4.10.2017

Universalizmi dhe Nacionalizmi

Universalizmi dhe Nacionalizmi
Qysh prej shekujsh vazhdon lufta midis këtyre të dy botëkuptimeve. Kjo luftë filloi aty nga i XII shekull me Kartën e Madhe. Filloi në mënyrë të dukshme kur populli englez vendosi të shkëputet prej ndikimit së kishës universale. Lufta vazhdon e ashpër edhe sot nën forma të ndryshme. Nga ana e universalistave lufta bëhej dhe bëhet në bazën e një arsyeje shumë herë gjeniale, por gjithmonë arësye të ftohtë dhe spekulonjëse. Kurse nacionalistët i ka shtytur instikti, kishte me thanë vetë natyra. Natyra i do individet, do shumëllojshmërinë ndër njerëz, ndër kafshët dhe bimët. Për me i dalë zot këtij qëllimi, jo vetëm i ka krijuar racat, llojet e kafshëvet dhe të bimëvet, por iu ka dhanë armët dhe mjetet ma të rafinuara për t’u mbrojtur.

Universalistat nuk pranojne kufi nga jashtë, por aq më të ngushtë i venë kufijtë nga mbrenda. Flasin për njerëzin mbarë, për ide të përgjithshme, për njësi dhe vllazëri të përbotshme. Forma e universalizmit eshte imperializmi, qofte fetar ose shekullar. Siç thashë imperializmi përdor si parim të domosdoshëm shprehjen: “kufi të gjërë nga jashtë dhe të ngushtë nga brenda”. Që të kuptohemi ma mirë, po iu jap disa shembuj. Çdo fe e organizuar që ka prirje universale thotë: Më fal arsyen tënde, gjykimin tënd dhe unë të zbuloj të vërtetën absolute. Imperializmi shekullar romak ose englez etj., ka thënë ose thotë: falmë urinë tande si individ ose si komb dhe une do të ngreh një shtet i cili përfshin gjithë njerëzinë dhe gjithe dheun, ku do të sundojë rregulli dhe paqa. Komunizmi, një tjetër formë e universalizmit, thotë: Hiq dore nga vëllau tënd i gjakut dhe unë të bëj vëlla me të gjithë njerëzit e kësaj bote. Kjo bie erë diçka si ajo puna e shejtanit, i cili i paska thënë Krishtit: Bjer në gjunjë, falmu mua dhe unë të fal gjithë pasurinë e kësaj bote. Shkurt, çdo imperializëm, në emrin e një ideje universale, kërkon dhe ka kerkuar: Hiq dorë nga personaliteti tënd dhe nga lirija personale. Universalizmi ka patur gjithmonë një fuqi të madhe dhe tërheqëse në njerëzit e ligshtë. Mirëpo njeriu i fortë nuk e pranon. Ai gjen në kraharorin e tij, në familjen e tij, në popullin e tij një botë pa kufi, të cilin ai nuk e shkëmben me gjithë universin dhe me gjithë yjet e panumurt të tij. Nacionalisti i ka vënë vetes kufij nga jashtë, për të ruajtur personalitetin e vet dhe kërkon kufij të gjërë nga brenda, për me qenë i lirë në zhvillimin e natyrshëm të vlerave të tij, të prirjeve të tij, shkurt të karakterit të tij. Kurse universalisti thotë: bëju si unë; nacionalisti përkundrazi lyp: bëju siç je, me fjalë të tjera, qëndro besnik i vetvetes.

E vërtetë që nacionalisti pranon që njeriu ashtu edhe kombi nuk mund të qëndrojnë për vehte dhe të veçuar, se bëjnë pjesë në një tërësi, në të cilën secili është mbështetje dhe mbeshtetet. Por njerëzia, si një tërësi, është e interesueshme dhe mund të lartësohet vetëm atëhere kur individi ose kombi ka dhe di të ruajë karakterin e tij. Nacionalisti i jep një rëndësi të veçantë personalitetit dhe lirisë vetjake. E quan për detyrë të shenjtë të ruajë dhe zhvillojë vlerat e tij; e çmon vehten dhe kërkon që ta çmojnë dhe të tjerët; lyp që ta ketë fatin e vet vetë në dorën e tij; nuk duron të humbasë në turmën e popujve; nuk duron të bëjë pjesë si një numur i një shoqërie anonime; nuk do të fshihet prapa një pseudonimi, por del para botës me gjithë personin e tij përgjegjës, si ai burri i Tepelenes i cili çdo letër e mbaronte me këto fjale: “Unë, Aliu, shkruaj”.

Që ta presim shkurt në një mënyrë konkrete: Ne shqiptaret duam idenë tonë, virtytin tonë, të mirën ose vetveten tonë. Nuk e duam idenë e këtij, atij ose të gjithë botës. Siç thashë, nuk duam të jemi pjestarë në një shoqëri anonime. As duam të jemi dëkorative brenda suazës së një perandorije. Por në një çast fatzi ligështije dhe të krrupës së madhe na sulmoi armiku befas dhe na mashtroi. Hodhi fare të keqe midis nesh dhe organizoi anarkinë e shëmtuar. Ne, që si popull kemi dhënë burra shteti dhe ushtarë të mëdhenj, jetojmë sot turpin, të na heqin nga hunda të huajt! Por krenaria e jonë kombetare na ndalon të organizohemi nën priz të huaj. Vetëdija e jonë kombëtare dhe instikti i vetëmbrojtes na ndalojnë ndër këto kohe fort të rrezikshme të vrasim njeri tjetrin. Mbi te gjitha, nderi i jonë kombëtar na ndalon të gënjejmë, të intrigojmë dhe të shpifim! Jemi vëllezër. Duhet të bëhemi shokë!



Mihal Zallari
Gazeta Kombi 17.10.1943

No comments:

Post a Comment