5.24.2017

Fatmir Sejdiu, Adem Salihaj e Shpejtim BulliqiPrurjet e reja në LDK dhe largimet nga lista për deputetë

Gresa Bajraktari

Nga Gresa Bajraktari



11 qershori do të jetë dita kur qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të votojnë të preferuarit e tyre, për kryeministër dhe për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Në partitë politike në Kosovë ka pasur dorëheqje dhe aderime të reja.




Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga strukturat e LDK-së, nga pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Nderit të LDK-së.

Ai ka dhënë arsyet e tij për dorëheqjet, duke thënë se kanë lidh këto koalicione parazgjedhore dhe kanë ndërtuar listë të deputetëve, duke anashkaluar personalitete të rëndësishme dhe të dëshmuara të LDK-së si dhe duke futur emra që absolutisht nuk kanë pasur lidhje me LDK-në, bile edhe kundërshtarë të saj.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, tash e sa vjet ka zhvilluar politika që janë në kundërshtim esencial me programin e saj burimor dhe në veçanti ka vepruar në mbylljen e mendimit të lirë si dhe përndjekjen e gjithë atyre që kanë menduar ndryshe nga vullneti i lidershipit të saj”, ka shkruar Sejdiu në llogarinë e tij në Facebook.

Në anën tjetër, në LDK, e cila formoi koalicion parazgjedhor me AKR-në dhe Alternativën, aderuan edhe figura të njohura, siç janë Lumir Abdixhiku e Driton Selmanaj, të cilët janë kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Image

Skënder Zogaj: Dorëheqja e Sejdiu, nuk justifikohet 
me asnjë lloj arsyetimi

Lidhur me dorëheqjen e Sejdiut, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj ka thënë se dorëheqja e tij lë shumë për të dëshiruar në këtë kohë zgjedhjesh.

“Dorëheqja e ish kryetarit Fatmir Sajdiut nga Këshilli i Përgjithshëm dhe nga posti i kryetarit të nderit, në kohën e zhvillimeve me përpjekje të forta rrënuese kundër LDK-së nga ana e disa partive shumë qëllimkëqija, lë shumë për t'u dëshiruar, sepse, nuk është veprim i duhur për njërin nga themeluesit dhe funksionarët më m të lartë partiak, siç është Fatmir Sejdiu. Pavarësisht nga arsyet dhe motivet, akti i dorëheqjes në çastin më kritik për fatin e LDK-së, nuk mund të justifikohet me asnjë lloj arsyetimi”, ka thënë Zogaj .

Ndërsa, deputetët Shpejtim Bulliqi dhe Adem Salihaj kanë reaguar pas lënies jashtë listës zgjedhore të partisë të cilët i takojnë.

Image

 Shpejtim Bulliqi: Më larguan për shkak të Demarkacionit


Deputeti Shpejtim Bulliqi faktin që nuk është në listë të LDK-së e ndërlidh me kundërshtimin që ai i ka bërë marrëveshjes së Demarkacionit dhe mosvotimin e Hashim Thaçit president.

“Motivi i këtyre largimeve është i ulët, ata që na larguan mua dhe kolegët kryesisht e bën si duket nga frika dhe respekti që ne gëzonim përditë e me tepër te elektorati i LDK-së, i cili respekt u forcua për shkak të qëndrimeve tona rreth disa çështjeve që ishin aktuale gjatë mandatit që lamë pas.

Largimi është bërë selektiv, pasi që nuk ishim pak kolegë që i kundërshtuam disa çështje jetike për vendin dhe integritetin e tij.

Me vie shumë keq për të gjithë anëtarësinë e LDK-së që janë zhgënjyer më këtë politikë fyese e linquese ndaj atyre që përkrahën vendimet e tyre lidhur me mos votimin e Thaçit për president vendi dhe cenimin e integritetit të shtetit tonë-demarkacionin.

Njerëzit e këtij vendi kanë dhënë shumë më tepër se ne-jetën, ndërsa ne e sakrifikuam një karrige deputeti që mund të jetë gjëja më e vogël”, ka deklaruar Bulliqi.

Më tej, ai ka shtuar se ka pasur oferta nga partitë tjera, por që i ka refuzuar dhe se ka qenë i gatshëm të paguajë çmimin për kauzat që ka qenë i angazhuar.

Image

Adem Salihaj: Sërish do ta mbaja të njëjtin qëndrim për Demarkacionin, Hashim Thaçin e Kadri Veselin

Edhe deputeti Adem Salihaj eliminimin nga lista zgjedhore e LDK-së e lidh me kundërshtimin që i ka bërë Demarkacionit, zgjedhjes së Hashim Thaçit president dhe Kadri Veselit kryetar të Kuvendit.

“Eleminimi im u bë për shkak se votova kundër koalicionit me PDK-në si dhe kundër zgjedhjes së Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit dhe Hashim Thaçit për president të Kosovës.

 Lidhur me Marrëveshjen e Demarkacionit,u deklarova se nuk do ta votoj, ndonëse ajo nuk u soll asnjëherë në Kuvend për votim.

Lidhur me çështjen e koalicionit, në kuadër të të cilit përfshihen edhe zgjedhja e Thaçit dhe Veselit, organet e LDK-së për katër vite me radhë, duke ndjekur zërin e elektoratit tonë, kishin qëndrim të prerë se nuk do të bëhet koalicion me strukturat kriminale të PDK-së dhe SHIK-ut.

Këtë qëndrim e kanë përcjellur për 4 vite me radhë te anëtarësia e LDK-së dhe te publiku, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm Ismet Beqiri.

Asnjë organ i LDK-së asnjëherë nuk ka marrë vendim që të bëhet koalicion me PDK-në, prandaj konsideroj se qëndrimet e mia kanë qenë në përputhje me vendimet e organeve të LDK-së .

Po të pyetesha edhe tash, sërish do ta mbaja të njëjtin qëndrim, sepse konsideroj se është qëndrim i drejtë dhe është në përputhje me zërin e fuqishëm të elektoratit të LDK-së”, ka deklaruar deputeti Salihaj.


Shpresa se LDK-ja do të forcohet e reformohet


Lidhur me aderimet e reja në LDK dhe lënies jashtë liste të Bulliqit e Salihajt, analisti Skënder Zogaj ka thënë se shpresa mbetet të kuadrot e reja, që LDK-ja të forcohet edhe më shumë.

“Mos konsideratat e Këshillit të Përgjithshëm, ndaj Fatmir Sejdiut, Bulliqit, Salihajt e ndonjë tjetri, nuk janë kurrfarë habie, sepse, të këtilla kanë ndodhur edhe më parë e në vazhdimësi, duke anashkaluar figura të shkëlqyeshme partiake, por, kjo është gjëja më e zakonshme për një parti të madhe, si LDK-ja, brenda së cilës ka diversitete pikëpamjesh, deponimesh dhe ambiciesh karrieriste, të cilat 'padyshim që prodhojnë gjendje refuzuese.

 Një anëtari të devotshëm i takon që të përballet qoftë edhe me çmimin e viktimizimit të vetvetes. Fatmir Sejdiu është dashur ta kalojë edhe këtë rast, kur LDK-së iu kanë afruar freskime të reja kuadrosh si Dritoni, Lumiri, Visari, e varg të tjerësh, që japin shpresën se LDK-ja do të forcohet e reformohet dhe, më në fund, do të jetë ajo që e dëshirojmë dhe kemi nevojë që ta kemi”, është shprehur analisti Zogaj .

Image

Haki Abazi: Çështja e listave, shumë e ndërlikuar

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend Haki Abazi, ka thënë se çështja e listave është një ndër çështjet më të ndërlikuara dhe komplekse për secilin subjekt politik, derisa e cilëson të ndryshëm rastin e Bulliqit dhe Salihajt.

“Mendoj që është çështje e brendsheme e partive për kriteret që ato përdorin për të përfshirë individë të caktuar ose jo dhe gjithashtu kalkulimet për marrëdhëniet që janë ndërmjet anëtarëve me influencë brenda partisë.

 Mendoj që çështja e Z.Bulliqi është shumë ndryshe nga ai i Z.Salihaj, duke pasur parasysh që në rastin e parë ka ndodhur një përzierje ndërmjet qëndrimit profesional dhe atij partiak politik për çështjen e Demarkacionit, ndërsa në rastin e dytë nuk ka aspak njohuri për arsyet e mospërfshirjes. Por, supozimi im është se duke krijuar një listë koalicioni për zgjedhjet, mund të krijojnë pakënaqësi më të madhe se në rastin kur partitë shkojnë të vetme në zgjedhje”, është shprehur Abazi

No comments:

Post a Comment