5.09.2017

Cikël poetik nga Radije HOXHA-“DIJA”,

radije

E lindur në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesme (të mjekësisë, dega infermiere) i kreu në Shkup. Studioi mjekësinë në Universitetin e Prishtinës. Ka diplomuar për Mjekësi Tradicionale Kineze, dega Akupresurë dhe Tui-na masazh “Belladona bimed”, në Shkup.

Aktualisht jeton në Prishtinë, punon gazetare dhe moderatore e programeve të kulturës, në Radio Televizionin e Kosovës- Radio Kosova.

Veprimtaria letrare:



1.“Zoti më do natën” 1995.

2. “Unë bëhem Ajo” (poezi) botuar, ne vitin 1997.

3.“Mosdija” roman, botuar në vitin 2000

4.“Gjeniu pleqnon çmendinë time”, në vitin 2005.

5. Haiku poezi është në dorëshkrim





ÇMIMI I DASHURISË

Dashuria jonë doli në treg

të shitet për pesë para

E kërkuan shkencëtarët, gjyqtarët, barbarët…

Kishte shume blerës,

aq shumë

sa u pendova:

Pse nuk ja ngrita çmimin qe ne fillim?





NUK E PËRFUNDOVE SHKRIMIN E VETMISE

(poetit boshnjak Admiral Mahiq)



Me korin e atyre që e penguan ujin

të depërtojë në këpucët tua,

këmbët sajuan një rekuiem në A-dur,

për të gjitha pishat në forme trekëndëshi…

që lidhin lotët me imazhet e fundit,

në peronat ku koten

dashuritë e humbura.

Martohu me një vetmi tjetër miku im!

Në Deja vu-të boshnjake

pushojnë shikimet e përhumbura të Mitrovicës,

Sahara e Ajshes nga Maroko në Drenicë.

Kaçubat e manaferrave rimojnë me qepallat e vajzave

që fshihen nga dielli i vitit 1999.

Martohu me një vetmi tjetër miku im!



Ti thua:

Paramendoji puthjet që këmbehen si të burgosurit…

Sa shumë të burgosur kemi për të këmbyer, miku im,

sa fjalë të pathëna të dashurisë kemi për të liruar…

Ky Rekuiem në A-dur, që nuk përkthehet në anglisht,

ia bën: Pssst,

botës në gjoksin tënd

dhe përkund foshnjën

që futet në parajsë,

bashkë me një dorëshkrim të zbehur.

Martohu me një vetmi tjetër miku im,

Shkelja syrin mësyshit!

nga Rami Kamberi

No comments:

Post a Comment