5.14.2017

“Viagrat” mbesin tabu për kosovarët!


Në Kosovë ekzistojnë disa lloje të barnave stimuluese për potencë: “cialis, kamagra, degra dhe levitro. Ato shiten “nder duar”, ndërsa çmimi sillet prej 8 deri 50 euro

 albinfo.ch

Ferid Murati është një shqiptaro-amerikan, i cili fitoi Çmimin Nobel për medicinë në vitin 1998. Ai kishte zbuluar një ilaç që ndikon në potencën e meshkujve, duke ua zgjidhur kështu problemin miliona meshkujve nëpër botë, që vuajnë nga impotenca.

Mirëpo, derisa në vendet e ndryshe të botës zbulimi i “Viagrës” konsiderohet si revolucion, në vendin nga e ka origjinën fituesi i Nobelit, mbetët si tabu.

Tek shqiptarët ky ilaç stimulues, blihet nëpër barnatore, por konsumuesit e marrin “sikur të ishin haja”, vetëm ilegalisht.

Një medikament stimulues për seks, në Kosovë kushton prej 8 euro deri ne 50 euro, që për shumë kënd konsiderohet më i shtrenjte se që lejojnë standardet. Edhe farmacistët duket se i mbajnë ”nën dollap” këto ilaçe, edhe pse janë regjistruara nga institucionet shtetërore të barnave.

“Unë e kam porositur një shok me m’i ble në Maqedoni. Edhe këtu ka, por po me duket shumë pa lidhje me shkuar ne barnatore…”, shprehet A. N, një afarist në Prishtinë.

Ai thotë se ky bari stimulues ndikon relativisht mirë në çështjen e impotencës, por se nuk është në dijeni për efektet anësore.



Kosovarët nuk i thyejnë tabutë

Bledar Haliti është një studiues i psikologjisë në Strasburg të Francës. Ai bën një krahasim ndërmjet vendit ky studion dhe vendlindjes së tij, Kosovës. Sipas tij, mentaliteti evropian dhe ai ballkanik kanë ndryshme të theksuara sa i përket diskutimit të këtyre çështjeve.

“Në Francë përveç që pacientët diskutojnë ço detaj me mjekun, ndërsa në Kosovë ndodhë e kundërta. Njerëzit hezitojnë të diskutojnë me mjekun dhe për çështjet që janë më parimore”, deklaroi ai.

Faik Hoti është mjek dhe njëherit zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës. Ai tha se sasia e ilaçeve stimuluese që hyjnë në Kosovë nuk është e madhe.

“Nuk mendohet qe ka sasi te mëdha. Në Regjistrin zyrtar të barnave në Kosovë (Edicioni II, 2012) ekziston një lloj i tabletës Levitra (film tableta) në tre doza të ndryshme: 2×10 mg, 2×20 mg dhe 4×5 mg, që të tria këto të prodhuara nga Bayer A.G. Germany”, thotë Hoti.

Në pyetjen se a kontrollohen këto barna, zëdhënësi i MSH-së tha se të gjitha barnat kontrollohen nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinave (AKPM).

“Para se një bari ti jepet leja për import, në AKPM duhet të sillen të gjitha certifikatat e prodhuesit që dëshmojnë për cilësinë e produktit, standardet e mira të prodhimit dhe ruajtjes dhe aspektet e tjera të sigurisë”, deklaroi Hoti.



Ilaçet që hyjnë në Kosovë kontrollohen nga AKPM

Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të thotë që në treg nuk ka mundësi që të qarkullojnë edhe produkte me cilësi jo adekuate, prandaj shpeshherë, siç tha ai, merren mostra të ndryshme për analiza.

“Ka edhe raste kur për shkak të shkeljes së ndonjërit prej standardeve apo kushteve të kërkuara, operatorëve u merret edhe licenca dhe dënohen nga Inspektorati Farmaceutik”, tha zëdhënës i MSH-së.

Ndryshe, në Kosovë ekzistojnë disa lloje të barnave stimuluese për potencë. Siç deklaroi për albinfo.ch një farmacistë, në treg qarkullojnë tabletat: “Tialis, Kamagra (gjel), Degra dhe Levitro.

Kjo e fundit, sipas tij, është më e shtrenjtë, sepse nuk jep efekte anësore, prandaj në treg sillet rreth 50 euro. Kurse tri llojet e para, zakonisht sillen nga 8 deri në 10 euro, sipas çmimit të regjistrimit. Mirëpo shumë nga këto tableta, siç tha ai, shiten ilegalisht, të paregjistruara.

“Nuk besoj që ka shitje të madhe, edhe pse janë të regjistruara. Janë tableta të shtrenjta për standardin kosovarë”, tha ndërkaq Ilir Dushi, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale.

Pavarësisht që çmimi i tyre është relativisht i shtrenjtë, farmacitë nuk e lënë klientin të “koritet”. Ato i ndajnë edhe copa-copa, nëse nuk ka para pacienti me ble komplet filmin e tabletave. Në këtë mënyrë mundet me ble vetëm një kokërr, dy, varësisht nga gjendja financiare.



Sa barna hyjnë në Kosovë brenda një viti

Sipas Doganave të Kosovës, brenda një viti në Kosovë importohen më shumë e 50 milionë euro vetëm për barna.

Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci raporton se brenda vitit 2012, në Kosovë kanë hyrë brana në vlerë 50 milionë e 320 mijë euro. Kurse vetëm brenda periudhës janar-mars 2013, në Kosovë janë importuar 8.11 milionë euro barna.

Shumica nga këto barna që hyjnë në Kosovë, kanë raportet e shfrytëzimit, për efektet dhe kundër-efektet, edhe në gjuhen shqipe. Por, ka edhe barna të cilat nuk e kanë raportin në shqip, dhe shumë qytetarë që nuk i dinë gjuhet tjera, nuk janë në dijeni se çka përmban ilaçi.

Ministra e Shëndetësisë, ndërkaq ka kërkuar që në çdo medikament që hyjnë në Kosovë, të ketë edhe udhëzuesin në gjuhë shqipe

“Është duke u punuar që një udhëzim që ka parapa t’i kenë këto udhëzime në shqip të jetësohet, edhepse duhet pranuar se ka prodhues të mëdhenj ndërkombëtar që Kosovën e shohin si treg shumë të vogël dhe nuk shohin ndonjë interes të madh që këta udhëzues ti bëjnë edhe në shqip”, deklaroi zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti.

Por, sipas tij, ka edhe raste të mira sidomos me Slloveninë, Kroacinë dhe vende të tjera, që prospektet i kanë në shqip, në barnat e dedikuara për tregun kosovar

No comments:

Post a Comment