5.09.2017

Epshi karakteristik për pikturim dhe vjershërim

Nga Prof. Shyqri Nimani

Miradije Ramiqi


Miradije Ramiqi



Këtë vit, piktorja, poetesha dhe pedagogja Miradije Ramiqi kremton 61- vjetorin e lindjes dhe 41- vjetorin e krijimtarisë artistike. Ekspozita që po shfaqet me këtë rast nuk është retrospektivë gjithëpërfshirëse klasike, por një vargan pikturash të krijuara gjatë dhjetëvjetëshit të fundit. Ky opus i saj përbëhet nga tre cikle të pagëzuara me emërtime poetike kuptimplote:

Përshpirtërimë poetike
Fytyra të humbura
Pranë vatrës.

Tematika e këtyre cikleve ka të bëjë me transliterime vizuale poetike të ngjarjeve dramatike të cilat janë shtresuar për një periudhë të gjatë kohore në psikën e trazuar të autores. Ato, duke filluar që nga nisma e karrierës së saj artistike e deri më sot, reflektojnë shembëllesa kreative të artefakteve të shkëputura historike të proveniencës ilire, të cilat autorja i shtjellon me përkushtim të veçantë. Varësisht nga disponimi kohor apo frymëzimi i çastit, ajo krijon konstelacione pikturash apo vjershash, të cilat herë mbizotërohen nga forca e spektrit magjik koloristik të pikturës e herë nga ngashërimi i vargut poetik. Kështu, njëra disiplinë artistike mishërohet me tjetrën, duke gërshetuar verbalen me pamoren. Sepse, në rastin e piktores Miradije Ramiqi, sintagma e urtë dhe e lashtë se një pikturë është një poemë pa fjalë – i shkon shumë për shtati.

Dy ciklet e para të pikturave, Përshpirtërimë poetike dhe Fytyra të humbura, janë kompozicione që shquhen për mënyrën e shtjellimit të trajtave, harmonizimit të ngjyrave dhe të asociacioneve përkatëse. Ato janë të ndërtuara me spërkatje ngjyrash potente, të kuqërremta në të portokallta apo edhe të tjera, të azurta e tirkize, duke u dhënë pikturave dominacë koloristike me gama fisnikëruese. Nga ana tjetër, si kontrapunkt ndaj dy cikleve të para, cikli Pranë vatrës shpalos një qasje që imponohet me ndërtimin inventiv të tërësisë kompozicionale, me kontura apo silueta të zeza dramatike dhe me të tërhequra potezash spontanisht. Potezat e zi elegantë mbi sfondin e bardhë të kompozicionit, të përcjellur edhe me ndonjë rezonancë tingëlluese koloristike, të imponojnë përfytyrime të baladave nostalgjike të kreshtave malore të Valbonës, ku mbizotërojnë muzat mbi majat e thepisura që puthin lartësitë hyjënore…

Ndërkaq, autorja është e pasionuar për të krijuar piktura që reflektojnë sajesa pamore origjinale, me një ekspresivitet të shfrenuar, me tipare të dallueshme vetanake. Nga ana tjetër, shkrimtari dhe filosofi francez, Voltaire, pohonte se origjinaliteti nuk është gjë tjetër pos imitim i mençur. Është evidente se artistja Miradije Ramiqi ka bërë evoluim të dukshëm viteve të fundit, duke arritur të trasojë një kahje për një shprehje autentike, do të thosha, sipas parimit të Henri Matisse, se krijimtaria kërkon guxim dhe se parimet e artit të vërtetë nuk janë për të portretizuar, por për të sfiduar. Mund të konstatohet se opusi i saj krijues tashmë ka arritur legjitimitetin e dallueshmërisë stilistike.

Përkundër faktit se krijimtaria artistike kërkon devotshmëri titanike të përhershme, arti na mundëson që ta zbulojmë vetvetën dhe ta humbasim vetvetën në të njëjtën kohë.

No comments:

Post a Comment