahasoja me poetët e mëdhenj botërorë, siç bëhet rëndom në recensionet e librave, do të thosha, se poezia jote është e ADEM ZHAPLLUZHES dhe kjo të ka bërë nder të madh, të ka dhënë emrin POET.
Aq sa herë njihem me poetë të ndryshëm, po aq qëndroj dhe them me vete: “Ndodh kjo gjë në kombet e tjera?” Është e çuditshme: mund të jesh i burgosur, por shpirti mund të jetë më i lirë se në liri, mund të jesh i lirë e shpirtin mund ta kesh të burgosur. Kjo u shkon për shtat fjalëve të djalit të Prof. Dr. Isuf Luzajt, Kujtim Luzajt, kur e pyeta në një intervistë për librin studimor “Isuf Luzaj, Një Shtizë Diell mbi Atdhenë”, se ku ndjehej më mirë, në Shqipëri apo në Amerikë,ai u përgjigj: “Më i lirë isha në Burrel, me të dënuarit politikë! Atje trupi ishte i burgosur, por shpirti ishte më i lirë se ata që ishin jashtë dyerve të burgut, aty ishte ajka e Kombit, të gjithë intelektualët shqiptarë dhe bisedat me njëri – tjetrin e bënin shpirtin me krahë shpendi…”
Ishim të lumtur si gjinkallat
Librin “ISHIM TË LUMTUR SI GJINKALLAT” të poetit shqiptar, me banim në Kosovë, Adem Zaplluzhës, meqë ishte pak i njohur nga unë si dhe nga befasimi që përjetova prej bukurisë së vargut poetik, më shtyri kureshtja të lexoja biografinë e krijimtarisë së tij (për mua biografia e një krijuesi është kjo), ku mësova se kishte krijuar 149 vëllime poetike, një shifër marramendëse, që në shikim të parë, kush s’ka lexuar poezinë e tij, të jep atë përshtypjen e një mendimi, do të thosha pa bazë që qarkullon nga ata njerëz që kanë vakume mendimi dhe shpirti, se “Të shkruash shumë s’ka cilësi”. Jo, kjo s’mund të përgjithësohet! Unë respektoj me përunjësi cilindo që shkruan dhe hesht duke i lënë kohës t’i vërë vulën veprës së tij, se ata që shkruajnë dhe ulërasin se çfarë kanë bërë, ndjejnë frikën e asimilimit të krijimtarisë së tyre nga KOHA.
E kam thënë edhe herë tjetër, koha është një sitë sizmike që kurrë si ndal lëkundjet duke shoshitur, ajo ndan krundet nga mielli dhe miellin sipas kategorive; për bukë, për petë, për ëmbëlsirë… Të mos merremi me kohën, ta lëmë të të merret ajo me ne, por të hedhim një vështrim tangent në këtë libër, ku është derdhur frymë për të dhënë frymën hyjnore lexuesit, ashtu siç bëjnë nënat që marrin një majë luge nga gjella për ta provuar, që lexuesit t’i shtohet dëshira
ta rrufitë poezinë e tij…
E përbashkëta e tematikës së poezisë shqipe, sot dhe përherë (përjashtojmë poezinë e realizmit socialist që i këndoi një dashurie fantazmë, që shfaqej me petka engjëlli, por që fshihte brenda satanan) qëndron mbi 2 shtylla; dashuria për Atdhe dhe dashuria për njeriun mbështetur në virtyte.
Të shkruash për Atdheun, duhet të njohësh plagët e tij, të ndjesh rënkimet e tij deri në palcë të shpirtit e shpirti gulçon e nëpër gulçime merr flakë poezia… Atdheu s’është thjesht një copë tokë e lënë trashëgim nga të parët, ai është burimi i frymëmarrjes sonë, është bërthama e kuanteve të shpirtit të njeriut, është tingulli i gjuhës, tingull që s’e gjen në asnjë gjuhë të botës, është ëmbëlsia e lindjes së diellit e pse dielli lind për gjithë tokën… është dëshira për tu prehur në gjirin e tij…

Një popull nga më të lashtët, një popull që mbart me vete cilësitë më fisnike njerëzore, ku barbarët e stepave çfarë s’kanë bërë ta zhdukin, ta shpërfytyrojnë, prapë se prapë u ka mbijetuar shekujve duke i lyer ata me gjak e gjer t’i zërë gjaku shekujt e të kuptojnë padrejtësinë e madhe që i është bërë dhe bëhet këtij Kombi evropian, ngulur këtu para se të vinin këta që sot na lënë jashtë Evrope, ne do përleshemi, do kacafytemi, por s’do të zhdukemi… Te jesh dikush është diçka, por të dish të qëndrosh, kur të gjithë të sulmojnë, kjo është e admirueshme…  dhe kombi ynë është për tu admiruar me historinë e tij të lavdishme, janë për tu admiruar, ata bij të këtij kombi që me pushkë e me penë kanë vënë vulën e mos asimilimit të tij…
Në poezinë “Sa herë i shfletoj librat e vjetër” autori shprehet:
“Çfarë gabimi bëmë
Ku mëkatuam që kaq shtrenjtë
Po e paguajmë
Këtë heshtje tinëzare
Na u djegën ullinjtë nëpër fusha
Tok me drurët po kalben edhe rrënjët
Sa herë që i shfletoj librat e vjetër
Shoh se njëqind fytyra
Na paska historia
Deri në asht na e rropi lëkurën
Nëpër furrat e gëlqeres i dogjën hartat.”

Po kështu poeti na kujton autoktoninë tonë nga institucionet fetare para se të vijnë barbarët dhe luftërat e përgjakshme që ka bërë populli për të mbrojtur trojet tona e shpreh në pak vargje të poezisë “Presim zërin e Atdheut”:
“Pakëz më tutje në anën veriore
Muranat e një kishe të kahershme
Parmenda sërish i hap plagët e tokës
Dalin në shesh me mijëra ushtarë.”
Kush shkruan përtej shijeve të lexuesve dhe admiruesve të vet, ka shkruar për brezat që do të vijnë, ka shkruar për ardhmërinë e njerëzimit, ajo që hidhet në letër, mbetet e pavdekshme nëse i reziston kohës.
Kam dëgjuar shpesh për famën që po merr Kadare nëpër botë, kjo pak e pabesueshme për mua, sepse një krijimtari, që të marrë përmasa universale (për vlera, jo për përkthimet dhe shpërndarjet e saj) patjetër duhet të ketë ndritur së pari kombin nga vjen ky, apo ai shkrimtar dhe forca e kësaj krijimtarie të jetë ndjerë në formimin e mendësive përparimtare të popullit nga vjen krijuesi që të reflektojë më pas në atë globale. Globi përbëhet nga shtetet dhe shtetet nga kombet, apo nga disa kombe, kështu edhe letërsia globale, përfshin letërsinë që u ka dhënë dritë këtyre kombeve, se të dërgosh qiri në xhami, kur s’ke në shtëpi, kësaj i thonë tjetër gjë; ose ke frikë zotin, ose t’i ka marrë zoti mentë…
Unë kam pasur një merak, që vargu i lirë ul muzikalitetin dhe ritmin poezisë, por një dorë e stërvitur mrekullisht me vargun, e ka shndërruar këtë poet në mjeshtër të vargut të lirë, ku përveç mesazhit, përmes figuracionit jashtëzakonisht të pasur, duke ruajtur një rimë dhe ritëm të brendshëm që më shumë ndjehet, se sa lexohet, sjell para nesh poezi bashkëkohore, e cila i shkapërthen kornizat e tradicionales, jo për tu shpërndarë pa drejtim, por për të krijuar kurorën e bukur të poezisë moderne shqipe.
Poezia e Ademit është sqimatare, ajo kërkon lexues të stërvitur me poezinë, lexues me kapacitet të lartë intelektual, se ajo flet direkt dhe indirekt, ajo flet me vargjet, por edhe mes vargjeve, ai flet për të djeshmen e mbuluar, për të sotmen e turbulluar dhe për një të nesërme më shumë se e mbuluar, më shumë se e turbulluar… e megjithatë , ai përulet para origjinës së tij, origjinë e një populli trupvogël, por me histori të madhe, siç është kombi ynë…
“Kur të vij çasti i ikjes
Më vendosni në maje të një plepi
Ose diku te retë
Atje lartë
Përtej mjegullave nga zbritën të parët e mi…”, do shprehej autori në poezinë “Me dorën e djathtë ta preki diellin”
Më vjen mirë, që gjej të kristalizuar dhe mendimin që nxora, pasi bëra një studim një vjeçar mbi fatkeqësinë e copëtimit të trojeve tona, se zanafilla është pikërisht në Fushë- Kosovë, në betejën e vitit 1389. Po në vargjet e poezisë “…kërkon dhe gjen “Ycin” e historisë dhe rrokullimën e Kombit tonë, rrokullimë që e mori nga tradhtia e barbarëve serbë e bashkëpunimi i tyre me turqit. Ai ngre zërin që ashtu siç rriten selvitë mbi ato varre që i lanë pa identitet, se edhe varret u sillnin tmerr, të rritet gruri e të ushqehen filizat e këtij populli, pa qenë nevoja të ikim nga toka e begatë nëpër rrugët e botës…
Bukur do e paraqiste poeti në poezinë “Përkundi dhe rriti nga një plis”, ku me forcën e vargut, shkul rrënjët e historisë së vërtetë. Diku e kam thënë se historinë me gjithë forcën e gjallësinë e saj, mund ta sjellin vetëm poetët e vërtet poeti Adem Zaplluzha e ka sjellë mrekullisht:
“Eh moj fushë e mirë e mëllenjave
Me lulëkuqe prej gjaku
Që në këtë tokë je ngulitur
Si një pykë
Sa herë që erdhën të huajt
Ti për mrekulli dite
Dhe u mbete në grykë
……………………………………..
Eh moj fushë e bozhureve
Kurrë nuk tu heq gazepi
Me shekuj kalërove mbi kuajt e luftës
Atdheu për ty ishte djepi
Që nga secili dru a lis
Për lirinë tënde
Përkundi dhe rriti nga një plis”


Një pemë që sulmohet vazhdimisht me gurë, ajo çdo vit prodhon më shumë… Ajo sulmohet në frytin, por jo në çeljen e gjetheve në lulëzim, edhe barbarët na kanë sulmuar për të na marrë të mirat materiale, por pa na zhdukur e shuar. Mbase ka ardhur në një pikë që barbarët kanë më shumë interes të na përdorin sesa të na zhdukin, të na lënë “të pavarur” se sa të pushtuar, kështu mishi piqet dhe helli nuk digjet, zbatohet strategjia e kahershme e vjeljes së taksave dhe haraçeve duke vendosur spahillerë shqiptarë me gjak të qelbur…”shoh hijet e të gjitha maskave” masakrime të elitës, shpërngulje, shfrytëzim i të mbijetuarve… dhe ne qeshim dhe vallëzojmë pavarësinë, një pavarësi të varur me kokë poshtë…

“Më duket se stina kalon
Në një gjendje tjetër
Të pashpresë
Një pemë e egër pa shpirt dhe formë
Qëndron përballë stuhisë
Retë e shkapërderdhura
Bredhin fushave si drerët e egër
Nga sytë e lëbyrta të ditës
Pikojnë trishtimet e shirave
Një kohë e shpërdredhur zvarritet rrugëve
Nëpër pijetoret e qytetit
Shoh maskat e të gjitha llojeve
Rrugët fantazmë ëndërrojnë prenë
Nën qepenat e dyqaneve
Palosen ngordhësirat e tërë qytetit…”

Në një vend ku zhvillimi i tij shihet në vargun e gjatë të emigrantëve dhe xhepat e politikanëve, sundon e liga aq shumë, saqë për t’i shpëtuar asaj nuk mjafton më të sakrifikosh veten, se përsëri po e njëjta gjë do të jetë, ulur këmbëkryq janë maskat. Maska të pështira gjer në provokim të nxjerrësh helmin e hipokrizisë që pimë çdo ditë. Kulmi i këtij fallsiteti është kur e di, je i sigurt që është falso, je prapë i detyruar ta besosh për të vërtetë, ndryshe do ikësh nga mentë, por kjo na ka shndërruar herë në papagaj, apo majmunë, herë në kanarinë pushverdhë që këndojmë nga sikleti për të kënaqur ata që na mbajnë mbyllur përmes varfërisë çnjerëzore…
Adem Zaplluzha
Detyra e letërsisë është jo të ngjallim dashuri për Atdhe (kjo i takonte kohës se rilindjes), se çdo shqiptar e merr nga gjiri i mëmës, por t’u çelë sytë për të kuptuar se bashkimi dhe përparimi s’ven nga gjaku që derdh, por nga drita që ke për të parë e dalluar realitetin, që barbarët të mos e përdorin gjakun tonë për qëllimet e tyre… Dhe autori vë kujën, por nuk jep zgjidhje, kur sa herë luftohet për liri dhe fitojmë një skllavëri tjetër, ndaj në poezinë “Pemët rëndojnë nga drynat” do shprehej:
“Pemët e rënduara nga drynat
Gjëmojnë si Gjergji i plagosur
Si t’i shërojmë këto plagë të hidhura
Kur për çdo ditë po hapen edhe të më thella…
…………………………………………………….
Heshtin edhe muret
Thua se kanë vdekur perënditë
Një zë më vjen nga lashtësia
Vjen dhe thotë se s’kanë vdekur perënditë
Por njerëzit me shpirtra të dyshimtë.”

Mërgimi, kjo plagë masive e popullit tonë, rrëfehet mrekullisht në poezinë “Pemët rendohen nga drynat”. Ikja për tu kthyer është zhvillim, por ne jemi detyruar të ikim për të mos u kthyer, kjo është fatkeqësi! S’jam me atë që shqiptarët s’vijnë se s’kanë mall, por s’vijnë se s’gjejnë shtrat, shtetet tanë ua kanë rrëzuar atë që para se të ikin, kthimi i tyre bëhet i padëshirueshëm, ligjet e vendosura janë mure betoni të pakapërcyeshme. Kur ikin, sikur kalojnë një lumë në korrik, ku uji është gati në shterim, po të kthehen, ky lumë vjen bashkë me shkrirjen e borës gjithë shkumë e s’kalohet dot…Kështu në poezinë “Pa lejlek ky qytet duket i vdekur”, do të shprehej:

Qenkan boshatisur mëhallët
As pemët s’kanë ku të ulen
Ky shkretim shpirti
Ku do gjej një vend për të pushuar
…………………………………………………………..
Paskan ikur edhe shtegtarët e vjeshtës
Pa lejlek ky qytet duket i vdekur
Ngjan me varret e vjetra
Ku për askënd më nuk ka vend.”Po thuaj i gjithë cikli i parë i këtij vëllimi poetik, trajton këtë temë të trajtuar dhe të papërfunduar nga gjithë poetët gjersa fatet tona janë ende pa fat…


Po të hedhësh një vështrim të përgjithshëm poezive lirike të dashurisë, vërehet një këndvështrim i cekët i kësaj ndjenjë hyjnore me fuqi të jashtëzakonshme shpirtërore.
Është normale që poeti / ja, do i këndojnë bukurisë, por bukurinë dashuri s’janë as sytë e zinj, apo larushë, as gjoksi pa dhe me silikon, as trupi, asnjë tipari veçantë i njeriut që dashurojmë, poezia i këndon imazhit që përforcohet nga shkrirja e të gjitha tipareve e krijimi i portretit të personit që kemi rënë në dashur, një portret pa tipare, një portret prej drite.
Dashuria kuptohet pas katastrofës që lë pas takimi i parë, katastrofë si të ishte një stuhi ku shkul drurët me rrënjë e çfarë gjen përpara dhe i duhet kohë shpirtit për të rindërtuar veten në një formë krejt tjetër e vetë dashuria të pajis me fuqi të jashtëzakonshme shpirtërore, të shton kreativitetin për rindërtimin e vetvetes krejtësisht në një formë tjetër që lidhet pazgjidhshëm me kohën dhe hapësirën, se sa e si favorizojnë apo pengojnë ato këtë rindërtim.
Të shkruash poezi për dashurinë, si forca më e madhe që godet një shpirt njerëzor për ta ndryshuar atë deri në shkallën sipërore drejt divinitetit, kërkohet nga poetët të zotërojnë kulturë dhe dije të gjerë në fushën e letërsisë, filozofisë, psikologjisë, teologjisë… Nuk mund të shkruajë poezi për dashurinë një poet që leximin s’e ka ushqim të përditshëm, apo një poet që s’e ka provuar këtë ndjenjë me forcën e stuhisë… poeti edhe veshjen duhet ta ketë të veçantë, edhe vështrimin, edhe ecjen, qëndrimin…  në çdo gjë, ai të jetë poezi…
Vetë sistemi komunist, në të cilin kaluam, i la “CURRA” (të vegjël), pa bagazhin e mjaftueshëm për të kuptuar të padukshëm, si pasojë e veprimit të dukshmesh nga e padukshmja. Ndaj e them me bindje të madhe, se pa këtë kapacitet të lartë intelektual, i cili fitohet jashtë mureve të shkollës, në vetë thithjen e dijes dhe kulturës kombëtare dhe botërore. Si mund të them, se janë poezi të arrira për dashuri në të cilët e nisin me fjalët “Të dua” dhe gjer në fund të poezisë ndahen, apo zhgënjehen…
Më vjen të mbyll facebook kur lexoj ndonjë poezi të tillë, ku merr mbi 200 “like”. Kështu nuk bëjmë gjë tjetër degjenerojmë shoqërinë, se nuk po kuptojmë më se kur quhet dashuri, kur kurvëri, kur tradhti bashkëshortore, se edhe të shkosh në shtrat një herë, u quajka dashuri e të nesërmen me një tjetër prapë dashuri e të kthehesh më pas të flesh në shtrat me bashkëshortin / ten dhe të mos quhet tradhti.
Vërtet letërsia nuk ndryshon sistemet shoqërore, por ajo përgatit njeriun për këto ndryshime. Si do të përgatitet shoqëria jonë shqiptare, kur krijuesit shkruajnë mrekullisht poetikisht bukur duke përcjelle mesazhe krejtësisht kundër një morali të shëndoshë të shoqërisë për një familje të qëndrueshme, si celula e parë e një shoqërie… Si të jetë familja, do jetë shoqëria, çdo gjë e ka zanafillën aty, ty farkëtohet mendimi për të ndryshuar si për të mirë, apo për të keq.
U zgjata pak, i kërkoj ndjesë poetit, por e thashë edhe më lart, është kënaqësi të marrësh energji të reflektosh mbi bazën e një libri poetik.
Në procesin e rindërtimit të vetvetes, në këtë proces që quhet JETË, është pikërisht dashuria që shfaqet si mungesë e asaj çka kërkojmë, apo ta themi ndryshe, si një far që ndjell drejt perfeksionimit tonë. E them me bindje të pakontestueshme: njeriu që s’dashuron vërtetë, kurrë s’mund të perfeksionojë vetveten, se vetëm kur dashurojmë thellësisht, përpiqemi jashtëzakonisht të shkojmë drejt perfeksionit tonë për të qenë aq sa më të denjë për dashurinë…
Dashuria është në një farë mënyre, si të adhurosh Zotin e kur njeriu arrin me vetëdije të adhurojë Zotin, kërkon të bëjë gjërat më të mira, jo nga frika e Zotit, por nga dëshira për të mos e lënduar atë dhe në këtë përpjekje (e pa menduar) të komanduar nga misteri, s’kemi bërë gjë tjetër, kemi perfeksionuar veten me virtytet njerëzore duke u afruar sa më shumë shëmbëllimit të Zotit. Edhe dashuria, këtë bën tek njeriu, e perfeksionon atë drejt divinitet…
Figura letrare e apostrofit na sjell pranë atë që dashurojmë edhe përmes mijëra kilometrave largësi, ashtu siç kuvendonin mërgimtarët rilindas duke i afruar dhe shpirtëzuar malet, fushat, kodrat, gërxhet, krojet… e vendlindjes së tyre, ndjenin praninë përmes ajrit, ashtu thërret dashuria dhe ia ndjen gjallësinë të dashurit/ ës përmes ajrit si frymë e shenjtë që të shndërron në dragua, të regjeneron shpirtin dhe trupi s’ndjen plakje…
Bukur e shpreh poeti në vargjet e poezisë “Tmerrësisht ndjej mungesën tënde” ku ndër të tjera shkruan:
“Eja kapma dorën të mos mbytem
Në gjolin e jetës
Të kam thënë dhe sërish po të them
Se ti je frymëmarrja ime
Si ta plotësoj këtë boshllëk pa ty
Secilin hap që e bëjë
Tmerrësisht ndjej mungesën tënde.”

Apo në poezinë “Nëse duam të zëmë trenin e dashurisë” ku shprehet:

“Ne e dashur prej fjalëve tona
Një ditë gjithsesi
Do ngrehim një kështjellë
S’do lëmë asnjë korb të fluturoj
Mbi çatinë e posa të ndërtuar

Nëpër secilin kënd të ngrehinës
Do vendosim
Nga një këndes të llamarintë
Le të na zgjoj herët në mëngjes
Sepse ata që flenë kurrë nuk zgjohen”

Dashuria troket te çdo njeri, të gjithë ajo i fton në start, por jo të gjithë futen në garë, po edhe shumë tjerë hyjnë dhe e lënë në mes të udhës, ata që prekin finishin, arrijmë të realizojnë veten dhe ata janë pak fare pak, por edhe një dritë mes errësirës mjafton për sydritët që të shkojnë drejt saj… Dashuria është SAKRIFICË, PËRKUSHTIM, në radhë të parë ndaj VETES, se cili përkushtohet vetes, i bën nder DASHURISË dhe anasjelltas… Kështu poezitë “Ajo është një lojë delikatë”, apo “Ajo ka nevojë për frymëmarrje” shprehet qartësisht ky përkushtim i vazhdueshëm ndaj saj. Asgjë mos prit nga një njeri që nuk sakrifikon për veten, ai njeri jeton për të shtyre ditët, mungon dashuria e pse pretendon se lufton për të.
Dashuria është DHIMBJE, e vetmja dhimbje që të gjithë e dëshirojmë, por jo gjithkush e duron deri në palcë… Kështu në poezinë”Gruaja dhe stinët”, në vargjet:
“Në një vazo të vjetër prej qelqi
Lule të freskëta plastike
Me një elegancë ta paparë ajo i ujiste
Dhembjet e stinëve…”

Po pse ne ende përpëlitemi si komb mes dashurisë së vërtetë dhe fallsitetit të saj???
Çdo shekull la njollat e errëta të pushtimit, por ardhja e Komunizmit e damkosi popullin tonë, e shpërfytyroi nga virtytet duke imponuar “cilësitë e njeriut komunist” si një njeri që dashuronte dhunën dhe robërinë, si një njeri pa njerëzoren, ndaj poskomunizmi erdhi turbullirë, edhe në jetën e përditshme, edhe në letërsi e kudo… një turbullirë që e pse po kalon një çerek shekulli, një dorë e padukshme, por e prekshme shekujve, nuk e lë të kullohet… Poeti e shpreh bukur këtë në poezinë që dhe ka pagëzuar këtë libër poetik “Ne ishim të lumtur si gjinkalla”, ne vargjet:

“Ishim të lumtur si gjinkallat
Nën pemët e shkulura
Tërë ditën këndonim në duet
Jo që i shkulëm nga skamja
Por ishte koha
Kur për një kumbull të papjekur
Të mbyllnin nëpër burgjet e mykura…”

Më duhet të qëndroj për ta mbyllur këtë recension, që ju të dashur lexues të hapni fletët e këtij vëllimi poetik për të mbledhur nektarin e poezive.
Zyba Hysen Hysa
(poete, shkrimtare, studiuese, publiciste)

No comments:

Post a Comment