5.16.2017

Zëvendësambasadorja e SHBA-së pranë Kombeve të Bashkuara, Michele Sison,bën thirrje për njohjen e Kosovës

SHBA bën thirrje për njohjen e Kosovës

Zëvendësambasadorja e SHBA-së pranë Kombeve të Bashkuara, Michele Sison, ka thënë të martën se vendi i saj përsërit thirrjen që KS i KB-ve të shtyjë raportimin e UNMIK-ut nga tre në gjashtë muaj, ndërsa u bëri thirrjeve shteteve anëtare të OKB-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë.

Ajo në seancën e KS të KB-ve, tha se udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë duhet të revitalizojnë bisedimet dhe të zbatohen marrëveshjet e dialogut, duke punuar në mënyrë aktive.

“Kufomat në Raçak janë dëshmi e masakrës dhe dhunës që ka ndodhur atje”, ka thënë diplomatja amerikane duke iu kundërvënë ministres serbe Nela Kuburoviq rreth akuzave për rolin e ish-diplomatit William Walker derisa ishte shef i misionit të OSBE-së në Kosovë.

Për më tepër, diplomatja amerikane ka përsëritur se kufijtë e vendeve të Ballkanit janë të definuar, derisa ka inkurajuar vendet që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë tash një gjë të tillë.

“U bëjmë thirrje liderëve nga rajoni që t’i shmangen deklaratave ndezëse dhe të fokusohen në gjëra, të cilat u sjellin vendeve të tyre përparim”, ka thënë Sison, transmeton rtk.

Sison ka thënë se KS i KB-ve duhet ta shtyjë raportin për Kosovën nga tre në gjashtë muaj, ndërsa ka kritikuar kërkesën e UNMIK-ut që buxheti për vitin e ardhshëm të rritet për dy milionë dollarë.

“Uashingtoni mbështet reduktimin e UNMIK-ut në dritën e përparimit që ka arritur Kosova”, ka thënë ajo.

No comments:

Post a Comment