5.16.2017

Serbia shpik e akuzon Kosovën, në Këshilline Sigurimit të KB

 Në selinë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka filluar shqyrtimi i raportit tremujor të sekretarit të përgjithshëm të KB, Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut dhe situatën në Kosovë, që përfshin periudhën 16 janar deri 16 prill 2017. Raportin në emër të sekretarit të përgjithshëm Guterres e paraqiti shefi i UNMIK-ut për Kosovën, Zahir Tanin, ndërsa në emër të Kosovës foli ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku.

Ka nisur mbledhje e Këshillit të Sigurimit të KB, Serbia shpik e akuzon Kosovën

Serbinë këso here e përfaqësoi ministresha e Drejtësisë, Nella Kuburoviq, Në raportin e sekretarit të përgjithshëm Guterres theksohet se periudha në shqyrtim karakterizohet nga zhvillime që nuk kanë kontribuuar për uljen e tensioneve në marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës dhe shfaqet shqetësimi për shkaqet që pengojnë përparimin në dialog si dhe për shkak të mungesës së zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku i quajti raciste qëndrimet që përfaqëson Serbia në raporti me Kosovën dhe shqiptarët, ndërsa të mërzitshëm fjalorin që përdorë që në kohën e Millosheviqit. Ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nella Kuburoviq vendimin e Gjykatës franceze për Ramush Haradinajn e ka quajtur të turpshëm, antiserb, ndërsa vendimin e bashkësisë ndërkombëtare për bombardimin e Serbisë si një padrejtësi, shkelje të të drejtës ndërkombëtare.

Ajo përsëriti pikëpamjet e Millosheviqit sipas të cilit nuk është i ligjshëm ndërhyrja në emër të humanitetit, siç u përdor në rastin e Kosovës. Ambasadori i OSBE-së në Kosovë William Walker, sipas Kuburoviq, ka pasur qëllim për një Kosovë të pavarur, ndërsa shtoi se rastin e Raçakut ai shpifi.

Më 16 janar të vitit 1998, siç ka thënë ajo, është dhënë një raport i rrejshëm për masakrën në Raçak, madje ishte kërcënim dhe shtypja e serbëve në Kosovë vazhdon edhe sot.. “Kërcënimet ndaj serbëve në Kosovë vazhdojnë, dhe askush deri tash nuk është dënuar”, ka thënë ajo.

Veprimet e deritashme të ish-ambasadorit Walker ajo e konsideroi të pakualifikueshme dhe tha se ka shkelur integritetin e një shteti të pavarur. Duke u ndërlidhur me Rezolutën 1244 dhe duke u nisur nga siguria në rajon, tha se Serbiaështë e përkushtuar në mbrojtjen e të gjithë serbëve. Këtë kërcënim ajo e shfaqi në lidhje me nismën që Kosova të bëhet me ushtrinë e saj.

Dialogu në BE mes Serbisë dhe Kosovës, sipas saj, ka ngecur pasi nuk ka rezultate të dëshirueshme, edhe pse ky dialog është alternativa e vetme. Për këtë ajo e fajësoi Kosovën, ndërsa për Serbinë tha se “ka përmbushur të gjitha marrëveshjet”. “Unë ftoj shtetet që kanë njohur Kosovën t’i rishqyrtojnë vendimet e tyre për të gjitha çështjet”, ka thënë ajo.

Në fjalën e saj, Kuburoviq ka theksuar se lidhur me çështjen e formimit të Asociacionit duhet të dëgjohet zëri i partnerëve evropianë.

“Prishtina duhet të plotësojë përkushtimet e veta rreth asociacionit dhe duhen veprime specifike. Serbia është e përkushtuar në ruajtjen e paqes. Sistemi i drejtësisë nuk duhet të mbetur i heshtur ndaj kërcënimeve për pastrim etnik të serbëve”, ka thënë ajo.

Kuburoviq tha se është e papranueshme sjellja e Prishtinës që dialogu dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve të trajtohet si mjet “nënçmimi” ndaj palës serbe dhe partnerëve evropianë.

Ajo theksoi se pavarësisht sfidave të shumta, Serbia po vazhdon në mënyrë konstruktive në dialog me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të hapura dhe krijimin e kushteve për përparim të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

Sipas saj, Kosova “është larg e të bërit” e një shoqërie multi-etnike dhe paqësore, dhe se vetëm një numër i vogël është i personave të kthyer serbë në Kosovë, dhe se duhet punuar për kthim të qëndrueshëm.

No comments:

Post a Comment